2011-03-28

Arsim Spahiu : Kufiri ndarës mes epirotëve dhe grekëve të vjetër

Disa gjuhëtarë e historianë edhe sot përballen me problemet e etnitetit të popujve që kanë banuar në Epir dhe në viset përreth. Duke u nisur nga burimet e pasakta të traditës së vjetër, autorë të sotëm përpiqen të nxjerrin pareshtur argumente mbi përkatësinë etnike të epirotëve të vjetër, që interpretohen ndryshe nga ata ose nga autorë të tjerë. Siç vë re D. Musti, nuk duhet të habitemi pse të njëjtat të dhëna burimore nga disa përdoren për të mohuar origjinën greke të epirotëve, kurse nga disa të tjerë vlerësohen ndryshe.

Straboni (VII, 326-327) parashtron se me gjallje të tij territori që shtrihej nga bregdeti jonik deri në Maqedoni përfshinte një χοινή gjuhësh dhe dokesh e zakonesh. Por problemet e njëjësisë dhe etnitetit të një populli nuk mund t’i zgjidhë uniteti kulturor dhe politik.

Autorët e vjetër grekë dhe romakë në përgjithësi i quajnë epirotët “barbarë” në kuptimin që s’janë grekë. Mirëpo disa gjuhëtarë dhe historianë mendojnë ende njësoj si Dionisi i Halikarnasit (XX, I), i cili thoshte se fjala “barbar” në këtë rast është përdorur në kuptimin “i pazhvilluar, i pagdhendur” sepse në shek. IV para e. s. epirotët jetonin në kushte relativisht mjaft primitive: të ndarë në fise, në fshatra të vogla, në një kohë që nëndarje të tilla e kishin humbur kuptimin e tyre në Greqi. Nuk mund të përjashtohet mundësia që kushte të tilla primitive të jetesës t’i kenë shtyrë historianët për t’u atribuar epirotëve emrin “barbarë”, aq më tepër kur Euripidi (I f. në Aul, v. 1400) i cilëson epirotët si “të pagdhendur”, që i përkisnin një qytetërimi më të ulët. Por Tukididi (I, 5) do të ketë menduar ndryshe: ai i krahason banorët e Lokridës, të Akarnanisë dhe të Etolisë me barbarë primitivë, duke marrë parasysh shkallën e qytetërimit, por pak më parë ai përmend faktin që te poemat e Homerit mungon emri i helenëve. Prandaj mund të thuhet se Tukididi e bën këtë dallim duke u bazuar në premisa etniko-politike, jo në ato kulturore. Pra, edhe sikur të pranohet se tek Tukididi ideja e transformimit të fjalës “barbar” kalon nga kuptimi i popullit jogrek (që nuk flet greqisht) në kuptimin e popullsisë me qytetërim më të ulët ose primitiv, nuk mund të pohohet me siguri se disa studiuesve u është dukur legjitime që Tukididi të ketë folur për nivelin kulturor të epirotëve, pa bërë dallim race. Në (I, 14, 3 ; 18, 2) ai quan “barbarë” edhe popuj të zhvilluar, si persianët etj., të cilët dihet se nuk janë grekë. Sa për amfilokët barbarë Tukididi (II, 68) dëshmon se ata që banojnë në Argos (Epir), pra në qytetin kryesor, do të jenë helenizuar dhe do të kenë mësuar greqishten nga ambrakiotët. Kurse J. Beloch parashtron me hamendje se banorët e Argosit do ta kenë mësuar greqishten e pastër, pra dialektin korinthiot të Ambrakisë, kurse ata që banojnë përreth flisnin një dialekt të vjetër epirot. Ky është thjesht justifikim, që nuk na bind. Këtu nuk duket se mund të dyshohet për grecitetin e etolëve, por nga ana tjetër nuk mungojnë provat për të na bindur se në këtë krahinë ka pasur një imigrim të madh nga Veriu, që ka ndryshuar thellësisht karakterin etnik të vendit, madje deri në atë pikë sa Filipi në traktatin e paqes me romakët, para Cinocefales, pranonte se pjesa më e madhe e etolëve nuk janë grekë (Polyb. XVIII, 5, 8). Për Filipin grekë nuk janë as amfilokët, as agrajët, as apodotët, që banonin në luginën e Dafnos dhe kishin si kryeqytet Aigiotionin.

Sado që nuk mund të provohet vetëm me argumente gjuhësore se “barbarët epirotë” kanë folur në mënyrë të padiskutueshme një gjuhë të ndryshme nga greqishtja, vetëm duke u bazuar në traditën e vjetër letrare dhe historike argumentet për ta konsideruar shumë të dobët tezën e kundërt janë të bazuara.

Sa i përket fjalës “barbar” të përdorur për epirotët nga autorët e Greqisë së vjetër, shumë ujë është rrahur kot në havan. Vërtet autorët grekë ashtu kanë thënë, por kanë nënvizuar gjithashtu se epirotët kanë qenë pellazgë. Vetë Straboni (5. 2. 4) thekson se shumë autorë të vjetër dhe fiset epirote i kanë quajtur “pellazgjikë”.

Që të pranojmë se teza sipas së cilës gjuha epirote nuk do të ketë qenë greke, na shtyn dhe fakti që Straboni (VII, 326), ndonëse parashtron unitetin kulturor të trevës mes Jonit dhe Maqedonisë, vë re se disa banorë ishin dygjuhësh (δίγλωττοί).

Në fakt, në popullsinë e Epirit bënin pjesë edhe banorët e paktë grekë të kolonive greke në Epir. Lidhur me këtë D. Musti thekson se “është absurde të mendohet se gjeografi i vjetër do të ketë thënë se epirotët ose maqedonasit […] do të kenë folur greqishten dhe një dialekt të saj”. Në këtë rast nuk do të mund të kuptohej nevoja për të bërë dallim nëse është fjala për dy të folme të ndryshme… Pra, po të bazohemi në tekstin e Strabonit, do të arrinim në përfundimin se vetëm ekzistenca e qendrave dygjuhëshe në krahinë (le të kujtojmë kolonitë greke në Epir) na shtyn për të pranuar se ky aspekt dygjuhësh vijon deri në kohët e vona.

Të shohim se ç’mendon lidhur me këtë N.G.L. Hammond-i, i cili dallohet për ndjenja grekofilie dhe nganjëherë për luhatje mes dy opinionesh. Ky historian pyet se me ç’kuptim Tukididi (3, 114, 3) përdor shprehjen “amfilokët janë barbarë”, ngaqë përdorin ndonjë dialekt të largët dhe të prapambetur (grek), apo prejse kanë folur një gjuhë tjetër, si p.sh. ilirishten? N. G. L. Hammond-i thotë se në vitin 431 para e. s. amfilokët mund ta kuptonin greqishten, sepse nuk mund t’u shmangeshin kontakteve të rregullta me argivët, që flisnin dorisht (të helenizuar) dhe me ambrakiotët, mes territoreve të të cilëve banonin… Po ta flisnin ose ta kuptonin mirë greqishten, njësoj si ilirishten ta zëmë, mund të quheshin “bilingue”. Tukididi, vazhdon N. G. L. Hammond-i, ka një shprehje për ta: banorët e malit Athos ai i quante “barbaron diglosson”, sepse atje greqishtja flitej prej elementit kalkidian dhe gjuha tjetër nga pellazgët ose bisaltët, ose të tjerë. Më poshtë, për të mos e zgjatur shumë me N. G. L. Hammond-in, meqë përfundimi paraqet shumë interes, sepse i referohet arkeologjisë. Ai parashtron se të dhënat arkeologjike ndriçojnë që kultura greke, poçeria dhe objektet e tjerë deri në sh. IV para e. s. “nuk depërtojnë brenda në Epir, përveçse në Dodonë, madje dhe këtu në një shkallë shumë të kufizuar. Evidenca historike në përgjithësi dhe fakti që Tukididi i quan “barbarë” fiset e Epirit brenda janë në pajtim me evidencën arkeologjike. Për pasojë, përfundon N. G. L. Hammond-i, ideja se e folura greke përhapet nga qytetet greke të bregdetit dhe zëvendëson një gjuhë vendase jogreke gjatë sh. V ose IV para e. s., nuk mund të përkrahet me gjithë mend. Iliria Qendrore, andej nga Epidamni, Apolonia e Bylisi, ka qenë gjeografikisht shumë më e hapur për depërtimin (grek), por greqishtja nuk e zëvendësoi këtu ilirishten…” Si përfundim, greqishtja që nuk e zëvendësoi dot ilirishten në Iliri, aq më tepër nuk e zëvendësoi dot në Epir, ku ndikimi grek ishte më i dobët.

Autorë të tjerë të mëvonshëm, madje të sotëm, janë më të sqaruar, më të bindur. Sipas Cl. Antonetit, imazhi i epirotëve i pranuar përgjithësisht është ai i barbarisë. Madje, një imazh i këtillë është pranuar me kohë dhe për etolët, që kanë banuar në Jug të Epirit. Por ajo që është më kurioze, vijon autorja, në shumë studime të specializuara, historianët i përvishen me zell për ta reduktuar në një “petitio principiitë” vërtetën që etolëve mund t’u atribuohet helenizimi në një datë më të hershme se zakonisht. “Nuk dihet se nga vjen kjo kërkesë me qëllime kaq të mira dhe kaq skrupoloze, por krejtësisht të panevojshme: as Homeri, as Pindari, as Herodoti, as Eskili nuk e kanë marrë ndonjëherë mundimin për të provuar se etolët kanë qenë grekë, madje kjo ide do t’u dukej kurioze.” Καί ταύν ήπειρον të Tukididit (I, 5, 3) nuk mund të jenë epirotët ose amfilokët, sepse ata zakonisht quhen “barbarë”, me përjashtim të banorëve të poleise-ve ose të kolonive, që ndodhen në territorin e tyre: ambrakiotët janë grekë njësoj si argianët e Amfilokisë, por amfilokët vetë, thesprotët, kaonët, molosët… janë barbarë. E gjithë Greqia e Veriut është e populluar dhe e rrethuar nga barbarë: jo vetëm epirotët, por dhe maqedonët, trakët, ilirët. Ky kufi gjenetik dhe ideologjik njëkohësisht mes barbarëve dhe helenizmit duket se përputhet saktësisht me kufirin verior të etolëve. “Epiri dhe Maqedonia Qendrore, që Pellazgu i përmend në listën e tokave të veta, nuk duken më tek Tukididi si krahina greke”.

Në konferencën panhelenike të Perikliut, D. Musti na kujton itinerarin e katalogut të anijeve dhe itinerarin e theorëve të Delfit, që përshkruhen hollësisht në Iliadë. Kjo tregohet qartë në studimin historik të A. Giovannini-t, “Katalogu i anijeve dhe lista e theorodokëve të Delfit”, ku pasqyrohet qartë hapësira gjeografike e botës greke gjatë luftës së Trojës. Sipas këtij studiuesi, itinerari që Kataloguna jep mundësinë ta ndjekim në hartë, përputhet plotësisht me itinerarin e theorëve të Delfit, të ngarkuar të njoftonin pythiat në shtetet greke. Si përfundim, në kohë të luftës së Trojës (sh. XIII para e. s.), Epirin dhe Greqinë i ndante një markë e gjerë krahinash të tjera jogreke. Epiri ka qenë jashtë hapësirës gjeografike greke edhe në kohë të Perikliut (sh. V para e. s.). Kur Perikliu fton delegatët e Greqisë në konferencën panhelenike në Athinë, nga qytetet dhe shtetet epirote vetëm Ambrakia merr pjesë; i gjithë Epiri bën sehir: nuk kishte punë Epiri as me Iranin, as me grekun.

Herodoti (VIII, 47) dëshmon se popujt që morën pjesë në luftën e Peloponezit banojnë në jug të lumit Akelos. Tukididi (1, 5) i sheh “barbarët” afër Delfit dhe shton se Greqia fillon në gjirin e Ambrakisë, ose në Lokridë. Ai i përkufizon etolët si një ethnos, ku pjesa më e madhe do të kenë folur një gjuhë të panjohur. Polibi (18, 1, 5) pranon se epirotët nuk janë grekë. Më poshtë ai shton: “Dhe çfarë kuptoni ju me fjalën ‘grek’… Dhe cilët janë për ju kufijtë e saj (Greqisë)? Etolët vetë në pjesën më të madhe nuk janë grekë. As krahinat e banuara nga apodotët e amfilokët nuk janë grekë.”

Pra, ajo pjesë e hapësirës mes Epirit dhe Greqisë së Vjetër, që asokohe quhej Lokridë, Etoli, Akarnani, vendi i eritanëve, i dolopëve dhe i amfilokëve, formonte prej kohësh një krahinë më vete, që shtrihej në Jug të Epirit. Kështu, kur bëhet fjalë për kufi midis Greqisë dhe Epirit, përdoret termi “markë”, që do të thotë “zonë kufitare”.

Me kalimin e kohës këto krahina të markës janë helenizuar deri në Ambraki, kurse Epiri ka ngelur mënjanë, pjesë e pandarë e Ilirisë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...