2011-04-01

Poeti i më të bukurës

Nazim Hikmet


“Kam lindur në vitin 1902. Nuk jam kthyer më në qytetin e lindjes. Nuk më pëlqejnë kthimet pas. Kur isha tre vjeç banoja me gjyshin tim që ishte Pasha dhe në moshën 19-vjeçare studioja në Moskë në universitetin komunist. Në moshën 49-vjeçare u ktheva edhe një herë në Moskë si i ftuar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Qysh prej moshës 14-vjeçare jam poet. Ka nga ata që njohin mirë speciet e ndryshme të bimëve, të tjerë të peshqve, ndërsa unë njoh ndarjet. Ka nga ata që mësojnë përmendësh emrat e yjeve, ndërsa unë të nostalgjive. Kam fjetur burgjeve, por edhe në hotele luksi, kam vuajtur prej urisë, por nuk ka pjata që të mos e kem provuar. Kur isha 30 vjeç kërkuan varjen time dhe kur isha 48 propozuan të më jepnin medaljen e paqes dhe ma dhanë. Në moshën 36-vjeçare kam kaluar vetëm nëpër katër metrat katrorë të çimentos, aty ku më kishin mbyllur dhe në moshën 59-vjeçare fluturova nga Praga në Havanë për 18 orë. Kam qenë rojë para arkivolit të Leninit në vitin 1924 dhe mauzeolumi që vizitoj janë librat e tij. Provuan të më largonin prej partisë sime dhe nuk ia arritën e unë nuk kam mbetur i shtypur prej idhujve që ranë. Në moshën 51-vjeçare bashkë me një mikun tim eca drejt vdekjes dhe kur isha 52 me zemrën e shqyer prita vdekjen për katër muaj me radhë i shtrirë pranë greminës. Kam qenë çmendurisht xheloz për të gjitha gratë që dashurova. I kam mashtruar gratë e mia, por nuk kam folur kurrë pas krahëve të miqve të mi. Kam pirë alkool, por nuk kam qenë një i alkoolizuar. Gjithnjë e kam fituar bukën time me djersë dhe me lumturi. Më ka ardhur turp për të tjerët dhe kam gënjyer për të mos i bërë të tjerët të ndienin mëshirë për mua, por kam gënjyer edhe pa asnjë arsye. Kam udhëtuar me tren, aeroplan e me makinë, ka shumë nga ata që nuk e bëjnë dot këtë. Kam qenë në opera, ka shumë nga ata që nuk shkojnë dhe nuk e dinë as se çfarë është. Prej shumë kohësh nuk kam hyrë në vende që të tjerët i frekuentojnë: në xhami, kishë a sinagogë, në tempuj a nëpër magjistrica, por më ka ndodhur që ta kem lexuar fatin tim në llumin e filxhanit të kafesë. Poezitë e mia janë botuar në 30 a 40 gjuhë të huaja, por në Turqinë time, në gjuhën time turke janë të ndaluara. Ende nuk më ka zënë kanceri, por nuk është e nevojshme që ta kem. Nuk do të jem kurrë Kryeministër e, nga ana tjetër, as nuk kam dëshirë të jem. Nuk kam qenë në luftë... Nuk kam ecur përmes rrugëve nën avionët në rënie, por drejt moshës 70-vjeçare jam dashuruar pas një fjale shokë. Edhe pse sot në Berlin jam në pikën e të vdekurit prej trishtimit, mund të them se kam jetuar si burrë e kushedi sa do të jetoj akoma, sa do të shikoj akoma, kushedi”. Ky është Nazim Hikmeti, një prej eksponentëve më të rëndësishëm të kulturës turke të viteve 1900. Ai është një ndër poetët e parë turq që përdori vargjet e lira. Nazim Hikmet ishte një ndër poetët më të njohur të Turqisë në Perëndim dhe këtë e arriti sa ishte ende gjallë. Poemat e tij u përkthyen menjëherë në shumë gjuhë të huaja. I dënuar për marksizëm ai ishte i vetmi shkrimtar i rëndësishëm që dënoi dhe denoncoi masakrat dhe dëmet ndaj armenëve mes viteve 1915 dhe 1922. Nazim Hikmet lindi në Selanik. Ai i përkiste një familje aristokrate turke. Gjyshi nga i ati, Nazim Pasha, ishte guvernator i disa provincave, e njëkohësisht edhe poet e shkrimtar. Gjyshi nga e ëma, bir i një fisniku polak, ishte ushtarak në karrierë, por edhe filolog e historian. Hikmeti ishte bir i diplomatit Nazim Bej dhe i piktores Aisha Dashalila, dashamirëse e poezisë franceze. Nazim Hikmet studioi në liceun francez të Gallatasarait (Stamboll), duke kaluar më pas në Akademinë e Marinës Ushtarake, të cilën e la për arsye shëndetësore. Vargjet e para i publikoi në një revistë në moshën 17-vjeçare. Gjatë luftës për pavarësi ishte mbështetës i Ataturkut (Mustafa Kemal). Hikmeti studioi sociologji në Universitetin e Moskës mes viteve 1921-1928 dhe u bë anëtar i Partisë Komuniste turke në vitet ’20, pasi kishte zbuluar tekstet e Marksit dhe të revolucionit sovjetik. Njohu nga afër Leninin, Eseninin dhe Majakovskin, që patën tek ai një influencë mjaft të rëndësishme. Pas rikthimit në mënyrë klandestine në Turqi në vitin 1928, Hikmeti shkroi artikuj, pjesë teatrore etj. U dënua me burgim për shkak të kthimit jo të rregullt në vend, por u fal në vitin 1935. Pas kësaj, në vitin 1938, u dënua edhe një herë me 28 vite e 4 muaj burg, për shkak të aktiviteteve të tij antinaziste e antifrankiste dhe se kundërshtoi diktaturën e Kemal Ataturkut. U lirua me ndërhyrjen e një komisioni ndërkombëtar i përbërë prej Tristan Tzara, Pablo Picasso-s, Paul Robeson e Jean-Paul Sartre, çka favorizoi lirimin e tij në vitin 1950.
U martua me Mynevver Andaç, përkthyese në gjuhën franceze dhe në gjuhën polake, së cilës i kushtoi disa poezi. Në vitin 1951, për shkak të presioneve të përhershme, u detyrua të kthehej në Moskë, por bashkëshortja dhe i biri nuk mundën ta ndiqnin. Ai e kaloi këtë azil duke udhëtuar nëpër të gjithë Europën. Në këtë mënyrë poeti i madh humbet edhe shtetësinë turke, duke marrë më pas atë polake. Në vitin 1960 dashurohet dhe martohet me të renë Vera Tuljakovën. Veprat e Nazim Hikmetit nisën të shfaqeshin nga pak në Turqi vetëm në periudhën mes viteve 1965-1966 për t’u zhdukur sërish dhe përgjithmonë prej katalogëve të botuesve. Por në pjesën tjetër të botës ato iu shtypën dhe iu përkthyen shumë herë. Për Hikmetin poezia e dashurisë nuk është asnjëherë vetëm dhe thjesht poezi dashurie. Fjala “dashuri” përmbledh tek ai edhe ekzistencën, edhe politikën, edhe vetë jetën. Ai arrin të flasë në të njëjtën kohë për veten, për vendin e tij dhe për botën mbarë. I përmbledh këto në një varg të vetëm me një thjeshtësi të dukshme, që e vendosin me shumë të drejtë mes poetëve më të mëdhenj të shekullit XX. “Më i bukuri prej deteve/ është ai që nuk lundrojmë. /Më i bukuri i fëmijëve tanë/ ende nuk është rritur. /Më të bukurat prej ditëve tona/ ende nuk i kemi jetuar. /Dhe më të bukurën/ prej fjalëve që do të thosha/ ende nuk ta kam thënë”. Kështu shkruante Nazim Hikmeti, i cili ndërroi jetë më 3 qershor 1963 pas një tjetër krize kardiake, ndërsa dilte prej portës së shtëpisë së tij me numër 6 në rrugën Pesciànaya në Moskë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...