Gresa Kraja
Xhansel Xhabiri dhe Liburn Jupolli, do të hapin një ekspozitë ndryshe nga ato të cilat publiku kosovar është mësuar ti shoh deri më tani. Ata ekspozitën e hapin në ditën e pestë të DAM Festit, me katër prill. Ekspozita është e inspiruar nga poeti Edgar Allan Poe.
Ideja për të bërë një ekspozitë të tillë nisi kur Liburni ia dhuroi Xhanselit një libër. “Liburni ma bleu librin ‘Tales and Poems’ të Edgar Allan Poe, dhe unë, duke i lexuar poezitë, fillova të pikturoj”, thotë Xhanseli.
Pikturat e Xhanselit janë përplot me shumë ngjyra kurse arsyeja se përse ndodhë kështu vjen në përgjigjen e tij se “gjithçka që ka të bëjë me Edgar Allan Poe është e errët, nëpër fotografitë e tij, shihen kështjella, mace dhe korba të zinj. Duke e ditur se kujtdo t’i them që kam bërë pikturë për Poe do ta parafytyronte pikturën të errët, prandaj kam vendosur t’i jap një qasje tjetër, duke i bërë me ngjyra”.
Liburni e Xhanseli kanë zgjedhur shtatë poezi të Allan Poe, dhe ekspozita e tyre do të ketë shtatë piktura dhe shtatë kompozime, që secila nga to është e frymëzuar nga një poezi.
Emri i kësaj ekspozite është ‘Poe i tetë’ dhe këtë e kanë bërë për ta paraqitur poetin e tyre të parapëlqyer me ngjyra dhe me pikëpamje tjetër. “Është trajtim i ri, për shkak se një shkrimtar pionier i romantizmit të errët gjithmonë portretizohet me një klishe të “frikshme” dhe një automatizëm që ua jep ndjenjën njerëzve që duhet të jetë i tillë.
Ne nuk duam të themi se nuk është i frikshëm, por kemi vendosur t’ia japim një trajtim bashkëkohor”, thotë Liburn Jupolli dhe shton se “me këtë mund të shohim se sa i fortë është Edgar, edhe pse kanë kaluar disa shekuj, ai prapë mund të transformohet në një model po aq të frikshëm dhe të errët, edhe përmes ngjyrave dhe muzikës”.
Liburn Jupolli ka kohë që planifikonte të bënte diçka me poezitë e Poe-it. “Kam pasur ide të shumta për të, kam dashur të bëj diçka me të. E kam themel për gjithçka. Çka do që bëj ose lexoj, kthehem prapë te ai”, thotë Jupolli për të cilin “ky ka qenë rast shumë i mirë për t’ia dhënë respektin që e meriton ky poet”.
Sa i përket pikturave, piktorja Xhansel Xhabiri tregon se “gjëja interesante që jam munduar ta shpreh në piktura është që poetit i kanë vdekur të gjitha femrat në jetën e tij, gratë, nëna, motrat dhe ndjenjat e tij janë shumë të vështira të pikturohen, nuk mundesh ta njohësh karakterin e tij dhe të poezisë, prandaj edhe pikturat e mia nuk janë figurative”.
Sa i përket kompozimeve Liburn Jupolli tregon se i erdhën shumë natyrshëm. “Xhanseli shumë spontanisht më ka treguar që ka filluar të bëjë piktura, edhe unë shumë spontanisht kam filluar t’i bëjë kompozimet”, kujton ai.
Ai gjithashtu sqaron se e ka nisur bashkëpunim me Xhanselin. “Xhanseli i ka bërë 5 piktura, e unë atëherë i kam parë, çka edhe më shumë më ka shtyrë të kuptoj se çka do të bëj, është mënyra se si i ka trajtuar ajo, sepse pikturat e saj në relacion me poezinë, e kanë nxjerrë esencën themelore të subjektit të cilin e ka trajtuar në poezi autori Poe”, pohon Liburni . Sipas tij piktorja nuk ka bërë përshkrim identik të krejt poezisë, por e ka bërë një trajtim origjinal, që ai nuk e ka parë më herët.
Ekspozita e tyre do të realizohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Xhanseli tregon se kjo hapësirë është shumë e volitshme për ta sepse instrumentet do të jenë në mes të skenës, do të jenë të vendosur në formë të rrethit, pikturat do të rrinë të varura nga lart kurse publiku do jetë përreth tyre.
“Neve na u ka dashur një hapësirë me qenë një rreth, në mënyrë që edhe pikturat, instrumentet e publiku të jenë aty, e jo të jenë të shpërndara, prandaj skena e Teatrit Kombëtar ka qenë shumë e përshtatshme”, sqaron ajo.
Liburni shpjegon se si i ka kompozuar këngët. “Çdo poezi e ka një temë të kapshme, dhe menjëherë e merr në vete, por si tërësi, janë të pasuruara me efekte të ndryshme sonoristike. Instrumentimi është një kuartet i përbërë nga një piano, violinë, violonçel, me një shtesë të nevojshme të perkusioneve”, pohon ai.
Jupolli sqaron se për interesant është edhe kombinimi i instrumentistëve që do të marrin pjesë në këtë ekspozitë. “Ata janë mësuar të më shohin me një gjysmë abstraksionizmi, e tash, me provë të parë, kanë mundur ta luajnë të gjithë pjesën, nuk kanë pas vështirësi, por prapë ajo mbetet semi abstrakte, edhe pse ka thjeshtësi në të, por t njëjtën kohë mund të këndosh me atë muzikë”.
Edhe pse idenë e kanë që një kohë të gjatë, Xhansel Xhabiri dhe Liburn Jupolli mendojnë që DAM Fest është shumë i përshtatshëm për të ekspozuar dhe janë të kënaqur më ndihmën dhe mbështetjen që ju është dhënë nga organizatorët e festivalit.
Dyert e Teatrit Kombëtar të Kosovës hapen për këtë ekspozitë të hënën në mbrëmje. Përveç çiftit “Poe” në piano, pjesëmarrës do të jenë edhe Visar Kuçi – violinë, Amanta Istrefi – violonçel dhe Patris Berisha – perkusione.