Naser Shatrolli
Një film dokumentar hapi perdet e shfaqjes së trupës së baletit. Koreografi amerikan Alexander Tressor, kishte xhiruar provat e shfaqjes dhe kishte bërë një film që bartte idenë e asaj që do të luhej në skenë, nga e cila ndërtohej koncepti fabular i pjesës së baletit.
Baleti ishte si një rrugëtim, një pritje në rrugë, valle klasike si ëndërr e kamotshme e çunit karshi vajzës, valle për maje, hapi për ta parë qiellin njëherësh flladin e qerpikut të muzës femërore të veshur me kostume lirie, të cilat ngjyra i nxjerr nga publiku dhe kalojnë pëlhurën e mendjes. Për të vallëzuar me hënën në shesh të Prishtinës, te plisi i bardhë mbi të cilin është vendosur hëna jonë e kamotshme, e cila e vrojton teatrin, me syrin e së shkuarës, nëpërmjet një loje të njomë, për të nesërmen e secilit valltar.
Gjithçka në balet ishte ilustruar me një muzikë të përzgjedhur xhazi dhe bluzi. Si të mbërrihet ylli (Amerika) ishte ideja e koreografit. Ai me këtë mënyrë pune tregon se Amerika mbërrihet më lehtë nga vendi yt përderisa dhe ai vet e kishte mbërri Amerikën nga Rusia. Baleti ishte si një këngë e thurur mbi gishta këmbësh dhe një lirie skenike. Lojë që e tejkalon hapin klasik të ndërthurur në hapa kah “rock’n’rolli”. Në duet, ishte e ndërtuar shfaqja si koncept. Dizajni i dritave, hapat e sigurt karshi skenës, qeshja e theksuar dhe profesionale, mimika, gjesti, pantomima, guximi për të thënë shumë, janë këto vlera që thuhen nëpërmjet gjuhës artistike të kësaj trupe të konsoliduar profesionalisht.
Secili balerin shpreh interesat e tij jetësore, në një letër të bardhë shkruan emrin e tij, tregon se edhe ai ka identitet dhe dëshiron që identiteti i tij të shfaqet në pasarelat e New Yorkut. Pra, ëndrra secilin e çon përtej plisit të tij. Dhe kjo ide, kjo dashuri për Amerikën konkretizohet në lojë. Ajo ishte vjershë e vjetër për secilin banor të Kosovës. Kjo performansë me ngjyra filmi në shtruarje është edhe një dëshmi se trupa kosovare e baletit po qëndron mirë si koncept apo edhe në prezantim skenik.
Baleti “Dancing with the moon” u përgatit nga koreografi Alexander Tressor-koreograf, drejtori Ahmet Brahimaj, kostumet janë realizuar nga Linda Polloshka, në balet interpretuan Vjollca Llugiqi, Sinan Kajtazi, Katie McGuffey, Drilon Podrimçaku, Behie Murtezi, Abetare Hasani, Teuta Krasniqi, Kreshnik Musolli, Jeta Musolli, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Liridon Mziu, Mimoza Bytyçi, Vlora Prizreni, Muhamet Bikliçi.