2011-04-02

Cikël poetik nga Edgar Allen Poe

KORBI 



“Një mesnatë të zymtuar, mëndjevrarë, shpirtlënduar
Përmbi libra plot enigma, të një lënde të harruar,
Lodhur, gati në dremitje, befas ndjeva një trokitje.
Mjaft të lehtë, si fanitje, pak të ndrojtur përmdi derë
Ndonjë mik është, pëshpërita, që vjen e troket në derë-
Vetëm kjo, dhe tjetër jo.”

- 2 -

Ah!, nuk mund ta harroj kurrë; ish dhjetor i shkretë si gur
Prushi i vatrës, në agoni, lëshonte hije mbi mur
Më kot të nesërmen prisja, pa dëshirë fletët lëçisja;
Trishtimin larg t’a vërtisja, për të treturën Lenor.
Vajzë e rallë dritë hyjnore, ëngjëjt e quajnë Lenor
Këtu pa emër përgjithmonë.

-3 -

Perde e purpurt, pikëlluar, e mëndafshtë në qelq fërkuar,
Më drithëronte, më rrëqethte, shpirtit pezm e helm m’i derdhte
Ankthin zemrës t’ja largoja, duke përsëritur thoja:
Ndonjë mik pa lajmëruar, përsëri në derë troket .
Mik a mikesh’ e vonuar, përsëri në derë troket.
Eshtë kjo, dhe tjetër jo.“

- 4 -

Ndërkohë zemra m’u forcua, guximi ngadalë mu zgjua.
Zotni! – thirra, apo Zonjë! Çiltas ndjesë ju kërkoj,
Por e lehtë qe trokitja, përmbi derë tek çfletoja;
Mjaft e dobët qe goditja, tek sa përhumbur vegoja.
Sapo dëgjova “ Për nder”, hapa derën menjëherë.
Jashtë asgjë veç natë e terr.

- 5 -

Në errësirë duke kërkuar, gjatë qëndrova i frikësuar;
Sy hapur duke ëndërruar, çfar mëndja s’ ka fantazuar.
Por heshtja ish ngurtësuar, dhe errësira s’më ndihmonte
Shpirti im vajzën kërkonte, kur pëshpërita: „ Lenor?“
Një jehonë si me zor, ma ktheu trishtas: „ Lenor!“
Vetëm kjo, dhe tjetër jo.



– 6 -

Hyra brënda i tronditur, sytë me lot ende pa tharë,
Kur kumboi një e trokitur, më e fortë se më parë.
Dikush, po troket në derë, mik’ i shtirë a mik me vlerë.
Le të dal edhe njëherë, që ta zgjidh këtë mister.
Qetsohu o zemër e mjerë, sa ta zgjidh këtë mister!
Jashtë asgjë veç natë dhe erë.

-7-
Hap dritaren, shkund kanatat, kur i fryrë tek rreh flatrat,
Hyn në dhomë një korb i vrazhdë, si shënjtor nga kohë e lashtë.
As që përshëndet truthari, një minutë s’ndal tek parvazi,
Por me një pamje antike, fluturoi përmbi karrige,
Ulet mbi një bust Athine, mbi derën e dhomës sime.
Mbretëron, dhe tjetër jo

-8-

Ebanit i zi krekosur, - qesha ashtu buzëvrerosur.
Pendëfryr e madhështor, një askush triumfator.
Ti kokëqethur e mjekërprerë je pa dyshim një trim i ndjerë
O korb i zi e sharlatan, nga pusi i natës pa anë,
Më trego emrin që mban, larg në Detin Plutonian
“Kurrë më” klith ai katran.

-9-

Shtang, hutohem kur dëgjoj,shpend pa mend të ligjërojë
Këto fjalë krejt pa kuptim, dalë nga sqepi i tij thatim.
Se nuk ka njeri në botë, që të dalë e të thotë,
Se ka patur të tillë fat, të ketë mbi derë një lugat,
Zog a kafshë, a dreq, a djall, ulur mbi një bust përballë,
Që e quajnë “ Kurrë më”.


-10-
Porse korbi kapërdisur, mbi bust rrinte pa lëvizur.
Veç dy fjalë dinte mjerani, me ato pendë si katrani,
I ngrysur si tek varrezat, nuk i tundte pendëzezat.
Fillova të flas me vehte: te gjithë miqtë shkuan e vanë,
Nesër shkon dhe ky nxiran, porsi shpresat që m’u thanë.
Thotë zë çjerri: Kurrë më.

-11-

Më habiti largpamësia e vizioneve të tija
Pa dyshim,- thashë,- një rastësi, gjësend tjetër ky nuk di,
Me të mjerë ka jetuar, me njerëz zemërcoptuar
Të përndjekur, ëndërrshuar, për një këngë persekutuar,
Aq sa shpresa e shpirtit trim, humbi krejt në dëshpërim.
Nga i cili “Kurrë më” nuk gjen ngushllim.




-12-

Zog errësire i krekosur, ç’ke me zemrën e plagosur?
Marr vërtis i inatosur një jastëk të pluhurosur.
Futem thellë në mendime, ulur në poltron kadife ;
Fantazi pas fantazije, po ma merr shpirtin kjo hije.
Ç’ mesazh më sjell, e çfar po ndjell, me atë të gërvishur zë
Kur mban iso: “Kurrë më“?


-13-

I përhumbur në mendime, s’kish ç’të thoshte goja ime.
Sytë e korbit prush i zjarrtë, çanin gjoksin tim si shpatë.
Vazhdoja me profecira, fantazoja marrëzira
Të bukrin jastëk kadife, me mallëngjim e vështroja,
Se Lenor, ah!, përmbi të kurrë më , s’do të pushojë
Sa të jetë jeta, ah! Kurrë më!


-14-

Befas ajri u rëndua, me timjan u parfumua.
Ja serafimët me nge, shkelin rëndë dyshemenë.
Qyqar thirra tani ç’ke? Ata do të shpien Atje.
Pije helmin e harrimit, lamtumirë thuaj kujtimit
Pije me fund o i gjorë, ta harrosh yllin Lenor
Krra, krra korbi: Kurrë më!


-15-

Profet,- thashë, korier i ferrit, profet je, qofsh zog a dreq.
Të pruri ty Shpirttunduesi apo stuhia në breg ?
Ty trimosh i zvetënuar, te kjo shtëpi xhindpushtuar,
Mos vallë fantazmat të prunë? Më thuaj të lutem shumë!
A ka më zgjim nga i Madhi Gjumë? Më trego vetëm këtë!
Klith katrani: Kurrë më!

-16-

Profet, thashë zot i nëntokes,- profet je qofsh zog a dreq.
Për atë qiell sipër kokës, për Atë lart që botën ndreq!
Thuaj shpirtit flakëshuar, Atje sipër në Eden
Do ta përqafoj shënjtoren, që mes ëngjëjve shkëlqen?
Vajzën e rallë dritë hyjnore, që i thonë ëngjëjt Lenor?
Çirret korbi: Kurrë më!





-17-

Ca si tepër të durova, shpend qeros, thashë- dhe u çova.
Kthehu prapa mes stuhisë, në errësirën plutoniane,
Pendë e zezë të mos mbesë, nga qënia jote mjerane.
Lermë në vetminë time, ik prej bustit përmbi derë
Hiqma sqepin tënd nga zemra, ligësi mbushur me vrerë !
Foli korbi : Kurrë më,- si ngaherë. “


-18-


Ndërkohë korbi pa u tundur, rrinte ulur, rrinte ulur.
Mbi të zbehtin bust Athine, përmbi derë të dhomës sime.
Sytë e tija më kujtonin, demonët kur ëndërronin.
Llampa që ndriçon përsipër, hijen ja vërtit përdhe.
Dhe shpirti im brënda hijes, që mbulon gjithçka mbi dhe,
Nuk sheh dritë: Kurrë më.


“Annabel Li”

Ka shume e shume vjet
Ne nje vent afer ne det,
Ish nje vajze qe mundni ta njini tani
Nene emerin Annabel Li;
Dhe kjo vajze me donte edhe tjeter s’kerkonte
Vec ta deshja sikunder me desh.

Isha i vogel dhe ish e vogel ne vjet
N’ ate vent afer ne det;
Po duheshim me teper se me dashuri
Une dhe im Annabel Li;
Me nje dashuri qe edhe Engjejte lart ne lavdi
Qe te dyve na kishin zili.

Andaj, tani e shume vjet,
Tek ky vent afer ne det,
Fryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Te bukuren Annabel Li;
Edhe motrat e saj engjellesha
Ma rrembyen, ma mbyllen ne varr se e desha,
Dhe keshtu me la shendet
Nga ky vent afer ne det.

Engjejte qe s’kishin sa ne dashuri
Qe te dyve na mbanin meri.
Po perandaj, sic e dini vertet,
Tek ky vent afer ne det
Fryri veriu nje nat’ e ma ngriu
E ma vrau tim Annabel Li.

Dashuria qe kishim ish m’e forte se cdo dashuri,
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marr’ as i urte njeri
Dhe as Engjejt e qiellit ne ere,
As demonet perposh ne sketerre;
Shpirtin tim s’mund ta shqitin nga shpirti
I se bukures Annabel Li.

Se tek hena qe ndrit, syri im enderrit
Per te bukuren Annabel Li;
Dhe cdo yll qe shkelqen syt’ e embel rrefen
Te se bukures Annabel Li;
Nat’ e dite e shoh, edhe zemren ma ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Permi varrin ku deti bucet,
I rri prane mi varrin ne det.

ELDORADO*

Një trim i ngratë,
Kalorës me shpatë,
Në pishë të diellit e hije kahmos,
Ngado kalëroi,
Me këngë në gojë,
Në kërkim të Eldorados.

Por një ditë u plak-
Kalorësi harrakat-
Dhe nën një hije u fundos
Zemra e tij kur s’u gjend
Askund ai vend
Që t’i ngjante Eldorados


Dhe kur shpirti i vet
Po i shteronte krejt
Një hije atij iu kanos-
“Hije”, i tha asaj,
“Ku bie vallë
Rruga drejt Eldorados ?”.

“Në ato male andej
Sipër Hënës përtej,
Poshtë Lugut të Hijeve semos,
Pra, me guxim rend ti,
Tha hija përsëri,-
Në kërkim të Eldorados !”

Përgatiti  dhe përshtati për botim  Flori Bruqi


*Poezinë Eldorado e përktheu Elida Buçpapaj

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...