2011-04-02

Pasko


nga Agim Shehu 
 
    
                                          
I dashur Naum,

Lexova me vëmëndje e me po aq kënaqësi shkrimet e tua në natyrën e kujtimeve për njerëz të shquar të letërsisë sonë. Janë letërsi e vërtetë e si të tilla, nga më të pëlqyeshmet në botë. Aq më tepër kur flitet për njerëz të cilët janë munduar rëndë në jetë e kur, siç thuhet me fjalë Bible, botës i kanë dhënë bukë e vetë janë qëlluar me gurë. Mirëpo ata «gurë» të cilët u kanë shkaktuar aq dhimbje, koha (prapë me fjalë Bible) i grumbullonte për t’ua bërë monument të nesërmen, edhe pse në jetën tërë përndjekje e varfëri, ata gurë lavdie për nesër i donin bukë shtëpie sa qenë gjallë ! Këto kujtime mund t’i ruante vetëm një shkrimtar fisnik me thesare në zemër për mësuesit e kolegët më të mirë. Ato i ke nxjerrë si nga persekutimi i tyre dhe nga heshtja për ta që u bëri aq pamëshirshëm shteti komunist me veglat e tyre në Lidhjen e Shkrimtarëve. Lexuesi të është mirënjohës pasi e ndjen që këto kujtime brilante duke i ruajtur në heshtje, ti ke qënë i bindur se dhe në fushën e arteve gjëmimet më të fuqishme janë ato që fshihen brënda heshtjes, sadoqë shpesh të duket se ajo s’dëgjon!  Asgjë në botë nuk e ka më të mprehtë veshin se heshtja. Koha ato i mbledh në ndërgjegjen e saj dhe në diktatura i strehon në tejndërgjegjen (subkoshiencën) e vet për t’ua dhënë brezave. Vjen një ditë dhe ato kthehen në letërsi të lirë e të mirëfilltë. Këtë akt fisnik ke bërë dhe ti, miku im i çmuar. Kam ndjerë sa kënaqësi dhe tronditje pasi këto gjëmime dhimbjeje të jetës së njerëzve të shquar ti i ke dhënë dhe me një butësi kadifeje të fjalës, nër natyrën tënde të të shkruarit e në frymën e krahinës sate të veçantë historike e lirike Kolonjë-Korçë ku barotin e armëve e ledhatonin tingujt e kitarës dhe era e luleblirit (siç u këndon aq bukur lirika e Vangjushit, Mondës, Bacellit etj).
Mbi të gjitha, ty, i dashur Naum edhe të shkojnë kujtime të tilla pasi në krijimtarinë tënde në tërësi fryn një erë butësie njerëzore ku dhe tregimet për luftën brënda kanë zërin e paqes ; ku dhe rrethimin e zi të diktaturës për armiqtë imagjinarë ti guxove e ktheve në dramë (me zë komedie brënda) – « Rrethimi i bardhë », nga i cili mbete dhe vetë i rrethuar me ditë të zeza…Sidoqoftë, dielli dritën më të bukur e ka në perëndim (m’u thaftë goja nëse unë, miku yt i herët të ndjell ‘perëdimin’ se do t’ia ndillja dhe vetes. Thinjat ne i kemi ngarkesa bore të dimrit nën të cilën ngrohen rrënjët e barit të pranverës tjetër, te brezi që vjen pas nesh). Pranojmë, të rinj nuk jemi dhe koha na është holluar drejt këputjes. Këtu tok me dritën në ikje të perëndimit merr vlerë dhe fjala afër fundit për gjëra të shtrënjta në jetë, për t’i shpëtuar nga harresa. Mendoj se pena jote, shëmbull për të tjerët, ka harmoni të natyrëshme me ato figura të çmuara artistike e njerëzore që përshkruan. Edhe në s’rrojnë, ata janë gati shenjtorë dhe fjalën e shkrimtarit të mirë e dëgjojnë aty ku janë.
Me këtë rast, e quaj me vlerë dhe plotësim portreti që kujtimit tënd të mrekullueshëm për Mitrush Kutelin t’i shtohet edhe një Letër e Tij dërguar me dhimbje burgjesh mikut të vet M. Greblleshi. Të dëgjojë lexuesi sadopak dhe zërin e tij prej artisti të madh prej martiri mbi vuajtjet që ka hequr e nga kush i ka hequr edhe drejtpërdrejt. Shkaku i persekutimit thënë edhe me zërin e vet autorit jep më saktë përmasat e të persekutuarit dhe motivon edhe nderimin në shkallën më të lartë për të. Kuteli dëshmon sado dhimbshëm, se si (së pari nga zilia letrare pastaj nga karakteri) u persekutua gjer në burgosje e vdekje nga ish kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Se ai zgjidhej kryetar jo thjeshtë se bënte mjeshtërisht letërsi, por dhe se bënte po aq mjeshtërisht ligësi. Për t’u ngjitur në karierë e privilegje, për shkallë përdorte trupat shtrirë të kolegëve.
Letra e Kutelit e jep autorin në përmasa të gjera letrare e njerëzore; vendos më saktë në vëndin e vet edhe ngjarje e figura të tjera rrotull tij të ngjashme me to. Botojmë sado pak nga ajo Letër me dritë - hijet magjike prej Rembrandi, dhe si poet, dhe si piktor, dhe si shenjtor: 
Pogradec, 28 gusht 1961
I dashur Mustafa dhe e dashura motra Merushe,
Kjo e uruara Letër u bë litar me krye po pa fund…Udhës takova shumë të njohur të mijtë dhe të Babajt. Ndënjëm u çlodhëm në varret e sheshuar duke pritur të dalë hëna, po kjo vonoi…Hëna doli kur rrinim buzë liqenit : e madhe, e kuqe. Pastaj u zbardh, mori vrull e lundroi nëpër hapsirë. Fëmijët më vunë një mijë e njëqind pyetje: «Si është hëna? Ç’ka prapa atij mali ? Po në Tiranë ka hënë tani ? »…Unë bluaja mendime të tjera : «Ç’është vallë kjo harmoni kaq e përsosur ? Që ku vijmë e ku shkojmë ? Sa rrëke njerëzish kanë shkelur në këto ranishte dhe ku janë tani»? Dhe mëndja më shkon me drithma tek ai që s’guxoj t’ia përmënd emrin sepse jam tepër i vogël - hij’ e një grimce të një stërgrimce - tek ‘ai’ që ka shumë emra por që është një i vetëm dhe mbi të gjitha dyshimet e mia birucore, dua megjithë shpirt…në vetmi. O Zot duhet të jesh, sepse pa Ty nuk prehem dot !..
Një ditë në Belgrad Shutja (Dh. Shuteriqi- sqarimi ynë) më pat pyetur: Mitrush, ç’do të bënje ti  po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur ? - Ia ktheva: - Do t’i bënja një parathënie dhe do ta botonja. Ay: - Me emrin e kujt? - Të atij që e ka shkruar. Do të kënaqesha t’i jepnja lexonjësit një vepër që mund të zhdukej. - Jo, më tha, vepra e gjetur është imja se unë e gjeta. Pra unë, gjetësi jam ‘autori’ i saj. - Ti s’je autor se nuk e brumose në mëndje e shpirt, nuk vuajte ti në të lindurat, nuk…nuk…- Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën: - Po kur boton një këngë popullore ? - Kur botonj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka treguar. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin. -Ay përsëri: - Po ay që ta dha këtë këngë s’është autor i saj, pra…- Unë s’them se filani e ka qitur këtë këngë, them vetëm se ay ma ka treguar…- Shutja e ktheu prapë, të prerë: - Jo, s’jam dakord ! Vepra që kam gjetur është imja…- I thashë : - Kësaj i thonë vjedhje !..- Ay u ngrys…
Këtu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit në dhjetor 1945. Atëhere Shutja ishte mjaft modest, por brënda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mia, ngrinte në       qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet gjersa u bë burrë me llullë, me berè e me automobil; më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi «i» -në në fund të mbiemërit që të vërtetonte tezën e tij siç i tha Popoviçit vetë në tryezë: «Emri ynë vjen nga fjala serbe ‘Shute’ që do të thotë ‘shaka’. Rjedhim nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit. Pra, si të thuash, ‘unë’ jam ‘ti’. Ndihmomë të ngrihem lart ! Jepmë, të kam vëlla»!
Botoi Gjorg Golemin që që bje erë Lef Nosi. Me të vërtetë Shutja - shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti -kërthizë, kameleoni më arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk…(epitetet që burojnë nga realiteti nuk kanë të sosur), përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj…
Më falni që u zgjata kaq shumë me këtë «Dhimitriadë Shuteriqore», po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arogant që endej rrugëve të Pogradecit…Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë: «Shqiptarët janë populli më i lig e më i kotë (‘le plus inutile’) në botë ». Përfundimi? Duhet të çduket…Kështu thotë bizantini Phrantes. Domosdo Phrantes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di se si të mbrohet kundër tij : me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele!? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan? Të gjitha këto i lexoj, i bluaj me mëndje natën, s’më zë gjumi dhe më vjen të çmëndem…Pashë gërmadhat e shtëpisë plot ferra e m’u drodh zëmra. Jo, Pogradeci s’është më për mua të gjallë, po për mua të vdekur. Ah, kush ndjen shumë vuan shumë! Shto pastaj brengat, fëmijët, varfërinë e sa të tjera. Do vij të «çlodhem» në Tiranë, t’i vihem normës se mos më presin bukën! Lamtumirë dhe përqafime vëllazërore!   Mitrushi».
Siç dihet, mjeshtërin magjik të fjalës shqipe e futën dhe në burg me shpifje. Rënduar nga vuajtje pa fund, ai shkroi aty vargjet tronditëse mes të tjerash drejtuar nënës: «Dërgomëni një litar, ta hedh lart në bririn e hënës, e të varem!..».
Në mbyllje: vuajtjet bashkë me magjinë e artit të Kutelit dolën lirshëm në dritë aq sa drejt tij zgjatën duart ta përvehtësonin dhe ata që e kishin luftuar. Në një grup shokësh në Tiranë na afrohet një intelektual e na thotë se dhe Naimi, dhe Kuteli qenë vllehë(!) (ky qe një nga stani i veçantë i ca intelektualëve vllehë reklamuar modernë me «të drejta njeriu» e «shoqëri të hapur». Janë mohues të kombit shqiptar që çdo vlerë Shqipërie po s’e përvehtësuan, e nxijnë nga kompleksi i inferioritetit pa rrënjë kombi të vetin: «mua s’më njihet kombi, por dhe ty do të ta nxij»! I përgjigjemi qetë vllahut: «Por Naimi e pohon vetë - ‘Ti Shqipëri më ep nder…’, nuk thotë ‘Ti, Vllahi më ep nder’…Kuteli nga ana e tij te poema e fuqishme për Kosovën pohon madhërisht: ‘Se jam Shqiptar e Kosovar’…Më tej në një Letër miku shkruan duke i qarë hallin me dhimbje Atdheut të vet: «Na pakësuan dhe na ngjeshën në një cep të Ballkanit ndonëse ne kemi qënë zotër të moçëm të një vëndi të madh…greku mbjell farën e grindjes në Epir, Austria, Italia në Veri, Mali i Zi i përkrahur nga Rusia gjithashtu. Në krahina të tjera serbët, bullgarët, bile dhe rumunët kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë…» Të vihet rè - përmënd dhe ‘rumunët’, thua paralajmëronte me intuitë atdhetari gjer ardhjen në Tiranë të  Presidentit të sotëm rumun, Popesku a si i thonë, që vllehëve t’u ngrerë veshin e paqënë (e kam fjalën për një grusht të veçuar sorroistë me zemër në Athinë; ata që dhe Nënë Terezën, dhe Gjergj Kastriotin…na e shpallin botërisht të huaj. Një stan që gjithënjë e më shumë po e zbulon fytyrën prej mafieje intelektuale antishqiptare, që s’ka asgjë të përbashkët me bashkësinë e çmuar e fisnike të arumunëve me të cilët historikisht shqiptarët kanë qënë e mbeten të afërt në shpirt e fat, gjer vëllezër).
Kuteli shejtanëzive të tilla qepur me pé të bardhë u rri në opozitë si shqiptar i madh dhe artist i madh. Më bukur, edhe si profeci për të ardhmen, e thotë në një shkrim të tij studimor: «Do ngrihet, ndofta, më vonë ndonjë kretin, që do përpiqet të demonstrojë se dhe A.Z. Çajupi ka qënë kuco-vlleh, ose armik i shqiptarëve (këtë thënie nga Kuteli i madh drejtori me kulturë i Bibliotekës Kombëtare, bie fjala, mund ta verë dukshëm diku në sallë, që t’u flasë ai më qartë njerëzve këto kohë kur kombin shqiptar e kanë vënë në treg).
Urime pa fund, i dashur Naum e falmë ku kam gabuar, pasi ka filluar dhe ca vapë, sado që Gjeneva e ka me butësi Kuteli!      

Agim Shehu, Gjenevë 

Shefja Ursula von der Leyen është eurodeputete e korruptuar gjermane!

  Komisioni Evropian ka reaguar për një video të publikuar nga shefja Ursula von der Leyen, e cila ka shkaktuar reagime të shumta për shkak ...