2011-04-02

Ja kështu




                                      

       Istref  Haxhillari
                                                                          Tregim

-Erdhe ë? - tundi kokën buzëgaz profesor Klementi. - Do të vije, qeraxhiu me hanxhiun takohen një ditë, ja kështu.
I hapej goja. Ekskursioni në Sarandë me nxënësit e vitit të tretë e lodhi. Fjeti keq i pakënaqur nga një allishverish i vockël me çmimin e biletave të autobuzit. Shoferi nuk e mbajti fjalën. Kjo e dëshpëroi pakëz, po ja doli përpara biznesmeni. U  kujtua tani në fund të vitit shkollor. Rrudhat në fytyrën e murrme shkëlqyen nga gëzimi që këndelli i sapoardhuri. Në vështrimin e përqëndruar lexohej hareja e gjahut, sikur thoshte me vete; më dole në pritë që thua ti. Dita filloi mbarë.
Fajtori, Agron Sançolli, burrë i shkurtër, i pakët, qëndronte tërë merak, i përdëllyer. E takoi njëherë në fillim të vitit, më tej s’mundi. Mbahej me të keq në qytetin ku pati ardhur para dy vitesh. Shiste dru me kamjonçinën e vjetër. Buka e përditshme për tetë shpirt, vajza në universitet, qeraja e shtëpisë, s’i thoshin shaka. Jeta në qytet vështirësohej shumë. Pamja e mësuesit e qetësoi disi, çështja nuk qënkej aq ligësht sa i patën thënë.
-Punët o profesor, punët nuk na lënë, hë sot, hë nesër gjersa u ngeha. Si duket djali? Jo mirë ë, - tundi kokën i sëndisur.
-S’është fjala për “jo mirë”, me aq bënim si bënim, - u nxeh pak Klementi.
Nxorri ngadalë tufën e testeve  mbuluar me parakrah, kërkoi një copë herë, i vuri në duar fletën e Denis Sançollit. Aty, përveç emrit, zhgarravitur me shkrim mjeran, gati të palexueshëm vinte një faqe fletoreje nxirë nga dy anët. Burri shtatvogël lexoi me zor: “Vargu malor Trebeshinë Dhëmbel Nëmërçkë ndodhet në masivin jugor të Shqipërisë me shtrirje verilindje jugperëndim…”. Ngriti kokën, diç deshi të thoshte, tjetri nuk e la.
-Ja kështu që thua ti, Denisi jo vetëm nuk mëson, po bën gabimin tjetër, kopjon.
Pastaj fësht nga tufa e letrave nën sqetull i ndehu perpara faqen e zhubrosur të librit. Djali e pati bërë sa një top të vogël, po syrit të profesorit nuk i shpëtonte asgjë. I bindur se çdo nxënës kopjon, kontrollonte në vende të fshehta, ku të tjerëve nuk u shkonte mendja. Ja kështu thoshte, kjo qënka kopja tënde dhe fap ia merrte fletën e testit, e vendoste nën sqetull, sikur këpuste trëndafila.
-Nuk ka ngatërruar as pikë as presje, ja kështu, - e ledhatoi me shikim të butë Klementi dhe mori testet i palosi nën sqetull. - Që thua ti, s’kam ç’bëj, e sheh vetë, - u largua ngadalë me fytyrë të qeshur dhe dukjen e fëmijës tejet të pafajshme.
Agron Sançolli e pa veten me shpatulla pas murit, nuk dinte ç’të thoshte. Asnjë shenjë keqardhjeje në qenien kaba të profesorit. I qeshur po i rreptë, nuk fal, të bind me argument të forta, të pakundërshtueshme.
Argumentat e forta  janë testet. Askush nuk ka mundur ta shikojë pa fletët nën sqetull. Del nga shtëpia, pi kafe, shëtit nëpër oborrin e shkollës gjithnjë krahun e majtë mbledhur. Qëllon të mos ketë teste, po dorën e mban njëlloj mbështetur pas trupit. Gabimet i gjuan  qetësisht me buzë në gaz. Prej njëzet vjetësh i pranishëm sa shumë syresh nuk e mendojnë shkollën pa të. Drejtorët ikin e vinë, mësuesit gjithashtu, profesor Klementi jo. Shkolla do të humbte diçka thelbësore, po të largohej ai. Të rinjve u ngjan me vjetërsirat, sikur i përket një bote  të huaj, mbuluar nga myku. Pamja plot ëmbëlsi e përkushtim kishte diçka të pështirë që i bënte mësuesit e tjerë të kthenin kokën mënjanë.
Kur hyri në sallë nuk pa asnjeri. Mbi dërrasën e zezë qe shkruar me shkumës një lajmërim. Në pushimin e madh organizohej takimi për mbylljen e vitit shkollor. Me kujdes e shënoi në bllokun e mbledheve. Sallën e mësuesve e ka mbushur me harta gjithëfarëlloj fizike, politike, të shteteve, kontinenteve. Kolegët vështrojnë të detyruar hartat si në një kabinet të përhershëm gjeografie.
Atë mëngjes shëtiti para hartave, hoqi njërën e vendosi në anën tjetër. Nxorri skicën e madhe të fiseve ilire, zuri dy rradhë në faqen e murit. Me kujdes zhvendosi tabelën e Mendelejevit në cepin e futur të sallës, ku s’binte fort në sy. Skica e trojeve ilire u shpalos krenarisht e patrazuar në tërë pjesën ballore. Profesori shkëlqeu në krah të hartës. Kolegët mezi e duronin këtë rit foshnjor të përditshëm.
-Goxha i madh paska qenë fisi i enkelejve, - i tha pak i habitur e  i menduar Beni, mësuesi i anglishtes.
Beni argëtohet, e ngacmon shpesh larg e larg, pa e bërë veten, hedh gurin, fsheh dorën, po Klementi nuk mërzitet as ofendohet, bën të tijën në çdo rrethanë.
-Enkelejtë mor djalë u shtuan, u bënë fis i madh. Që thua ti ky vend është zanafilla e Ilirisë. Kadmi dhe Harmonia djalin e vetëm, që e shtriu sundimin në tërë viset tona, e quajtën Ilir. Kadmi pati edhe një motër, Europën që i dha emrin kontinentit plak. Ja kështu, - qeshi i kënaqur plot dritë diturie profesori i gjeografisë.
Beni hokatar vazhdoi të tijën.
-Pa shiko, këto nuk i kam dëgjuar asnjëherë, ja pse ka nevojë shkolla për mësuesë të aftë, të përkushtuar.
Zilja elektrike e shkollës lajmëroi fillimin e mësimit. Klementi mori globin në dorën e djathtë, të majtën fletët e testit dhe ngadalë në mënyrë ceremoniale hyri në klasë. Aty një pjesë të mësimit e harxhoi për hokat e zakonshme plot kripë.
-Moj çupë, paske ndryshuar modelin e flokëve, kështu ë, - qeshi me të madhe babaxhani i pafajshëm.
Vajza hyri me kënaqësi në lojën e profesorit. Nxënësit e kanë për zemër këtë pjesë argëtuese të  mësimit.
-Pashë në televizor modelin, më pëlqeu, thashë t’i bëj edhe unë. Ato çfarë kanë më shumë se ne profesor?
Klasa qeshi, Klementi ca më shumë. Njëri nga djemtë tha se edhe Teuta sikur i ka ndryshuar, po Klementi vuri re se nuk qe e vërtetë.
-Pusho more mistrec, - kërcënoi buzëqeshur, pa hijen më të vogël të pezmit në fytyrën bukuroshe të parruar. Pastaj u bë përnjëherë serioz, vërejti vetullat kaleshe, uli sytë e hirtë mbi regjistër.
Kjo pamje nuk i shkonte hiç.
-Tani që thoni ju fillojmë të pyesim se avullon ora dhe s’kemi kohë të shpjegojmë, ja kështu.
Si mbaroi pushimi i vogël dhe ra zilja e orës tjetër, doli madhështor, dërdëng. Tufa e përhershme e testeve së bashku me regjistrin nën sqetull, ndërsa harta stërgjatë në dorën e djathtë zuri gjysmën e korridorit, pengonte lëvizjen. Dukej si ndonjë maune mallrash mes mësuesve dhe nxënësve që nxitonin sa andej-këtej. Ai vetëm qeshi hijshëm.
Në pushimin e madh u vërtit nëpër sallë, i afërt me të gjithë, i dashur. Krahun e majtë ngritur si paralitik nuk e ulte. Dikush tha se edhe në gjumë mbledhur duhet ta mbante dorën Klementi.
Në takimin për mbylljen e vitit shkollor shkëlqeu. Të gjithë nga një fletë dosido përpara, ai nxorri bllokun e madh të mbledhjeve, stilolapsin, në gatishmëri të mbante shënim me seriozitet solemn. Drejtori ndau formularët e përvitshëm. Sapo filloi të sqaronte përmbajten, Klementi e ndërpreu.
-Zoti drejtor, pasqyra 3/a ka një gabim, në vend të vitit shkollor 2009-2010 shkruhet 2008-2009, e keni vënë re? - ngriti kokën triumfator.
Dikush sugjeroi me djallëzi.
-Që të jesh brenda vere 2007-2008.
Qeshën të gjithë, Klementi jo. Me kompetencë sqaroi se gabime të tilla, vërtet të rastit mund të sjellin pështjellim nëpër zyrat arsimore, ngatërrojnë vitet shkollorë me njëri-tjetrin. Statistikat hidhen në kompjuter. A mund të ndajë kompjuteri vitet e shkruar njëlloj? Në sytë e mëdhenj prej foshnjeje shprehej habi. Si nuk e kuptonin të tjerët rëndësinë e këtij gabimi delikat?
Doemos kishte të drejtë.
Sapo mbaroi mbledhja, iu afrua Maries. Ajo seç bënte me regjistrin.
Maria, mesuesja më e bukur e shkollës, me fytyrë të ftohtë, indiferente shikonte punën e saj. Kullohet mbi regjistër, përpiqet sa mundet po nuk ia del. Në çdo mbledhje kritikohet për korrigjime notash, mungesat, gjeneralitetet. Për shkak të gabimeve  zëvendësoi një faqe regjistri me faqe të pastër nga një tjetër regjistër, po sërish bëri korigjime! Nuk u shpëton dot gabimeve. Klementi e ngacmoi plot dashamirësi.
-Mbete me regjistër në dorë moj e uruar, çfarë i bën, ta marrim vesh edhe ne, - buçiti më gurgullimat e zërit të qashtër.
Maria u përgjigj ashpër pa ngritur kokën nga regjistri.
-Ia ke ngenë ti, - dhe vazhdoi punën.
Klementi u përkul të shikonte hollësisht, po ajo mbylli regjistrin. Nuk e duronte erën e tij prej urithi sapodalë nga nëntoka. Lahet ndonjëherë ky njeri thoshte shpesh. Maria u largua nga salla, ndoshta në banjë, duke lënë pas aromën e këndshme femërore. Fustani i modës së fundit, ngjitur pas trupit nxirrte në pah gjoksin e ndërkryer dhe rrumbullakësinë e kofshëve të ngjeshura. Burrat e ndoqën me sy. Shoqet e ngushta thonë se ka qeskën e urinës të vogël. Sigurisht kanë zili freskinë e saj.
Kureshtar prej natyre, Klementi ngatërrohej nëpër këmbë si punë bullari, nuk shqitej lehtë. S’mund të duronte vetminë midis njerëzve. Si shkoi huq Maria, u krodh plot kërshëri në hullinë e ëndshme të futbollit me mësuesit e fizkulturës. Ata rrinë gjithnjë nga fundi i sallës me topa nëpër këmbë.
-Po mirë o si na e bëri Interi dje ë? Gjermani shmangu katër lojtarë, bëri gol, ja kështu që thua ti Namik. E ndoqe apo jo?
Namiku nuk pati thënë ndonjë gjë deri atëhere. Shikoi i bezdisur Klementin.
-Sulmuesi qe në pozicion jashtë loje, një pëllëmbë përpara topit, arbitri nuk e pa. Më beso mua ndeshje e trukuar, - foli me përgjegjësi.
-E ke gabim që thua ti, - ia priti Klementi, - interist je, e dimë, ama gjer këtu jo. Ja kështu, nuk hahet Interi me Bajernin.
Pastaj shtjelloi gjërë e gjatë lojën me hollësi dhe argumenta të bollshme. Interi nuk bënte përpara nga shkaku i klaneve kundërshtare që nuk e linin trajnerin të përzgjidhte ekipin. Italanët s’qenë në ditët më të mira. Se nga i dinte hollësirat vështirë ta merrje vesh. Namiku u tërhoq, i bëri qefin. Kishte edhe një porosi për Klementin.
-Më duket ke të drejtë, - i tha, - nuk e kam vënë re aq mirë, m’u duk pozicion jashtë loje dhjetshi i Bajernit.
Klementi, përkëdhelur në sedër me pamje ëngjëlli dhe shikoi përreth. Shumica nuk e patën mendjen.
Ra zilja, mësuesit hynë nëpër klasa. Klementi s’dinte ç’të bënte, atë orë s’kishte mësim. Pushimin nuk e duron, e ha përbrenda.
-Kur do të pimë një kafe bashkë, - i tha Namiku.
-Kur të duash ti shpirt, tani po deshe, - ia ktheu Klementi, shend e verë.
Dolën duke biseduar me zë të lartë. Nga larg dallohej figura e mbushur plot gaz e profesorit të gjeografisë.
Dielli ngrohte oborrin e lulëzuar, zogjtë fluturonin nga njëra pemë te tjetra, gjithësia qeshte. Natyra e rilindur nga shirat e verës, cicërimat e shpendëve, gjelbërimi i harlisur e lumturuan Klementin, i sollën kënaqësi të thellë. U gjallërua, zuri të flasë papushim. Në klubin pranë shkollës piu një gotë raki, ndezi cigaren e hollë slims, erdhi e u bë më i gëzuar, rrezatonte hare me të gjitha qelizat e trupit.
-Nuk të kam thënë më parë, tani e mora vesh, - hyri në thelbin e çështjes Namiku. - Si do të bësh me Denis Sançollin, e kam radhë miku.
-Për këtë më thirre? - reagoi plot kënaqësi Klementi dhe fësht nxorri nga nënsqetulla testin. - Shikoje të kam rixha, ja kështu.
Pasi tha këto fjalë, qeshi me të madhe.
Namiku u përpoq të lexonte, po nuk deshifronte shkrimin.
-Të bardhë nuk e ka dorëzuar de! Veri një pesë, mbylle këtë muhabet.
-Ashtu thua ti? Vështro këtu, ballafaqoji, - i zgjati fletën e grisur të librit.
-Ka ndonjë zgjidhje? - dorëzoi armët Namiku.
Klementi e vështroi butësisht i mallëngjyer.
-Ka, si s’ka. Agroni biznesmen, vjen vërdallë ditë për ditë me dru, furrnizon tërë qytetin, ja kështu që thua ti, - dhe nënqeshi plot ëmbëlsi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...