2011-04-01

Naim Kelmendi: ”Në një jetë pas Krishtit”, poezi, botoi Rugova Art, Prishtinë 2010

Bota e librit
Kodi i kthimit kah vetvetja

(Naim Kelmendi: ”Në një jetë pas Krishtit”, poezi, botoi Rugova Art, Prishtinë 2010)

 


         Prend BUZHALA

Diçka e ka lënduar qenien e jetës sonë historike e kohore dhe poeti gjendet në kërkim të këtij lëndim-spastrimi. Poeti është në kërkim, jepet pas diskursit lirik të këtij gjakim-kërkimi. Ndodh që gjatë shtegtimit, duke e kërkuar pikën tënde të ekuilibrit, atë pikën arkimediane, ti nuk e di se ku do të të shpjerë ky kërkim. Porse Naim Kelmendi e ka të qartë këtë aventurë që në nismë:

Gjithçka jeton
me mendjen time
gjatë kërkimit për ta arritur majën

E pra, vetë poeti është qendër e këtij kërkimi, pika ku niset e rikthehet në aventurën e kërkimit të majës, të pikësynimeve të idealeve, një kujtesë për dhiatë të re mendimi. Ndonëse shkrimtari, në thurjen e kësaj poezie hyrëse (“Gjithçka dhe asgjë’” që përbën edhe njësinë ballore artistike- programatike), përdor diskursin meditativ dhe atë eseistik-lirik, atëherë është e kuptueshme që edhe ligjërimi poetik të ngërthejë tipare të këtij procedimori: rrjetin e pasur asociativ-semantik, qëndrimin autorial, meditimin e lirshëm, frymën spirituale a të zërit të brendshëm etj. Të gjendesh afër gjithçkaje e kurrë më pranë një asgjëje, rruga e kërkimit është e mundimshme, deri kah fundi i zhgënjimit, dhe aty befas ti e sheh |ndriçimin që s’preket”, sikur të ishte një Tokë e Premtuar, për të cilën ti rravgon mundimshëm me dekada...dhe e sheh vetëm me sy... “si hije e bukur prej hyjnie”. Është loja kontrapunkteve mes kalueshmërisë së jetës dhe vazhdimësisë së shpirtit të qenies sonë autoktone, si vlera që qëndrojnë amshueshëm në kohë dhe hapësirë. Është njaj karakteri kalimtar i ekzistencës sonë, kurse një funksion estetikisht i bukur, mbetet rrugëtimi prej kalvaresh e mundimesh... Poezinë le ta lexojmë edhe si vetëdije të formuar ironike të folësit lirik: të pranosh gjithçkajen dhe asgjënë, do të thotë të pranosh absurdin e synimit tënd a të aspiratës sate, si një paradoks niçean. Paradoksi ironik ecën më tutje: nuk është njësoj si ta ndjesh absurditetin a pakuptimësinë e përpjekjeve personale për të arritur te asgjëja jote, si burim dhe masë e gjithçkaje!


 



Lirika e kërkimit: njeriu i frustruar i ekzistencës

Përgjatë tërë librit subjekti lirik  na e shfaq atë leksionin e madh historik të ekzistencës sonë: të jesh vetvetja, ta dëgjosh së pari zërin tënd të brendshëm, se ç'i dëgjon zhurmat jashtë; atë Unë-in tënd të vërtetë (ciklet “Njeriun kërkova” dhe “Të jesh vetvetja”). Ti gjendesh në situatën kur e ke ndjerë atë domosdoshmërinë e brendshme për të bërë diçka që nuk përputhet me bindjet tua, kurse më vonë e sheh se procesi i tillë ka krijuar vlera tejet të dobishme për të gjithë, ani se ke qenë e ende je i kapërthyer prej rregullash të hekurta, prej etiketash të mirësjelljes oborrtare, ideologjike, apo të kërkesave të rrepta që nuk i lëshojnë pe dritës, impulseve të aventurës madhështore e të pasur jetësore, ...dhe detyrohesh të veprosh kundër zërit tënd, vetëqenies dhe qeniesimit. E pranon rolin e tij të komunikimit të këtyre të vërtetave. Ai bëhet bashkëpjesëmarrës i këtij shtegtimi jete, mbijetoje, nëpërmes një shpirti të ndërdijes që vjen tek zgjimi ynë i brendshëm... nëpërmes përvojave shpirtërore. Kjo përvojë i shndërrohet poetit në shpirt mendimi, shpirt të vetëdijes, kundruall një situate shqetësimesh, turbullimesh, tensionesh; për ta përballuar këtë gjendje dhe për t’iu sjellë të tjerëve atë shëlbim shpirti, atë spastrim,të brendshëm që vjen si shpëtim historik… dhe mu këtu ti sheh diçka tjetër, e sheh mallkimin e mëkatit histori-bjerrës, të një jete “pas Krishtit” , mbetur si një përbaltje mbi historinë tonë, kurse LIRIA E SHPIRTIT të ndrydhet nga njollat që e rrethojnë, nga oktapodët a demonët (poezia “Prapë demonët”).
Nga bashkat e mjegullave që e mbulojnë shikimin për të mos parë… aty për aty të kaplon një frikësim edhe nga vetvetja, një ikje edhe nga liria që e ke aq pranë, një ikje tragjike në tjetërsim… Aty shfaqet një rreze e shkurtër drite në kohë (“Ku jemi me kohën”, “Koha përtej dhimbjes”), dhe përsëri sikur gjithçka bie në fashën e asgjësë. Ky subjekt i pjekurisë së tillë shpirtërore, i të përndritshmes, është i ndërgjegjshëm se sa proces i vështirë kalvaresh është, por e ndien atë kënaqësinë e këtij zëri se sa çlirues është, se çfarë shkalle të lartë energjie jetësore e identitare ngërthen (të jesh vetvetja – thotë poeti), se me çfarë përvojash të jashtëzakonshme pasurohet... Në këso situatash konfliktuale, të brendshme (Kadare shkroi në libër të tërë për këtë problematikë brendashqiptare dhe e quajti “Mosmarrëveshja”), është e qartë që konflikti brenda identitetit të qenies sonë është tejet kompleks, motivimet janë të dyfishta, i pari - për çlirim dhe për të qenë vetvetja, i dyti - për t’iu përmbajtur konvencës, rregullit të jashtëm, për të qenë i bindur dhunshëm, i përmbahet etiketës së hekurt, që e tërheq prapa qenien në regresin historik, që e shtyn në veprime shpesh irracionale, që shpesh e urren, që e shtyp së brendshmi, që dëshiron ta hedhë, por që e shtrëngon të mos e gjejë paqen te vetvetja. Njeriu i frustruar i ekzistencës, tragjikisht, sikur në secilën ambicie qenka i dënuar për dështim, për të mos lejuar që të ndodhë çlirimi i vetvetes nëpërmjet të vërtetës… dhe pikërisht këtu ndodh ajo që shënohet si hop i pjekurisë shpirtërore të qenies: kalvari i dhembjes së tillë të shpirtit, të rrethuar me oktapodë (cikli “Mbrojtja nga oktapodët”), përbën një pjesë tejet të rëndësishme dhe të lirimit të energjisë…
Dy motive gjenden në këtë konflikt kompleks, në këtë mosmarrëveshje njohëse të ndërsjellë brenda qenies së copëzuar të etnitetit e entitetit. Poeti e ka ndjerë këtë sfidë të  dhembshme të përballjes, dhe do të ketë qenë një zhgënjim masiv, që ka kaluar në trajta të tjera të të jetuarit: në agresion kundër vetvetes (“Çast zhgënjimi”), në kor korbash e zhurmë të korbët; kur shpëtimi kërkohet si një bishë e plagosur në vallen e djallit, me biografinë e tmerrshme të vetvetes; gjallimi i një jete në kaos, ku vlerë ka besa e një lavireje; egërsimi frustues pas një qëndrimi vertikal a një maje vlerash dhe ty të mbetet ta bësh jetën në një arkë ngushëllimi; mësyjnë me flamuj të dufit të tmerrshëm me biografi të egra prapashpine… Porse kjo qenie e copëzuar, e ka artin e vet të të jetuarit, dëshiron të mbijetojë, e ka mbijetojën e vet të shpirtit. Dhe ky është ai çelësi i motivimit të mëtejmë: të jetojë në një situatë të tillë. Një jetë pas Krishtit, sikur shënjon të kaluarën tonë të dështimeve, të frustrimeve të pafund të mos-arritjes drejt Majës, dhe mu këtu, tani, është krijuar baza për komunikim, krijimi i një niveli të ri të gjallimit, i një hopi të ri të cilësisë së qenies sonë, i krijimit të ndjesisë së shpresës dhe i vizionit për të ardhmen... (cikli “Balada e kthimit në atdhe”). Dhe jo vetëm historia, literatura apo përgjithësisht letërsia, na i shkroi e këndoi baladat e gjata të qenies sonë; apo atë anën e tragjikes sonë  një shenjë poetike e dëshpërimit tonë absolut, i klithmë-vajtimeve tona mbi fatalitetin e tillë historik, e cila ende na recitohet mbi kokën tonë.

Në substancën e vetvetes

Folësi lirik, shpesh i depersonalizuar, i kësaj poezie, të duket se qëndron si një Subjekt Mbikohor, si një Unë Tejkohor, shëtit nga epoka në epokë, hyn e del nëpër mite e legjenda, përbirohet nëpër dhunë e luftëra, nëpër mbijetoja e pasione kërkimesh, nëpër mendime e sprova të zgripeve dhe i rikthehet vetes, atyre situatave e impulseve të pasura jetësore, burimeve të intelektit dhe mendimeve të tij... E bart atë kryqin e vet të jetës (shenjë e bartjes së mundimeve historike të qenies etnike) një jetë të tërë! Një jetë të tërë personale dhe një jetë të tërë mbi dymijëvjeçare!
Poeti e ka këngën e tij si mundësi të manifestimit të vet; kurse poezia është trajtë e përjetimit intim. Pra, në aventurën e formësimit poetik, autori, në mënyrë të pashmangshme, e rikrijon të gjithë përvojën e tij dhe qëndrimin e tij ndaj rrethit, duke e bartur atë në trajtën e intelektit krijues dhe në trajtën e thënies poetike. Ndodh që në situatën e një ndjesie krejtësisht të çarmatosur e të pafuqishme, mu në pikën e majës kardinale të paraqiten poeti dhe poezia (poezia “Mos kërko majën tënde”) i lënë në mëshirën  lakuriqe të fatit, pranim-pohimeve e mohimeve agresive, plotëkuptimeve dhe absurdit të pakuptimtë, pikëllimit dhe arrogancës, dilemave jetësore (“Jetë historike nudo”) dhe, së fundmi, mbasi kanë ngjarë të gjitha, në këtu udhëtim a aventurë kërkimi të pashmangshëm, i mbetet t’i rikthehet vetvetes, ballafaqimit:

të jesh vetvetja
në substancën tënde

mu aty ku ai do të jetë i vendosur në sfondin e kohës, në raport me vetveten e me të gjitha(poezia “Me vetveten”). Me gjithçkajen e me asgjënë! Me të qenit vertikalisht! Me të qenit vetvetja! Pikërisht ai spektri i gjerë i ndjesive, i mundësive të këtij kërkim-pasioni, i veprimit të shpirtit njerëzor, i hirit të tij, i folesë së tij të dashurisë, pikërisht kjo është ajo vetëdija për renesancën e shpirtit e të besimit në vetvete, i kthimit shqip te vetvetja (poezia “Patjetër”). Është Kodi Shqip i ekzistimit – nja kararsisi-i a spastrimi i njollës së mëkatit historik nga vetvetja, i vetëdijes për pranimin e vetvetes – kjo përbën edhe atë rinjohjen supreme e tejet të çmueshme, që buron nga sfidat e ballafaqimit me vetveten. Prandaj, poezia e Naim Kelmendit na vjen artistikisht kaq autoktone, me ato tonet e njohura eliptike të urtisë së trashëguar të gjenit rugovas a të dendësisë së thënies urtake të Azem Shkrelit. Ti e lexon lirikën e një seance a procesioni krejtësisht intim, në të cilin njeriu mbetet i vetëm e me vetveten, kurse Kelmendi këtë e objektivizon mahnitshëm, duke e krijuar atë distancën objektive aq të dëshirueshme e të njohur, duke e depersonalizuar Unë-in folësit lirik, kurse poezia mbetet se mbetet alternativë personale e mbijetesës. Poeti tashmë i ka ballafaquar sfidat me vetveten, me jetën, me kohën, pa luhatje dhe pa mëdyshje, kurse frytin poetik të këtij vetë-sfidimi, të këtij abortusi historik-kolektiv, e komunikon me forcë lirike e meditative, në mënyrë thellësisht të vërtetë e të sigurt.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...