2011-04-01
Fëmija i Hënës
Miranda Haxhia
Nëse Edmond Tupja shkroi librin dhe i vuri titullin “Dhimbja premton dashuri”
Nëse Edmond Tupja shkroi librin dhe i vuri titullin “Dhimbja premton dashuri”, është çasti që kjo gjë e dhuruar të shpërndahet dhe të edukohet në të gjithë ata që arrijnë të shikojnë syrin e zbehtë të një djali autik në kopertinën e librit të autorit; në të gjithë ata që arrijnë të duan jetën e një autiku, të cilin nuk e kanë parë kurrë e që ndoshta nuk do ta shikojnë kurrë, por që mësojnë të përdorin vështrimin për të përqendruar vëmendjen e shoqërisë ndaj një problemi të madh social – cili është fati i fëmijëve autikë në Shqipëri dhe cila është e ardhmja e tyre? Dhe ajo që është më e rëndësishmja, të gjithë ata që nuk janë bërë ende prindër, kanë fatin që të lexojnë librin e parë të këtij lloji të botuar në Shqipëri nga një autor shqiptar. Dhe jo libër dosido. Një libër-manual për mësimin e gjuhës së thjeshtë dhe të bukur shqipe. Më kishte marrë malli të lexoja libër të autorëve shqiptarë të shkruar thjeshtë, pastër, bukur, me gjuhë të kuptueshme dhe të këndshme, larg eksperimenteve fjalëformuese që shpeshherë u ngjasojnë sfilatave të modës që prezantojnë veshje kukullash. Libri i Tupjes është dëshmi se gjuha jonë është e zonja të përcjellë fabulën, ngjarjen, historinë me një tis të hollë fisnikërie dhe bujarie. Ky është në fund të fundit thelbi i saj. Kuptimësia, thjeshtësia, bukuria, madhështia. Gesi, personazhi. të cilit autori i kushton librin, jetën, lodhjen, gjumin, ëndrrat, gjithë shpresat që rrëzohen e ringrihen si nëpër legjenda, mungon në tërë këtë kohë, kur libri lexohet gjithandej, kur prindërit mendohen më gjatë për sjelljen e tyre ndaj fëmijëve, për ankesat dhe për dogmat që përpiqen t’u fusin me ngut dhe zor në kokë fëmijëve, duke u rrekur të rrisin makineri në vend të fëmijëve, duke i ngjeshur me ankesa dhe plotësi të paimagjinueshme. Nuk ishte në prezantimin e librit, megjithatë ndihej gjithandej, në ndonjë karrige bosh në sallë, në vështrimet e gjithë neve që po mësonim se një djalë i bukur, me sy të bukur, me trup të bukur ishte zënë në çark nga një gjendje e vështirë autizmi. Ka 23 vjet që ai djalë është mes nesh, ashtu si qindra të tjerë dhe ne vëngërojmë shikimin për t’i dalluar, ne harrojmë të kuptojmë se mund të ishte fëmija ynë njëri nga këta “Ges” që gjenden përballë shoqërisë konfuze, shoqërisë së painformuar dhe shoqërisë së paorganizuar për t’i mbrojtur, për t’i dashur, për t’i kuptuar në ankthin e tyre të pafuqishmërisë për t’u integruar. Autikët - këta fëmijë të Hënës, sot pas një kohe pafundësisht të gjatë po fillojnë të sensibilizojnë shoqërinë tonë. Atë që histori të tilla të ngjashme në botë e kanë bërë prej dhjetëra vjetësh, duke sensibilizuar strukturat qeveritare dhe shoqërinë për kujdes e vëmendje ndaj kësaj kategorie, duke ngritur institucione serioze, të specializuara, të mbushura me pasion, ngrohtësi dhe dëshirë për t’u shërbyer fëmijëve autikë po e arrin edhe Gesi Tupja me historinë e tij, ndërsa shenjat e para u dhanë me idenë e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” për ndërtimin e qendrave të tilla në Shqipëri. Prej 2 vitesh, Shqipëria nëpërmjet Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, iu është bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare dhe tashmë ajo bën pjesë në hartën botërore për trajtimin e autizmit. Fondacioni ka ndërtuar një partneritet mjaft të rëndësishëm për të ardhmen e trajtimit të fëmijëve me autizëm në Shqipëri. Shqipëria është anëtare e Iniciativës Globale mbi Autizmin në Shëndetin Publik, një nga organizatat me më influencë në nivel botëror, e “Autism Speaks”. “Partneriteti ndërmjet Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhe “Autism Speaks” përbën një gur themeli të rëndësishëm dhe shumë të mirëpritur nga komuniteti i familjeve të prekura nga autizmi, komuniteti i profesionistëve dhe shoqëria shqiptare në tërësi, është shprehur Presidentja e këtij fondacioni në takimin e vitit në USA”. Publiku mbarëbotëror është njohur sot me apelin e një numri të madh personalitetesh nga e gjithë bota për më shumë vëmendje ndaj autizmit. E me gjithë këto, misioni që kreu e vijon të kryejë libri i Edmond Tupjes i kalon përmasat e së zakonshmes së Shqipëri. Pasi, edhe unë jam më shumë e informuar për autizimin, edhe mikja ime që kishte turp të rrëfente se i biri vuante nga autizmi, edhe vajza ime kur e lexoi librin mësoi se sa shumë kujdes duhej të ketë një njeri kur përgatitet të bëhet prind e ndodhet përballë një fenomeni të tillë. Cili prej nesh do donte të gjendej përballë një problemi të tillë? Por kur je dhe nuk di si të veprosh me fëmijën tënd, është e dhimbshme, është e trishtueshme. Këtë dhimbje, këtë trishtim, në librin e Tupjes mësojmë se si ta menaxhojmë, si ta edukojmë, si ta përcjellim në ato gjymtyrë të shoqërisë që edhe pse janë të ftohta, duhen vënë në punë, duhen sensibilizuar, derisa t’u dhembin gjithë kockat, derisa të kuptojnë se Gesi mund të ishte edhe fëmija i tyre, apo Arlinda nga fshati i humbur i Gramshit mund të ishte vajza e dikujt, e mund të kishin edhe ëndrra këta fëmijë të gozhduar nga gjendja autike. Jo ëndrra për parà, për pasuri, për ambicie ndërplanetare, por thjesht ëndrra për të shijuar fëmijërinë, rininë dhe jetën e tyre në një shoqëri të civilizuar dhe të kulturuar që di të dojë, që mëson të dojë dhe respektojë këdo që ka fatin të nisë rrugën e jetës, të startojë jo si të tjerët, me atlete, por zbathur, duke ndjerë dhimbje në çdo hap, duke i therur çdo vështrim në boshllëk. “Kur dhimbja premton dashuri” - ka tri fjalë shumë të rëndësishme brenda saj. Secila prej tyre është një kambanë për çdo njërin prej nesh dhe një shumësi alarmesh për shoqërinë në tërësi. Gesi, miku im i panjohur nuk del nga shtëpia, vështron tej dritares, ka mure rreth vetes, por është çasti që shoqëria të dalë përtej këtyre mureve të indiferencës, të mosvëmendjes, të moskujdesit dhe të shpalosë alternativat që këta fëmijë të kenë një të ardhme të shkruar të sigurt; në mos këta, fëmijët që do lindin me terrin autik që do t’u bëhet i errët më shumë nga indiferenca e madhe shoqërore. Gesi me vështrimin e tij në kopertinën e librit shikon një të ardhme të mjegullt; po a thua e ka ndjeshmërinë të vështrojë qartë të paktën një ditë? Atë që nuk e bën dot Gesi Tupja, po e bën me guxim, babai i tij, shkrimtari dhe ati, mësuesi dhe këshilluesi i çdo detaji të përjetuar. Dhe kjo është një vlerë e panjohur në librat e botuar në Shqipëri. Dhe e fundit, që nuk është një batutë e thjeshtë, por një gjykim largpamës, sipas meje. Do t’i jepja çdo çmim të mundshëm librit të Edmond Tupjes, të madh apo të vogël, kombëtar, apo lokal, letrar apo social, filozofik, apo politik, shëndetësor, apo mësimor, të çdo lloj fushe që kërkon një libër për konkurs. Sepse në fund të fundit misioni i librit në një shoqëri është edukimi i shoqërisë, emancipimi i saj, sensibilizimi dhe vëmendja e madhe. Një libër nuk përmbys shoqëri, por përmbys paragjykime. Dhe misioni i babait ndaj një fëmijë autik, duke u rrekur ta afrojë me diellin, përkushtimi i tij i madh, guximi për të shpresuar, jo shumë për të birin, por për dhjetëra e qindra të tjerë që vuajnë po aq sa ai, është mision human, qytetar, njerëzor, dhe një model kulture i panjohur deri më tash. Duke shpresuar të thithë vështrimin e gjithë shoqërisë, Edmond Tupja me librin e tij, më mbetet vetëm të guxoj: - Vështromë pak, Ges! Pa frikë!
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...