Ekuivoket e një narracioni (Mimoza Ahmeti, Ich liebe dich, Adlia, Love Story, tregime, Marin Barleti, Tiranë, 2009)
Libri “Ich liebe dich, Adlia” përbëhet nga tetë tregime, ku secili prej tyre është një tërësi e rrumbullakuar në vete, por që së bashku krijojnë një vëllim unik në diversitetin e tyre… i bashkon fuqia shprehëse dhe figurative e fjalëve, ngarkesa e trishtë e mendimeve, eleganca dhe lehtësia e narracionit në vetën e parë, shkëndijat e një inteligjence shpërthyese dhe një sinkretizëm magjepsës i gjuhës së prozës me elemente lirike. Titulli në gjuhën gjermane (i shoqëruar nga nëntitulli anglisht) sigurisht nuk është i zakonshëm në traditën tonë letrare, por shpreh botëkuptimin që ka autorja për artin dhe misionin e tij. Tregimi “Ich liebe dich, Adlia” është rrëfim për një grua “të gjithëkohshme”, një violiniste të bukur që detyrohet të punojë si përkthyese. Ajo nuk ka fat në dashuri dhe nuk mund të jetë me mashkullin e dashur edhe si rrjedhojë e ndryshimeve të kurseve të politikave shtetërore... Ksenofobisë që infekton politika, i kundërvihet dashuria, (që nuk vjen me komandë nga lart, por as nuk zhduket aq lehtë - madje as atëherë kur “gabimisht të dashuruarit” martohen madje edhe bëjnë fëmijë me të tjerë. “A e dini sa e kemi dashur perëndimin” i rrëfehet Adlia narratores, duke prekur nervin gjenetik-mistik me idenë se në pamundësi për të pasur histori intime normale me njerëz të popujve të tjerë, persona të caktuar (të të dyja sekseve) lidheshin me gjuhët e atyre popujve..., sepse “duke komunikuar, kufiri humbiste” – thotë Adlia. Njëherazi, ky është një rrëfim për dashurinë e penguar dhe për “dekonstruksionin” që kësaj ndjenjë sublime iu bë në një zonë (realitet) të tjetërsuar, ku historitë individuale ishin vetëm grimca të parëndësishme në kazanin e madh kolektiv. Ajo që e bën këtë tregim të veçantë është gërshetimi i transparencës me diskreten, kështu që pavarësisht nga narracioni i zhdërvjellët diçka mbetet e pazbuluar deri në fund. Vetë fjalia me të cilën mbyllet tregimi fillon me frazën-refren “Ich liebe dich, Adlia”, duke krijuar interferenca të ndryshme ideore dhe emocionale, në kontekstin e tregimit dhe përtej tij. Narratorja është e ndërgjegjshme se është pjesë e fiksionit: “Po ndalem këtu sepse dua të vazhdoj tregimin tim të dashur,...”, çka është (kryesisht) një dukuri e prozës (post)moderne. Vërehet një retorikë e kursyer, në favor të tablove dhe detajeve pikante, aq të gjalla në dinamikën e tyre: “Dhe një lot iu rrokullis, i vetëm, nga njëri sy”. Brenda këtij tregimi ka edhe disa vargje të bukura, në frymën baladike - që në fakt e përshkon krejt tregimin, mbase edhe librin në tërësi. Një prozë me shumë esprit është “Divorc në Seegasse 21”, ku kryepersonazhi, gruaja e Gustav Flaubert-it, e fajëson burrin e vet për sadizmin e shprehur në romanin e tij të famshëm, duke e bërë në një mënyrë përgjegjës për modelimin e personazhit të Emës si formë e një hakmarrjeje të padrejtë ndaj femrave, që u dashka të vdesin në vuajtje dhe me ndërgjegje jo të pastër për “tradhtinë” ndaj meshkujve, megjithëse në fakt ato s’bëjnë asgjë tjetër veç e dashurojnë bukurinë e jetës. Kjo tematikë jo shumë e pranishme në letërsinë tonë këtu zhvillohet si një përrua fascinues mendimesh dhe argumentesh provokuese. Elementet e sensibilitetit feminist në raport me marrëdhëniet ndërmjet dy sekseve këtu jepen me shije dhe me një logjikë të pëlqyeshme. Në tregimin “Mbetet të sillemi bukur” personazhi femër që ka edhe funksionin e rrëfimtares, me pak fjalë jep një vizion interesant (postmodern?!) matanë idealizmit dhe heroizmit, por njëkohësisht edhe tmerrësisht shumështresor, duke “pickuar” në të gjitha kahet përnjëherë (dhe që ndoshta nganjëherë nënkupton edhe të kundërtën e asaj që e thotë): “Roche, më thuaj a nuk ia vlen të vdesësh për një kupë kafe, kur të pihet? Dhe kur të pyesin: përse vdiq? Për një kupë kafe do të thonë, jo për një ideal. – shtova unë më shumë se sa me përbuzje”. Mungesa e fabulës në “Fantazma në RER” kompensohet nga një lum jashtëzakonisht i pasur me rrymime refleksionesh për jetën dhe vdekjen, për avuj shijesh dhe për theksimin e shqisores, për besimin dhe iluzionin, për atdheun dhe korrupsionin... Idetë dhe mendimet, herë të peshuara e herë “çmendurisht” të papritura, vegojnë porsi shkrepje vetëtimash, duke liruar energji të fuqishme shpirtërore. Kjo prozë nuk pushon të të shkundë me elektricitetin e vet, ndërsa shtresat e shumta kuptimore lexuesin e bartin drejt një katarze multiple. Vetëreflektimi (auto)kritik qoftë në prizmin personal të narratores (autores!?), qoftë në atë nacional, nuk ndalet, por duke përbuzur politizimet dhe shpërfillur kompromiset kulmon në një frazë ekuivoke, ku komikja dhe tragjikja përzihen me njëra-tjetrën: – “Shqipëria është një shaka e rëndë!”. Qëmtimi i të përjetuarit të realitetit post-komunist në Shqipëri, i realizuar në prozën pa ngjarje “Fitorja” është një tjetër përpjekje narrative për ta veshur me kuptim “jetën” qoftë edhe duke e spostuar në operacionet e të menduarit… Edhe këtu, nga rubineti i domethënieve rrjedhin sinteza lakonike dhe spirituoze, me zbërthime të peshuara mirë të dukurive të caktuara në shoqëri: “Protagonizmi ynë si qytetar kishte vdekur. Por kishim kënaqësinë e spektatorit dhe privilegjin të shikonim një protagonizëm të panjohur që konsiderohej si yni, dhe në mënyrë antropologjike të imagjinonim autorin e vërtetë të këtij protagonizmi dhe… hallin e tij”. Synimi për të përmbysur gjuhën, erupton në prozën e fundit “Të çlirojmë të ardhmen nga e shkuara, të çlirojmë të shkuarën nga e ardhmja” në të cilën autorja shpalos filozofinë (dhe estetikën) e vet krijuese: “E nënvizoj madhështore atë përmbysje ku të gjitha termat u zhveshën para meje dhe nocionet i lidhja, vishja e makioja, iu bëja paradë mendore, duke shtyrë në mënyrë ekzibixeve kapicën e madhe të rekuizitave të vjetra e të stërpërdorura të kuptimeve.” Ky “imazh” e demonstron edhe një herë frymën postmoderniste të kësaj proze, e cila me konotacionet e pafundme që përhap fjali pas fjalie dhe me ekuivoket pikëlluese që transmeton, si një baladë në origjinën e vet, është gjithsesi një nga prurjet më atraktive të letërsisë shqipe të viteve të fundit.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...