nga Jorgjeta Gjançi
Shkrimtari korçar Kristaq Turtulli është një shkrimtar i vlerësuar dhe romancier. Lindi në Korçë, në një familje fisnike dhe patriote dhe me shumë peripeci, për shkak biografie, mundi të vazhdojë studimet e larta në degën gjuhë – letërsi. Kristaqi ka publikuar një seri me tregime dhe novella dhe 6 romane. Jeta e emigrantit, me gjithe veshtiresitë e shumta që ka, jo vetëm që nuk ia ka ulur ritmin e krijimtarisë së tij, por mund të shkruhet pa frikë se e ka ndihmuar të ketë një bum jo të zakonshëm. Brenda dhjetëvjeçarit të fundit ka shkruar gjashtë romane, të cilët i ka botuar në gjuhën shqipe e disa prej tyre edhe në gjuhën angleze. Kjo krijimtari e bollshme është pritur shumë mirë jo vetëm nga lexuesit shqiptarë në Shqipëri dhe Kanada, por edhe nga lexues të huaj. Duke përfituar nga rasti që ai pas 5 vjetësh kishte ardhur në Korçën e tij të dashur, i morën një intervistë, të cilën po e publikojmë.
Si ndihet shkrimtari Kristaq Turtulli mes Shqipërisë dhe Kanadasë?
Është një pyetje e veshtirë. Gjithsesi njeriu e ka në natyrën e tij që përpiqet të përshtatet në mjedisin ku jeton. Unë atje në Kanada jam munduar të ingranohem në jetën kanadeze, jam përpjekur të gjej veten. Gjithsesi kjo gjë është e vështirë. Në Perëndim nuk të hapen dyert kollaj, por duke kaluar vitet, duke mësuar gjuhën, duke iu përshtatur kushteve të jetesës kam mundur të ingranohem vetë e familisht dhe sot mund të themi se ndihemi si gjithë qytetarët e tjerë kanadezë. Po unë, edhe pse vitet kalojnë, kam një mall të madh për vendin tim, për Korçën time. Pikërisht ky mall më solli këtu. Është malli për Korçën time, për të cilën familja ime ka dhënë aq shumë, është malli për njerëzit e mi të afërt dhe shokët e miqtë, me të cilët kam punuar e jetuar deri sa u bëra 40 vjet, është malli për krijuesit, me të cilët jam konsultuar kur hodha hapat e parë të krijimtarisë sime, malli për rrugët, për qytetin , per gjithshka që ka të bëjë me erën e Shqipërisë.
Ju i përkisni familjes së madhe korçare Turtulli, a ka ndonjë domethënie për ty, si pinjoll i saj, ky fakt?
Padyshim që ka dhe në radhë të parë unë jam krenar për prejardhjen time. Kam respekt e mirenjohje për të parët e mi, që e bënë Korçën që në gjysmën e shekullit të kaluar me Spital, Lice dhe Bibliotekë. Nuk janë fakte të thjeshta, përkundrazi janë shumë domethënëse. Dëshira ime ishte ta ndërtoja jetën time e të familjes këtu, po ndodhi që u largova. Atje ku juam malli për vendin tim më mban gjallë. Korçën nuk e harroj kurrë.
Gjatë viteve që kini qëndruar në Kanada krijimtaria juaj letrare ka pasur një bum të madh. Diçka më hollësisht rreth kësaj krijimtarie.
Kam ikur nga vendi ynë në janar 2000 dhe ingranimi jonë aty nuk ka qënë i lehtë. Siç e thashë emigrantit nuk ia hap njeri derën kollaj. Them se aleat në krijimtarinë time ka qënë malli për çka unë lashë pas, dëshira për të thënë të pathënat. Vazhdova të shkruaja edhe kur lodhja e mërzitja ishte shumë e madhe. Në radhë të parë përpiqesha të mësoja gjuhën, sepse ajo ishte çelësi i jetës së re që kisha filluar. Këtu në Shqipëri nuk ishte kollaj të mësoje gjuhën angleze, ndaj unë atje fillova çdo gjë nga e a-ja. Fillova të mësoja si të flisnja, si të artikuloja fjalët, si të shprehja një mendim, si të përpiloja një dokument, një rezume që të kërkoja punë në radhë të parë…Nuk ishte e lehtë. E ndjeja që malli më mundonte dhe më dukej sikur e largoja paksa këtë mall duke shkruar. E për të shkruar e gjeja kohën edhe kur kisha pak pushim gjatë kohës së punës, edhe kur isha në autobus, ku të gjeja kohë. Dhe gjatë këtyre viteve unë kam shkruar 6 – 7 vepra.
Dëshirojmë t’i njohim lexuesit me disa piketa të krijimtarisë suaj.
E fillova me shkrimin dhe botimin e romanit “Ç’është jeta e njeriut” që tregon histori jetësore të realitetit shqiptar në 1997. Personazhet e këtij romani janë njerës pa emra, sepse pas secilit prej tyre çdo shqiptar mund të gjejë veten e vet. Ata jepen të mbërthyer nga situata e pakuptimtë dhe e çmendur e asaj kohe. Ky roman më prezantoi mirë në rrethet letrare ne Kanada, këtu në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë. U quajt një roman eksperimental ku autori përdor metaforën dhe figura të tjera artistike dhe përshkruan një situatë të tmerrshme të ngritur në art. Romani i dytë është “Vetmia e zërave”. Ai është roman voluminoz, rreth 400 faqe dhe pasqyron jetën shqiptare në 200 vite. Kryesisht ngjarjet vendosen në Korçë dhe përmes tij jepet jeta e rreth 200 personazheve, që ju përkasin shtresave dhe botkuptimeve të ndryshme. Ky roman ka edhe pjesën e dytë, të cilën e kam akoma në tavolinën e punës.
Libri i tretë që botova është ribotimi i romanit që kam botuar dikur këtu në Korçë me titull “Hani me dy porta” Mu desh që për ta sjellë në kohë e për ta bërë sa më depërtues tek lexuesi amerikan ta ripërpunoja e mandej me ndihmën e djalit tim, Virgjilit, edhe ta përktheja në anglisht. Në variantin e parë fundi ishte tragjik. Një fund shumë i dhimshëm, një fakt ky që lexuesin e sotëm, që është shumë i prekshëm, e streson dhe do ta demoralizonte. Atëhere unë për ta shmangur këtë gjë i dhashë romanit në fund më shumë hapësirë, i dhashë një shpresë dhe kjo shpresë e rriti cilësisht veprën. Autori gjithmonë duhet ta kontrollojë veprën. Ai u prit shumë mirë. Më përshëndetën shumë lexues dhe krijues dhe ma vlerësuan specialistë të krijimtarisë letrare.
Romani tjetër është sërisht në anglisht. Titullohet “Frensis” apo “Miqtë” në shqip. Ai është një botim modest. Dëshiroja tua jepnja fëmijëve të shqiptarëve atje në Kanada, të cilët të lexonin një libër me temë shqiptare. Romani tjetër është “Dëgjo floriri im”, i cili është mirëpritur shumë nga lexuesit atje në Kanada, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Libri i fundit që dolli nga botimi para dhjetë ditësh titullohet “Në trenin e linjës 16” për këtë roman pres të mësoj mendimin e lexuesve.
Në krijimtarinë tuaj zë vend të rëndësishëm tema e madhe, konfliktet e ashpra që kanë brejtur realitetin shqiptar përgjatë historisë. A ka qënë e vështirë kjo gjë ?
Sigurisht që ka qënë e vështirë, sepse të marrësh përsipër pasqyrimin e jetës shqiptare në kompleksitetin e saj është përgjegjësi morale dhe shpirtërore. Nuk është e lehtë t’i japësh lexuesit të vërtetën e këtij realiteti të mbushur me kontradiksjone të forta. Shkrimtari duhet të jetë i ndërgjegjshëm për misionin që ka dhe duhet të pasqyrojë realitetin ashtu siç është, pa lule, pa lajka, pa hipokrizi, duke iu shmangur përfytyrimeve që e shtrembërojnë këtë realitet. Tani më është bërë praktikë që kur ulem dhe shkruaj përpiqem të sjell materiale jetësore nga jeta, ngjarje të jetuara, njerës tipikë, të cilët i kam njohur gjatë jetës dhe më kanë krijuar mbresa. Për të krijuar karaktere tipike ju jam referuar personave jetësorë vitalë që kam njohur dhe që nuk janë të pakët sepse edhe përvoja ime jetësore është e madhe.
Pra burimi kryesor i frymëzimit të krijimtarisë suaj është realiteti shqiptar apo edhe ai që keni gjetur e njohur atje në Kanada?
Unë kam jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, ika prej këtu në moshën 40 vjeçare. Pas mora shumë kujtime, shumë mbresa, shumë nostalgji dhe këto padyshim që dashur pa dashur do të reflekrtphen në krijimtarinë time. Por mbi të gjitha është misioni që merr përsipër shkrimtari. Unë jam përpjeklur të alternoj dy realitetet që njoh më mirë. Por shkrimtari i mirë duhet të shkruajë më shumë për vendlindjen e tij, sepse atë realitet e njeh më mirë e më thellë. Është si puna e asaj pemës, që edhe pse e shkulin për ta mbjellë diku gjetkë. Le pas thërmija jete që ripërtërihen e rikrijojnë pemën e parë, kështu që edhe unë në krijimtari do të vazhdoj t’i referohem këtij realiteti.
Ndërthurja e dy realiteteve është një sforco apo një rrjedhje e natyrshme në krijimtari ?
Ndërlidhja e dy realiteteve është e natyrshme. Njerëzit në Kanada janë njerës të zakonshëm si ne, kanë botkuptime të përafërta me ne, edhe atje ka vuajtje, strese, shqetësime njëlloj si tonat. Po sjell një rast konkret. Takova një rus dhe po i flisnja për një nga romanet e mia, i tregova edhe subjektin e tij në vija të trasha. U interesua e lexoi disa nga franmentet e romanit “Hani me dy porta”, që i kisha botuar ne një revistë kanadeze. Kur më takoi sërisht më tha: “Kristaq unë të premtoj që nëse e përkthen në gjuhën time, ky libër do të pritet mirë në vendin tim, se është një roman shumë i mirë dhe mund të behet edhe një skenar filmi shumë i mirë.” Padyshim që i vlerësova fjalët e tij, sepse të gjithë njerëzit në botë e njohin dashurinë, e dinë forcën që ajo ka, fillimi i jetës është lindja e dashurisë midis vajzës dhe djalit. Po kështu luftën e mbijetesës, luftën për liri, luftën për të drejta e barazi i njeh çdo komb e çdo njeri dhe të pasqyruara ato në letërsi tingëllojnë njësoj kudo. Temat e mia janë tema të prekshme, sepse janë tema të ndjenjave njerëzore, tema të mbijetesës.
Në krijimtarinë tuaj janë shumë tërheqëse karakteret e femrave, të cilat shpesh marrin përmasat e një idhulli. Është me interes të dinim cili është roli i femrës në shoqëri sipas Kristaq Turtullit.
Pyetja qëllon në shenjë. Për mua femra është sinboli i bukurisë, i rezistencës i krenarisë, i besnikësrisë, i dashurisë, sinboli i jetës. Pra femra është motori i jetës njerëzore. Është femra që krijon njeriun, është femra që nxjerr prej qënies së saj krijesën e saj dhe është po ajo që sakrifikon deri edhe veten për të. E si mundet të mos e vlerësosh e shkruash për femrën me një adhinami të ndjerë nga thellësia e shpirtit? Në veprat e mia femra është figura kryesore. Në romanin e fundit “Treni i linjës 16” ka në qendër të vëmendjes Zamirën, e cila lufton dhe bën sakrifica të mëdha për të mbijetuar. Ajo është në qendër të vorbullës së jetës dhe ndeshet me furtunat që i përplasen ngado. Ajo ka forcë t’i përballojë me dinjitet. Unë e respektoj dhe e adhuroj veçanërisht femrën e shoqërisë shqiptare, që është shumë më e pasur në karakterin e saj se në shoqëritë e tjera që kam pasur mundësi të njoh. Ata krijues që e shohin atë si shtojcë të personazheve të tyre burra nuk janë realistë, ata për mua ngjajnë si një degë e thatë që mendojnë se e vlerësojnë apo e respektojnë femrën.
Në veprat e mia janë tipizuar karaktere të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Në to gjen njerëzit e persekutuar, njerëzit e thjeshtë, ministrat, tregtarët, punëtorët, shtëpiaket, që kanë jetuar në vite e shekuj. Përmes tyre kam pasur qëllim që të paraqes jetën e Shqipërisë në kushte të caktuara kohore e politike. Kështu mund të sjell një rast konkret tek “Vetmija e zërave” unë jam përpjekur të tregoj shoqërinë shqiptare në dy shekuj. Pse veprova kështu? Sepse çdo gjë që ndodh sot nuk e ka bazën në këtë moment, por është rrjedhojë e mendësive shqiptare pozitive dhe negative, që janë trashëguar e vijnë nga brezi në brez dhe shfaqen në një moment të caktuar. Gjithkush duhet të bëjë një analizë të jetës së shoqërisë shqiptare dhe unë përpiqem ta realizoj këtë gjë përmes karaktereve që krijoj në romanet e mia.
Në Kanada je në kontakt me situatën politike dhe krijimtarinë letrare të vendit tonë?
Përpiqem të azhornohem së pari përmes shtypit të përditshëm, që lexoj përmes internetit. Ndjek situatën dhe më dhemb thellë në shpirt kur shoh që jo gjithmonë punët ecin mirë. Dëshiroj që të bëhet më mirë, po kjo gjë kërkon një përgjegjësi më të plotë të politikës shqiptare. Ajo duhet të zhvishet nga mendësitë e vjetra, nga konfliktualiteti, nga pasionet shkatërruese. Shoh që është ecur përpara, po ritmet duhen të jenë më të shpejta.
Çfarë vendi zë politika në jetën e Kristaq Turtullit?
Unë nuk merrem me politikën shqiptare, por e ndjek atë. Mua më intereson jeta e shqiptarëve, jeta e korçarëve sepse I dua Shqipërinë dhe Korçën dhe dëshitroj që ato të ecin përpara. Kur shoh që vendet e tjera ish socialiste, që kanë qënë më të prapambetura se ne dhe sot kanë ecur shumë më përpara, ndihem keq. Pse të ndodhë që këtu të merret politika me konflikte të kota? Unë mendoj që politikanët e majtë dhe të djathtë të gjejnë gjuhën e përbashkët ose atë që stimulon përparimi e vendit. Ata nuk bëjnë politikë, por shprehin pasione për të argumentuar secili mendimin e vet. Politika në perëndimin e zhvilluar është politikë për progres. Nëse ti je politikan i zoti, unë të suportoj, pavarësisht se jam në opozitë me ty, të mbështes kur shoh se po ndërton vendin, po suporton krizën. Në Kanada për shembull dy partitë rivale kur filloi kriza filluan luftën politike për të kapur partinë në pushtet në faj. Po kur panë se kjo e fundit ndërmorri reforma mbrojtëse për ekonominë vendase, nuk u morrën më me cikërima të kota. Në se ti bën punën unë të heq kapelën, pavarësisht se jam në opozitë. Do të luftoj si opozitar jo të të shkatërroj, opozitë do të thotë që unë të të luftoj në gabimet që ke por jo me tendencë por me mendimin që të sjellim progres për vendin. Jam kundër politikës pasionante që për mua është politikë regressive. Iku koha e politikës pasionante të të gjithë njerësve. Aktualisht nuk mund të merren të gjithë me politikë, secili të shohë punën e vet. Nëse unë për shembull nuk të dua ty si politikan kam momentin deçiziv të votimit, por jo të merrem për çdo çast me luftën ndaj teje.