Me kërkesë të presidentit të deritashëm, Behgjet Pacolli, për shkaqe objektive, dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës nga Behgjet Pacolli te kryetari i Kuvendit, njëkohësisht Ushtrues i Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, nuk do bëhet ditën e shtunë, datë 2 prill, siç ishte planifikuar, por do të bëhet të hënën, datë 4 prill 2011, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit.
**********
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit të vendit ka qenë jo-kushtetues, historiani kosovar Prof.Dr.Jakup Krasniqi do ta marrë nesër postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jo kushtetuese. Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe Behgjet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars 2011.
Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional, njoftojnë mediat.
Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:
“...Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë Aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së Kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, ceremonia e dorëzimit të detyrës nga presidenti i deritashëm, Behgjet Pacolli dhe pranimi i saj nga ana e Krasniqi mbahet në Presidencën e Kosovës, në ora 09:00.
Kjo do të jetë hera e dytë që kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e presidentit të vendit. Herën e parë e kishte marrë këtë funksion pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai kishte shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste njëkohësisht, atë të presidentit dhe kryetarit të LDK-së.
*************
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mohon të jetë njoftuar nga partneri i koalicionit Aleanca Kosova e Re (AKR) për shqyrtimin e idesë së shkëputjes së marrëveshjes për koalicion nga kjo parti. Përfaqësues të PDK-së paraqitën, gjatë së shtunës, shprehin qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet presidenti i ri i vendit, pasi procedura për zgjedhjen e Behxhet Pacollit si president, u cilësua si jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk ka qëndrim unik për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se procedurat e zgjedhjes së Behxhet Pacollit si presidentit, kanë qenë jokushtetuese, partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, pohon se është përgjegjëse për gjetjen e rrugëdaljes nga gjendja aktuale, por përfaqësues të saj thonë se për një gjë të tillë duhet të vendoset në javën e ardhshme.
Ndryshe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se zgjidhja duhet të bëhet përmes reformave zgjedhore.
"Unë nuk kisha thënë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne i kemi kryer zgjedhjet, por besoj se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë, e të dakordohen që brenda një kohe të bëjnë reformën zgjedhore, e cila është e domosdoshme; që të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ta gjejmë - në bazën e një marrëveshjeje, rrugën më të mirë për të ecur përpara", thotë Jakup Krasniqi.
Prof.dr.Jakup Krasniqi
Përmes vendimit të saj Kushtetuesja kishte konstatuar se gjatë procedurave për zgjedhjen e presidentit të vendit më 22 shkurt, Kushtetuta e Kosovës ishte shkelur për shkak të mungesës së ndonjë kundër-kandidati gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit dhe për shkak të mungesës së kuorumit që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit.
Pacolli ka vendosur të garojë sërish për president, ndërsa Aleanca Kosova e Re, tashmë ka paraqitur një kundër-kandidate nga radhët e partisë.
Megjithatë, opozita nuk ka ndryshuar deri më tani qëndrimin e saj - gjë që nga PDK-ja vlerësohet se paraqet një bllokim në zgjidhjen e problemit.
Prof.dr.Hajredin Kuçi
Nënkryetari i PDK-së, Prof.dr.Hajredin Kuçi, thotë se po qe se vazhdon "bllokimi" nga ana e opozitës së vendit, Partia Demokratike do të ishte në favor të zgjedhjeve të parakohshme.
"Partia Demokratike nuk do të jetë iniciatore e një veprimi të tillë dhe nuk është ithtare e një veprimi të tillë. Por, Partia Demokratike e Kosovës nuk e pranon logjikën e bllokimit institucional dhe çdo zgjidhje tjetër do të jetë më e mirë sesa bllokimi", deklaron Kuçi.
Fatmir Limaj
Kundër një ideje të tillë, ndërkaq, shprehet anëtari tjetër i Kryesisë së PDK-së, Fatmir Limaj. Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin në dëm të vendit, ndërsa thekson rëndësinë që partitë politike të pajtohen për ndryshimin e nenit të Kushtetutës, i cili përcakton mënyrat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, e që, sipas Limajt, duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
"Kemi ushtruesin e detyrës gjashtë muaj dhe në këtë kohë me vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike ne mund të vijmë në një zgjidhje të tillë.
Por, në fund të fundit u takon forcave politike të gjejnë zgjidhje".
"Nuk kemi asnjë nevojë të shkojmë në zgjedhje parlamentare; mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare pas një marrëveshjeje politike pas një kohe të caktuar, por tani për tani, çfarëdo lëvizje që është për të shkuar në zgjedhje parlamentare, besoj që është në dëm të vendit tonë", shprehet Limaj.
Një problem tjetër, me të cilin do të mund të ballafaqohet PDK-ja në ditët në vijim, është paralajmërimi i partnerit të koalicionit, AKR, për rishqyrtimin e marrëveshjes për koalicion. Kjo parti, përmes një komunikate për media dërguar pas mesnate, njoftoi se:
"Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend".
"AKR-ja, në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e koalicionit qeverisës, nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj".
Mirëpo, PDK-ja mohon të jetë njoftuar për konsulta apo vendime të ngjashme nga ana e AKR-së.
***************
Ismet Beqiri
LDK-ja opozitare ka kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend në seancën e zgjedhjes së presidentit me gjetjen e një zgjidhje kalimtare mes pozitës dhe opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se zgjidhja kalimtare nënkupton caktimin e një afati ku do të reformohet sistemi zgjedhor dhe një marrëveshje për zgjedhje parlamentare të reja pas njëviti. Në të kundërt, sipas Beqirit, LDK nuk do të kontribuojë në zgjedhjen e Pacollit si president.
Deklaratat e Ambasadës amerikane dhe BE-së se deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në séance, LDK-ja nuk i komentoi. Megjithatë, deputetët e kësaj partie, sikurse edhe ata të Vetëvendosjes dhe AAK-së, i referohen dy dispozitave të tjera ligjore, që siç thonë ata, nuk i detyrojnë të qëndrojnë në seancë.
Në nenin 70 pika 1 e Kushtetutës ku flitet për mandatin e deputetëve, thuhet se deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
Ky qëndrim përforcohet edhe nga radhët e PDK-së, ku vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi deklaron se është mirë të lexohet neni 70 pika 1 që flet për të drejtat dhe detyrat e deputetit.
Edhe Vetëvendosje dhe AAK mbajnë qëndrimin se nuk mund të detyrohen deputetët të marrin pjesë në seancën ku do të zgjidhet presidenti.
*****************
Kryeministri Hashim Thaçi i ka fajësuar partitë opozitare si shkelëse të Kushtetutës, të cilat me bojkotin dhe me sjelljen e tyre po e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që nuk pret Uashingtoni dhe Brukseli, por që nuk e meritojnë as qytetarët e Kosovës, meqë Kosova nuk e ka luksin që të mbajë zgjedhje çdo tre muaj. Duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të opozitës se do të lëshojnë sallën në ditën kur do të rivotohet për president, Hashim Thaçi u ka kujtuar atyre se e kanë obligim kushtetues dhe moral, e mbi të gjitha përgjegjësi ndaj votuesve, që të qëndrojnë në Kuvend gjatë votimit, derisa praktikën e bojkotit e konsideron si formë të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen. Kreu i Qeverisë është shprehur me tone kritike ndaj përfaqësuesve opozitarë, ndërsa ka thënë se e respekton në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por në të njëjtën kohë ka ftuar ata që e kanë dërguar lëndën në Gjykatë që të respektojnë këtë vendim.
* * * * * * *
Hashim Thaçi: Zgjedhja e presidentit është çështje orësh
"Çështja e zgejdhjes së presidentit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës është çësthje orësh", ka thënë kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeminisri Hashim Thaçi ka hedhur kritika ndaj botjkotit të opozitës dhe ka rikujtuar se edhe ai dhe partia e tij kanë qenë në opozitë në zgjedhjen e presidentëve të mëhershëm të Kosovës por ai dhe PDK-ja kanë qëndruar në Kuvend dhe kanë propozuar kundërkandidat duke rrespektuar kështu ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.