PETRIT KAZIU
Më 20 shkurt 2011 u mbushën plot 20 vjet nga dita e shënuar historike e vitit të paharruar 1991, kur në mes të Tiranës u rrëzua njëherë e përgjithmonë statuja faraonike e diktatorit të vdekur komunist Enver Hoxha. Duart e fuqishme të turmës mijëravetëshe të popullit liridashës të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë, të mbledhur atë ditë në sheshin "Skënderbej", i hodhën litarin në grykë dhe e rrëzuan përdhe si një qen të zgjebosur, duke i bërë kështu një ekzekutim publik gërmadhës monumentale të diktatorit të vdekur. Rrëzimi i kësaj përmendoreje të diktatorit të vdekur mori një kuptim tepër të gjerë dhe u shndërrua në simboliken e rrëzimit të vetë regjimit komunist. Pasi u tërhoq zvarrë nëpër rrugët e Tiranës, ky monument i gremisur u çua në qytetin "Studenti", ku turma e dhjetëra mijëra qytetarëve e priti me brohori dhe entuziazëm të papërshkruar ardhjen e kësaj gërmadhe bronzi, të cilën e shkelën, e pështynë, i hipën sipër duke e shkelur me të dyja këmbët, duke goditur dhe duke e sharë mbarë e prapë për të shfryrë dufin e urrejtjes gjysmëshekullore të mbledhur në shpirtrat dhe zemrat e një populli të tërë të shtypur dhe të masakruar nga regjimi diktatorial që ngriti në Shqipëri tirani i vdekur. Kjo urrejtje e mbledhur ditë pas dite për 50 vjet me radhë më në fund u çlirua nga shpirtrat dhe trupat e munduar aq rëndë të shqiptarëve të shtypur aq brutalisht dhe shpërtheu si një uragan i vërtetë thirrjesh për liri dhe demokraci nga grykët dhe gojët e gjithë asaj turme të mbledhur atë ditë në sheshin e qytetit "Studenti".
Pas shfryrjes së gjithë këtij dufi, kjo shtatore e rroposur plot turp u zvarrit sërish rrugëve të Tiranës dhe më në fund u la në Rrugën e Kavajës, pikërisht në vendin ku ndodhej klubi sportiv"17 nëntori". Aty turma u ndal sepse rruga ishte e zënë nga trupat speciale të nxjerra nga regjimi komunist, që ende nuk ishte rrëzuar dhe që nuk donte në asnjë mënyrë të dorëzonte pushtetin që e kishte gëzuar për plot gjysmë shekulli mbi kurrizin e popullit shqiptar. Këto falanga të përzgjedhura filluan të qëllojnë në ajër dhe pas pak njerëzit filluan të shpërndahen dhe të ikin me vrap. Autori i këtyre radhëve ka qenë vetë i pranishëm në atë çast historik: busti i diktatorit ishte lënë në mes të rrugës, turma ishte paksa e tërhequr, e stepur nga prania e forcave speciale të armatosura, dhe unë kam qenë njeriu i fundit që e kam qëlluar monumentin e rrëzuar me një shkop gome policie, që ishte hedhur aty nga turma e popullit protestues.
Siç e thashë pak më lart, turma u tërhoq drejt qendrës për shkak të breshërive të plumbave që u lëshuan në ajër dhe sulmit që ndërmorën forcat speciale. Protesta popullore vazhdoi edhe në ditët në vazhdim, por as regjimi komunist nuk i kishte dorëzuar armët e veta dhe as nuk kishte ndër mend që ta lëshonte aq lehtë atë pushtet të përbindshëm që e kishte krijuar "me aq mund" dhe "sakrifica" për 50 vjet me radhë. Vërtet ishte rrëzuar një bust i diktatorit, më i madhi i tij, vërtet u hoq emri i diktatorit nga Universiteti i Tiranës dhe nga ca vende të tjera, por pasardhësi i faraonit të vdekur në fronin diktatorial, Ramiz Alia, qëndronte i patundur në zyrën e tij të Komitetit Qendror të PPSH dhe jo vetëm që nuk lëshonte asnjë milimetër pè në qëndrimet e tij dhe të të gjithë Byrosë Politike, por mundohej të tregonte dorën e fortë ndëshkuese të regjimit komunist. Vidat e bazamentit të këtij regjimi nuk ishin zhvidhosur ende: këtë e tregoi shumë qartë masakra e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku u vranë katër heronj të demokracisë së sapolindur. Kishin kaluar gati tre muaj nga rrëzimi i shtatores së diktatorit të vdekur, por kjo nuk kishte ndryshuar asgjë për piramidën komuniste shqiptare, në krye të së cilës qëndronte diktatori i gjallë, Ramiz Alia, i cili nuk la asnjë mjet pa përdorur për mbajtjen në këmbë të kësaj piramide diktatoriale, që për fat të keq vazhdon të qëndrojë e fortë edhe kësaj dite, pavarësisht nga ndryshimi i fasadës dhe i lustrës demokratike me të cilën është lyer përgjatë këtyre njëzet viteve. Do të duhej që të kalonte edhe një vit tjetër deri në 31 marsin e vitit 1992, që në pushtet të vinte qeveria e Partisë Demokratike me anë të zgjedhjeve të para pluraliste. Vërtet në pushtet erdhi një parti demokratike sipas programit të shkruar që u kishte shpalosur shqiptarëve të sapodalë nga diktatura, por asnjë shtyllë mbajtëse e piramidës komuniste nuk u trondit e jo më të shembej, me gjithë disa dridhje të lehta që pasuan sa për formë. Nga "gjiri i ngrohtë" i Partisë së Punës lindën dhe u formuan partitë e para politike pluraliste shqiptare, të cilat filluan të shumohen pak nga pak, dukuri kjo që në rrjedhën e viteve u përshpejtua me një ritëm frenetik, duke arritur deri aty sa në zgjedhjet e fundit në Shqipëri të numëroheshin 84 parti politike, të cilat kishin të gjitha përfaqësuesit e vet në zgjedhje, zyrat, buxhetin përkatës dhe për çudi edhe elektoratin e tyre tepër të madh në numër, por kurrë të deklaruar publikisht me shifra të bazuara në dokumente autentike.
Shqiptarët në vitet e paharruara 1990-1991 u ngritën për të fituar lirinë e tyre të vërtetë dhe për ta shembur njëherë e përgjithmonë ndërtesën e mallkuar të piramidës komuniste dhe jo për tu siguruar karriget e pushtetit partive "pluraliste" dhe "demokratike", që u krijuan apo që i krijuan posaçërisht me misionin e kalit të Trojës për demokracinë e vërtetë shqiptare. Pikërisht për këtë fenomen kaq të komplikuar të lindjes së këtyre këlyshëve partiakë nga bushtra e kuqe komuniste, e ashtuquajtura nëna e madhe Parti e Punës, me qëllimin e vetëm djallëzor të kontrollimit të jetës së vendit në kushtet e pluralizmit, është shprehur edhe vetë Mbreti Leka I-rë, në një intervistë të dhënë në Johanesburg qysh në vitin 1991, ku ndërmjet të tjerash, i pyetur për këtë çështje themelore, është shprehur me një frazë lapidare: "Ramiz Alia është babai, ndërsa Partia e Punës është nëna e pluralizmit shqiptar. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë të dyja bija të Partisë së Punës. Mbajeni mend mirë, o shqiptarë, se në Shqipëri do të krijohen aq parti, aq shoqata dhe aq organizata sa shqiptarë ka".
Këtë përkufizim gjenial për atësinë dhe mëmësinë e pluralizmit "demokratik" në Shqipëri e vërtetoi koha, ashtu siç u vërtetua edhe parashikimi profetik i tij për numrin e pafund të partive politike, shoqatave dhe organizatave të lloj-llojshme që u formuan gjatë këtyre njëzet vjetëve dhe që vazhdojnë akoma të formohen si kërpudhat pas shiut, por gjithmonë të kontrolluara dhe të financuara nga komunistët.
Populli shqiptar u ngrit në revoltë dhe në një kryengritje masive antidiktatoriale për të rrëzuar diktaturën komuniste si regjim dhe për të zhdukur edhe fizikisht nga faqja e dheut krerët e këtij regjimi diktatorial së bashku me ish-sigurimsat e zinj dhe jo për të rrëzuar një bust të një diktatori të vdekur, sado i madh dhe hijerëndë të ishte ai.
Kjo përmbysje epokale, që do të ndodhte pikërisht të nesërmen e rrëzimit të bustit, pra më 21 shkurt 1991, u sabotua dhe u pengua të vihej në jetë nga disa komunistë të infiltruar në mesin e popullit të revoltuar, që në mesditën e asaj date ishte grumbulluar i gatshëm për të mësyrë me një sulm të furishëm rrafshues Bllokun ogurzi ku banonte udhëheqja komuniste. Fytyra më e zezë e kësaj kolone të pestë, që do të mbahet mend përjetë si penguesi i mallkuar i realizimit të këtij sulmi vdekjeprurës popullor ishte një burrë me flokë të bardha, por me shpirt të zi, me profesion arkeolog, i cili me një altoparlant në dorë (për të cilin nuk ka pranuar të tregojë as sot e kësaj dite se si ia futën në dorë) iu drejtua popullit të kryeqytetit me thirrjen që të mos e sulmonte Bllokun dhe sa më shpejt të shkonin tek sheshi "Skënderbej", për ta shfryre atje urrejtjen e tyre për komunistët. Pasi turma arriti në sheshin "Skënderbej", ky qelbësirë iu drejtua popullit me këto fjalë: "Popull i Tiranës, mos bini pre e demokratëve".
Mosgoditja dhe mosasgjësimi fizik i krerëve komunistë atë ditë historike ishte një shans i humbur historik që nuk vjen më. Kujdesi i mosgoditjes së komunistëve vazhdoi edhe pas vitit 1992, kur u bë thirrje nga drejtuesit e atëhershëm të shtetit shqiptar që të mos bëjmë asnjë hakmarrje ndaj "vëllezërve" tanë sigurimsa dhe komunistë, sepse "të gjithë ne ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” të regjimit komunist.
Kur panë se nuk do ti gjente asgjë, komunistët dhe sigurimsat e zinj, që në muajt e parë të vitit 1992 kishin filluar të helmonin dhe të zhduknin njëri-tjetrin, filluan ta ngrenë sërish kokën dhe ta trashnin zërin. Të përndjekurit politikë u lanë të pashpërblyer për gjithë atë kalvar vuajtjesh të llahtarshme që kishin pësuar për 50 vjet me radhë, ashtu siç nuk u ndëshkuan kriminelët e Sigurimit të Shtetit, megjithëse ligji i dënimit me vdekje vazhdonte të ishte në fuqi.
As pronarët e mëdhenj dhe të vegjël nuk arritën që ti marrin pronat e tyre, njësoj si tregtarët që nuk morën dot shtëpitë e tyre dhe sidomos mallin dhe florinjtë e grabitur nga diktatura e kuqe qysh në vitet e para të instalimit të saj në vendin tonë. As sot e kësaj dite nuk është bërë as përçapja më e vogël nga asnjë qeveri shqiptare, duke përfshirë edhe qeverinë e fundit, për ta zbuluar se ku ka shkuar sasia e stërmadhe e floririt dhe e gurëve të çmuar të grabitur dhe jo më për tua kthyer atë të zotëve apo trashëgimtarëve të tyre të ligjshëm.
I ashtuquajturi privatizim që u bë për ndërmarrjet dhe asetet shtetërore filloi nga ish-Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia dhe nga qeveria e kryesuar nga z. Fatos Nano, dhe u pasua nga qeveria e kryesuar nga z. Aleksandër Meksi. Por duhet theksuar se në të gjitha këto privatizime këto ndërmarrje dhe prona shtetërore iu falën për një copë buke komunistëve të të gjitha rangjeve, në mënyrë që ata të kishin edhe pushtetin ekonomik. Ky forcim ekonomik i këtyre hajdutëve dhe kriminelëve komunistë bëri që ata të kishin mjete dhe fuqi për të organizuar rebelimin komunist të pranverës se zezë të vitit 1997, kur e dogjën dhe e shkrumbuan jo shtetin dhe qeverinë "demokratike", por Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Sipas statistikave shtetërore, nga ky rebelim komunist në v. 1997-1998 u vranë rreth 12.000 veta dhe u plagosën apo u gjymtuan rreth 26.000 të tjerë, pa përmendur djegiet e shtëpive, objekteve shtetërore dhe rrëmbimet apo keqtrajtimet e shumë njerëzve.
Komunistët shqiptarë erdhën në pushtet me parullat e rikthimit të parave që njerëzit kishin futur nëpër firmat piramidale, por për 8 vjet me radhë jo vetëm që nuk kthyen asgjë, por u munduan që të zhvatnin sa më shumë llokma të majme nga ekonomia shtetërore, duke privatizuar, shitur apo falur shumë asete shtetërore tek besnikët e tyre dhe sidomos tek familjarët apo farefisi i tyre.
Ardhja në fuqi e këtyre këlyshëve të kuq të etërve të tyre kriminelë komunistë në v. 1997 ishte jo vetëm vrasja më makabre e ëndrrave të një populli të tërë për të ndërtuar një shtet demokratik, por në të njëjtën kohë ishte edhe prova më e qartë se komunizmi jo vetëm nuk kishte vdekur, por ishte më i gjallë dhe më i fortë se kurrë, për arsyen madhore se ai nuk mori goditjen vdekjeprurëse qysh në vitin 1992, që do ta varroste njëherë e mirë shtatë pashë nën dhe.
Megjithëse Partia Demokratike erdhi sërish në pushtet në shtator të vitit 2005 me premtime të mëdha, në radhë të parë ndaj shtresës së pronarëve legjitimë dhe ish-të përndjekurve politikë si dhe për goditjen përfundimtare të komunizmit, as kësaj here nuk u realizua kjo mrekulli kaq e shumëpritur nga të gjithë shqiptarët demokratë antikomunistë. Komunistët vërtet e lanë pushtetin politik, por vazhdojnë që të mbajnë të mbërthyer atë ekonomik. Po ashtu në duart e tyre është edhe administrata shtetërore me numrin më të madh të të punësuarve nëpër ministri dhe institucione të ndryshme shtetërore. Edhe sot e kësaj dite 90 për qind e punonjësve të SHISH-it, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, të Mbrojtjes etj. janë pjesëtarët e ish-Sigurimit të Shtetit të kohës së diktaturës.
Duke parë këtë mbërthyerje të kthetrave të këtyre përbindëshave komunistë pas kolltukëve të pushtetit, pjesa më e madhe e shqiptarëve demokratë janë larguar jashtë vendit prej shumë vitesh, duke mos besuar më në premtimet e asnjë qeverie: shifrat e këtij largimi masiv, që më mirë duhet të quhet eksod masiv apo arratisje e shqiptarëve nga vendi i tyre, kanë arritur nivelin e frikshëm të gati 1.2 milionë njerëzve, të cilët përbëjnë moshën më aktive dhe më të re të vendit. Këta të ikur për fat të keq nuk e kanë më mendjen për tu kthyer në Shqipëri, sepse nuk shohin më asnjë fije shpresë për ndërtimin e një jete demokratike të vërtetë dhe nuk besojnë se kjo aspiratë kaq fisnike, për të cilën u ngritën në revoltë njëzet vjet më parë, do të bëhet realitet.
Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri kur Bashkinë e Tiranës, më të madhen në vend, dhe të gjithë qytetin e Tiranës e ka futur në dorë prej 10 vjetësh kryetari i Partisë Socialiste, duke bërë me kryeqendrën e Shqipërisë çfarë ti dojë qejfi, dhe qeveria demokratike në pushtet nuk ka fuqi që ta largojë nga drejtimi i kësaj bashkie dhe as ta shpëtojë Tiranën nga shkatërrimi përfundimtar.
Nuk mund të thuhet se është ndërtuar një shtet demokratik në Shqipëri, kur pronarët legjitimë nuk marrin dot pronat e tyre dhe ish-të burgosurit politikë nuk marrin dot dëmshpërblimin financiar, ndërsa komunistët notojnë në miliardat e eurove dhe dollarëve, prej të cilave po u çahen llogaritë bankare brenda dhe jashtë vendit.
Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria demokratike për tua kthyer trashëgimtarëve të pronarëve dhe tregtarëve mallin dhe florinjtë e grabitur në v. 1945-1947 nga qeveria e atëhershme komuniste, ashtu siç nuk është bërë asnjë përpjekje për tua konfiskuar krerëve komunistë dhe socialistë miliardat e eurove dhe dollarëve që vazhdojnë ti shijojnë edhe sot e kësaj dite.
Pa u miratuar ligji i lustracionit, i mospranimit në poste të larta shtetërore të ish-sigurimsave, pa u hequr nga ministritë e lartpërmendura dhe nga strukturat e SHISH-it ish-sigurimsat, ky vend nuk do të marrë dot ndonjëherë frymë i lirë. Pa iu kthyer pronat, malli dhe florinjtë e grabitur pronarëve dhe trashëgimtarëve të tyre legjitimë, në Shqipëri nuk do të ketë asnjëherë shtet demokratik dhe demokraci të vërtetë. Pa u dënuar ish-sigurimsat dhe komunistët e përlyer me një gjyq të madh alla-Nyremberg, në Shqipëri nuk do të triumfojë asnjëherë demokracia dhe populli shqiptar nuk do të shpëtojë ndonjëherë nga kthetrat e këtyre përbindëshave, që e mbajnë edhe sot të mbërthyer fort në grykë. Pa iu marrë pronat dhe shtëpitë luksoze krerëve komunistë dhe socialistë dhe pa iu konfiskuar llogaritë bankare, nuk do të mund të shkatërrohet ndonjëherë kjo skotë e mallkuar, që e ka shkatërruar dhe torturuar këtë vend dhe këtë popull fatkeq për gati 7 dhjetëvjeçarë me radhë. A e kanë pyetur ndonjëherë vetën shqiptarët e thjeshtë se ku kanë jetuar gjatë këtyre njëzet viteve të "demokracisë" dhe me çfarë janë marrë krerët e lartë komunistë dhe socialistë, të djeshmit dhe të sotmit, së bashku me familjet, farefisin dhe besnikët e tyre?
A i ka parë njeri me sy gjatë viteve nëntëdhjetë ndonjëherë në radhën e pensionit si të gjithë shqiptarët e tjerë krerët e moshuar të nomenklaturës së "përmbysur" komuniste?
A e di njeri se ku banojnë sot e kësaj dite dhe në çfarë kushtesh jetojnë?
A e dinë shqiptarët se ku punojnë apo se me çfarë janë marrë këta njëzet vjet familjarët e ish-byroistëve, djemtë, vajzat, nipat, dhëndurët, krushqia dhe soj e sorollopi i tyre?
Nuk mund të thuhet kurrë që sot, kur jemi në vitin 2011 dhe në Shqipëri ka triumfuar demokracia, kur pjesa më e madhe e njerëzve i marrin ushqimet me listë, ndërsa ish-udhëheqësi diktatorial komunist Ramiz Alia, pasuesi i Enverit, që po u afrohet të nëntëdhjetave, shkon dhe bën pushimet dimërore për tre muaj me radhë në Dubai, ku paska dhe një hotel privat në pronësi, siç është shprehur gazetari i mirënjohur Robert Papa në emisionin "FOKUS" në televizionin "KOHA" vitin e kaluar, në një kohë që shumë kryefamiljarë shqiptarë të moshave 40-45-50-vjeçare po i japin fund jetës sepse nuk kanë asnjë mjet jetese për vete dhe as për familjet e tyre.
Duke përfunduar, duhet të them se në Shqipëri vërtet është rrëzuar statuja e faraonit, por piramida komuniste që ai ideoi dhe ndërtoi qëndron përsëri në këmbë e gjallë dhe më e fortë se kurrë. Kjo mbijetesë e kësaj piramide është fyerja dhe poshtërimi më i madh për shqiptarët, që kujtuan se shpëtuan nga zgjedha e urryer e diktaturës komuniste qysh në vitin e largët 1992.
Populli shqiptar duhet ta dijë se shpëtimi nuk vjen duke ikur nga sytë-këmbët nëpër botë, por duke dalë në fushën e betejës këtu në vendin tonë. Këtë radhë duhet të vërsulet dhe ta shkatërrojë përfundimisht bandën e zezë të kriminelëve të kuq: ose këta korba të zinj do të futen në tokë, ose Shqipëria mori fund. Koha nuk pret!
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...