Ragip Sylaj
Poezia, por edhe disa nga gjinitë e tjera letrare greke, është ndër traditat më të
pasura në letërsinë botërore. Një traditë e tillë s’do mend se e ka pasuruar letërsinë dhe kulturën e përbotshme, por në të njëjtën kohë janë ruajtur shumë ngjyrime të saj tematike e stilistike edhe në poezinë e re greke.
Kjo traditë e përcjellë dhe e ruajtur edhe në poezinë më të re për lexuesin shqipfolës vjen nëpërmjet antologjisë së përgatitur nga Iliaz Bobaj, “Poezitë e fqinjëve të jugut”. Bobaj, i cili është edhe përkthyes i krijimeve poetike të saj, sjell njëzetegjashtë krijues letrarë grekë. Autorët, sipas përpiluesit të antologjisë, përfaqësohen me nga pesë poezi të zgjedhura nga vetë ata.
Kjo antologji është ndërtuar kryesisht me krijimtarinë poetike të shkrimtarëve të dy
shoqatave, pjesëmarrëse në simpoziumin ndërkombëtar “Muza poetike - Pegasi 2009”:
Grupit "Zalloni", me qendër në Athinë dhe "Kafeneja e ideve", me qendër në Salamine.
Preokupime të këtyre poetëve janë tematizimi dhe poetizimi i çështjeve ekzistenciale, para së gjithash, i një ekzistence, të themi, e vlerave të epërme, por edhe e përsiatjeve të ndryshme që e mundojnë njeriun e sotëm, si qenie e veprimit dhe e mendimit. Andaj në vargjet e këtij vëllimi rrezatojnë mesazhe të shumta të vlerave humane, të pleksura me mjaft mjeshtëri e sensibilitet të matur. Si të tilla, ato lexohen dhe përjetohen me ëndje, qoftë për artikulimin e ideve e të kuptimeve apo edhe të rrezatimit të mesazheve të tjera poetike polivalente.
Me vargjet e tyre të zgjedhura në antologjinë “Poezitë e fqinjëve të jugut” janë përfaqësuar këta poetë: Iro-Krisanthi Aleksandraqi, Nikos Aliprandis, Jorgos Pand. Anagnostopullos, Nikos Bacikani, Dhimiter Bosinaqis, Jota Fotiadhu-Ballafuti, Dinos Kubatis, Leta Kucohera, Panajotis Kapnistis, Janis V. Karicas, Dhimitra Karafili, Paved Krupka, Haris Melitas, Evangjelia Misrahi, Sokratis Melisaratos, Jorgos Nikollopullos, Jorgos Petropullos, Dhimitris Pistikos, Moskos Qefallas, Joana Serene-Curuqidhi, Parashqevas Serenes, Kostas Valetas, Artemis Vazirjanxhiqi, Maria Zulas, Kostas Zulas dhe Panajota Hristopullu-Zalloni.
Përpiluesi i kësaj antologjie, Ilaz Bobaj, siç thuhet në shënimet për autorin, është poet, shkrimtar, fabulist, humorist, eseist, publicist dhe përkthyes. Nga fusha e preokupimeve të tij krijuese, ky autor deri tash ka botuar trembëdhjetë libra. Antologjinë “Poezitë e fqinjëve të jugut” prej 176 faqesh e botoi “Dija Poradeci”, Pogradec, 2011.