Dy libra të rinj me poezi “Sentiment dhe “Kristal i krisur” FLUTURA AÇKA & DEMIR GJERGJI
Këto ditë gazetari dhe poeti i njohur Isidor Koti, ka nxjerrë në qarkullim dy libra me poezi “Sentiment” dhe “Kristal i krisur”. Përveç fushës akademike dhe gazetarisë ku punon prej vitesh, ai është kthyer edhe në një poet të kërkuar nga lexuesit, duke u vlerësuar edhe nga emra të famshëm të letërsisë shqiptare. Dy poetët Flutura Açka dhe Demir Gjergji, të cilët janë edhe kuratorët e dy librave të rinj të poetit, këtë herë sjellin mendimin e tyre për autorin dhe poezitë e tij: “Kisha kohë pa lexuar poezi strofike dhe gati po besoja se mund të ishte e huaj për një brez të ri poetësh shqiptarë, që, për arsye fare të kuptueshme, lëvrojnë vargun e lirë. Poezia e Isidor Kotit në librin e tij më të fundit “Sentiment” ishte një befasi dhe dhe më solli në kujtesë ëmbëlsinë, finesën dhe ritmin e poezisë strofike shqiptare, veçmas atë të Lasgushit. Ndoshta kjo pse në vargjet e Isidor Kotit ka shumë figura të rimarra në një sfond të ri poetik që e bëjnë poezinë e tij të luhatet mes vokacionit të traditës sonë poetike dhe gjuhës moderne të poezisë së re shqiptare. Isidor Koti është një poet i ri dhe i talentuar që me pjekurinë e tij letrare do të përshkojë po atë trajektore që merr poezia si kombinim i maturimit dhe përkushtimit sublim ndaj saj. Dhe poezia e tij e ka këtë premisë. Lexuesit i duhet vetëm ta vlerësojë, ta ruajë dhe t’i japë asaj dimensionin që i takon” – tregon Flutura Açka.
“Befasia e poezisë së Isidor Kotit edhe në librin “Kristal i krisur” shfaqet tek forma e saj. Pothuajse gjithkund një strofë katërvargëshe e traditës së prozodisë shqipe Një organizim i poezisë me “bedena” të strofave të sakta. Thënë ndryshe; edhe 8-rrokëshi i Filip Shirokës, edhe rima e puthur e Çajupit, edhe shkathtësia e vargut të Asdrenit, edhe gjendja e Serembes, edhe finesa e Deradës, edhe sqima e Mjedës, edhe shkundullima e Fishtës, shkujdesja e Agollit, apo fryma popullore e Agim Shehut, edhe racionalizmi i Kadaresë, deri edhe mistika e Bogdanit apo më thellë në baladat popullore. Dhe kjo vihet re tek një poet i formuar në një kohë moderne, kur poezia shkruhet edhe si shenja pikësimi, edhe si vija grafike, edhe si asgjë, edhe si pergamenë, edhe si enigmë, edhe si fjalëkryq. Dhe kjo ndodh me Isidor Kotin, pasi ka kaluar nëpër disa stacione gjeografike e poetike njëherësh.
Lidhja e tij e fortë me traditën, duket shpejt se nuk është thjesht një mani formaliste. Duke e organizuar motivet dhe figuracionin modern, duke i transformuar përjetimet dhe ndjenjat e tij në vlera artistike pikërisht me forma të tilla vargjesh tradicionale, Dori, këmbëngul të thotë se poeti i vërtetë duket pikërisht tek rima e ritmi, tek organizimi korrekt i vargut, te afrimi i poezisë sa më pranë muzikës. Ai i beson vargut te rregullt pa koncepte nënvlerësuese dhe pa komplekse “moderniste”. Dhe pikërisht në këtë besim, guxim dhe ndërmarrje të tij poeti arrin të përcjellë emocione, gjendje dhe mesazhe moderne poetike. Bota moderne, mendësitë, elementët, dukuritë, marrëdhëniet, skenat, mjediset, raportet e botës dhe njeriut të sotëm, të cilat janë limfa e poezisë në krijimtarinë e Dorit, ia japim krijimtarisë së tij atë modernitet që kërkon lexuesi, shija dhe dëshira e tij.Me këtë mënyrë të shkruari ai po shkon drejt një stili dhe fytyre te vetën në krijimtari. Poezia e tij, përveçse përmban një tension të lartë, emocionale, përveçse përcjell kënaqësi estetike nëpërmjet tingëllimit dhe shkëlqimit të figuracionit, ajo rrezaton mençuri dhe filozofi. Nga ana tjetër, Poezia e Dorit është një refleksion për veten, është një pasqyrë e vënë përpara secilit për të parë se kush je në të vërtetë. Midis pritjes së kotë dhe shpresës së takimit, midis hapit të valles dhe rrugëtimit të lodhur, është njeriu, i cili bën gjëma e mban mbi supe pesha të rënda. Shpesh, me një ironi të lehtë, Dori arrin të krijojë gjendje dhe realitete, prej të cilave, sado të përpiqemi t’i mohojmë, t’u biem hasha, ato i kemi brenda vetes, ose jemi te ndjekur prej tyre. Në fund të leximit të këtij libri mbetet mendimi se Sizifi, nuk do ta arrijë kurrë majën, por ama gurin s’ka për ta flakur kurrë në honin e askundit” – shprehet poeti Demir Gjergji.
Isidor Koti është autor i pesë librave, ndër të cilët tre janë me poezi dhe dy në fushën e gazetarisë. Ja cilat janë veprat:
1- “Hirushja është zgjuar” – Radiogazetaria- 2008
2- “Mediakriza sociale” – studim për median shqiptare në vitet e tranzicionit - 2009
3- “Beteja e shpirtit” – poezi - 2009
4- “Sentiment” – poezi - 2010
5- “Kristal i krisur” – poezi - 2010
Ndërkohë që në planet e afërta tw autorit janë edhe dy libra të tjerë, një në fushën e gazetarisë dhe një tjetër në fushën e letërsisë. Por këtë herë do të ketë një surprizë. Isidori premton se do të vijë tek lexuesit me një roman interesant.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...