2011-04-01

CIKËL ME POEZI NGA NAIM KELMENDI

Nga libri „ESENCA“, poezi, botoi „RUGOVA ART“, Prishtinë 2010


GJYKATË

Krishti do t’u kishte thënë,
fali oh zot se s’dinë çka bëjnë

këta nuk pendohen për të bërat e tyre
larashë të pistë në zhvatje në ecje
ngarendin si kojrrilat natën…

oh zot bejau gjykatën
këta të qajnë ditën
e të kafshojnë natën
pastaj dhe një përmendore ta ngritin
në vajtimin e tyre
sikur aq shumë më paskan dashur

Prishtinë, gusht 2010


ESENCA

Në esencën e gjërave
kërkoje veten

në margjinat e jetës
nuk jetohet  ashtu vetëm

të kanë zbuar
deri në moskuptim

pastaj t’i bëjnë
të nëntëdhjetenëntat
prapa shpine e përanash

tash të duhet vetëm esenca
e asaj që është gjakuar
nga paraardhësi ynë

në një kuptim të jemi Një
me degët rreth një trungu

jo ti fryhesh më një fyelli shurdhan
nëpër botë fillivetëm pa identitet

kthehu te esenca dhe kërko kuptimin
në lëkurën tënde të rrjepur
në gjeografinë e kombit

sepse mashtrimit i del vonë tymi
po një mik yti tash është sa njëqind
të dikujt tjetër,

aty ku duhet të jesh ti ende s’je
e mos më kallëzo përralla pa kripë
kur e lëçit vëllain tënd
pse sheh me sytë e Argusit

pastaj si mor si kënaqesh
me vetveten në kaq kuptim

po a ta kanë copëtuar gjeografinë etnike
shekujve dhe a s’po të dhemb kjo
kur në esencë nuk je ai që je


TË JEMI, BRE…

Njëherë e një mot të gjymtuan
ku nis e ku soset kufiri yt etnik
na mbeten datat për t’i kujtuar
tragjeditë në radhën e  shekujve

s’kin parë aso mendësie
kohët prapa dhe motet tjera
veç prej zotit të ka ardhur mbrojtja
e moszhdukjes nga faqja e dheut
dhe mori e të vajtoi më pas
Vaso Pasha…

2
i ndoqën i zbuan në dhera të huaja
shqiptarët,duke lënë prapa
veç heshtjen e vrarë në kujtim
një histori të tmerrshme trishtimi
që qante në rremb qyqesh

e kush nuk i përgjigjej masakrimit
me Kosovë, gjenocidit me Çamëri
masakroheshin tmerrshëm dy cepe
të etnisë sonë…

3
mbete aq pak Shqipëri
pa pjesët e një tërësie etnike
një Shqipëri micrrule

andej toka çame
gjak e lot dhe vrragët
e një gjame…
këndej toka dardane
gjithmonë fije e bukur shqipe
dhe n’lozen e një rrëfane…

4
për kujtesën e kohëve
ishte viti 1878 në Berlin
dhe Londra me 1919
mbamendje e dhembshme
dje e sot për mua e për ty…

5
e tash që jemi në Degën tonë
këtu që jemi - vetja
të jemi përgjithmonë
ata që duhet të jemi

nga aty ku nis e ku soset kufiri yt etnik…


KUJTESË

Mbase e di ku e kanë kufirin gjërat
atje ku t’i kanë marrë përdhunë
e të ndoqën, të zbuan…

me tesh e kotesh
dhe të masakruan
në hapësirat tua etnike
erdhën u katrrisën në degë
të legjendës në cep të mitit
rrejtën gjithë kohët për historinë
e vetes, ore s’ishin kurrë, as janë kurrë
as filli as pjesa as grimca e së vërtetës…

janë tharma e vrasjes e masakrimit në njeri
e mendimit të vrenjtur mbi etni, janë hija e zezë
e zbehtë që lëshon rrënjë në hapësirat e tjetrit
po sa jetët m’i ka borxh, sa kohët e mizorisë
sa këngët, sa legjendat e vrara në buzë të bulimit
sa dasmat e përgjakura, sa nuset e veja, sa fatet
e vrara në breg të blerimit, po sa jetët e shuara
sa kohët e pakrijuara në breg të mendimit…

mbase e di ku e kanë kufirin gjërat
atje ku t’i kanë marrë përdhunë
e të ndoqën të zbuan…
mendim i miri mbiftë
mbi esencën duke menduar njëjtë
si njerëzit si bimët si kohët…


HIMN PËR JETËN

Ata, që ishin dje, jetën panë dhe ikën
s’deshën asgjë më pak asgjë më shumë
nga zjarri i saj nga mundimi i përjetshëm
heshtur ranë ndër bimë dhe pushuan

një ditë, ja, ashtu, ikën dhe shkuan
vetëm pikëllim jete mbetën në ne…
por nga kurmi i tyre, s’e di, gjë
kohëve, ndonjë varg a i shkruam

dhe kambana patjetër se do bjerë
për çastin tonë në këtë udhë njeriu
një lot një dhembje në pikëllim dite
kohës kohë as ne tjetër nuk i duam

veç nga kurmi ynë, hirin
e shpërndarë nëpër caqe drite…

mbi çastin dhe orën që dikund ndalon
s’e di a kemi kohë për një çast tevona
të mendojmë pse erdhëm, pse shkuam
aq heshtur aq etshëm aq shpejtë

dhe kujt iu deshtë më shumë
jetës apo vdekjes, e jona…

Prishtinë, 2010


UNË ME UNË

Qëndroj në pikën zero dhe hedh vështrimin
rreth vetes së njësuar në numër
në numër të pallogaritshëm prej kohësh
vështroj dhe dëgjoj përreth gjithë oshtimat
e thirrjeve të zhurmshme të atyre që u nisen kaherë
te qëllimi i vetëm, qëllimi i aureolës së vetvetes
të jetës, të rrugës, të një qëllimi të vetëm
duke e arsyetuar qëllimi mjetin
në dorë të tyre që frikshëm honepsin…

e unë me unë ngarendi djathtas
nga e majta iku mu në mes të rrugës
nëse veç një këmbë andej më ka rrëshqitur
drejtohem në të djathtën
që në mëngjesin e hershëm të mendjes esëll
pastaj dikund kah mesdita mundohem të masë hijen
time të vetme mbi dhe se a më peshon sa trupi
i shëndosh sa mendja ime e përqendruar në gjërat
e llogaritshme për ekzistencën time dhe të familjes…

unë me unë ngarendi dhe majtas
dhe përshëndes në skaj të rrugës ndonjërin
nga ata që morën flamurin dhe turravrap u renditën majtas
dhe zunë vend në krye të rreshtit në krye të vendit si cung
pastaj eci unë me unë sikur t’mos isha fare mbi këtë dhe
sepse më mbetet vetëm hija e zbehur që më mjafton
të hahem më veten e tepruar duke medituar për çdo gjë
të tepërt për një mendje të zakonshme, të tepërt
për një kokë që s’lodhet për të arritur kohën…

unë me unë ngarendi mesit
dhe në mes të rrugës gjej hijen time drejtë
të shkarravitur ecejakeve të thikta dhe vragëve
që dhembin sa herë ma kujtojnë secilën kohë të emrit
tim dhe mbiemrit të babait tim Salihut e nënës sime Xufës,
asaj besnikes së përjetshme të jetës së jetuar ndershëm
prandaj, gjurmët dhembin dhe ofshamat më vijnë nga poshtë-lartë
por humbin në shumësinë e kaq fateve të pallogaritshme si unë…

vështrimin e hedh tek qëndroj në pikën Zero
rreth vetes së njësuar në numër të ditës të çastit
edhe pse grupin e gjakut e kam zero pozitiv e i bie
çdo grupit tjetër për secilën jetë njeriu që është në rrezik…

unë me unë mbytem në paturpësinë e imagjinatës
që më tërheq rreth jetës duke më thënë se jam një pikë
qoftë dhe një pikë në kaosin e gjërave që sillen rreth esencës
amen, sa mërdhijë disa shkallë nën zero atmosferë të ndjenjës
në ecje të thikta duke kërkuar caqeve të pakuptimta të jetës…

sërish ngarendi njëtrajtshëm çdokund
dhe jam përsëri vetvetja deri në fund
duke deshifruar kodet e vështira të jetës
nëpër ecjen vertikale hullive të vetvetes…

Prishtinë, 2010


7. VDIQ  E DJESHMJA

Vdiq përgjithmonë e djeshmja jote
me veten mund të hahesh
ta pështysh në fytyrë
t’ia thuash të pathënat,krejt çka ke dashur
t’i thuash e s’ke mundur ta takosh Hijen tënde
në hapësirat e pa jetuara bukur
krejt çka të  ka mbetur peng i djeshëm
një mur i trashë na ndanë nga mendësia e saj…

2
i ke parë duke kalëruar egër,mbi të djeshmen
dhe kanë rrejtur sërish përmbi orët e fatit
dhe ia kanë shkërdhyer nënën asaj buzëmbrëmjeje
asaj mesnate ia kanë bërë të nëntëdhjetenëntat
mor e kanë kurvëruar kurvat dje mbrëma të veten aq bukur
dhe kanë sharë mbi çështjen kombëtare antikombëtarët

3
e djeshmja vdiq sikur hapat e tu udhëve të kërkimit
duke takuar dikend që s’e ke dashur as ta shohësh…
ke dashur ta takosh dikend që s’ke mundur as ta arrish
ta kesh në celularin tënd e që të kanë thirrur të tjerët
pa asfarë rëndësie vetëm sa për ta rënduar kohën

4
pra përshëndetu me të djeshmen, ajo shkoi në vend
të vet dhe s’kthehet për miliona vjet kurrë më
nëse s’e ke arritur Mollën e Artë harroje veten përgjithmonë
je një i pafat i pandreqshëm,je veç një frymëmarrës udhëve tua
kah s’i bien askushi me veçantitë tua të tmerrshme për të qenë
ngjyra e ndërgjegjes dhe identitetit tënd që s’e vëren askushi

5
një mur i trashë na ndanë nga mendësia e saj
tash mendo ndryshe,nis një lojë dhe ndërroja ndryshe gishtat fyellit
mendo një tjetër melodi nëpër telat e këputur të heshtjes…
nga e kaluemja jote s’ka mbetur asgjë për ta plehëruar t’ardhmen
veç dihamat e epshit dhe seksi i orëve të mbrame
kanë dhënë shpirtin e vet mbi aktet e dëshpëruara
përfundimisht ndryshe mendoje jetën dhe veten tënde
kapërthurur numrave të quajtur Njerëz
dhe mos provo ta prishësh qetësinë publike
të dënon ligji sa të djegin edhe flokët

6
vdiq e djeshmja jote përgjithmonë
dhe hija e saj ka mbetur e mbaruar në hapësirat e padukshme
është shuar e gjitha nga vetja që ke pasur dhe duhet të pajtohesh
me ligjet e këtij kozmosi të tmerrshëm dhe kaq prefekt i ndrequr
sa të mos mundesh kurrë të dalësh nga kufizimi i mendjes
sado që parashikon larg e më larg të përtejmen dhe s’ka mundësi
të njihet e përtejmja,mund të supozohet dhe mund vetëm të jesh
e Sotmja sikur ishte e Djeshmja dhe të shuhet çdo gjë e jotja
kështu e ka fatin dhe krejt kozmosi sipas një parashikimi
bazuar në teori të pabesueshme që s’janë për t’iu besuar

7
dhe vdiq e djeshmja ne duart e krimit
në duart e lavireve rrodhen fatet e së djeshmes fatale
në imagjinatën e mendësive t’uritura shpresuan cerberët
dhe morën pjesën e Cezarit dhe pjesën tjetër të varfër e lanë
melodi e këputur udhët e mia të kërkimit në njeri në veten e tepruar
po endem po endem për ta mësuar tejpërtejen pa dobi

8
tash dua të ngulitem këtu mbi një mendim
duke i dëgjuar këto pika të ditës me shi të përjetshëm
fli i bëj me veten time në gjuhën e vargut që s’i bindet assesi pësimit
dhe besoj, naivisht i besoj të përkohshmes që do kalojë me dhembjen
e shpirtit për t’paarritshmen dhe të përjetshmes që vret zërin e t’përkohshmes
aq bukur me hipokrizinë e orëve në ecje pahetueshëm
drejt rrokullisjes nëpër horizontet e vizioneve t’pabanuara
pra, vdiq e djeshmja, bëjani varrin në mendim të bukur dhe me urti
rrugë tjetër s’ka për të arritur te kuptimi i humbur…

Tetor, 2010.


UNË JAM SHENJA

Njëjshëm  e bëj ecjen
si përpara kur isha i vetëm

as ritmin e hapave s’e ndërrova
se asgjë s’ka ndodhur
përveç hijes sime të stërzgjatur
dhe që e urrej ndonjëherë
kur e shoh si zvarritet vetëm
udhëve të kërkimit e fati kërkund
as njeriu as humanja as zëri i t’vërtetës

unë prapë jam shenja
në kohë si një hu i ngulur në dinjitetin
që s’pjerdh kush në te mësa në një mut

shenja në hapësirë që jeton e ec
që orientohet me një tru
që flet me një gjuhë dhe që
fjalët avullohen në rrjedhën
kaotike të harresës e të vetëharresës
me vonë shkoj në WC-në publike
dhe kryej nevojën shqip si të gjithë
njerëzit, frymoj me të përgjithshmen

dhe të përveçmet e shënjojnë ditën dhe çastin e tyre
për interesin personal për identitetin e gjërave
që kurrë s’i kam njohur,
për hair na qoftë hapja  e tregut të shitësve e stërshitësve
të ideve kombëtare…
unë strukem në lëkurën time e frikohem se s’më zë biografia
e gjërave që s’ndodhën as të martën sepse ishte e martë
të premten s’do të ndodhë asgjë
sepse në vikend mendimet dhe idetë e mëdha duan pak rrezitje
pak pushim pak ringjallje në bregun e qetësisë

pra, unë jam shenja
që eci që gjuaj në shënjestër të vetvetes
dhe prapë eci e eci derisa ta ha të tërin si kafshë - Naim Kelmendin

Shtator, 2010