2011-03-18

Trepça e padit Serbinë



















(Foto: Visar Kryeziu)


Ekspertët e Trepçës kanë paditur Serbinë në Gjykatën Supreme për dëmin ekonomik që ky shtet i ka shkaktuar gjigantit metalurgjik. Dëmi në tërësi arrin shifrën mbi 887 milionë dollarë amerikanë dhe përfshin periudhën 1990-99.

Nga Agon Sinanaj 


Për vetëm një dekadë, dëmi ekonomik që Serbia i ka shkaktuar Trepçës arrin shifrën afër 1 miliard dollarë amerikanë. Ky vlerësim i ekspertëve të Trepçës i ka shtyrë ata që ta padisin këtë shtet në Gjykatën Supreme të Kosovës. Veç dëmit, Serbia duhet të japë llogari se si u bë që ia la barrë gjigantit metalurgjik një mal me borxhe. Vlerësohet për borxhe deri në 160 milionë euro. 

Ka qenë Serbia, e cila aso kohe kryente transaksione në emër të Trepçës dhe tash kreditorët e huaj do ta kenë edhe një adresë. Për të gjitha këto është kujdesur shërbimi juridik i ndërmarrjes Trepça. 

Padia ka të bëjë me dëmet ekonomike pas vendosjes së masave të dhunshme në vitin 1990 e deri në përfundim të luftës më 1999. “Dëmi ekonomik kap shifrën 887 milionë e 167 mijë e 525 dollarë amerikanë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga “Trepça”. 

Dëmi i shkaktuar është llogaritur nga ekspertët e Trepçës dhe ka të bëjë me sektorin e minierave, të fabrikave të pasurimit dhe metalurgjive të plumbit e zinkut. 

Ekspertët kanë vlerësuar se minierave të Trepçës dhe fabrikave të pasurimit u është shkaktuar dëm ekonomik në vlerë prej 568 milionë e 515 mijë e 885 dollarë, metalurgjisë së plumbit i janë shkaktuar dëme prej 134 milionë e 107 mijë e 640 dollarë dhe elektrolizës së zinkut 184 milionë e 544 mijë dollarë. 

Gjithashtu, të njëjtit kanë përgatitur të gjitha materialet e duhura, që do të përdoren si prova materiale në gjykatë. 

Është po kjo gjykatë, e cila ditë më parë caktoi administrator për Trepçën dhe vendosi për lejimin e privatizimit fillimisht të 7 aseteve të saj. 

Ndërkaq, ndërmarrje dhe asete të tjera të Trepçës, që nga paslufta janë nën moratorium, pas problemeve pronësore e ligjore. Bëhet fjalë për pretendimet e kreditorëve të huaj, që e kanë paditur Trepçën se ka kryer transaksione në kohën e Jugosllavisë dhe ka hyrë në borxhe. 

Në bazë të pretendimeve të kompanive të huaja ndaj Trepçës, vlerësohet për borxhe deri në 160 milionë euro. 

Nga menaxhmenti i ndërmarrjes nuk e mohojnë e as pohojnë nëse padia do t’i zvarrisë procedurat e privatizimit. Për të gjitha thonë se i mbetet gjykatës të vendosë. 
Bislim Muça, zëdhënës i Trepçës, thotë se padia përfshin edhe rastet e pretendimeve të kreditorëve të huaj. “Për transaksionet që janë kryer në atë kohë ka qenë shteti serb që ka administruar ndërmarrjen”, ka thënë Muça. 

Ndryshe, sivjet edhe zyrtarisht nis privatizimi i aseteve të gjigantit metalurgjik Trepça. Pas një kohe të gjatë në status quo, Gjykata Supreme e Kosovës fillimisht ka dhënë leje për privatizimin e shtatë ndërmarrjeve. Me këtë edhe zyrtarisht fillon privatizimi i gjigantit metalurgjik.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...