Vaçe Zela
Vaçe Zela është artiste e popullit dhe këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Prej kohësh Vaçe Zela e ka reduktuar në menyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet "Zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Vaçe Zela është një këngëtare e cila ka marë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën "Komunistët" (dubluar nga Marina Grabovari). Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh e sidomos këto të fundit gjendet në shërim në Zvicër. Ajo është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu.
Festivalet
Në ka një artist, që emri i tij të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës.
Ajo është dhe mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. E lindur në Lushnjë më 9 prill 1939, Vaçe Zela, fëmija i viteve 40, u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.
Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.
Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika mos bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, jo aq të njohur në interpretimin e këngës. Megjithatë festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tana ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Fillimet
Siç thotë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte talent edhe në pikturë e teatër.
Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.
Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar.
Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.
Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka. Por nuk qe e thënë. Nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Më pas do t'i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e ndonjë gjimnazi. Ndërsa nisi studimet në shkollën "Qemal Stafa" nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj.
Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka shkruar një libër mjaft interesant kushtuar këngëtares.
“Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” nga radio. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”.
Ishte kjo kitarë me të cilën kohë më pas ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, të cilën nuk e çoi dot deri në fund, pasi u mor më shumë me pasionin e fëmijërisë së saj, këngën.
Karriera
U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë i gjithë Shqipërisë, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.
Në çdo sukses të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart.
Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm.
Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.
Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.
Një karrierë që u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.
Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës.
Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë. Qenë këto vite kur njerëzit mezi siguronin bukën dhe rrobën e varfër të trupit, ndërsa, sipas rrëfimit të mikes së saj, “këngëtaren italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e dënonte me “lirinë” e të kënduarit vetëm brenda kufijve shtetërorë. Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin sa hap e mbyll sytë.
Një këngë për Vaçe Zelën
Ishte viti 1993 kur këngëtari nga Kosova Naim Krasniqi do të këndonte në skenën e festivalit të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese. (Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.)
Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t'i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.
Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e saj, megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Çmimet
Është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina. Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjes”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.
Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte. Artistja thotë se ndihet mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Është emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.
Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj. I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.
Histori personale
Një histori e bukur e dashurisë, fejesës dhe martesës. Lindja e një vajze të mbarë dhe një jetë e tërë mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes së saj. Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë ka nisur kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa. Gjithsesi artistja duket se tashmë e ka kapërcyer rrezikun e madh. Qëndron shtrirë në shtëpinë e saj në Zvicër, ndërsa bashkëshorti Pjetër Rodiqi dhe vajza e përkushtuar Irma, kujdesen që asaj të mos i mungojë asgjë. Çdo zile telefoni që vjen nga atdheu e gëzon. “E vetmja mungesë e pazëvendësueshme për mua është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar”, thotë artistja e madhe.
Muzika
Ka kohë që nuk i bie kitarës, që nuk i këndon këngët e saj. Është ndër të rrallat këngëtare që nuk i mban në kasetofon këngët e saj dhe nuk i dëgjon. Thotë se këngëtari nuk këndon për vete, por për njerëzit. “Ato i këndova për njerëzit e mi dhe prekem kur më thonë se njerëzit i mbajnë mend këngët e mia”.
Ndërkohë shton se kënaqet kur dëgjon muzikën shqiptare dhe këngëtarët shqiptarë, të cilët “janë të talentuar dhe po vlerësohen edhe në botë”.
“E vetmja mungesë e pazëvendësueshme për mua është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar”.
“Këtu ku jam, dëgjoj shpesh edhe këngë nga Shqipëria. Prekem shumë prej tyre”.
DERVISH SHAQA
Shkrimin për orfeun e folklorit
burimor shqiptar
DervishShata, e nisëm me këngën “Kur ta ktheva Kosovë shpinën e lash borë e gjeta dimën”, për faktin se kjo kryevepër e këtij rapsodi edhe sot e kësaj dite nuk është trajtuar shkencërisht. Përmbajtja e saj plot simbolíkë dhe e fugíshme për kohën kur u këndua, hap shtigjet e analizave sh??mëdimenzionale të rrethanave dhe rrjedhave polítíko-shoqërore të viteve pesëdhjeta në Kosovë dhe Shqipëri. Vargjet e kësaj. kënge, shpesh e polítízuar, varësísht nga prëferèncat e njerëzve, vazhdojnë të mbesin strumbullar, rreth të cilave ngriten debate sa herë që bisedohet për vlerat artistike të këtij rapsodi. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite nuk I është dhënë përgjigje kësaj thënie polisemike, zbërthimi I së cilës ndoshta do t’u jepte përgjigje shumë dilemave të ngritura qysh viteve të mëparshme.
Dervish Shaqa u lind më 5 maj 1910 në Llukë të Epërme të Deçanit. Që në moshën 9-vjeçare nga axha i tij Xan Rama kishte mësuar t’i binte sharkisë, të cilën nuk e lëshoi nga dora gjatë gjithë jetës së tij. Hapat e parë në folklorin burimor i kishte bërë me këngëtarin Zenel Ademi, pastaj me Demë Ali Tarakun dhe së fundi me kushëririn e tij, Demush Nezirin, me të cilin bashkarisht kishin ndarë të gjitha të këqiat dhe ndonjë ditë të mirë të jetës së tyre në atdheun e ndarë dhunshëm.Dervish Shaqa, në Kosovë ndonjëherë kishte kënduar edhe me Shaqë Avdinë dhe Lan Dobrën, të cilët njihen si pauesit më besnikë të melosit të tij. Zëri i Dervish Shaqës, në vitet e pasluftës kishte pushtuar odat e Dukagjinit. Në darsmat dhe ahengjet e ndryshme, melosi i tij autentik dhe tekstet e këngëve që këndonte kishin pushtuar zemrat e shqiptarëve, prandaj kujtojnë sot bashkohanikët e tij, të rralla ishin ato takime popullore, qofshin darsma apo ceremoni të tjera, e të mos ishte Dervishi ai që ua shtonte madhështinë takimeve të tilla. Këngët që këndonte në atë kohë, u takonin cikleve të ndryshme. Pos këngëve të “arshikllekut”, s: “Po vijnë kurshqit rronzit malit”, “N’drrasë të vekit kush po kanë” etj.
Dervish Shaqa, edhe përkundër propagandërs për “vëllazërim-bashkimin” e
imponuar dhe cenzurës ndaj lirisë së të shprehurit të ndjenjës kombëtare, përmes figurave të ndryshme dhe personazheve që shpesh i zgjedhte nga pushteti otoman, demaskonte regjimin serv të instaluar dhunshëm dhe me tradhëti në viset e okupuara shqiptare. Kjo nuk ishte rastësi Dervish Shaqa ishte brumosur me ide patriotike që në moshë të re. Shumë kishte mësuar për atdhdashurinë nga dajallarët e vet. Ishte nip i familjes së patriot Sulejman Vokshit. Më vonë jeta në odat dukagjinase i kishte krijuar miqësi me vëllezërit e Isë Boletinit (me Tafilin dhe Asllanin). Ishte rritur me burrat e kohës: Demë Ali Pozharin dhe Bajraktarin e Vranocit, ndërsa me Xhaver Devën kishte biseduar gjatë e gjerë për Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare”.
Armiku nuk rrinte duarkryq – radhën e kishte Dervishi
Pushteti i instaluar serbo-sllav pasi kishte vendosur administratën e tij dhe kishte gjetur edhe gbashkëpunëtorët e vet në vitet 1954/55 dhe 56, kishte zhvilluar aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve. Kosova edhe njëherë po përjetonte tmerrin sllav. Rrafshi i Dukagjinit dhe në këtë mes epiqendra e tij Deçani me rrethinë, iu nënshtrua torturave, ndjekjeve, arrestimeve dhe vrasjeve „ashiqare“ të bijëve më të mirë të kombit. Në kërkim të një pushke maltretoheshin dhe përndiqeshin familje të tëra. Pushtuesi i ri, tani po zbatonte elaboratet e njohura antishqiptare të përgatitura me dekada nga kulmet shoveniste të dijes serve.
Edhe në këtë situatë tmerri, kur njerëzit „erreshin e nuk njeheshin“ rezistenca kombëtare nuk ishte shuar e tëra. Rapsodët, në odat e desatimeve kombëtare me këngën e tyre mbanin gjallë frymën e atdhedashurisë. Në këtë mes, Dervish Shaqa shquhej për guximin që kishte. Ai në momente të caktuara u këndonte figurave më të shquara kombëtare dhe kështu në zemrat e njerëzve ringjallte dashurinë për atdheun e nëpërkëmbur dhe të larë rishtazi me gjakun e bijëve më të devotshëm. Dhe armiku nuk rrinte duarkryq. Dervishi ishte në radhë.
Dava Gjergji
Një formë të veçantë dhe shumë origjinale të këndimit epiko- heroik parqet edhe kënga e këngëtares së mirë njohur shqiptare, Dava Gjergji.
Kjo këngëtare e veriut të Shqipërisë ka kultivuar një përmbajtje të tipike të këndimit heroik, burrëror, karakteristikë e rapsodive të pasura të veriut të Shqipërisë etnike, që shtrihet nga Mirëdita, në Malësinë e Madhe, në Krajë e Shestan, në Plavë e Guci dhe që arrin në viset më të thella veriore të Kosovës.
Për dallim nga Shkurte Fejza, e cila e kursen këngën nga timbri i fuqishëm burrëror, apo nga Fitnete Rexha, e cila e bën tepër të ndjeshëm përkushtimin femëror të këngës, Dava Gjergji e fuqizon timbrin burrëror, për të nxjerrë në sipërfaqe stilin autentik të këndimit. Me subtilitetin e zërit melodik, ajo e pushton në tërësi mënyrën e këndimit epiko- heroik.
Zëri i saj i çiltër dhe shqiptimi i pastër i tingujve e rrokjeve shpërthejnë natyrshëm ashtu si ujëvare që del nga burimi, për më tepër zëri i saj buçitës përmblidhet si krismë e thekshme e pushkës, në përpjekje për të shpërthyer si këngë-revoltë gjithëpopullore, e cila vazhdimisht ka shpërthyer gjatë shekujve të gjatë të robërisë.
Këndimi i Dava Gjergjit të sjellë në kujtesë përfytyrimin mbi gjenin burrëror dhe heroik të femrës shqiptare, që nga Teuta e Daorta, Vojsa e Donika Kastrioti e deri te Nora e Kelmendit e Shote Galica.
Paraqitja e saj para publikut është më se dinjitoze.
Veshja karakteristike kombëtare, të cilën ajo nuk e tradhtoi për asnjë moment, prezantimi serioz në skenë, zëri pushkë dhe krejtësisht i shpengueshëm, (i ngjashëm me përfytyrimin poetik popullor për Shtojzavallet e legjendave shqiptare), përbëjnë një tërësi magjepse të këndimit autentik, që buron nga e kaluara e largët, e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull dhe në një trajtë autentike ka arritur deri në ditët tona, falë përkushtimit që kanë treguar këngëtarët e njohur shqiptarë në të gjitha epokat e historisë sonë tragjike por edhe heroike.
Dava Gjergji ka kënduar edhe një dyzinë këngësh për dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këngë të cilat admirohen nga dëgjuesit e shumtë të kësaj pjese të atdheut.
Qasja e kësaj këngëtareje ndaj këngës është shumë serioze dhe tejet e përkushtuar. E rritur dhe e edukuar në një rreth familjar dhe shoqëror ku janë ruajtur me fanatizëm vlerat e mirëfillta kombëtare, ajo mbase e trashëgoi, por edhe i dha fuqi dhe e përparoi jehonën më të çiltër të këngës heroike shqiptare, të asaj kënge e cila e kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare, kishte frymëzuar brezat për qëndresë dhe ruajtje të dinjitetit dhe integritetit shpirtëror e kombëtar.
Ilir Shaqiri
Qasja e Ilir Shaqirit ndaj këngës është qasje mashkullore, është qasje e mllefit të grumbulluar të drenicasit në kuptimin etnogjenetik, qasje e njeriut i cili gjithmonë e ka sfiduar robërinë, qysh prej kohës së Romës e Bizantit, e deri në kohët tona.
Kënga e Ilirit shquhet në radhë të parë për krenarinë, zërin burrëror, mesazhin për mobilizim.
Në këtë drejtim, kënga e tij është vënë në funksion të përkushtimit çlirimtar. Edhe në vitet 90, për dallim nga përhapja e një tipi të këngës rezignuese me doza pacifizmi e ankimi, Ilir Shaqiri këndoi vargjet mobilizuese të Naim Frashërit dhe këngë trimërie për atdhetarët.
Zëri i tij melodik, fuqia mobilizuese, teksti i këngëve mjaft i goditur, bëjnë që kënga e Ilir Shaqirit të shquhet për origjinalitet dhe qasje autentike. Ai e dashuron këngën, vargun e saj kuptimplotë, duke aspiruar të njëzohet në tërësinë e vargut dhe të përmbajtjes.
Në këndimin e tij shquhet një dozë e hetuar e këndimit të hershëm të rapsodive, dozë e përpunuar me kohë, duke thithur nga ajo nektarin dhe duke i dhënë këngës liri, fuqi djaloshare e burrërore, duke e vënë në shërbim të çështjes, duke e bërë pjesë të historisë, e më në fund duke e endur nëpër jetëshkrimet e dëshmorëve në të gjitha frontet e luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare.
Këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, tashmë ka krijuar stilin e vet autentik, dhe çdo këngë e tij shquhet për specifika dhe tonalitet të pastër burimor, shquhet mbi të gjitha për fuqinë mobilizuese kombëtare, fuqinë Ademjasharjane të shprehjes artistike, në këndimin e këngëve të trimërisë.
Këngët e Ilir Shaqirit për veç forcës mobilizuese, që është tipari dallues dhe origjinaliteti i tij autentik, shquhet edhe për çiltëri, muzikalitet, ritmikë dinamike, elokuencë në shqiptimin e tingujve, shquhet për fjalë e melodi që burojnë nga zemra e njëzuar me fuqinë burrërore në interpretimin sidomos të temave historike ashtu edhe në përmbajtjet retorike e moralizuese.
Zëri i tij i fuqishëm, i jep këngës gjallëri dhe forcë prometejane, forcë të qëndresës tipike shqiptare. Në këtë aspekt kënga e Ilir Shaqirit është këngë tipike shqiptare, këngë e kohës sonë, këngë e cila është segmentuar me përmbajtje të vetë historisë sonë kombëtare e shoqërore në njëzet vitet e fundit.
Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri paraqesin binomin fenomenal të këngës sonë, binom që ka përjetësuar aspiratën e lirisë në këngë, duke zgjedhur me mjeshtëri nga nektari shumë i pasur i këngës shqipe, e cila dikur ka reflektuar dhe ka pasur një shtrirje në këngët e të gjithë popujve të Ballkanit.
Tablotë me piktura ku janë skicuar shqiptarët duke kënduar si në Greqi, në Serbi në Bullgari e në Turqi, na bëjnë të kuptojnë se kënga shqipe, si ajo solo, ashtu edhe ajo polifonike kanë mbjellë një farë, e cila nuk shkulet dot nga tradita e këngës së popujve të Ballkanit. Andaj kur sot dëgjojmë këngë të kënduara nga yjet e këngës arvanitase në Greqi, Thomas Moraiti, Alekos Dhima, e të tjerë kur dëgjojmë këngën origjinale të arbëreshëve të Kalabrisë, nuk ka si të mos na dalin para sysh ato tablotë e piktorëve më të mëdhenj botërorë të shekujve të kaluar si: Jaen Baptiste Vanmur, Jean Huysmans, Viande Liebig, Paja Jovanoviq e të tjerë, të cilët kanë krijuar tablo të ndryshme me motive nga këngëtarët shqiptarë, ose tablo të shqiptarëve duke kënduar e duke vallëzuar.
Iliri dhe Shkurta me këngët e tyre kanë begatuar sfondin e këngës shqipe, me këngë origjinale, të cilat kanë ushtruar dhe po ushtrojnë ndikim në përhapjen e këngës origjinale shqipe në kohën e një konkurrence marramendëse të shundit folklorik me përmbajtje nga këngët turke greke e sllave, të cilat mjerisht sikur po ia zënë frymën këngës së pastër shqipe, e cila po kultivohet me vështirësi, për shkak të përhapjes pa fre të këngëve të huaja me fjalë shqipe.
Shkurte FejzaShkurte Fejza u dallua si këngëtare në Shoqërinë kulturore “Afërdita” të Mushtishtit. Zëri i saj melodik, emetimi origjinal i këngëve që shpërndaheshin nga valët e Radio-Tiranës dhe të Radio Kukësi, futja e një timbri karakteristik, sidomos të timbrit të këngës vendore të Anadrinit, e bënte këngën e saj jo vetëm të lezetshme, por edhe tejet të këndshme si nga përmbajtja, e cila censurohej lehtas, ashtu edhe nga përkushtimi, që nuk ishte vetëm përkushtim i rëndomtë për këngën, por mbi të gjitha ishte përkushtim patriotik, në përpjekje për të përngjarë, me nënën Shqipëri.
Dhe pikërisht ky përkushtim ndaj këngëve të tilla, zgjonte dhe vetëdijësonte një pjesë të rinisë shqiptare të Kosovës, të cilës i imponohej kënga sllave dhe ajo e bastarduar, që e përhapnin radiostacionet jugosllave dhe grupet, të cilat jepnin koncerte në Kosovë nga të gjitha viset e Jugosllavisë.
Të përkujtojmë me këtë rast, një koncert të këngëtarit, Dragan Qoliq në Stadiumin e Prishtinës, mbase në vitin 1979, ku morën pjesë mijëra studentë dhe qytetarë, të mesin e tyre edhe nga radhët e rinisë militante, të cilët ishin futur atje me qëllim për ta diskredituar koncertin dhe këngëtarin serb. Nuk kanë qenë pak në numër ata të rinj dhe ato të reja shqiptare që i brohorisnin Qoliqit dhe të digjnin shamitë për të.
Pikërisht në këtë kohë, në kohën e përplasjeve që po përgatiteshin të ndodhnin, në kohën kur duhej të krijohej hendeku në mes patriotizmit të imponuar dhe të panatyrshëm jugosllav dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar, kënga e pastër shqipe dhe shpirti i pastër kombëtar, nuk mund të ishin indiferentë. Dhe pikërisht në atë kohë, në vitet ‘80 e më vonë, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Remzie Osmani, Shyhrete Behluli, Shaqir Cërvadiku, Bege Gashi, Begishe Avdiu, Zyle Krasniqi, Nazmije Hoxha, Emine Hasimi, Shqipe Kastrati, Nimon Mushkolaj e të tjerë mbajtën gjallë këngën burimore, e cila në segmente të caktuara frymëzoi e mbajti gjallë edhe idealin për liri, barazi dhe bashkim kombëtar.
Përderisa zëri i Shkurte Fejzës buronte me frymëzime nga fushat e Anadrinit dhe nga jehona e këngës malësore që përhapej prej Lumës e maleve të Sharrit, zëri i Ilir Shaqirit buronte nga kënga e trimërisë e traditës drenicase. Iliri, doemos se do të ndikohej nga zëri burrëror i rapsodëve të njohur të mesit ku ishte rritur, por me shpejtësi arriti të sintetizojë vlerat e këtyre rapsodëve, duke i ikur me mjeshtëri emetimit, të cilin zakonisht bëjnë fillestarët. Qysh në këngët e para vërehej një origjinalitet, që premtonte, që imponohej, dhe që bënte përpjekje për ta krijuar sa më parë stilin autentik të këndimit.
Fati i këtyre dy këngëtarëve qëndron edhe në bashkëpunimin që këta bënë me hartuesit e këngëve, meqë kënga mban me vete shumë komponentë, duke u nisur nga përmbajtja, mesazhi, vokali, melodia, orkestra, instrumentet, solo këndimi, gradacioni, ritmika dhe një mori faktorësh anësorë që sajojnë tërësinë e një kënge, e cila dëgjohet për disa minuta, por që lë gjurmë të pashlyeshme në veshin e dëgjuesit.
Shkurte Fejza ka një qasje autentike ndaj këngës. Ajo këndon lirshëm, natyrshëm, këndon me përkushtim, duke u përkujdesur ndaj çdo cikërrime që mund ta dëmtojë qoftë këngën, qoftë zërin, qoftë ritmin, apo edhe një tingull të vetëm. Ajo ka rezervuar edhe paraqitjen dinjitoze dhe serioze në të gjitha aspektet e prezantimit para publikut.
Kënga e Shkurte Fejzës mban në vetvete shumë elemente artistike të komponuara në tërësinë e saj, tërësi e cila buron edhe si gurgullimë e burimit të pastër malor, edhe si thirravaje e së kaluarës, edhe si qëndresë e pashtershme për të mos u dhënë, për të mos u dorëzuar, por për të çarë përpara.
Shkurta disponon zërin tejet melodik, të cilin e begaton me shqiptimin e pastër të tingujve, me melodinë autentike të shpirtit krijues, të shpirtit që shkrihet në pasion, jo vetëm për këngën si këngë, por që shkrihet në pasion të tërësisë së këngës, të mesazhit dhe të përmbajtjes së saj. Zëri i Shkurte Fejzës, për dallim nga zërat e këngëtareve të tjera, ka një dozë të mjaftueshme të timbrit të zërit burrëror, të atij timbri që shënon krenarinë e ligjshme për përkatësinë e racës, të kombit, gjuhës. Këndimi i saj ka fuqinë mobilizuese, sepse ajo përqendrohet me tërë qenien kur këndon, sepse këndon nga thellësia e shpirtit, sepse këndon duke u bërë bashkë me këngën, ashtu sikurse bëjnë gjenitë dhe artistët e njohur, të cilët njëzohen me veprat e tyre. Si i tillë, këndimi i Shkurte Fejzës, prek majat sipërore, prek majat përtej së cilave nuk kalohet. Ajo prek infinitet e një këndimi origjinal, autentik, këndim që paraqitet vetëm në epoka të thyerjeve të mëdha, të epokave që i përjetuam, të epokave me këngë e barot, me vaje, vuajtje e këngë, me lot e zjarr...