2011-03-15

Kryetari i "Lidhjes së Prizrenit" në mërgim

-- nga Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova

Xhaferi ishte biri i Ibrahim Devës, një tregtar i njohur nga Mitrovica. Origjina e mirëfilltë e kësaj familje është nga qyteti i vjetër i Gjakovës. Xhaferi është shkolluar në gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht, gjermanisht dhe anglisht. Gjuhën angleze e ka mësuar në Stamboll, në shkollën e quajtur " Robert Colleg" të Turqisë. Përveç gjuhëve, që përmendem më lart, Xhaferi zotëronte edhe gjuhën italiane, duke lexuar në origjinal shumë kryevepra të autorëve latinë. Ai, gjatë viteve 1941-1943, kishte fituar besimin e Guvernatorit gjerman me qendër në Beograd të quajturit Noi Bayer, dhe në vjeshtën e parë të vjetit 1943, kur italianët lëshuan armët e luftës dhe iu dorëzuan armiqëve, atëherë ushtria gjermane vrapoi për arsye strategjike për të dalë në bregdetin e Shqipërisë. Kësaj here, Guvernatori në fjalë, e dërgoi Xhaferin në Tiranë, ku zuri vendin e Ministrit të Brendshëm. Me të drejtë, vlerëson studiuesi e publicisti Idriz Lamaj, se ing,Xhefer Deva ishte një "burrë i shtetit shqiptar etnik, që në emër të atij populli luajti rolin më vendimtar në "Kohën e Shqipnisë", padyshim është Xhafer Deva". (Shih, Lamaj, Idriz, "Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës", New York 2002, fq.6). Ai, përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944. Para largimit, u bë dorëzimi i zyrës qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për sa kohë që ata qendruan në Kosovë, ing.Deva me shokët e tij, kishin qeverisur, drejtuar administratën e Kosovës, përmes zjarrit të luftës. Kryetari Deva, me ndershmërinë që e karakterizonte, bëri dorëzimin e të gjithë mjeteve financiare të buxhetit të shtetit (thesarit), në mënyrë korrekte e transparente, duke shprehur edhe një herë moralin e lartë të një njeriu fisnik, që asnjëherë nuk tundohej nga pushteti administrativ dhe pushteti i fuqishëm i parasë. Shpesh, figura e ing.Xhafer Devës është keqpërdorur në disa drejtime, por, ne po shpiegojmë shkurt, aspektin human të tij. Në një dorëshkrim, që kemi mundur të gjejmë në disa arkiva private, që disponon Lidhja e Prizrenit në New York, mësojmë mbi aktivitetin e ing.Xhafer Devës, e cila është e ndarë në disa pika. Dorëshrimi nuk ka autorësi dhe është realizuar me makinë të vjetër shkrimi, që krijon mundësinë e leximit dhe kuptimit të saktë të çdo fjale. Në dorëshkrim, Deva në veprimtarinë e tij kritikohet, se është treguar tolerant ndaj komunistëve. Në mënyrë që lexuesit shqiptarë, të krijojë një ide më të saktë, po e citojmë faktoshkrimin mbi biografinë e ing. Xhafer Devës dhe veprimtarinë e tij si Ministër i Brendshëm në mënyrë autentike : "S’pari, në vend që t’a shpërndante tokën e t’i kapte edhe ata komunistë që inshin mbetun të pa-kapun në kohën e Italis nga ana e policis shqiptare, aj (është fjla per ing.Deven, shënimi yne T.M&K.K) hapi portat e burgut në Tiranë, tue i lirue gjith ata komunistat e rrezikëshem, të cilët në vend që të shkojnë nepër shpijat e tyne, ata dulne në mal, ku u furnizuen me arme dhe filluen akcjonet e tyne në të gjitha anët tue vra kundershtarët e tyne. Kështu jeta, malli, pasunija e popullit urtë u ba e pa-sigureme nga ana e qeveris."
Në fillim të dhjetorit 1944, grupi kosovar i përbërë nga ing.Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Tahir Zajmi, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica përshkoi udhën nëpër malet slloveno-austriake (Alpet e Europës), duke mbërritur pas një rruge të mundimshme në shtëpinë e një miku të Devës. Më pas, ata së bashku mbërritën në Austri, duke pasur kujdes, që mos bien në sy të komunistëve rusë, që si barbarë sulmonin e shkatërronin gjithçka. Ata, pasi u stabilizuan falë ndihmës bujare të Devës, ranë në kontakt me grupet e nacionalistëve refugjatëve shqiptarë. Edhe atyre, ing. Xhafer Deva u siguroi strehë, ushqim dhe nevoja të tjera të domosdoshme për një kohë të mirë. Nga letrat e botuara, për herë të parë pas disa dekadave, nga studiuesi i kujdeshëm shqiptaro-amerikanë Idriz Lamaj, mësojmë se "në mënyrë të veçantë, Xhafer Deva u kujdes për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilit, me anë miqësh përsonale i siguroi strehim në një senatorium, në një rreth të qytetit Feldkirch afër kufirit më Zvicër. Në fund të vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, Deva u tërhoq të disa miq të vet në Austrinë perëndimore, prej ku ndejti në lidhje të vazhdueshme me shokët e Grupit Kosovar dhe u përpoq të marrë lajme dhe të krijojë ndërlidhje me qendresën antikomuniste në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, ku mijëra e mijëra shqiptarë kishin përfunduar nën breshërinë e skuadrave të pushkatimit dhe ndër burgje. Lajmi i shuarjes së kryengritjes së Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe Ymer Berishës, ndjekur me vetëmohim nga masa popullore e atij rrethi, la në fushën e luftës mëse 5000 vetë dhe shkrirja në zjarr e 44 katundeve, e tronditi së tepërmi Grupin Kosovar. Shpresa dhe premtimi, se aleatët mund të zbrisnin në Ballkan, po të kishte kryengritje të tilla të qendresës së organizuar nacionaliste në vende nevralgjike si në Kosovë, filloi të venitet, për të mos thënë se u shua..." (fq.8)
Ing.Deva, asnjëherë nuk u step dhe nuk tregoi shenja pesimizmi në situatën e re të zezë, të krijuar në Ballkan dhe vendlindjen e tij. Më 1947, ai gjendet në Itali, ku takohet me Tahir Zajmin, Ali Dragën, Xhelal Mitrovicën. Asokohe, tërhoqi nga Austria Rexhep Krasniqin e Rexhep Mitrovicën, të përmirësuar nga shëndeti. Gjeografia e lëvizjeve të tij në shtete zgjerohet. Ai duke shfrytëzuar miqësinë, që kishte me një diplomat turk (me origjinë prizrenas), i siguroi Rexhep Mitrovicës një vizë, për të shkuar në Turqi. 4 nga 5 antarët e grupit kosovar, shkuan në Damask (Siri) në fund të vitit 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkëatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh.
Ai ishte përfaqësuesi më i lartë në bisedimet politike të mërgatës, për mbrojtjen e jashtme të kryengritësve antikomunistë. I madh është aktiviteti i tij në vitet 1948-1949, ku përpiqej që në Komitetin Kombëtar "Shqipnia e Lirë" të përfshiheshin të gjithë viset shqiptare dhe Kosova. Për më tepër, studiuesi Idriz Lamaj vlerëson, "Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën angleze, ai ndikoi drejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar". U zgjodh kryetar i Kuvendit të Aleksandrisë, në kohën kur Mbreti Zogu I, ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në diasporë. Ing.Deva, ndikoi fuqishëm në krijimin e bazave të rezistencës, në malet e Shqipërisë Veriore, ku u krijuan shumë qendra radiofonike 1944-1953, kundër regjimit komunist. Një vit më pas futet në punë, pranë një zyre polake për refugjatët, duke ndihmuar shqiptarët të shkojnë drejt SHBA, Kanadasë, Australi, etj., mbasi kishin mbetur prej kohësh në kampet e emigracionit në Itali e Greqi. Nacionalisti gjendet në Australi, ku themelon Organizatën "Bashkimin e Shqiptarëve në Australi". Miku i tij i ngushtë Xhelal Mitrovica, i jep jetë gazetës kuptimplote "Vatra Shqiptare". Një udhëtim tjetër të gjatë, Deva fillon në vitin 1956 në drejtim të SHBA. Asokohe në vendin e lirive dhe kryeqendrën e demokracisë botërore, kishin mbërritur shumë emigrantë politikë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet etnike shqiptare. Si gjithnjë, ai mbajti të ndezuar në zemër ndjenjën nacionale, finikërinë dhe traditën e pasur shqiptare, forcën e karakterit të burrërisë dhe përsonalitetin e vet, të respektuar e nderuar me mirënjohje nga të gjithë bashkëpatriotët. Punoi me ndershmëri çdo lloj pune në New York, Boston. Nuk i pëlqente të ishte parazit në kurriz të tjerëve. Më 1960 shkoi në Kaliforni, në krahinën malore Calavera Coubty, ku qendroi pranë një miku amerikan. Si një punëtor i thjeshtë, u punësua në një stabiliment sharrash dhe lëndësh drusore, duke përsëritur të njëjtën punë pas dy dekadash, çka i kujtonte sharrtarët në luginën e Ibrit në Kosovë. Si një nëpunës zyre, punoi deri sa doli në pension në vitin 1972 në Universitetin e Stanfordit në qytetin Palo Alto të Kalifornisë. Duke qenë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë e zgjeroi shumë rrethin e miqve dhe shokëve, të cilët do të lozin një rol të rëndësishëm në përsonalitetin e tij, duke u bërë shumë i njohur në universitet. Kësisoj, së bashku me mergatën shqiptare të SHBA, ing.Xhafer Deva do të bashkëpunonte dhe do të pranonte për hir të nacionalizmnit detyrën e Kryetarit të Lidhjes II të Prizrenit, që do të themelohet në SHBA në vitin 1962. Një ndër miqtë bashkëkohës, studiuesi e publicisti Idriz Lamaj shkruan me respekt, se: "Mërgata etnike e ndjeu vetën të entuziazmuar përsëri si në kohën e qëndresës, kur luftuan me jetën e vdekjen për të mbetur bashkë me Shqipërinë. Me sakrifica përsonale, Xhafer Deva shkon në New York herë mbas here dhe riorganizon Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, e cila mbështetej në të kaluarën e vet historike dhe në parimet e larta kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në atdhe. Organizatës së ringjallur në New York, Deva i dha formën moderne të kohës, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit.
Megjithëse kjo Organizatë nuk kishte thirrë ende Kongresin e saj të parë, shtypi i Tiranës dhe i Beogradit filluan fushatën e propagandës së tyre kundër përsonit të Xhafer Devës. Nga seria e artikujve të botuar në "Veçernje Novosti" të Beogradit dhe "Zëri i Popullit" me titull "Xhafer Deva në lëvizje", shihet qartë, se ata nuk kishin harruar, se cili ishte Deva kur vihej në lëvizje." (Fq.13).
Pas një jetë të tërë kushtuar atdheut dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare, pas shumë udhëtimeve me karakter nacional, pranë bashkëatdhetarëve të shpërndarë nëpër botë, pas një jete të përmallshme për vendlindjen e dashur, i zhuritur me mallin për tokën ku lindi dhe u mëkua me ndjënjën fisnike të atdhedashurisë vdiq ing.Xhafer Deva, duke lënë trashëgim për bashkëatdhetarët dhe emigrantët nëpër botë testamentin e vetëm të Shqipnisë etnike. Pikërisht në pragun e 100 vjetorit të ditëlindjes së "Lidhjes Shqiptare të Prizrenit" 1878, më 25 maj 1978 mbylli sytë, një ndër udhëheqësit e flaktë të nacionalizmit ing.Deva. Sot hap pas hapi, po ndriçohet kontributi i madh nga studiuesit e rinj të diasporë e trojet etnike shqiptare, të mbështetur kryesisht në arkiva, kujtime të bashkëkohësve. I rëndësishëm mbetet arkivi i pasur i letërkëmbimeve, që ing.Xhafer Deva kishte pasur, me përsonalitete të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim. Kur te botohen letërkëmbimet që ka pasur me përsonalitetet e huaja, do te zbardhin shumë aspekte të errësuar nga historiografia komuniste...

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...