2011-03-14

“DJEMT E PEJËS- Selim Kelmendi (1937-20/09/198





Pushtimi/çlirimi i trojeve shqiptare të Kosovës prej Italisë solli një pështjellim psiqik, që sot e kësaj dite nuk asht analizue sa duhet e nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. Më një anë, ishte çlirimi prej çapojve të robnisë serbe. M’ anë tjetër, ishte, gjithësesi, çlirim/pushtim. Shqipes i kishin vu anash dy sopatat e Liktorit. Pra ajo nuk ishte e lirë.



Daniel Gàzulli   & Selim Hasanaj
Pushtimi/çlirimi i trojeve shqiptare të Kosovës prej Italisë solli një pështjellim psiqik, që sot e kësaj dite nuk asht analizue sa duhet e nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. Më një anë, ishte çlirimi prej çapojve të robnisë serbe. M’ anë tjetër, ishte, gjithësesi, çlirim/pushtim. Shqipes i kishin vu anash dy sopatat e Liktorit. Pra ajo nuk ishte e lirë.
Megjithate, në zyra tashti flitej shqip, nëpunësit, policët, gjyqtarët ishin shqiptarë; në rrugë e kudo tjetër flitej, lexohej, shkruhej e këndohej shqip. Sopatat anash, por ajo ishte shqipe me dy krena që valvitej para çdo institucioni kosovar.
Jeta filloj të këndallej: u përtri ekonomia, u hapën shkolla, filloi ndërtimi i urave e rrugëve, u pajtuen aq gjaqe sa nuk ishin pajtue në një shekull. Dasmorëve u printe Flamuri kuq e zi. Krenaria e të qenit shqiptar u shpalos pa ndroje.
Ajo që gëzonte veçanarisht shqiptarët ishte çelja e shkollave shqip. Ministri i Arsimit Ernest Koliqi arrijti të vinte në shërbim të shkollës shqipe në Kosovë pjesën ma të madhe të energjive të Qeverisë së atëherëshme shqiptare.
Po ishte kohë lufte. Europa mbarë digjej.
Qetësinë e shpresat në Kosovë i rrezikonin edhe njësitë çetnike serbe, që filluen me gëlue anekand. PKJ kishte arrijtë me futë në Kosovë edhe farën e keqe të kolerës së kuqe. Veç komunistëve serbë e malazezë, pat edhe ndonjë të ri shqiptar, që në emën të një internacionalizmi psikomatik, u lidh pikërisht me hijenat e Beogradit.
Viti 1944 e gjet Kosovën në një çoroditje të paimagjinueshme: luftohej, por nuk dihej kah e për çfarë. Disa ishin radhitë me Brigadat serbo-malazeze të PKJ, disa kishin krijue njesitë e tyne antinaziste, por me kahje nacionaliste shqiptare. Gjithësesi, tashma frika ma e madhe nuk ishte lufta, po ajo çka do të vinte mbas saj. Atdhetarët kosovarë, ashtu edhe plot atdhetarë e intelektualë të ardhun aty prej “Shqipnisë së Vjetër”, parashihnin se mbas luftës vështirë të vinte çlirimi e se rreziku ma i madh do të ishte ripushtimi prej shkjaut.
Lufta e Dytë Botnore ishte në perfundim e siper dhe derisa qetsoheshin krismat e pushkëve dhe granatave, kishte fillue loja e kancelarive ku vendosej fati i miliona njerëzve. Në territorin e ish mbretnisë Serbo-Kroato-Sllovene tash pushtetin e kishin marrë komunistët, që ishin bashkue nën udhëheqjen e kroatit Josip Tito, e po kështu edhe në Shqipni komunistët e Enver Hoxhes dhe bandes së tij të kuqe, si shtojcë e PKJ, kishin shti në dorë shtet e pushtet.
Lubia serbe nuk priti as përfundimin e luftës. Tradhëtia e komunistëve nuk humbi kohë: qysh nga fundi i vitit 1944 e përgjatë vitit 1945, banda Tito/Rankoviç, OZNA kobzeze, e përkrahun edhe nga PKSH e Enver Hoxhës, bani plojë viktimash në mbarë Kosovën, bijat e bijtë e saj ma të mirë, ata që nuk iu nënshtruen pushtuesit të ri, por edhe ata që mendohej se nuk do t’i nënshtroheshin në të ardhmen; ata që në fillim i besuen hijenat e Beogradit, ashtu edhe ata që nuk i besuen kurrë.
Me 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në Bujan të Malësisë së Gjakovës, përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare kishin mbajtë një mbledhje, që do mbetej në histori me emnin Konferenca e Bujanit. Aty ishte vendosë që populli shqiptar të perkrahte luftën antifashiste, kurse mbas çlirimi shqiptarët do të vendosnin vetë për fatin e tyne, do të bashkoheshin me shtetin amë e të krijohej Shqipnia Etnike, apo të qendronin me Jugosllavinë. Mirëpo, ashtu si Enver Hoxha, që ma heret tradhtoi dhe hodhi poshtë marrëveshjen e Mukjes e filloi luftën vëllavrasëse,  edhe Tito hodhi si leckë premtimin; ai urdhënoi të mbahej një mbledhje në Prizren e të shpalleshin të pavlefëshme vendimet e Konferencës së Bujanit.
Kjo tradhëti  që iu ba shqiptarëve i zgjoi ata nga çdo iluzion dhe filluen menjëherë të organizohehsin për t’i ba ballë së keqes. Ndërkohë “pushteti popullor\” i Jugosllavisë së Titos, pushtues në këto troje, filloi raprezaljet ma barbare, burgosjet, masakrat në masë. Simbol i rezistencës ndaj pushtuesit të ri e të vjetër u ba tribuni popullor, Heroi i Popullit Shaban Palluzha, që për gjashtë muej bani një qëndresë mbinjerëzore masakrave të ushtrisë dhe policisë partizano – çetnike serbosllave, të përkrahun edhe nga brigadat shqiptare të partizanëve të Enver Hoxhës. Masakra e Tivarit, ajo e Beçejit në Banat e Goricës në Istër etj, etj., i detyruen shqiptarët të mobilizoheshin për mbrojtjen e të drejtave të tyne etnike, kulturore e territoriale. Nga Shkodra në Kosovë vjen Marie Shllaku, kjo Teutë e kohes së re, për ta ndihmue popullin shqiptar të Kosovës dhe bahet krah i Prof. Ymer Berishës. Ajo bashkohet në Pejë me At Bernardin Llupin dhe atdhetarë të tjerë si Kolë Parubi e Gjergj Martini. Orleana shkodrane shkon deri në Drenicë ku pajton mes tyne komandantat legjendarë Shaban Palluzha e Mehmet Gradica. Kështu vihen themelet e Levizjes Nacional Demokratike Shqiptare, të ciles i bashkohet edhe Gjon Sereçi nga Ferizaj
Menjëherë fillojnë të formohen çeta luftëtarësh, të cilat kishin si ideolog të tyne prof. Ymer Berishen. Në Shalë të Bajgores vepron çeta e patriotëve shqiptarë nën komanden e Ahmet Selacit e Ukshin Kovaçices, në zonën në mes Drenicës e Mitrovices luftonte trimi Aziz Zhilivoda me çeten e tij, në Rugova kishin ngritë në kambë të madh e të vogël Sali Rama e Zhukë Haxhia, në Podgur Haxhi Zekë Berdyna, Bardh Isufi, në Mivade të Istogut Ahmet Nuhi, Sali Gashi, Col Bajraktari, në Istog Tal Kurteshi e Halit Keqi, në Klinë Ndue Perlleshi , Shaban Dema, Feriz Boja, Shaban Sadiku, Ukë Sadiku;  po ashtu u ngriten e rimoren armët edhe Gjilani i Idriz Gjilanit, Gostivari i Gjemë Gostivari etj, etj.
Në Gjimnazin e Pejës, djem të rijë, pak ma shumë se fëmijë, filluen të organizoheshin.  Ishte një grup i vogël, i mbledhun përreth Viktor Gashit, organizzatori i gjimnazistave rioshë, në mes të cilëve Shefqet e Ramiz Kelmendi, Engjëll Berisha, Skender Rizaj, Kamber Pajaziti. Në veprimtarinë e tyne do veçue botimi i revistes ilegale “DRITA E LIRISË”, numeri i parë i së cilës doli në janar 1946. Po edhe ajo nuk pati jetë të gjatë: i hetuen dhe përfunduen në burg. Kjo ndodhte në mars të po atij viti. Tre muej ma vonë rioshët pejan, në mes të cilëve edhe Jusufi, vëllaj i Selimit,  ishin në gjyq, në Prizren, përkrah legjendave të rezistencës antiserbe: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi etj. Ai gjyq do të ishte një shkollë e jashtëzakonshme atdhetarie, që do t’i trimnonte ta vazhdonin luftën e tyne për vite me radhë.
Njeni prej këtyne djemëve, Shefqeti, do të binte përsëri në burgun e Rankoviçit tre vjet ma vonë, kurse më 1956 do të merrte udhën e Shqipnisë së vjetër, ku do ta priste një Ferr tjetër i kuq, po për këte do të flasim ma vonë.
Në mes tyne e me ta u rrit edhe Selim Kelmendi.
Raprezaljet e dimnit të përgjakun të vitit 1956 në Drenicë e në mbarë Kosovën, dyndjet drejt Turqisë për shkombtarizmin e trojeve të lashta Dardane, e banë tepër të randë ajrin e Ksovës. Jo pak të rijë vunë kryet në rrezik e iu drejtuen Shqipnsië. Njeni prej tyne ishte edhe mësuesi 19-vjeçar Selim Kelmendi.
Familja Kelmendi, e njohun edhe si familja e atdhetarit Ymer Zeneli, vinte nga fshati Haxhaj i Rugoves kreshnike. Njeni prej djemëve të tij ishte edhe Haxhi Ymeri (Kelmendi), që pat pesë djem: Jusufin, Ismetin, Brahimin, Selimin dhe Ymerin.
Selimi, mbas arrestimit dhe burgosjes në burgun ma famkeq në Evropë, në ujdhesen e GOLI OTOKUT, të trimave rugovas Sylë Mehmet Nikçi, Arif Reka, Bajram Rama etj., arrin të shpëtojë dhe kalon në Shqipni ku do të gjente edhe kushërinin e vet, Shefqet Kelmendin dhe Istrefin, ikë pak ma parë.
Shumë të rijë kosovarë, që i ikën bishës Toto/Rankoviç e iu drejtuen për strehë Atdheut amë, do të provonin shpejt, shumë shpejt,  zhgënjimin ma të madh e një jetë kalvar. Jo pak prej tyne përfunduen në burgje e deri në dënime me vdekje me akuzat ma absurde. Edhe vdekjes ato do t’i kishin ba ballë pa iu trembë syni, por jo akuzës që u përgatiste famëkeqi Sigurimi i Shtetit Shqiptar: agjentë të UDB-së. Ky, po, ka qenë plumbi ma i randë për ta.
Selim Kelmendi, mbas një periudhe “kontrolli” në Kampin e emigrantëve në fshatin Llkatund të Vlonës, bashkë me miqtë e tij Ramadan Shala e Ramë Muçolli, vendoset në Shkoder tek axha i tij Rrustemi, baba i Shefqetit, që jetonte aty prej vitit 1945. Vitin tjetër, më 1957, e emnuen mësues në Krubnesh, një ndër fshatrat ma të thellë e ma të vështirë për jetesë të Mirditës.
Gjatë viteve të para, e vetmja gja e bukur në jetën e tij ishte njohja me mësuesen e re shkodrane Afërditën, me të cilen u dashunue dhe mbas pak, me 22 tetor 1959, u martue. E pengueme prej familjes, prej 101 paragjykimesh ndaj kosovarit të pashëm “pa plang e pa shtëpi”, ajo detyrohet dhe e ndjek atje në Kurbnesh.
Ja si e kujton atë kohë Afërdita: “Shërbenim në një shkollë. Jetonim në kushte të vështira: një barakë dërrasash, pa dysheme. Mbrenda saj: një shtrat, një stufë, një etazhe, një tryezë dhe dy karrige. Dhe bante shumë ftohtë. Po zemren e kisha të ngrohtë, se ndodhesha pranë Selimit”.
I gjithë populli ishte i sorvejuem. Kosovarët edhe ma shumë, dyfish. E të mendojsh se ata, kur kishin rrezikue jetën tue kapërcye kufinin, kishin kujtue se po shkonin në mes vëllaznish, jo në mes bishash të Sigurimit.
Ma në fund, në vitin 1966, Afërdita dhe Selim Kelmendin i transferojnë në Fushë Krujë. Këtu kushtet ishin, gjithësesi, ma të mira. Ishte ma afër Tirana dhe Selimi nuk humbi kohë e u regjistrue në Fakultetin Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Tiranës. Në vjeshtën e vitit 1970 Selimi emnohet mësues në Gjimnazin “Shote Galica”.
Rugovasi i pashëm, i ambël me njerëzit e thjeshtë, krenar ndaj atyne që e shikonin me dyshim e përbuzje, ishte jo vetëm një mësues me përgatitje të naltë, por sidomos një gjuhëtar që i shte përkushtue thellë gjuhës shqipe, dashunia e tij ma e madhe mbas sa kishte lanë mbrapa në Pejën e tij të dashtun.  Ai përkujdesej e trajtonte me dhimshuni nxanësit të vorfën, bijë të atyne që ndoshta i nisnin fëmijtë në shkollë edhe pa pasë çka me u dhanë me ngranë në mëngjes, por nuk u bante asnjë lëshim fëmijëve të përkëdhelun e arrogantë të të ashtuquejtunve “koadro të Partisë”, drejtësi e krenari që do ta paguente shtrejt ma vonë.
Megjithate, për seriozitetin, përkushtimin, përgatitjen, punimet e tij shkencore, jo rrallë ai arrijti edhe t’u impunohej “korbave të zi”, që i silleshin rreth me dyshime prej që kur kishte shkelë në tokën shqipatre. Dhe korbat një ditë e rrëmbyen pa pritë e pa kujtue.
Ishte 14 shtatori i vitit 1983 kur duert e tij të ndershme i vunë nën pranga. Pak dit mbas tij arrestohen edhe intelektualët tjerë kosovarë Shefqet Kelmendi, Namik Luci, Istref Kelmendi, vëllaj i Selimit, sidhe të ashtuquejtunit “të rekrutuemit” nga Selim Kelmendi, Sejfulla Teta dhe Pirro Prifti.
Ky ishte pra “Grupi terrorist i intelektualëve kosovarë që kishin organizue vrasjen e “shokut” Enver”!
Do të tregonte Shefqet Kelemndi mbas daljes nga burgu më 1991: “Na grup terrorist?! Na kishim organizue vrasjen e përbindshit?! Do të kishte qenë nder t’i hiqnim Shqipnisë qafe atë përbindsh, por jo, asgja nuk ishte e vërtetë”.
Atëherë, përse?
Ja shpjegimi që jep përsëri Shefqeti:
“Ishte plani i Sigurimit të Shtetit për me qetësue diktatorin e sëmurë, që vuente nga fiksacionet e persekutimit, si pasojë e krimeve që ksihte ba. I vetmi ilaç qetësues për të ishin anmiqtë e kapun, që ai duhej t’i shihte në televizor. Pra, ishim kurban i sëmundjes së padishahut”.
Ndokujt mund t’i duket paradoksal një shpjegim i tillë, por në atë kohë nuk kushtonte asgja me shkatrrue jetë njerëzish e familje të tana për të kënaqë e qetësue sadopak diktatorin.
Po përse pikërisht katër intelektualët kosovarë?
E gjithë historia e PKSH, ma vonë PPSH, prej Mukjes më 1943 e deri në vitin 1990, asht histori e tradhëtisë së madhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës; jo vetëm prej masakres së parrëfyeshme mbi partizanët kosovarë gjatë “marrshimit” nga Kukësi në Tivar, por gjatë gjithë 45 viteve. Tirana e Beogradi, UDB-ja e Sigurimi i Shtetit, kur ishte fjala për kosovarët që mërgonin në Shqipni, nuk ngurronin të bashkpunonin në mes tyne. Mërgimtarët ishin anmiq të regimi titist, aq sa edhe të atij enverist.
Selim Kelmendi, i panënshtrueshmi, në 16 muej hetuesi provoi torturat nga ma çnjerëzoret, por nuk u dha asnjë herë. E degdisen nga 93 kg në 40 kg. Në 40 kg burrë, viganin rugovas, djalin e Pejës!
Në një takim me të shoqen gjatë vuejtjes së dënimit, Selimi i tregonte: “S’ka vuejtë kush në botë, sa kam vuejtë unë gjatë kohës së hetuesisë. Për dhjetë orë rresht më kanë mundue dy sampistë, mundësa të “Dinamos”. Kuptohet, isha i lidhun. Disa herë më binte të fiktë. Më nxisnin të baja vetëvrasje. Kur shkoja në banjo, gjeja brisk rroje, çka në hetuesi ishte rreptësisht e ndalueme. Shpresonin se do të prisja damarët e duerëve. Po unë, që të mos varrosej e vërteta e pastër e jetës sime, kisha vendosë me durue, që të mundësha me mbijetue deri në ditën e gjyqit. … Torturat m’i banin në dy seanca: në hetuesi nga Gavrosh Andoni, por sidomos nga krimineli Nexhat Selimi. Seanca e dytë vazhdonte në qeli simbas porosive të tyne, nga policët e kaushave …. “.
Hetuesia, torturat përbindshe, i thyen e i detyruen “të pandehunit” me pranue akuzat, veç të mbaronte ai kalvar e të dilnin nga biruca. I vetmi që s’u thye kurrë, që nuk pranoi kurrë asgja, ishte Selim Kelmendi.
Një javë gjyq me dyer të mbylluna, por me telekamera. Materiali i filmuem do t’i dërgohej diktatorit që të qetësohej. Por nuk qé e mundun t’i dërgohej, jo. Gjithë planin e tyne e prishi guximi i pashoq i Selim Kelemndit. Ai, me argumenta, shembi fallsitetin e gjyqit. Përpara jetës vlerësoi nderin, të vërtetën, prandaj edhe prokurori Loni Mosko kërkoi për Selimin dënimin me vdekje, kurse për ë tjerët nga mbi 20 vjet burg për secilin.
- Po ti i ke pranuar në hetuesi – shpërtheu një çast prokurori.
- Do t’i kishit pranue edhe ju, zoti prokuror, po të ishit në vendin tim. Torturat kanë qenë tejet çnjerëzore, aq sa më vjen turp t’jua them, se nuk ma lejon edukata.
Me 21 dhjetor 1984 prokurori kërkon dënimin me vdekje të Selimit. Gjatë natës në mes 21 e 22 dhjetorit, në qeli me Shefqetin, i thotë këtij: “Nëse më pushkatojnë, zbardhe të vërtetën e jetës sime!”.
Të nesërmen trupi gjykues do të befasohej përsëri. Shefqeti, që i dhimbsej jeta e kishrinit ma shumë se e tija, para dhanjes së vendimit të paapelueshem nga trupi gjykues, ngrihet e thotë: “Të gjithë janë të pafajshem, por ma shumë se askush Selim Kelmendi. Ai nuk ka kurrfarë faji për sa u tha në këtë gjyq. Fajtor për të gjitha këto jam unë dhe vetëm unv, e askush tjetër. “
Kryetarja e Gjykatës së naltë, një grue shpirt skëterrë, Tamara Malaj, nuk ngurroi aspak e dënimin me vdekej ia dha Shefqetit. Selimi u dënue me 23 vjet burg e poaq edhe të tjerët.
Mbas 39 ditësh në pritje të vinin ta merini për pushkatim, heroit Shefqet Kelemndi i vjen kthimi i dënimit në 25 vjet burg. Vetë Zoti desht që ai të jetojë në mes nesh si dëshmitar i një epoke skëterrë, por edhe që na dhà heroi si djemt e Pejës!
Por edhe në burg sypatrembuni Selim Kelmendi u shtinte friken katilave të tij.
Si mbajten disa kohë në kaushat Burgut të Tiranës, në shkurt 1986 e transferojnë në kampin e Spaçit. Me 30 prill 1987, papritë, pa asnjë arsye, pa kërkesën e tij, pa asnjë ankesë shëndetësore, Selimin e çojnë në spitalin e burgut në Tiranë. Aty i bajnë një inxheksion “për të marrë veten” dhe e nisin përsëri, kësaj radhe për në Burgun famëkeq të Burrelit. Tashma i helmuem e me ditë të numrueme.
Përse e helmuen Selim Kelmendin?
Ai, në një letër të gjatë që arrijti t’i drejtonte kriminelit Ramiz Alia, me argumente binmdëse, kishte dëshmue pafajsinë e tij dhe fallsitetin e plotë të atij gjyqi të turpshëm kundër katër intelektualëve kosovarë. Kjo i tërboi e ndoshta edhe i trembi bishat e Sigurimit, prandaj edhe e helmuen.

Selim Kelmendi vdiq me 20 shtator 1987.
Po ai nuk ka vdekë. Heroj si ai jetojnë në pavdeksì.
Selim Kelmendi ishte dhe asht nderi i Pejës, i Kosovës, i Shqipnisë, që aq shumë e desht.

Leteraturë:
Shpresa Leka: Nji brez i veçantë (Fëmijë të rritun), 2003
Lekë Ujkani: Selim Kelmendi, 2005 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...