Nga DedË progni
Ndarja krahinore etnografike e një vendi,ose e një krahine më të gjërë,shpesh herë parqet vështirësi më të mëdha se sa ndarja gjeografike e tij. Kjo për arësye se zonat gjeografike janë të përcaktuar nga elementët e ndryshme natyrore,kështu ndarja e tyre është fare e qartë dhe e përhershme,ndërsa ndarja krahinore etnografike varet kryesisht nga faktorët e ndryshëm shoqëror,nga karakteristikat e veçanta të kulturës materiale e shpirtërore,të cilat janë të dallueshme nga një krahinë tek tjetra. Këta faktorë mundë të ndryshojnë mjaft shpejt,të gërshetohen ose të bëhen të ngjashëm me elemente të këtilla të krahinave kufitare,ndonjëherë ato mund edhe të zhduken fare si tipare të veçanta dhe të njësohen me përmasa më të gjera me vise të tjera. Prandaj në shumë raste,kufiri ndërmjet krahinave etnografike nuk është i përcaktuar me një vijë të prerë,sidomos atje ku nuk ekzistojnë tërësi teritoriale fisnore,si edhe në zonat fushore ku traditat gërshetohen dhe zhduken më lehtë se në krahinat malore. Në përcaktimin e krahinave etnografike kan rëndësi të posaçme elementët etnografike: veshja,doket e zakonet,por edhe gjuha e disa elemete të tjera (antropologjike,psikologjike etj.) Faktorët gjeografikë,edhe me rastin e përcaktimit të krahinave etnografike,luajn një rol gjithashtu të rëndësishëm. Madje,shpesh herë,një tërësi etnografike është njëkohësisht edhe tërësi gjeografike,e përcaktuar para së gjithash me karakteristikat e relievit dhe të pozitës gjeografike në përgjithësi. Ndodh shpesh që emri i një zone më të gjerë etnografike ose gjeografike, të përdoret në komunikimin e përditshëm në vend të emrit të një krahine më të vogël,por më të përcaktuar,që ndodhet brenda saj,ose kufizohet me këtë zonë më të gjerë. Kështu,p.sh,njeriu nga Drenica në se shkon diku në Dibër,në Ulqin,ose në ndonjë vend tjetër,ai nuk thotë se është nga Drenica,s’paraqitet si drenicak,por thotë se është nga Kosova,ose kosovar. Për më tepër,edhe shqiptari nga Maqedonia dhe Mali i Zi,në se gjendet në botën e jashtme,ai zakonisht paraqitet si kosovar.Kështu Kosova si tërësi më e madhe e më e njohur gjeograqfike si dhe krahinë më kompakte etnografike (ku rreth 75% të popullsisë e përbëjnë shqiptarët),ka marr kuptimin e një krahine shumë më të gjerë nga kufijtë etnikë e gjeografikë. Ndarja administrative krahinore në përgjithësi ka më tepër karakter e qellim praktik,prandaj ajo nuk përputhet gjithmonë me kufijtë etnik e gjeografik dhe nuk është e qëndrueshme për një kohë më të gjatë,sepse kjo iu përshtatët nevojave të kohës,megjithse edhe kjo ndarje mbështetet shpesh herë në faktorë etnografikë e gjeografikë. Kosova është një tërësi gjeografike e kufizuar nga Bjeshkët e Namuna,Shtedimi,Mokna e Kopaniku në prendim e në veri,nërsa nga Pashtriku,Koritniku,malet e Sharit e Karadaku ii Shkupit në jug dhe në juglindje. Në lindje, Kosova kufizohet me kodrinat e rrethinave të Preshevës e të Bujanofvcit. Për të diferencuar më imtësisht krahinat etnografike të një vendi,nevojiten studime dhe kërkime të posaçme më të hollësishme në terren,si edhe kohë e vend përkatës për t’i parashtruar këto me ato përmasa me të cilat jepët një pamje e qartë dhe komplekse. Mu nga mungesa e të gjithë këtyre elementëve,këtu do të përpiqemi t’i paraqesim krahinat më të dalluara etnografike të Kosovës duke vënë në dukje të paktën karakteristikat e tyre kryesore natyrore – gjeografike dhe shoqërore – etnografike. Ndarja krahinore e Kosovës në disa botime gjeografike e etnografike,sidomos në ato të paraluftës,është mjaft e paqartë, madje në disa raste dhe artificiale. Kështu p.sh.,edhe emërtimi i disa tërësive gjeografike e etnografike është bërë sipas dëshirës së autorit përkatës,dhe jo ashtu si e quan popullsia vendin e saj. Nga ana tjetër,janë trilluar emra të rinj,fare të panjohur që nuk i përdor askush. Mirpo këto gabime përsëriten vazhdimisht në literaturën shkencore dhe në ditët tona. Si shembull mund të përmendim Llapin,për të cilin popullsia e tij nuk njeh tjetër emër,mirëpo në disa vepra,ose punime shkencore,këtë e quajn “Kosova e Vogël” (emër ky fare i panjohur në shtresat e gjera të popullit). Gjithashtu edhe Shala e Bajgores shenohet në punime të tilla si “Shala e Vuçiternës” ose e Mitrovicës,emra këta që populli nuk nuk i përdor kurrë për të përcaktuar krahinën që njihet vetëm si Shala e Bajgores. Raste të ngjajshme ka shumë. Këtu krahinat e ndryshme etnografike të Kosovës do t’i shënojmë ashtu si i quan vetë populli,e jo si janë të shkruara në disa vepra gjeografike.Kosova ndahet në dy krahina kryesore: Fusha e Kosovës,në lindje,dhe Rafshi i Dukagjinit,në prendim. Krahina gjithashtu të mëdha,por më të vogla se këto,janë Drenica (ndërmjet Kosovës e Dukagjinit) dhe Morava ndërmjet Kosovës e Preshevës. Në rrethinat e këtyre krahinave kryesore ndodhen shumë zona ose krahina më të vogla,e,që të gjitha së bashku,quhen Kosovë,sipas krahinës më të madhe e më të njohur nga të gjitha të tjerat.
Fusha e Kosovës është një rrafshinë tektonike,e cila ndodhet në një lartësi prej 500 deri 570 m. mbi nivelin e detit (në pjesën më të ultë të saj). Është vështirë të përcaktohen kufijtë e saktë të Fushës së Kosovës,sepse kjo zonë fushore me disa lugina dhe zona të tjera gjithashtu fushore,ndërmjet të cilave nuk ekzistojnë male më të dalluara,të cilat zakonisht merren si kufi ndërmjet krahinave të ndryshme. As në popull nuk mundë të dëgjohet një përcaktim i sigurtë i kësaj krahine. Mirpo,përgjithësisht pranohet se Kosova shtrihet prej Kaçanikut në jug e deri në Mitrovicë në veri e prej maleve Caralevë,Golesh,e Qyqavicë në prendim e deri në malet Prugovë,Koznicë e Zhegocë në lindje. E përcaktuar në këtë mënyrë Fusha e Kosovës është e gjatë më se 80 km. dhe e gjerë rreth 30 km.,me një sipërfaqe rreth 950 km2. Qendat kryesore e kësaj krahine etnografike janë Prishtina,Mitrovica,Ferizaj, Kaçaniku,Lipjani dhe Vuçiterna (Vushtria). Kultura materiale e Fushës së Kosovës dallohet deri diku nga ajo e Rrafshit të Dukagjinit,sepse kushtet natyrore në këto dy tërësi gjeografike nuk janë të njejta. Në Kosovë klima është më e ashpër se në Dukagjin. Lartësia mbidetare e Kosovës është rreth 150 metro më e madhe se ajo e Dukagjinit,rrjeti i lumemenjve më i rradhë,por pasuritë nëntokësore shumë më të mëdha.Edhe këtu,si në viset tjera të Kosovës,në strukturën sociale,zotëron popullsia bujqësore me më se 50%,mirëpo minjerat e mëdha të thëngjillit afër Prishtinës dhe minjera shumë e madhe e plumbit në Trepçë afër Mitrovicës,angazhojnë me dhjetra e mijëra punëtor,ndërsa në Dukagjin,përveç minjerës së vogël të kromit në Devë,afër Gjakovës,nuk shfrytëzohet asnjë minjerë tjetër. Kjo ka domethënje të mëdha,jo vetëm në jetën ekonomike,por edhe në lëmin e etnografisë,sepse,siç dihet,punëtori industrial,më shpejt e më lehtë,shkëputet nga prangat e traditës dhe përgjithësisht nga zakonet prapanike,duke pranuar mënyrën e re të jetesës,nërsa bujku kalon jetën vetëm në rrethin e ngushtë të pronës së tij të vogël e të varfër. Përveç kësaj,për arësye të faktorëve natyrorë që i përmendëm,edhe struktura e bujqësisë dallohet deri diku nga ajo në Dukagjin. Në Kosovë mbillen fare pak përime,ndërsa edhe pemët janë të rralla. Prej drithërave më tepër mbillet grurë se misër,e nga bimët industriale më shumë lule dielli se panxharsheqeri (ndërsa në Dukagjin është e kundërta). Shtëpia në Fushë Kosovë është përdhese,ose në kat. Ajo ka përmasa më të vogla se ajo në Dukagjin.Kjo për arësye se,edhe jeta familjare,në këto dy krahina ndryshon. Në Kosovë,numri i pjestarëve të familjes zakonisht është më i vogël,ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit ende ekziston një numër i madh familjesh patriarkore me nga 20 e deri në 50 pjesëtarë. Materiali ndërtimor në Fushën e Kosovës zakonisht është qerpiçi,ose tulla,por kjo më rrallë. Guri përdoret fare pak për këtë qellim,sepse malet janë larg nga fshatërat e kësaj fushe. Veshja është një element etnografik i cili,pas luftës së dytë botërore ka ndryshuar shumë edhe në fshatërat e Kosovës në përgjithësi,sidomos ajo e burrave. Deri vonë,veshja ka qenë shenjë e sigurtë që tregonte krahinën etnografike të bartësit të saj. Tani,ajo ka humbur gati kudo këtë domethënje të dikurshme. Megjithatë,veshja tradicionale e grave ruhet mjaft mirë në disa krahina,ndërsa me rastin e dasmës nusja vishet me shumë kujdes vetëm me kostumin tradicional të vendit.Gjithashtu edhe varrimi i grave,sidomos i atyre të moshuara,bëhet vetëm me veshjen kombëtare që ka karakteristikat e krahinës përkatëse. Mirëpo,në këtë rast mundë të përmendim vetëm tiparet kryesore të veshjes së përditëshme të sotme shqiptare në krahinat e ndryshme etnografike,e cila është një pjesë karakteristike e kuturës kombëtare. Në Kosovë ekziston një begati e madhe e kësaj kulture,e cila kërkon studime të posaçme,për ta ruajtur të paktën në këtë mënyrë kujtimin dhe kuptimin e saj për brezat e ardhshëm dhe për historinë e kuturës sonë popullore. Veshja e meshkujve sot në Fushë Kosovë,si edhe në krahina të tjera etnografike,është shumë e thjeshtë dhe e ngjajshme me veshjen e qytetit. Burrat veshin pantollona dhe xhaketë stofi,këmishë e të mbathura pëlhure,të pambukta,nën xhaketë kan një triko leshi,të mbaruar në fshat;gjithashtu çorapet i kan të leshta e opingat prej gome. Në kokë mbajnë plisin e bardhë të leshtë,por brezi i ri këtë e përdor shumë më pak,kështu që djemtë shkojnë pa kapuç “kryeshtruet”,ose mbajnë beretë franceze,kasketë etj. Plisi,i cili në popull quhet më tepër vetëm “kapuç” në Kosovë ka formën vezake. Ky është i vetmi element i veshjes me të cilin sot në Kosovë mundë të përcaktohet përkatësia kombëtare qysh nga pamja e parë;sepse pjesë të tjera të veshjes janë të përbashkëta me ato të kombësive të tjera. Veshja e grave ka më shumë elementë me të cilat dallohen krahinat etnografike. Mirëpo,përveç veshjes së Rrafshit të Dukagjinit,të Rugovës dhe të Hasit,të gjitha krahinat tjera pak a shumë kan veshje të ngjashme,sepse elementi kryesor janë dimitë,të cilat në kohët e fundit,po përdoren gjithnjë e më tepër kudo,në Kosovë,përveç në këto tri krahina etnografike që i përmendëm. Dimitë në fshatrat e Kosovës kan filluar të futen në përdorim nga ndikimi i qytetit,prandaj ato nuk janë element i vjetër në veshjen kombëtare. Dihet se dimitë janë përhapur në Ballkan nën ndikimin e kulturës orientale islamike edhe në qytete,ndërsa në fshatra,deri vonë nuk janë përdorur fare. Gratë veshin këmishë të bardhë ose me vija,me mëngë të ngushta,ose të gjëra,sipas moshës dhe krahinës. Përmbi këmishë kan mitanin e pambukët,ose trikën e leshit,ndërsa dimërit përmbi këtë veshin një xhaketë të shkurtër. Kur shkojnë në rrugë,përjashta fshatit të tyre,zakonisht vënë në kokë,përmbi shami,një lloj shalli të gjërë e ta gjatë me ngjyrë të zezë,i cili bije deri në brez. Këtë shpeshherë e lidhin në brez,kështu që deri diku luan rolin e ferexhesë së dikurshme. Ky element i veshjes mund të shihet zakonisht te gratë e reja,të cilat me këtë shall e mbulojnë edhe një pjesë të ballit e të fytyrës. Fusha e Kosovës,si thamë më parë,ka disa krahina të tjera etnografike,ose gjeografike,në rrethinat e saj,që janë shumë më të vogla se kjo,dhe të cilat nga aspekti etnografik janë shumë të ngjajshme me këtë. Fare në jug,në kufi me Maqedoninë,shtrihet Gryka e Kaçanikut,e njohur shume mirë sivend strategjik në historinë tonë kombëtare,ku,kosovarët treguan shumë herë heroizmin e tyre në luftë të përgjakshme e të pabarabartë kundër zaptuesve turq ( Kaçanikut i raftë pika / Shtatë sahat luftoj me thika”...) Në fillim të Grykës së Kaçanikut,aty ku bashkohen lumi Lepenc e Nerodimje,është Kaçaniku,një lokalitet me fabrikën e gëlqeres,qendër e komunës me më se 25000 banorë(nga të cilët 98% shqiptarë,sipas regjistrimit të vitit 1971) me rreth 25 fshatëra që shtrihen në shpatet e maleve të Sharrit dhe të Karadakut të Shkupit në të dy anët e grykës deri në lokalitetin Han i Elezit në jug,në dalje nga kjo grykë. Kjo krahinë etnografike në veri nuk ka një kufi të përcaktuar sa duhet,sepse në këtë anë gershetohet me fshatrat fushorë,të cilat mundë të bëjnë pjesë edhe në krahinën etnografike të Fushë Kosovës. Kaçaniku si krahinë etnografike nukdallohet nga krahinat e tjera kufitare në mënyrë të veçantë. Megjithatë,bije në sy njëfarë kompaktësie etnike e këtyre fshatrave,ku pjesa dërmuese e popullsisë janë me fis Krasniq(më se 350 shtëpi),Berishë (230) e Thaç (135),ndërsa fshatrat e Kosovës në këtë pikëpamje janë mjaft heterogjeë. Një numër fshatrash ndërmjet Kaçanikut e Ferizajt,dhe rrëzë maleve të Sharrit nga prendimi quhen me një emër të përbashkët Obicë. Siriniqi është një krahinë e vogël etnografike,në luginën e ngushtë të rrjedhjes së sipërme të Lepenicit,rrëzë maleve të Sharrit (me 15 fshatra). Poullsia është serbe e shqiptare dhe merret më tepër me blegtori. Shtëpitë e kësaj krahine janë prej druri e guri,shpesh të mbuluara me kashtë ose me dërrasë. Klima këtu është më e ashpër se në Fushën e Kosovës,prandaj dimrit veshin zhgun,të cilin e mbarojnë vetë. Fshatti më i njohur në Siriniq është Shtërpca, afër të cilit ndodhet pushimorja e njohur Brezovicë. Karadaku i Shkupit është një krahinë malore që shtrihet në lindje të Grykës së Kaçanikut deri në Preshevë,në formë vargmalesh.Edhe këtu popullsia është e përzjer,po më tëpër ka shqiptar e kroatë. Këta të fundit kan ardhur këtu gjatë mesjetës si minatorë. Fshatrat më të njohur janë Letnica,Stublla,Binça etj. Edhe kjo është një krahinë blegtorale,me pak tokë bujqësore. Në veshjen e grave zotëron këmisha e bardhë e lirit,dimitë ose pshtjellakët e leshit; dimrit veshin triko leshi dhe xhaketë të shkurtër prej zhguni ose shajaku. Kokën e lidhin me shami,ose me një marhamë të gjerë pëlhure të punuar në vend. Në fshatra të kombësisë kroate,gratë më tepër mbajnë fund stofi të leshtë,ose fund pëlhure që mbarojnë vetë. Veshja e mëshkujve nuk ka ndonjë karakteristike të posaçme,përveç te pleqtë të cilët veshin xhamadan zhguni.
Morava është një krahinë mjaft e madhe, në lindje të Fushës së Kosovës dhe në veri të Karadakut të Shkupit. Kjo është një zonë fushore kodrinore në pellgun e lunit Moravë. Gjilani është kryeqendra e kësaj zone. Në drejtim të lindjes,Morava shtrihet deri afër Bujanovcit,ndërsa në veri,kufizohet me krahinën etnografike të quajtur Gollak. Tani Morava përfshinë 3 komunë me më se 150000 banorë (prej të cilëve më se 100000 shqiptarë,50000 serbë etj.) Në këtë komunë përfshihen edhe fshatërat e Karadakut e të Gollakut,në pjesën më të madhe,Morava është krahinë pjellore,ku përveç të tjerash kultivohen disa bimë industriale,sidomos duhani,kerpi e luledielli. Në veshjen e popullsisë,pëlhura e vendit e mbaruar prej kërpit e lirit deri vonë ka zotëruar në krahasim me rrobat e blera në qytet. Në fashtrat shqiptare edhe këtu zotërojnë dimitë,ndërsa në ato serbe këmisha e bardhe dhe dy pshtjellakë,ose fundi i leshtë me rrudha (që e blejnë).
Gollaku shtrihet në veri të Moravës. Ky është një zonë kodrinore,një krahinë etnografike e vogël,por mjaft e diferencuar,më tepër nga relievi se sa nga faktorë të tjerë. Në këngët popullore,Gollaku quhet edhe Gallap (“Mbledh në Llap e Gallap”) Popullsia merret më tepër me blegtori e bujqësi,por edhe me shfrytëzimin epyjeve.
Llapi ndodhet në luginën e lumit Llap,në veri të Prishtinës,duke filluar diku rreth fshatit Besi e deri në qafën e Prepollcit në veri (ku ka qenë kufiri i vjetër turko-serb). Kryeqendra e Llapit është lokaliteti Podujevë.
Shala e Bajgores është një krahinë etnografike e përcaktuar si e tillë nga pikëpamja gjeografike. Kjo shtrihet ndërmjet Llapit e Mitrovicës,në shpatet e malit Kopanik dhe rrëzë tij. Në pikëpamje ekonomike është një zonë mjaft pasive,kështu që shumë banorë të kësaj treve punojnë në minjerën e Trepçës. Këtu janë rreth 40 fshatra kryesisht të fisit shalë. Fshatrat më të njohur janë Bajgora,Kaçanolli etj.
Koloshini është krahinë e vogël etnografike në luginën e gushtë të Ibrit,në veri të Mitrovicës. Në popull thuhet edhe Koloshini Plak.Shumica e fshatrave kan popullsi serbe,e cila ka ardhur këtu gjatë shek. XVIII e XIX nga Koloshini i Malit të Zi,pastaj nga rrethinat e Plavës e të Gusisë. Në fshatrat shqiptare,ose të përziera,ka banorë të fisit Hot,Kelmend etj. Shumë banorë të kësaj krahine janë shpërngulur në Mitrovicë (ku kan hyrë në punë),ose në Trepçë.
Drenica përfshin një teritor kodrinor ndërmjet Fushës së Kosovës, në lindje (prej Holeshit e Qiqavicës), maleve të Caralevës në jug,malit Mokna në veri dhe Rrafshit të Dukagjinit në prendim. Këtu përfshihen rreth 80 fshatra me më se 63000 banorë (prej të cilëve 61000 shqiptarë). Drenica ndahet në dy pjesë: Drenica e Epërme,në veri,që quhet dhe Drenicë e Kuqe,dhe në Drenicën e poshtme,në jug (Drenica e Pashës). Megjithëse në pikëpamje gjeografike Drenica paraqet një tërësi të caktuar dhe etnikisht është shumë homogjene,ng aspekti etnografik nuk dallohet shumë nga Fusha e Kosovës. Kushtet natyrore nuk janë të volitshme për një bujqësi të përparuar,prandaj shumë banorë nuk merren me punë bujqësore,por punojnë,kryesisht si minatorë në minjerën e thëngjillit afër Prishtinës ose në Trepçë,në minjerën e plumbit e të zinkut. Veshja në Drenicë,është e ngjajshme me atë të fshatrave të Kosovës,por me disa nuanca lokale. Në disa fshatra arkitektura popullore ka shumë elemente të përbashkëta me atë të Rrafshit të Dukagjinit,sidomos përsa i përket shtëpisë së tipit kullë. Në Drenicë ka shumë fise,por më të përhapura janë fisetBerishë,Gash,Shalë,Krasniqe, Thaç etj.
Prekorupa shtrihet në një zonë kodrinore,në anën e majtë të Drinit të Bardhë,duke filluar nga lokaliteti Klinë,kufizohet me Drenicën,nga veriu dhe lindja,dhe me Podrimën në jug. Lugina e lumit Mirushë është pjesa fushore e Prkorupës. Kjo është një krahinë e vogel etnografike, e cila mban karakteristikat kryesore të Drenicës,si nga aspekti ekonomik,ashtu edhe nga
ai etnografik.
Caraleva, nga pozita gjeografike,është e ngjajshme me Kaçanikun sepse,edhe fshatrat e kësaj krahine të vogël etnografike,shtrihen gjatë Grykës së Caralevës dhe në shpatet e këtyre maleve. Edhe gryka e Caralevës ka hyrë në historinë tonë kombëtare dhe në poezinë popullore,si ajo e Kaçanikut,për heroizmin e masave të gjera të popullit kundër hordhive turke. Këto fshatra janë mjaft pasive,sepse në këtë grykë te ngushtë nuk ka tokë pjellore,kështu që popullsia merret më tepër me blegtori,dhe me shitjen e drurit. Shumë nga banorët janë shpërngulur në vis të tjera më pjellore,kan gjetur punë në qytete të vendit ose në botën e jashtme. Disa fshatra merren edhe me prodhimin e gëlqeres ose të qymyrit të drurit. Caraleva,si tërësi gjeografike dhe etnografike,shtrihet në luginën e ngushtë të lumit që mban po këtë emër,prej Qafës së Dulës në prendim e deri afër lokalitetit Shtimje në lindje,prej ku fillon Fusha e Kosovës.
Rrafshi i Dukagjinit,si e cekëm më parë,është një krahinë e madhe etnografike,e cila përfshinë disa krahina të tjera të vogla brenda saj. Rrafshi i Dukagjinit kufizohet me malet e larta të Bjeshkëve të Nemuna,në veri me malin Mokna,në jugprendim me Pashtrikun e Koritnikun,në jug me malet e Sharrit,ndërsa në lindje me Caralevën,Prekorupën e Drenicën. Kushtet natyrore në Rrafshin e Dukagjinit janë jashtëzakonisht të volitshme për aktivitetein ekonomik të njeriut. Rreth e përqark ngrihen male të larta me pyje e kullota të mira,ndërsa brenda këtij rrethi shtrihet fusha pjellore me shumë lumenj që shfrytëzohen për ujitje. Kultivohen misëri,gruri,panxharsheqeri e luledielli, ndërsa pemët dhe vreshtat e kësaj krahine janë në zë prej kohësh. Nga aspekti etnografik kjo krahinë është më interesante se çdo zonë tjetër përgjithësisht në Kosovë. Arkitektura popullore dallohet me shtëpi të mëdha prej tullash,guri,në disa fshatra edhe prej qerpiçi. Këtu bije në sy kulla e bukur e Dukagjinit e përhapur kudo në këtë krahinë,por sidomos në rrethinat e Pejës e të Gjakovës. Ky tip kulle shqiptare ka luajtur rol pozitiv në përleshjet e shumta të shqiptarëve me ushtritë turke,siç e dëshmon edhe poezia popullore e kësaj ane (“I kam kullat midis Juniku/ Kan temelin prej çeliku”)... Veshja e grave të Rrafshit të Dukagjinit dallohet nga ajo e viseve të tjera të Kosovës. Këmisha e bardhe ose me vija ngjyrë tulle zakonisht është prodhim i fshatit. Ajo mbërrin deri nën gju. Këmbëzat e të mbathurave janë prej një lloj pëlhure të trashë të leshtë. Në vend të këtyre mund të jenë çorapet e leshta,të trasha deri përmbi gju. Gratë veshin pshtjellak të qendisur anash me mjeshtëri.Përpara, lidhet pështjellaku i gjatë deri në gju,ndërsa mbrapa shumë më i vogël. Përmbi këmishë veshin triko,ose (me parë) jelek e mitan. Në kokë mbajnë “lidhce e marhamë”,ndërsa opingat i kan prej gome ( më parë i mbaronin vetë prej lekurës së lopës). Në Rrafshin e Dukagjinit ende jeton familja e madhe patriarkore,prandaj pranë kullës,zakonisht ndodhet shtëpia e gjatë me shumë kthina. Në këtë trevë ekziston një përzjerje e madhe fisesh. Qendrat më të njohura në Dukagjin janë Peja,Gjakova e Prizreni,pastaj Rahoveci,Deçani,Juniku dhe Suhareka në pikën më jugore të kësaj krahine të gjerë. Në pjesën fushore të Rrafshit të Dukagjinit dallohen disa tërësi të vogla etnogjeografike,të cilat kan të përbashkëta të gjitha elementët e jetës shpirtërore e të kulturës materiale,me ndonjë nuancë të vogël në zakonet e vendit,në arkitekturën popullore,ose në shqiptimin e ndonjë fjale. Këtu po përcaktojmë shkurtimisht kufijtë e këtyre krahinave të vogla fushore.
Lugu i Drinit fillon prej fshatit Ozdrim,afër Llixhës së Pejës,nga të dy anët e Drinit të Bardhë,deri në lokalitetin Klinë në lindje.
Lugu i Leshanit shtrihet në luginën e Bistricës së Pejës,duke filluar nga fshati Zahaq në prendim e deri në derdhjen e saj ne Drin në lindje. Në pjesën qëndrore ndodhet fshati Leshan.
Lugu i Baranit shtrihet gjatë Bistricës së Deçanit prej fashatit Lumabardh në prendim deri në derdhjen e Bistricës në Dri afër fshatit Kpuz në lindje. Emrin e ka marr sipas fshatit Baran.
Dushkaja është një krahinë etnografike kodrinore nepërmjet Lugut të Baranit në veri,Drinit të Bardhë në lindje,fshatrave Bec,Janosh e Palabardh në jug dhe Razniq e Ratishë në prendim. Mes këtyre kodrave të mbuluara me pyje të vogla (me dushk),ngihet Suka e Cermanit afër fshatit Bec.
Reka fillon nga Bistrica e Deçanit dhe fshati Deçan,përfshinë fshatrat rrëzë Bjeshkëve të Nemuna e kufirit shtetëror deri në Gjakovë – Deçan. Me fjalë të thera,Reka përfshin një numër të madh fshatrash që ndodhen nepërmjet Deçanit,Isniqit e Bjeshkëve të Nemuna në prendim dhe Gjakovës në lindje,ndërmjet Dushkajës në vri e kufirit në jug. Brenda kësaj krahine dallohen disa zona më të vogla: Reka e Mirë,Reka e Dushkajës,Vokshi etj.
Podrimja është në tërësi etnografike mjaft e gjerë në pellgun e Prizrenit,që shtrihet prej Urës së Fshajt mbi Dri në prendim,gjatë anës së majtë të Drinit deri në fshatin Landovicë afër prizrenit,pastaj anës së majtë të rrugës Prizren – Prishtinë deri në lokalitetin Suharekë,ndërsa nga veriu kufizohet me Drenicën e Prekorupën. Kryeqendra e Podrimes është Rahoveci. Është një nga zonat e njohura për vreshtari,me të cilën merret një pjesë e mirë e popullsisë. Në kostumin popullor të Podrimes,shamia e kuqe është një element me të cilin ajo zonë dallohet nga viset tjera. Atë e përdorin meshkujt e gratë,qoftë rreth brezit,qoftë në kokë. Rrafshi i Dukagjinit ka rreth e përqark disa krahina malore etnografike,siç janë Peja,Rugova,Hasi,Gora,Opoja dhe Podguri i prizrenit.
Podguri i Pejës shtrihet në veri të Rrafshit të Dukagjinit,rrëzë Zhlebit e Moknës,prej burimit të Drinit të Bardhë afër fshatit Radavec në prendim deri në fshatin Rudnik në lindje,ndërsa nga jugu kufizohet me lugun e Drinit.
Rugova është një krahinë e vogël në Grykën e Rugovës,në Bjeshkët e Nemuna,në prendim të Pejës,me 13 fshatra e me më se 400 shtëpi (reth 3500 banorë,të gjithë të fisit kelmend). Rugova dallohet nga krahinat e tjera nga aspekti etnografik,në çdo pikëpamje – në mënyrën e jetesës të cilën e imponon natyra e ashpër e Bjeshkëve të Nemuna,me organizimin fisnor,me kostumet popullore,ku vend të posaçëm zë shalli karakteristik i rugovasve,prej pëlhure të hollë,i cili është shumë i gjatë e lidhet rreth kokës dhe nën mjekër. Rugovasit kanedhe në të folur disa karakteristika të veçanta,si p.sh. përdorimin e diftogut ua në vend të ue, që përdoret në viset të tjera të Kosovës. Rugovasit jetojnë në një zonë strategjike,e cola në të kaluarën është shfrytëzuar shpesh herë për luftë vetmbrojtëse siç shihet edhe nga poezia e tyre e pasur popullore ( “Thuajmi krajlit ma sheh sherrin-/ ta thej postën ta kputi telin/ Ta thej rrugën,ta vras asqerin”...) Nga kushtet e vështira ekonomike etj.,popullsia e Rugovës në kohët e fundit gradualisht po shpërngulet në Rrafshin e Dukagjinit.
Hasi shtrihet në viset kodrinore rrëzë Pashtrikut,në anën e djathtë të Drinit,prej Gjakove deri në kufirin shtetëror te fshati Gorozhup. Ky është një vend shkëmbor, prandaj shumë hasjanë janë shpërngulur në Podrime e vise të tjera,ose merren me zejtari nepër qytete; kryesisht ata janë bukëpjekës,të shpërndarë në shumë qytete të Kosovës dhe përjashta saj. Në veshjen e vendit bije në sy rrethi të cilin gratë e mbajnë në bel,e përmbi të veshin këmishë e pshtjellakë,kështu që duken në bel tepër të gjera. Hasi ka rerth 40 fshatra thjeshtë shqiptare.
Gora është krahinë malore në shpatet e Koritnikut përmbi prizren me nja 20 fshatra,me popullsi më tepër sllave e më pak shqiptare. Popullsia merret kryesisht me blegtori,ose shkon në mergim. Goranet janë të njohur si ëmbëltorë,ashtu siç janë të njohur hasjanët si bukëpjekës.
Opoja shtrihet gjithashtu në viset malore rrëzë Koritnikut e maleve të Sharrit. Kjo është një pllajë ndërmjet Gorës e Prizrenit me rreth 20 fshatra (të gjitha shqiptare), të cilat ndodhen në një lartësi mesatare mbidetare prej 1170 metra. Edhe këtu blegëtoria ka rëndësi të dorës së parë në ekonominë e këtyre fshatrave mjaft pasiv,të cilat vazhdimisht drejtohen në nëgim në zonat fushore,ose në qytete të ndryshme. Opojasit janë të njohur në mbarë vendin si ëmbëltorë dhe gjellbërës të mirë.
Srecka është një tërësi e vogël etnografike në luginën e ngushtë të rrjedhës së sipërme të Bistricës së Prizrenit,rrëzë maleve ta Sharrit e na shpatet e tyre,me popullsi serbe e shqiptare. Edhe nga kjo krahinë njerëzit vazhdimisht emigrojnë në vende të tjera ku merren kryesisht me ndërtim.
Podguri i Prizrenit përfshin rreth 25 fshatra prej fushës së Prizrenit deri në Qafë të Dulës në anën e djathtë të rrugës automobilistike Prizren – Prishtinë rrëzë maleve ta Sharrit. Edhe këtu shumë fshatra kan popullsi të përzjer. Kështu që 70% e popullsisë është shqiptare e 23% serbe. Shumica e popusllsisë janë të fiseve Berishë,Gash,Krasniqe,pastaj ka Bytyç,Elshan, Kastrat,Morinë,Mazrek etj. Që të gjitha këto krahina malore kan disa elemente të përbashkëta në kulturën materiale e shpirtërore. Kështu p.sh. në veshjen e tyre gjithmonë është i pranishëm zhguni; shtëpitë i ndërtojnë prej guri e druri, ndërsa në folklorin e tyre të pasur ka shumë këngë baritore,këngë kurbeti etj. Ndarja e Kosovës në krahina etnografike,si e vumë në dukje qysh në fillim, kërkon një punë sistematike e komplekse. Me këtë rast dham vetëm konturet globale të këtyre krahinave,bëmë vetëm hapin e parë në këtë punë e cila,në të ardhmen,duhet të japë një pasqyrë më të plotë e më të qartë etnografike të Kosovës.
Burimi: Akademik Mark Krasniqi,Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike,Tiranë1977