Sipas një grupi të OJQ-ve në përkrahje të disa analistëve të “Kohës ditore” është paraparë që në muajin mars e prill të organizohen protesta e demonstrata në rrugë për rrëzimin e Qeverisë e të Presidencës së Kosovës.
Liderë të më shumë se 30 OJQ-ve në Kosovë, të prira nga OJQ Klubi për Politikë të Jashtme, gazetarë të tubuar kryesisht rreth “Kohës ditore’ siç janë Flaka Surroi, Halil Matoshi, Enver Robeli e Arbana Xharra, kanë hartuar një plan strategjik duke demonstruar në rrugë dhe duke propaganduar përmes konferencave për shtyp apo përmes komenteve të botuara kryesisht në “Kohën ditore” me të vetmin qëllim rrëzimin e qeverisë së Kosovës dhe të presidentit Behgjet Pacolli.
Këto OJQ në dokumentin e tyre strategjik si arsye për një revoltë të tillë kanë marrë “...shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe kushtetutën e vendit”. Këta OJQ-istë në fillim të “letërqarkores” së tyre të shpërndarë fillimisht vetëm në emailat e rrjetit të tyre të ngushtë ndër të tjerash kanë shkruar: “Me datë 22 shkurt 2011 Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka zgjedhur Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Procesi i zgjedhjes së Presidentit është shoqëruar me parregullsi të cilat dëmtojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në anën tjetër, përbërja e qeverisë së re, të votuar në të njëjtën seancë, nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve të Kosovës për qeveri me duar të pastra dhe kompetente për të implementuar agjendën e shtetndërtimit në raport me sfidat që e presin shtetin e ri. Shqetësim tjetër mjaft serioz i këtyre ngjarjeve është edhe ndërhyrja direkte e faktorit ndërkombëtar në përzgjedhjen e bartësve të institucioneve shtetërore, duke e tejkaluar çdo normë të pranueshme diplomatike.”
“Periudha e implementimit” apo koha kur do të shfaqej kjo pakënaqësi është paraparë muaji mars dhe që do të intensifikohej në muajin prill të këtij viti.
OJQ-istët “puçistë” kanë përcaktuar edhe veprimet e tyre që nënkuptojnë: “Protesta ditore, Shkrime në gazeta, Deklarata të përbashkëta publike, Konferenca për Media, Dekonstruktim i ngjarjeve, Takime mobilizuese me OJQ-të nëpër komuna tjera, Takime mobilizuese me Sindikatat e punës, Takime mobilizuese me studentët, Performansa artistike, Debate televizive, Grupi në Facebook, Posterët dhe flyerët, Protesta e madhe, ....
Por duket se ky komplot “puçist” i OJQ-istëve të Kosovës të përkrahur nga analistë të “Kohës ditore” më në fund ka dështuar për faktin se ata nuk kanë arritur të tubojnë rreth vetes jo më shumë se dhjetëra veta. Prandaj duke e parë fuqinë e vogël të tyre dhe numrin e vogël të ithtarëve që do të demonstronin në rrugë, ky komplot i “puçistëve” OJQ-istë ka dështuar dhe ka mbetur vetëm një plan i vdekur në letër.
Shoqëria civile ka vite që në Kosovë ka qenë pjesë e komploteve të tilla kundër institucioneve të shtetit të Kosovës. Kjo shtresë e shoqërisë është financuar dhe vazhdon të financohet nga fonde të dyshimta jashtë shtetit të Kosovës ndërsa ata “furnizojnë” qendra të ndryshme informative me lajme të “kronikës së zezë’ në Kosovë me të vetmin qëllim që për shtetin e Kosovës të japin një pasqyrë edhe më të errët sesa e paraqet Serbia.
Deri më tash nuk është bërë e ditur për ndonjë iniciativë hetimore ndaj këtyre “puçistëve” të tubuar rreth OJQ-së Klubi për Politikë të jashtme që drejtohet nga Veton Surroi.
---------------------------
FUSHATË E SHOQËRISË CIVILE PËR INTEGRITET TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
Plani i veprimit
Arsyetim
Me datë 22 shkurt 2011 Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka zgjedhur Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Procesi i zgjedhjes së Presidentit është shoqëruar me parregullsi të cilat dëmtojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në anën tjetër, përbërja e qeverisë së re, të votuar në të njëjtën seancë, nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve të Kosovës për qeveri me duar të pastra dhe kompetente për të implementuar agjendën e shtet ndërtimit në raport me sfidat që e presin shtetin e ri. Shqetësim tjetër mjaft serioz i këtyre ngjarjeve është edhe ndërhyrja direkt e faktorit ndërkombëtar në përzgjedhjen e bartësve të institucioneve shtetërore, duke e tejkaluar çdo normë të pranueshme diplomatike.
Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile, të tubuara rreth fushatës për integritetin e institucioneve, e kanë vlerësuar si të domosdoshëm shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe kushtetutën e vendit. Veprimet të cilat do të ndërmerren në kuadër të kësaj fushate synojnë korrigjimin e këtyre parregullsive dhe nuk do të ndalen derisa të sigurohen standardet e nevojshme të respektimit të vullnetit qytetar, ligjshmërisë (kushtetutshmërinë) nëpër institucione dhe funksionimit demokratik të shtetit të Kosovës.
Organizatat e involvuara
Organizatat e shoqërisë civile që do të implementojnë fushatën për institucione demokratike dhe legjitime janë:
Periudha e implementimit
Faza e parë e fushatës do të implementohet gjatë muajit mars 2011. Në javën e fundit të marsit, organizatat e fushatës, bazuar në (mos)veprimin e institucioneve shtetërore, do të përgatisin fazën e dytë të fushatës, e cila do të fillojë në javën e parë të prillit. Plani i detajuar i aktiviteteve për fazën e parë të fushatës gjendet në fund të dokumentit.
Veprimet
Gjatë fushatës, organizatat e involvuara do të ndërmarrin veprimet e mëposhtme, por nuk do të kufizohen vetëm me to: Protesta ditore, Shkrime në gazeta, Deklarata të përbashkëta publike, Konferenca për Media, Dekonstruktim i ngjarjeve, Takime mobilizuese me OJQ-të nëpër komuna tjera, Takime mobilizuese me Sindikatat e punës, Takime mobilizuese me studentët, Performansa artistike, Debate televizive, Grupi në Facebook, Posterët dhe flyerët, Protesta e madhe,...