2011-03-15

Del libri “Shtetformimi i Kosovës”


Libri paraqet një hulumtim shkencor dhe publicistik për fillet e shtetformimit të Kosovës që nga viti 1968, si në aspektin institucional po ashtu edhe në atë ilegal. Aty përfshihet roli i Universitetit të Prishtinës dhe të shqiptarëve jashtë Kosovës.
Historia e Kosovës nga periudha e sundimit serb e deri te shpallja e pavarësisë ka qenë dhe do të mbetet për një kohë shumë të gjatë në objektin e studimeve, hulumtimeve shkencore dhe botimeve nga këndvështrime të ndryshme dhe në forma e zhanre nga më të larmishmet. Në këtë drejtim, të shtunën në Muzeun Historik të qytetit të Kërçovës do të bëhet promovimi i librit të parë gazetarit dhe publicistit, Qani Mehmedi.



Për librin do të flasin prof.dr. Lisen Bashkurti, prof.dr.Bashkim Rama, mr.Rexhep Hoti dhe prof.Alajdin Demiri. “Qani Mehmedi është dëshmitar aktiv, bartës e përcjellës, veprues e meditues, ndikues dhe i ndikuar nga çdo ditë e historisë së Kosovës. Autori gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës: institucionalizim dhe ilegalizimin. Të dy këto dimensione autori i sheh dhe i analizon si pjesë e një procesi , si dy faqe të një letre, si dy anë të një medalje, si burim i njëra-tjetrës…”, thotë redaktori i librit, prof.dr. Lisen Bashkurti, transmeton Koha e Re.
Sipas tij, derisa shkenca dhe politika dëshirojnë t’i ndajnë institucionalizmin dhe ilegalizmin , Mehmedi përpiqet dhe madje arrin me sukses t’i ndërthurë si një pjesë e tërë. “Institucionalizmi nuk mund të ekzistonte i sigurt dhe i suksesshëm në kushtet e gjenocidit dhe obskurantizmit. Sikundër ilegalizmi nuk kishte kuptim në rrethanat e hapjes dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Autori Qani Mehmedi bën të parën tentativë dhe unë mendoj të suksesshme për të analizuar ato lidhje kauzale midis institucionalizmit dhe ilegalizmit në Kosovë. Ai rrëzon me argumente çdo mur të ngritur subjektivisht midis këtyre dy komponentëve të lëvizjes çlirimtare në Kosovë”, thotë Bashkurti. Ndryshe, libri paraqet një hulumtim shkencor dhe publicistik për fillet e shtetformimit të Kosovës që nga viti 1968, si në aspektin institucional poashtu edhe në atë ilegal. Aty përfshihet roli i Universitetit të Prishtinës dhe të shqiptarëve jashtë Kosovës

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...