U kapën dhe u hodhën para popullit, në sy bote, ata që patën dëshmuar edhe në vitin 1999, kur në faqe të gazetës famoze “Koha ditore” i fyente çlirimtarët, i quanin gorilla, hajna, kriminelë, piromanë që kallnin shtëpitë e popullit shqiptar! Ky puç ogurzi, kobzi, faqezi, s’ka si të mos jetë një thikë pas shpine të votës së lirë të popullit, pas qafës së popullit, thikë ngulur në mishin e lirisë, pavarësisë, në shpinën e shtetit të pavarur të popullit të Kosovës. Kush ishin këta dinozaurë? Ishin ujdistët e përbetuar e të dështuar, të harruar e të anashkaluar nga vota e lirë e popullit
Riza GREIÇEVCI
Thika drashkoviqiane pas shpinës së shtetit dhe votës së lirë të popullit të Kosovës!
U kapën, siç thotë populli, me pelë për dore!
U kapën me dokumente e plane famoze koshtuniciane, shesheljane…U kapën tek mbanin në duar thika, hekur, tabute, qefin, lopata për varre të popullit. U kapën për fyti turpshëm me projekte e plane për rebelim, sic! U kapën jo për të demokratizuar, ndihmuar, ndërtuar, o duke dhënë ide e konspekte projektesh për përparimin e shtetit të Kosovës, por u kapën siç kapen hajnat, u kapën siç kapen për fyti spiunët, argatët e djallit. U kapën dhe u hodhën para popullit, në sy bote, ata që patën dëshmuar edhe në vitin 1999, kur në faqe të gazetës famoze "Koha ditore" i fyente çlirimtarët, i quanin gorilla, hajna, kriminelë, piromanë që kallnin shtëpitë e popullit shqiptar! Ky puq ogurzi, kobzi, faqezi, s'ka si të mos jetë një thikë pas shpine të votës së lirë të popullit, pas qafës së popullit, thikë ngulur në mishin e lirisë, pavarësisë, në shpinën e shtetit të pavarur të popullit të Kosovës. Kush ishin këta dinozaurë? Ishin ujdistët e përbetuar e të dështuar, të harruar e të anashkaluar nga vota e lirë e popullit, të dënuar e të shtruar për tokë hundë e buzë jo nga PDK-ja e Hashim Thaçit, as nga populli i Drenicës, ndaj të cilit aq shumë kohë vollën vrer e shpifje e poshtërime, në krye me komandantin e LNÇ-së, me partizanin e 'druzhe' Titos, Fadil Hoxha, i cili komandantin e dymbëdhjetë batalioneve e quajti: bashkëpunëtor të okupatorit! Janë këta puçistët e Sulltanisë së Veton Surroit, që falimentuan turpshëm nga vota e lirë e popullit, prandaj edhe kësaj radhe gabuan, dështuan përfundimisht, u marruan, u poshtëruan para popullit dhe para botës demokratike, u marruan para Amerikës dhe Evropës, duke u përpjekur që edhe kësaj radhe të hedhin një gur mbi kalanë pushtuese të Serbisë midis Kosovës së lirë, t'ia ngulin thikën pas shpine popullit, t'i hedhin hi syve, ta mashtrojnë. Po merret vesh, kallauz ky rebelim nuk do tjetër, pos faktit që ujdistët, titistët, nostalgjikët jugosllavë, mbetur me gishta në gojë, të anatemuar, të ndëshkuar nga vota e lirë e popullit, thikat e shembjes së Qeverisë, rrënimit të shtetit të pavarur të Kosovës, pështjellimit të situatës politike, ekonomike e ndërkombëtare, nuk i rrokën aq për të treguar trimëri, dije, demokraci, por thikat i mprehën për qafën e Qeverisë e të shtetit me kërkesën e miqve, kumarëve dhe jaranëve serbo-çetnikë, për hatrin e tyre, dëshirën e tyre, për interesin e tyre, për hatër të Serbisë.
Zhgani i puçistëve të Sulltanatit të Surroit, si Dik Marti!
Puçistët ujdistë, të njohur tashmë për opinionin mbarëshqiptar, të njohur mirë nga KFOR-i, NATO-ja, nga EULEX-i, Amerika, sidomos të njohur janë dërdimenët puçistë, të mbetur pasdore, të zhgënjyer e të thyer shpirtërisht, në tru
mbështjellë me skizofreni e nevrasteni të pashërueshme, janë të njohur mirë nga populli i Kosovës: Flaka Surroi, defatore me dofarë kolumnesh bajate e të stisura me shminka nga Beogradi (motra), Ylli Hoxha, Salep Sulltani, gjashtë herë në ditë falet nga kryezoti baba Veton Surroi, Hajrulla Çeku, hulumtues i thikave për rrëzimin, përdhosjen, kasapimin nëpër rrugë si në Sheshin e Kinës të turmave të popullit, po merret vesh, me plane e programe serbo-kratike, për favore të babasë, muhaxhidin Veton Surroi, i njohur për poshtërimin e votës së lirë të popullit të Kosovës, pastaj Halil Matoshi, argat me rrah tupanin e "Kohës ditore" kundër UÇK-së, kundër dëshmorëve të kombit, kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, për një pagë mujore, kryeredaktori i gazetës bastile "Koha ditore" (s'po mundem t'ia përmend as emrin, dihet pse…!) shpresuan se sot qenkësh rasti për rebelim, për shembje të votës së lirë të popullit, për tym e për zjarr. Zot ruana, kushedi, mund të ishte derdhur edhe gjaku, sot kur vetëm sa kanë filluar dialogët e shtetit të Kosovës me shtetin fqinj, Serbinë, sot kur ka pllakosur një krizë ekonomike e sociale me përmasa evropiane, botërore, sot kur po rëndon padrejtësisht një zhgan evropian, në krye me Dik Martin kundër nderit dhe lavdisë së popullit, kundër sakrificës dhe gjakut të derdhur, kundër UÇK-së dhe dëshmorëve të kombit, gjaku i të cilëve solli lirinë, Pavarësinë, shtetin. Sulltania e Veton Surrroit ka do vite që është promovuar si bastion i shqiptarizmit, i Qeverisë Thaçi, i Drenicës, i UÇK-së, bash sikur Dik Marti, si KPJ-ja mafioze surroiane. Mbase s'e habiti askë pse ujdistët nostalgjikë të serbosllavizmit si mjet për të keqen më të madhe për popullin e Kosovës, për Qeverinë dhe për shtetin e tij, për demokracinë dhe për ardhmërinë e tij, kanë zgjedhur thikën drashkoviqiane në mishin e jetën e popullit, të shtetit, të Qeverisë, të votës së lirë, sepse, ujdistët, edhe cërri i pulës e di, gjithë kanë punuar e vepruar në të keqen e popullit të tyre, të shtetit dhe të identitetit të popullit, kundër UÇK-së me plane e programe të ziera në kuzhinat me gjellë helmuese të Beogradit. Ujdistët e "Kohës ditore", dhe tash të KPJ-së surrojane, gjithmonë në duar kishin thikën drashkoviqiane, planet e programet për kob, rebelim, për poshtërim dhe shembje të gjithçkajës që arriti populli i Kosovës me UÇK-në, me sakrificën dhe me gjakun e bijve e të bijave të veta. Puçistët ujdistë surrojanë ishin dhe janë të njohur për gjykimin dhe mendimin se shteti i Kosovës nuk ka jetë, se pavarësia e Kosovës është e njëanshme, se Kushtetuta e Kosovës është surrogat dhe kështu Sulltania e Surroit afirmohet si maja e Himalajeve nga thirret populli, simpatizantët e tyre, për të shembur e rrëzuar e shkelur nëpër nderin e votën dhe legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.
Puçistët surrojanë parashikojnë përgjakjen vëllavrasëse dhe luftën qytetare në Kosovë?!
Gjithë ato plane e programe famoze, gjakatare, qëllimkëqija, rebeluese, ndjekëqija, ogurzeza për rebelim dhe destabilizim të jetës në Kosovë a nuk janë fakte dhe argumente të bollshme, ku shihet qartë, edhe nga Marsi, se ky zhgan famoz i KPJ-së së ujdistëve nostalgjikë jugosllavo-rusë ishte dhe është nën llupën dhe përkujdesjen strikte të njeriut, për të cilin flitet, e besa ndoshta janë gjallë e flasin edhe faktet se ai, Surroi, ishte dhe është dorë e zgjatur, sejmen, kallauz, furnizues i Dik Martit dhe i Beogradit, për të paqena e të palara, për shpifje e për iftire ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj, ishte si një këshilltar i Dik Marftit, sic! Jemi gjallë, ka ardhur koha, shpejt do të dëshmohet e vërteta, flej dathë, o Veton Surroi! Mirëpo, nuk është këtu fjala vetëm e do programeve e planeve për veprim rebelues, por puçistët surrojanë kanë synime të kulluara, të bazuara, të dëshmuara, që shihen e kuptohen qartë, edhe nga zogu i pulës, se ata, në emër të rebelimit, në të vërtetë, duhej të bënin thirrje për luftë qytetare, për përgjakjen e Kosovës me gjakun e popullit! Ky ishte dhe është qëllimi i KPJ-së së Veton Surroit! Është iluzore që këtë përgatitje për një luftë qytetare në Kosovë të mos e kane kuptuar ndërkombëtarët, të mos i kenë para vetes Amerika, Brukseli, Beogradi, KFOR-i, NATO-ja, KS-ja, OKB-ja, gjithë ato plane e programe të KPJ-së së Veton Surroit, që bëjnë përpjekje e thirrje sa për rebelim, sa për një luftë vëllavrasëse, qytetare, ruana Zot! Këta na qenkan demokratët e Veton Surroit? Këta e duakan popullin e tyre, ia duakan të mirën shtetit dhe lirisë së Kosovës? Kështu u nderuaka populli i Kosovës? Po ky baba i Sulltanatit "demokrat",Veton Surroi,
Zot shtëpie i një dinozauri me ermin KPJ, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri tash, nuk ka lënë qoshe as skutë të errët e të ndotur nëpër Evropë dhe botë pa trumbetuar rrenën dhe dyfytyrësinë, se Kosova s'është e lirë ashtu siç thuhet! Kosova nuk ka shtet të sigurt, stabil! Kosova njëanshëm ka shpallë indipendencën, dhe kjo pavarësi nuk do të rezultojë me qëndrueshmëri, pra do të shuhet dhe rrënohet shteti i pavarur i Kosovës!
Përpjekje për hakmarrje ndaj popullit që e bekoi në male UÇK-në dhe me votën e lirë e shembi "Orën"!
Prandaj, ky zhgan i çakërdisur, ndjellakeq, antikombëtar, dashakeq, zhgan që ndihmon kasapin, kobtar, i dështuar, i falimentuar nga vota e lirë e popullit, sot, kur Kosova është shtet i pavarur, sot kur Kosova është e lirë, sot kur brenda saj ndodhen KFOR-i (NATO), EULEX-i dhe shumë miq të tjerë ndërkombëtarë, sot kur shtetin e Kosovës e kanë njohur 76 shtete të botës, njëfarë KPJ, me Veton Surroin në krye, përpiqet të shembë Qeverinë, shtetin, presidencën, përpiqet të shembë dhe të përdhosë, të vrasë votën e lirë të popullit, me të cilat ka dalë udhëheqja e institucioneve të sotme të Kosovës. Puçistët sikur duan të hakmerren ndaj popullit të vet, pse ai me votën e lirë e paska shembur partinë e tyre hibride "Ora"? Ndoshta dikush mendon se ky zhgan i çoroditur dhe pa moral e dinjitet kombëtar po përpiqet vetëm ta marrë pushtetin, por ne do të thoshim, por jo vetëm ne, kështu kanë mendimin KFOR-i, EULEX-i, Amerika, Evropa, kjo hajkë kobtare, rebeluese, para vetes i ka edhe dy qëllime të tjera bosht: Për t'iu hakmarrë popullit për ndëshkimin që ua bëri me votën e lirë dhe, tjetra: Për ta derdhur gjakun e popullit të Kosovës nëpër rrugë, sheshe, qoshe, me u hapë varre të reja gjithandej Kosovës, yrnek i do fqinjëve tanë dhe, pastaj, në institucione të Qeverisë e të shtetit të Kosovës të hyjë Sulltania e Veton Surroit, karshillëk për t'i bërë Sulltania serbiane e Koshtunicës!
Populli i Kosovës kurrë s'do të dalë në rrugë për ta derdhur gjakun…!
Dëgjoni fjalën (përgjigjen) e popullit të Kosovës për Ju, o ujdistë, ju që hartoni plane e programe për rebelim, shembje të institucioneve legale të Kosovës, Ju që fyeni dhe hakmerreni ndaj popullit që ju ndëshkoi me kamxhikun e votës së lirë; ju që bëni përpjekje për t'i përgjakur rrugët e shtetit të Kosovës; ju që ishit dhe jeni jaranë, nostalgjikë dhe ndihmtarë të djallit të zi: Larg syve të popullit! Ju djaj helmues të gjakut të dëshmorëve! Ju helmues të lirisë e të Pavarësisë së Kosovës! Larg fëmijëve, shkollës, çantave shkollore! Larg udhës nëpër të cilën po ecën shteti dhe liria e Kosovës! Larg Qeverisë dhe institucioneve, sepse janë tonat, janë të gjakut e të luftës çlirimtare, të sakrificës dhe të dëshmorëve të kombit! Larg duart nga populli, për të cilin keni mprehur thikat për ta mashtruar që të dalë në rrugë për ta derdhur gjakun nga damarët! Populli e derdhi gjakun për liri, por s'e derdhi as s'do ta derdhë gjakun kurrë nëpër rrugë, në luftë me vëllanë, në luftë qytetare me Qeverinë, me shtetin! Mbylleni atë gojë me aromë qelbësire, më kot bëni thirrje, e shqyeni gurmazin, kot e keni, populli nuk del në rrugë për të derdhur gjakun, as për të shembur Qeverinë dhe shtetin që i ngriti me votën e lirë! Ne nuk pështyjmë votën, gjakun, lirinë, as bijtë tanë çlirimtarë, shtetarë, qeveritarë, as institucionet tona shtetërore! Larg nesh, o kobzi, ne nuk duam rebelim! Nuk duam thika në mishin e vëllait! Nuk duam urrejtje! Nuk duam pushtet! Nuk duam gjakderdhje! Nuk duam hakmarrje! Nuk duam vëllavrasje! Heshtni në atë birucën e turpit, ku jeni strukur, se populli s'ka punë me ju, s'ju njeh as s'ju dëgjon për jetë të jetës! Kot e keni, ju, kot e ka Serbia, aleatët e saj, djalli dhe i biri i djallit: Populli i Kosovës nuk ngre dorë mbi Qeverinë, shtetin dhe institucionet e veta! Populli i Kosovës kurrë s'ka ngritur as s'do të ngrejë dorë mbi qafën e jetën e bijve e të bijave të veta! Larg duart nga populli, gjarpërinj të gjakut! Larg…larg nesh! Thyejeni qafën tek bren miza hekur!