Alda Merini, mbretëresha e poezisë moderne italiane, e ndarë nga kjo botë pak muaj më parë. E vetmja herë kur mendimin e saj e shpreh me anë të prozës, duke iu larguar për pak çaste dashurisë së jetës, poezisë.
Qenë çaste kur Alda Merini më në fund mund të prekte lulet që u kish shijuar bukurinë veç pas hekurave të një dhome spitali. “Në atë moment nuk do mundja të shkruaja asgjë përsa i përket luleve, pasi unë vetë isha bërë lule me kërcell e embrion”. Dhjetë vjet të kaluara në çmendinë, veshur kokë e këmbë me poezinë e mendimit të saj, mes dhimbjes, indiferencës, vetmisë, rebelimit, Alda Merini kërkoi t’i shprehte me librin “Një e vërtetë tjetër. Ditari i një personi ndryshe”.
“Por në ditën kur na hapën dyert e mund të preknim me duar ato trëndafila të mrekullueshëm, mund të deheshim më në fund nga fati i tyre si lule, oh qe momenti kur të gjitha ankthet tona sekrete u zhdukën, pasi ishim pranë Zotit dhe vuajtja jonë kish mbërritur deri tek lulet e vetë ajo ish bërë lule” shkruan Alda Merini, mbretëresha e poezisë moderne italiane, e ndarë nga kjo botë pak muaj më parë.
Kjo është hera e vetme kur ajo e shpreh mendimin e saj me anë të prozës, duke iu larguar për pak çaste dashurisë së jetës, poezisë.
Është një e vërtetë tjetër midis viteve të kaluara në një çmendinë, mes mjekëve, infermierëve, pacientëve, ulërimave e hekurave, një realizëm zhveshës deri në dhimbje. Paaftësia humane për të kuptuar e për t`u kuptuar me njëri-tjetrin, hekura njerëzor para se të shndërroheshin në hekura të një çmendine, kështu kish lindur “Një e vërtetë tjetër”.
Një tregim i një jete të kaluar në spitalin psikiatrik, midis elektroshokut, injeksioneve, torturave e frikës ndaj një botë jashtë këtyre mureve. Është një e vërtetë, që askush nuk kërkon ta shohë, një e vërtetë jo e rehatshme e fshehur nga hipokrizia e mirësisë e që preferohet të kryqëzohet, nga frika se shpreh atë pjesë njerëzore, që kërkojmë ta maskojmë. Nuk është një libër rrëfimi, përkundrazi është një triumf i jetës ndaj vdekjes, i bukurisë ndaj shëmtisë, është tregimi se si çmenduria nuk ekziston, por është veç një boshllëk i pafund dashurie. Rreshtat e këtij ditari nuk janë mbushur me sentimentalizëm e as me fjalë dënuese ndaj sistemit, që e mbante mbyllur mes hekurash, ferri i vërtetë qe jashtë tyre në sytë e atyre që të kritikojnë, që të gjykojnë e që të etiketojnë si “I ndryshëm”. Alda Merini ishte një person ndryshe, por siç shkruan dhe vetë “në fund të fundit isha poete” e kjo ishte veçantia e saj, para se të ishte “ndryshe” ose “e çmendur”.
“Në fund të fundit isha poete” e kjo karakteristikë e shpëtoi atë nga çmenduria e vërtetë: ”shpirti im kish mbetur i pastër, gjithmonë në pritje të diçkaje të bukur, që do më shfaqej në horizont”.
Ishte vetëm 15 vjeçe kur Alda Merini botoi poezitë e saj të para të prezantuar pak vite më vonë në përmbledhjen “Prezenca e Orfeut” 1953, me një sukses të madh të kritikës, ndjekur më pas nga disa vëllime poetike si “Frikë nga Zoti” (1955), “Martesa Romane” (1955), “Ti je Pietro” (1962). Pati një martesë normale, fryti i së cilës qenë dy vajzat e saj të para, siç thotë dhe ajo në ditarin e saj: “isha një bashkëshorte e një nënë e lumtur edhe pse herë - herë jepja shenja lodhje, që më turbullonin mendjen” . Prej vitit 1965 e për dhjetë vitet në vazhdim mbyllet në spitalin psikiatrik në Milano, nën kërkesën e bashkëshortit. Ishin vite, kur ishte ende burri, që vendoste për fatin e gruas së tij. Kjo gjë e mundon shumë, bashkëshortin që e adhuronte, tashmë e shihte si armik, siç flet në letrën drejtuar mjekut të saj në çmendinë: ”I dashur doktor! Ajo çka pres nga ty doktor është vetëm burri im, një shenjë, një pëlqim, një akt kuptimi mund të më shërojë e të më drejtojë në rrugën që unë dua”.
“Një e vërtetë tjetër. Ditari i një personi ndryshe” u botua në vitin 1986, është një prozë më elemente të forta lirike, që tregojnë momente të kaluara në ato dhjetë vite çmendinë. “Megjithatë nën diagnozën time shtrihej i plagosur shpirti im i ëmbël i qetë, shpirt që nuk kish qenë kurrë kaq i gjallë”, shkruan Merini.
“Në fund të fundit isha poete”, e poete mbeti si në çmendinë e pas saj. Të qenit poete qe shpëtimi i saj.