nga Visar Zhiti
"Potencialisht, çdo poet mund të bëjë shkencëtarin dhe çdo shkencëtar mund të bëjë edhe poetin. Kush më mirë se arti mund të drejtojë njeriun e sotëm drejt kufijve, gjer më tash të pamundur, të shkencës? Më pas ajo, me rigorozitetin e vet, është e lirë të diskriminojë realitetin. Poezia sipas meje është arti i të vështruarit të natyrës së thellë të hapësirës e të objekteve që na rrethojnë dhe fusha e hapur ku koshienca njerëzore komunikon pa paragjykime. Ajo të nxjerr lehtësisht nga kuadri aristotelik i konceptimit të realitetit, pasi nuk shtjellon logjika ekzakte, por kumte e të vërteta autentike. Ajo na ndihmon të dalim nga paradokset e ta ndjejmë jetën mbi lëkurën tonë, pa veshje e sidomos pa maska".Kështu shkruan autori i këtyre poezive, Dr. Viktor Marko Solomon, hebreu që ka lindur në Tiranë, i njohur tani në botën shkencore, në atë të mjekësisë. Ai jep leksione në universitete të ndryshme të mëdha, në Izrael, Gjermani, Itali, në Milano e Romë, etj., që vazhdimisht përthithin auditore, ku kumti i tij sintetizon përvojën e lashtë me arritjet më moderne, popuj dhe kohë. Duke bërë punën e kërkuesit shkencor, ai di të vështrojë si poet dhe gjen poezi në shkencë dhe shkencë në poezi. Natyrisht ai hedh në letër mbresat, emocionet dhe meditimet për jetën. Por edhe shkenca për jetën është. Kurse jeta në vetvete është edhe shkencë dhe poezi dhe këto dy dituri të njerëzimit përsërisin jetën..
Ndërsa leksionet e Marko Solomonit janë në gjuhët e vendeve ku i mban, anglisht, gjermanisht, italisht, etj., poezinë e shkruan në shqipen tonë, me dashuri dhe mall dhe bukur dhe të duket sikur mbartin fjalët e fëminisë e të rinisë së tij të parë. Poezitë e tij kanë një trishtim të fshehtë, që arrin të bëhet shqetësim për fatin e njeriut duke arritur lartësitë e padukshme të sublimes.
Dr. Solomoni i jep rëndësi vendlindjes, truallit të parë si një zanafillë e rëndësishme në jetë dhe Shqipëria për të nuk është vetëm kujtim, por dhe përbërës në identitetin e tij, përgjegjshmëri e thellë intelektuale.