2011-03-13

nga Flori Bruqi:Të mos jemi vetëm hije mbi dhé


Abdullah Konushevci

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë, është shkrimtar i shquar shqiptar. Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në "Universitetin e Zagrebit" dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në “Bota e Re” dhe “Rilindja”

Vëllimet me poezi

Pasqyrë dhe diell (poezi, 1979},
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)

Tekste shkollore dhe kritikë letrare

Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)
Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008)

Përkthimet nga anglishtja

Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave (“Rilindja”, 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi “Rilindja” në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar” (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008).

Përkthimet nga kroatishtja

Teofrasti: Karakteret (“Rilindja”, 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi (“Rilindja”, 1990),
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V (“Rilindja”, 1989) dhe
Milan Shufflay: Histori e shqiptarëve të Veriut ("Nositi", 2009)

Të tjera

Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Flori Bruqi,Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci ,Iljaz Prokshi etj.





Pikat AD
A. Demaçit

Foshnjat duhet t’i marrin
15 deri 20 pikë në ditë
Të rriturit që nuk kanë pirë
Qumësht Nëne
10 deri në 15

Pikat AD
I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë

Kujdes nga faktori Rh—
Nga kolori i rremë AG+FA
Mund të dalë letër kalk
Dhe të lëshojë ngjyrë të zezë të zezë

Sa më shumë pika AD
Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunjë


Zonja Mëmë

Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat

Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri

Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur

Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë

Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti

Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk

E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty


Kthimi i dritësorëve

Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh

Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé

Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit

Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne

Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé



Dhe ikim ikim ikim



Mbase ikim ikim ikim
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak

Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë
Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë



Skicë për një elegji

Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo

Si e krijoi Zojsi Dardaninë

Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave

Duke pritur Gjergjin e Ri

Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë

Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona

Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit

Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri

Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë

Vdekja e dytë e Gjergjit*

Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë

Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé

Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri

Ëndrra... pastaj Vlora

Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë

Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha

Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë



Vjershë ekspresioniste

Qielli ka ethe
Dhe mban erë gjak
Nga zogjtë e hekurt
Që i therin gjirin

Mjeshtrit e vdekjes
E punojnë shkel e shko tokën
Koka duar këmbë
Hedhin ngado

Si t’i mbledh gjymtyrët
Para se të bjerë nata
Dhe t’i kall në dhe
Para se t’u bien në erë
Larashët oshënarët

Kur vritet biri i madh
Fadil Tallës

Fytyra e tij e qeshur
më ndjek kudo

Pate acar të madh në zemër
Kur vemjet i mbushën rrugët
Ti dole dhe i talle bishat
Që hynin me nxitim në arenë

Zogj të hekurt
Na kërcënonin nga sipër
Kur i binim varrit
Dhe të kërkonim ndjesë
Për jetën e këputur

Ata nuk e dinin
Se ti na mësove ta tallim vdekjen
Ti që s’ishe as njëzet vjeç
Dhe ishe aq i madh

Të zije vend
Ndërmjet tokës e qiellit



Mungesa e lirisë

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirsië


Shaban Shala

Ai ishte SH në katror
Se kishte liri atdhe flamur

Ai kishte ballë-vetull-syshkabë
Dhe ishte frymë-gjakkaltër

Ata s’kishin sy të shihnin
Kush e çante terrin në mesnatë
Ata s’kishin veshë të dëgjonin
Si zbutej bisha
Nga zëri i tij hyjnor

Ai Llapin që llapuçitej
Kënetave moqaleve
E bënte një me majat me borë
E kthente përsëri në një Alb
Të bardhë të bardhë

Ai ishte SH në katror
Se kishte liri atdhe flamur


Përpjekje për t’i zënë konturet e mbinjeriut

Dhe e more more e dhe
Nga dritarja me grila
Ta zhdavaritje terrin
Dhe u dogje ngadalë qetë butë
Ti sy fëmije para lodrës së re

Dashuri e madhe të mbante në jetë
Ndaj syzat i përdorje si llupë
Ta ruash të gjallë zjarrin

Hije të zeza të mëdha
Shtrëngonin nofullat kthetrat
Dhe tërhidheshin gjithë tmerr
Nga shkëlqimi që të rrethonte
“Ky paska luajtur, ky s’qenka në vete
Kur na tall kaq pa turp”

Dritë e madhe të mëkonte në jetë
Kur jepje e merrje kur merrje e jepje
Ta mbaje të gjallë zjarrin

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...