Ish-presidenti i Kinës, Gjaing Xemin (Jiang Zemin), ka pranuar në memoaret e pabotuara se njësitet e kundërzbulimit të Serbisë po fsheheshin brenda ambasadës së Kinës në Beograd, kur NATO-ja e bombardoi atë në vitin 1999.
Memoaret raportohet të thonë se Gjiang e kishte pranuar kërkesën personale të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, që të strehojë personelin kyç të inteligjencës, ndërsa 14 serbë dhe tre shtetas kinezë e humbën jetën nga bombarduesit amerikanë.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për sulmin, i cili nxiti demonstrata antiperëndimore në Kinë, duke e fajësuar cakun e gabueshëm që e pati përcaktuar CIA, Qeveria kineze asnjëherë nuk e pranoi këtë shpjegim.
Tash, një revistë në gjuhën kineze në Hong Kong ka publikuar ato, për të cilat thotë se janë rrëfimet mbi bombardimet, të shkruara nga 85-vjeçari Gjiang, i cili u largua nga posti në vitin 2004.
Revista thotë se Gjiang ka shprehur keqardhje përse i ka lejuar serbët të strehohen brenda misionit diplomatik të Kinës dhe beson se ky ka qenë gabim serioz politik.
Memoaret thuhet se tregojnë se sa shumë e xhindosur ka qenë Qeveria kineze për t’i heshtur protestat e saj, pasi amerikanët privatisht kishin paraqitur dëshmi për komunikimet elektronike serbe brenda ambasadës së Kinës.
Pazari diplomatik duket se ka qenë ai që amerikanët ia kishin shpëtuar fytyrën Kinës, duke kërkuar falje për “gabimin”, ndërsa kinezët kishin lejuar që protesta në rrugë të qetësohet pa ndonjë dhunë.
Sulmet e NATO-s në Serbi, 1999.Sipas revistës ‘Qiansao’ (Pararoja), e cila citon bashkëpunëtorët e ish-presidentit kinez dhe anëtarët e familjes së tij, Gjiang beson se bombardimi i shkatërroi marrëdhëniet me Bill Klintonin, presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara.
Ai duket se kishte luajtur bixhoz, por kishte humbur, sepse kishte shikuar një mundësi për t’i marrë krahun Rusisë, e cila kishte refuzuar t’i ndihmojë Millosheviqit, që ky i fundit t’i mbrojë asetet e inteligjencës.
Revista pohon se kinezët tashmë i kishin dërguar pajisje sekrete për raketat tokë-ajër ish-Jugosllavisë përmes Libisë.
“Kur filloi fushata ajrore, Ministria e Mbrojtjes e Jugosllavisë, departamenti i informacionit dhe selia e policisë, të gjitha u shkatërruan nga bombat e NATO-s”, shkruan revista, duke cituar memoaret e ish-liderit kinez.
“Sllobodan Millosheviqi edhe një herë i pati kërkuar Gjiangut të lejojë që sektorët kyçë të inteligjencës së ushtrisë të strehohen në bodrumin e ambasadës së Kinës, që të vazhdonin operimin”. Lideri kinez ishte dakorduar.
Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, Ministria e Jashtme e Kinës e kishte pyetur ish-liderin Gjaing nëse mund ta tërheqë gjithë personelin nga Beogradi, por ai i kishte urdhëruar që të mbetet aty si shenjë e solidaritetit me Millosheviqin, thuhet në memoare.
NATO-ja e bombardonte Serbinë që t’i tërheqë forcat e saj nga Kosova, e cila synonte pavarësinë. Për Kinën, luftimi i separatistëve të saj në Tibet dhe Ksingjaing ishte çështje e mbështetjes parimore të Qeverisë në Beograd.
Megjithëse kjo nuk pranohet në memoare, ka pasur edhe një arsye për involvimin e Kinës në anën e Serbisë. Revista thotë se agjentët e Millosheviqit i kishin dorëzuar Kinës pjesë të sistemit të navigacionit dhe të aeroplanit “Stealth” (të padukshëm) amerikan F-117, i cili u rrëzua në Ballkan. Muajin e kaluar, Kina i befasoi amerikanët duke e zbuluar aeroplanin luftarak me cilësi të ngjashme.
E pyetur për pohimet e revistës, NATO-ja iu referua një deklarate të Xhejmi Shia (Jamie Shea), zëdhënës i atëhershëm i aleancës, i cili sulmin në maj, 1999, e quajti një “gabim tragjik”.
Në ditën e njëjtë, i pyetur nëse NATO-ja kishte prova për “bashkëpunimin” ndërmjet serbëve dhe ambasadës kineze, zëdhënësi ushtarak i aleancës, gjeneral-majori Valter Jerc (Walter Jertrz) u përgjigj: “Unë vetëm do të spekuloja... por nuk do ta bëj këtë”.
No comments:
Post a Comment