2011-03-16

Tash e kam të qartë pse hienat e sulmojnë Thaçin

image

 

Rastësisht vendosa ta shpalos këtë kujtim para lexuesve, sepse është dëshmi e mirë për të mos iu besuar shpifjeve të kësaj kategorie dhe të Radës, e cila po vjell vrer ndaj “Bandave të Drenicës”, në Kuvendin e Republikës, emrin e së cilës , pas vitit ’68, e brohoriti edhe brezi ynë i studentëve në vitin 1981, nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës
 
Zeqir BEKOLLI

1. Koha po kalon, kurse kujtimet e hidhura për ditët dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi populli ynë sa vijnë e forcohen, bëhen më të fuqishme. Lexoj gazetat e muajit mars, aty gjej shkrime të larmishme. Por, jehona e këtyre shkrimeve për demonstratat e vitit 1981, që e kanë fillimin mu këtë muaj, nuk i ngjet jehonës që bartej atëherë në zemrat dhe shpirtin e popullit. Në shtypin e sotëm, në këtë përvjetor, nuk e shoh atë entuziazmin kolektiv të demonstratave. Dhe pse ndodh kështu, janë disa arsye, të cilat unë i di, por kësaj here nuk dëshiroj ta lodh lexuesin. Por, një gjë dua ta them. Ndërmjet kësaj që po shkruhet dhe asaj që ishte reale, ka një dallim. Dallimi qëndron në faktin se ato ditë marsi, po zgjerohej  një shteg, që përbënte edhe një orientim, i nisur edhe në vitin 1968, por kësaj here më me shumë bujë dhe fuqi. Rinia, bashkë me popullin, në mbarë hapësirat e robëruara u ngrit në këmbë me parullën për Republikën e Kosovës, që t’i thoshte botës se shqiptarët në ish-Jugosllavi po shtypeshin nga një regjim i huaj. Çuditërisht, në secilin përvjetor, më kujtohen marshimet nëpër rrugët e rrugicat e Prishtinës, gazi lotsjellës, qepët nëpër xhepa, vetura e tipit ‘Fiat’, me ngjyrë të zezë, me tabela të Beogradit  tek digjej në lagjen Kodra e Trimave dhe retë e tymit nga zjarret e ndezura në rrugë, që iu ngjajnë edhe pamjeve të sotme të vendeve që kërkojnë demokraci.

2. Marsin dhe prillin i kishim parandier dy vjet më parë, sepse në Katedrën e Albanologjisë ishin shpërndarë afishe, që paralajmëronin revoltën e shqiptarëve. E tërbuar, atëherë, UDB-ja pati vërshuar Katedrën. Njerëz, që asnjëherë nuk i kishim parë. Uleshin bashkë me ne nëpër salla dhe dëgjonin, kurse ndonjë profesor i guximshëm (Hasan Mekuli) na paralajmëronte, duke  thënë : “Sot paskan vërshuar parashutistët!”, dhe ne e kishim të qartë se për çka bëhej fjalë. Prania e tyre u bë e  mërzitshme. Ata, pjesëtarët e Sigurimit të fshehtë serbo-jugosllav, ishin kudo në Katedër. Nga mëria ndaj tyre, i rralluam shkuarjet në ligjërata, edhe pse profesorët na inkurajonin që të mos frikësoheshim. Kjo gjendje vazhdoi  kështu dhe ne u bindëm se Katedra jonë ishte nën vëzhgim. Nuk vonoi shumë e në Katedër u arrestua njëri prej studentëve më të mirë të gjeneratës sime, Abdullah Hoxha. Ai ishte student i dhjetave. Ky arrestim na trembi, saqë Katedra pothuajse u boshatis nga studentët. Më kujtohet si sot, kur në ditën e provimit të lëndës Letërsi për fëmijë pritëm (në korridorin e Katedrës) tërë paraditen në radhë për t’u pyetur. Ndërsa, ata, hienat, silleshin korridorit dhe u afroheshin grupeve të studentëve për t’i përgjuar. Se kush e zuri në gojë Abdullah Hoxhën, nuk e kam të qartë, por më kujtohet se u fola shokëve për takimin e rastit që kisha pasur me babanë e Abdullahut, një ditë tek po shkoja te halla në Abri. Pasi kisha zbritur nga treni në fshatin Cerovikë, e takova një mesoburrë,  i cili shkonte në drejtimin nga i cili isha nisur edhe unë. Më tha se është nga fshati Plluzhinë, që gjendet nja 3-4 kilometra përtej fshati Abri, ku ndodhej halla ime. Rrugës, duke llafosur, mesoburri e shpalosi dhembjen e tij për birin e burgosur në Prishtinë. I qante shpirti njeriut, që ishte shumë normale. Për një çast nuk fola fare. Ndërsa njeriu më shikoi me habi, por nuk më tha gjë. Fol, i thashë, axhë, fol, se djali yt, për të cilin po flet, është shok yni, i gjeneratës. Por, bëhu i fortë dhe qëndro, se e drejta është në anën tonë. Njeriu buzëqeshi dhe ma hodhi dorën mbi supe. Bëmë edhe pak udhë pa folur dhe u ndamë, për të mos u takuar kurrë më.

3. Në korridorin e Katedrës, pasi shikova dy herë anash, iu thashë shokëve se kisha takuar babanë e Abdullahut. Nuk thashë asgjë më shumë, sepse, ndërkohë, nga dera e kabinetit ku mbahej provimi doli profesori, i cili shkoi në pushimin e ditës, kurse neve, që ishim duke pritur, na tha që të ktheheshim në orën 14 për provim. Me mua ishte edhe një bashkëfshatar imi, Izet Pecani, tash profesor i Gjuhës dhe Letërsisë në fshatin tim. Izeti studionte pa shkëputje nga puna. Bashkë me të u morëm vesh të shkonim në Parkun e Prishtinës, për t’ia shpjeguar përmbajtjen e disa romaneve për fëmijë, të cilat ai nuk i kishte lexuar. Rrugës, para dhe mbrapa na silleshin njerëz të panjohur me qese najloni në dorë dhe na shikonin vëngër. Por kjo nuk na linte përshtypje, sepse mendonim se ata ishin kalimtarë të rastit. Por ngjarja që pasoi, na sinjalizoi se ajo nuk kishte qenë rastësi.  U ulëm në park, në një karrige druri, dhe unë nisa t’i shpjegoj bashkëfshatarit tim përmbajtjen e romanit të Xhanatan Suiftit “Udhëtimet e Guliverit”, duke e përzier me humor rrëfimin. Para nesh, nja 50-60 metra, nisi të lëvizte një njeri me paruke dhe maskë, që i ngjante një maskote, sa për të na tërhequr vëmendjen. Ne vazhdonim punën tonë. Ndërkohë, Izeti ktheu kokën mbrapa dhe i shqetësuar klithi : “Një njeri pas kaçubës!” Prapa shpinës sonë kishte qenë duke përgjuar një njeri. Brofa shpejt në këmbë dhe ai u përpoq të ikte, por e njoha. Ishte Zejdush Kastrati, i cili ato ditë të vështira sillej nëpër Katedër dhe studentët bënin me gisht drejt tij. I shkova disa hapa pas, por ai u zhduk sikur ta lëshonte toka. U larguam nga parku dhe shkuam në Katedër, për provim. Ndërsa pas provimit, këtë ngjarje e analizuam gjatë me Izetin.

4. Nxjerrja e kësaj ngjarjeje nga kujtimi tridhjetë vjet më vonë m’u imponua, kur në gazetën “Infopress” disa herë lexova disa shkrime nëpërmjet të cilave Zejdushi (Kastrati) i ‘81-shes përpiqej  ta njolloste kryeministrin Hashim Thaçi, me pallavrat e tij. Vendosa ta shpalos këtë kujtim para lexuesve të kësaj gazete, sepse është dëshmi e mirë për ata, që të mos u besojnë shpifjeve të kësaj kategorie dhe të Radës (Trajkoviqit), e cila po vjell vrer ndaj “Bandave të Drenicës”, në Kuvendin e Republikës, emrin e së cilës e brohoriti edhe brezi ynë i studentëve në vitin 1981, nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës. Po thonë se Serbia ende i ka strukturat e veta të fshehta në Kosovë. Koincidencë se jo mahi! Ndaj, tash e  kam të qartë, pse Rada dhe Zejdushi sulmojnë njërin prej krerëve të gueriles, me aq zemërim.

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...