Nga: Namik Selmani mësues e shkrimtar-Tiranë
Në prag të 7 Marsit 2011:
Në të gjithë kohërat e në të gjithë vendet e qytetëruara, profesioni i mësuesit është parë dhe shikohet ende si një profesion, që i përket grupit të idealistëve. Në një fjalë të urtë japoneze thuhet: “Nëse kërkon që të shohësh një komb pas 1000 vjetëve, atëherë duhet të shohësh punën e mësuesit.”
Në mesin e viteve 60-të, të shekullit të kaluar, unë isha nxënës konviktor në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, që ende edhe sot e kësaj dite shumë ish-nxënës dhe mësues të kësaj shkolle, madje edhe prindërit e tyre që kanë mbaruar këtë shkollë, kishin e kanë dëshirë që ta quajnë atë “Shkolla Normale”, bile dikush edhe “Universiteti I parë shqiptar”. Në të vërtetë, nuk është edhe një ndryshimi i madh. Vetë “Mësuesi i Popullit” Luigj Gurakuqi, ky shkodran i mençur dhe një poet kaq lirik, ka qenë drejtori i shkollës së parë Normale. Emri dhe busti i tij sot përshëndesin të gjithë brezat e arsimdashësve elbasanas dhe mbarëkombëtarë.
Diku, në hyrje të mencës së shkollës, ku hanin çdo ditë mbi 1.000 nxënës të ardhur nga të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë edhe djemtë e Kosovës të dëbuar në atë kohë nga regjimi serb, që projektonte dhe zbatonte spastrimin e etnik të kosovarëve, ishte një parullë e shkruar nga një pedagog i shquar: “Kur vendosa t’i shërbej shoqërisë, u ndala te profesioni i mësuesisë”. Natyrisht që në këtë citat kishte pak më shumë se duhet idealizëm. Ishte një lloj morali që, po ta shikonim sot me “të drejtat e detyrat e njeriut”, përbënte edhe një lloj detyrimi për të ardhmen e atyre, që kalonin në atë prag.
Kombi ynë e ka parë vonë, shumë vonë, misionin e tij që i përket një profesioni që është i vjetër sa edhe mbarë bota. Nuk është vështirë që në analet e historisë të jetës ekonomike, shoqërore dhe sociale të Kombit tonë të gjesh e të citosh portrete mësuesësh, që kanë sakrifikuar aq shumë, jo vetëm atë të përditshme shpesh të varfër në të gjithë dukuritë e saj, që e përjetojnë me pasione edhe shumë profesione të tjerë, por edhe mbarë jetën. Përballë fjalës dhe punës plot vetëmohim të mësuesit, ne mund të përmendim sa e sa atdhetarë të shquar, si Petro Nini Luarasin, Babë Dudë Karbunarën, Papa Kristo Negovanin e Motrat Qiriazi, pa folur edhe për rilindësit e tjerë, që sakrifikuan atë që kishin më të shtrenjtë për shkollën, për fëmijët, për të ardhmen. Për të shkuar te De Rada i thinjur, atje në Shën Dimitër Koronë, që në moshën 90-vjeçare vdiq shumë, shumë i varfër, edhe pse iu kishte mësuar shqip fëmijëve arbëreshë dhe kishte botuar disa libra për ta. Naim Frashëri nuk kursehej që, edhe pse i sëmurë, të shkruante tregime për nxënësit e shkollave të para shqipe. Në këtë këndvështrim, mund të shihet edhe sakrifica që bënte njeriu i thjeshtë për arsimimin e vetes dhe të fëmijëve të tij. Kjo u pa në luftën, që u bë kundër analfebetizmit, ku u konsumua shumë energji të mëdha nga të gjithë shtresat, që ishin në këtë punë, si mësuesit dhe prindërit.
Idealizimi i mësuesit, duket se ka kohë që ka humbur. Në një kohë llogarish për të gjitha dukuritë e jetës edhe ky profesion do të prekej nga kjo dukuri e shoqërisë, që po jetojmë. Në shumë segmente të administratës bëhet një vlerësim relativ i mirë i masës së njerëzve për mësuesin dhe një rol relativisht të rëndësishëm të tij në jetën e vendit. E parë nga ky këndvështrim, në të gjithë kohërat njeriu dhe administrata e secilit shtet, që krijohet, pavarësisht ngjyrës politike, të gjithë e kanë pranuar në heshtje, por edhe me zë të lartë misionin e mësuesit në ardhmërinë e jetës së vendit tonë, duke përfshirë këtu edhe fisnikërimin e vetë Kombit, përballë një Evrope që ka rrënjë më të hershme, më të forta e më gjithëpërfshirëse të diturisë, të shkollave që ajo ka hapur dhe të vjetërsisë së mësuesit si profesion, si mision edhe si misionar.
Le të bëjmë një çast atë pyetje të thjeshtë: ”Si ka evoluar raporti i profesionit të Mësuesit në të gjithë piramidën sociale të shoqërisë shqiptare, të paktën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ka qenë shteti komunist dhe si është sot në ditët tona, kur administrimi i vendit, që i besohet politikës së pluralizmit shumëpartiak dhe ekonomisë së tregut?” Natyrisht, as që mund të diskutohet e të vihet në tryezën e debatit ajo thënje banale, që i drejtohet kohës së Zogut, se “mësusesi në atë kohë nuk thirrej në gjyq si dëshmitar”. Në një kohë, kurë analfabetizmi ishtë kryezot i jetës sociale të vendit, mendimi i mësuesit dhe mençuria e tij, që shumë herë ishte edhe e ngjizur në shumë shkolla të vendeve të huaja, ishte një luks i madh, që ta dëgjonte jo vetëm një gjykatës, por mbarë shoqëria shqiptare.
Në periudhën e pare, vendi i mësuesit ishte pak më i dallueshëm nga të tjerët. Vetë shteti ishte i detyrurar që ta rriste sa më shumë autoritetin e mësuesit, sepse nëpërmjet dyerve të shkollës ai realizonte edhe më mirë objektivin e tij të sundimit, jo vetëm të arsimimit të brezave të rinj, por edhe të mbjelljes së një politizimi të tejskajshëm, që kishte shoqëria e kohës. Përballë një parulle të madhe të stërmadhe, që vihej kudo: “Politika në plan të pare”, nuk mund të ishte larg këtij politizimi edhe mësuesi, për të mos thënë se ai ishte në radhën e parë të “Komisarëve të Dritës“, si thuhej për mësuesin.
Mungesa e dritareve të tjera të informacionit, që kishte shoqëria në kushet e një izolimi politik, ekonomik e kulturor, që kishte vendi ynë me botën (e cila për hir të së vërtetës kishte edhe disa norma, që nuk përputheshin me idenditetetin tonë kombëtar), bënte që mësuesi dhe shkolla, ku ai shkonte çdo ditë, të bëhej në një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit, por edhe të edukimit të shoqërisë.
Është gjëja më pozitive që, në të gjithë programet politike që paraqesin partitë politike në zgjedhjet parlamentare ose edhe në ato lokale, është arsimi dhe padyshim edhe mësuesi, që është palca e tij.
Nuk mund të flasim për trajtimin ekonomik të tij, që nuk dallohej dhe aq shumë nga një shoqëri populiste, nga një shoqëri e centralizuar në secilën qelizë të saj, edhe pse nuk kishte zyrtarisht një Status konkret të tij. Kjo propogandë, që bëhej e vinte mësuesin në një vend më të denjë në shoqëri, edhe pse brenda tij kishte dhe shumë falsitet. Kishte një lloj “argatllëku” për një shtet, që e paguante dhe e përpunonte edhe idelogjikisht për fjalën që do të thoshte ai. Kjo strategji qeverisjeje, nëse do ta quanim kështu, mund të kuptohet më mire, nëse do të shikonim konkretisht edhe reagimin e kundërt, që mund të bënte një mësues fjalëlirë, i cili në emër të shprehjes së lirisë së tij të munguar, të mund të kundërshtonte në parim atë, që shkolla nuk e kishte dhe nuk duhet ta kishte. Më konkretisht, atë politizim të tejskajshëm të shkollës shqipe, të atij huazimi të jashtëzakonshëm të pedagogjive të vendeve të tjera, kryesisht ato të Lindjes, duke mohuar tiparet e një shkolle kombëtare, në të gjithë qelizat e saj, që nga arsimi fillor deri te ai i larti.
Le ta nisim nga një analizë të shkurtër, që mund t’i bëjmë idealizmit të mësuesit, larg të cilës nuk mund të qëndrojë asnjëherë profesioni i mësuesit dhe i mjekut.
Në emër të këtij idealizmi, a nuk do të ishte mirë që në shkollat tona të punonin në të gjithë nivelet e saj nxënësit më të mirë të Kombit, duke nisur që nga fëmijët e politikanëve, që flasin me aq pasion në tribunat parlamentare dhe jo ata, që e marrin këtë profesion se nuk mund të kalojnë profesionin e juristit, të ekonomistit, të arkitektit etj. etj.? Le t’i kthejmë sytë nga arsimi, duke nisur nga kjo Kontratë e shkruar ose e pashkruar, që mund dhe duhet të bëjnë të gjithë faktorët socialë dhe ato të qeverisjes. Për fat të keq, autoriteti i mësuesit është ulur shumë. Madje, në disa raste, ai po bëhet edhe objekt i humorit më vulgar, të skenave dhe ekraneve tona. Vetë shoqëria jonë nuk e sheh më mësuesin si një këshilltar të mirë të të sotmes dhe të së ardhmes. Aq më tepër edhe të fëmijëve të tij. Per fat te keq, me perjashtim te atyre prindërve, kryesisht gjysher ose gjyshe, që rrinë pranë kangjelave te shkollave 9-vjeçare, në qytetet e rëndësishme, thjesht për t’i dërguar në shtëpi, mungon kujdesi, bashkepunim i tyre me shkollën e mesme. Duket se, një nga aleatët më të mirë të shkollës, si janë prindërit, nuk ndodhen në frontin e betejës
Vetë mësuesi e ka të vështirë që të orientohet nga udhëkryqet, ku e shpie shpesh ekonomia e tregut, që jo gjithmonë e motivon atë që të plotësojë më së miri nevojat e tij të përditshme për të shkolluar fëmijët e tij, pa folur për të shlodhur trurin në pushime të rregullta verore, në një nga vilat e pushimit në Shqipëri, pa le në botë. Statusi i mësuesit ende është i venitur në tërësinë e vet. Aq më tepër dhe i pashkruar në një letër të bardhë.
Nuk bëhet fjalë vetëm për përshëndetjet nostalgjike, që ai i dëgjon përherë e më rrallë në një rrugë nga ish nxënësit e dikurshëm, kur shkon në shtëpi ose në dyqan, ku blen bukën e tij të përditshme. Mungojnë takimet periodike me mësues veteranë. Mungon një trajtim i mirë financiar. Ndoshta, duhet parë edhe një herë koha e daljes së tyre në pension, qoftë edhe shkalla e ngarkesës së tyre. Nuk mund të kuptohet një mësues në moshën 65-vjeçare, me të njëjtën normë mësimore me ata të 25 vjeçarëve, që vijnë nga bankat e fakulteteve. Ky mësues, që ka edhe një klasë në kujdestari (shpesh edhe në masën e 45 nxënësve), edhe një ritmikë ngarkese profesionale në rritje, që e kërkon medoemos edhe koha, e ka të vështirë që pasioni i tij ta ushqejë atë në të gjithë orët e ngarkesës së tij mësimore. Ndoshta, shteti dhe organet e ndryshme të qeverisjes duhet të mendojnë edhe më shumë për këtë “ngërç”, që ekziston në vendin tonë.
Ende mungojnë te ne mekanizmat për vlerësimin dhe rivlerësimin e figurës së mësuesit. Edhe politizimi i dikurshëm sot është zëvendësuar në një mënyrë të ndryshme, me vetë qënien e tij si subjekt politik, ku atij i kërkohet shpesh që të bëhet mbështetës i një partie të caktuar, që është në pushtet. Këtë gjë e kritikon me të drejtë opozita, kushdo qoftë ajo. Por, kur ajo hyn në pushtet, bëhet viktimë e kësaj “sëmundjeje” të madhe sociale, që nuk dëmton vetëm personalitetin e mësuesit, por edhe infrastrukturën e tij shoqërore.
Përballë këtij shndërrimi politik, social, kulturor dhe i një mentaliteti të ri, që ka shoqëria për mësuesin ,mendoj se duhen gjetur edhe më shpejt mekanizmat që atë, mësuesin e lodhur e të përkushtuar ndaj detyrës së tij, sa idealist për sot e për të ardhmen, ta vemë në vendin e duhur ,që jep ai misionar i informimit, të fisnikërimit dhe e kulturimit të kombit. Që dita e 7 Marsit e çdo viti të mos jetë vetëm kryefjala e mirënjoihjes, por të jetë po aq e mirëpritur në të gjithë ditët e vitit, me buzëqeshjen e ngrohtë, që i drejton mbarë shoqëria mësuesit.
Tiranë, 4 mars 2011
A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?
Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...