2011-03-09

Drejt thelbit të gruas


Ndryshimi mes poezisë dhe prozës?

 Poetët thonë, e po aq prozatorët, për më tepër ata që i shkruajnë të dyja, prozën e poezinë… të gjithë, pra, njerëzit e letrave thonë se, poezia është thellësisht autobiografike, kurse proza jo domosdoshmërisht. Vetë përvoja e shkrimit të poezisë e dëshmon këtë: poezitë kanë zbuluar në vargjet e tyre vetë autorin, portretin, dukjen e jashtme dhe të brendshme, mendimet edhe imtësitë e jetës së tyre.



 

Fëmijët e natyrës


nga Luljeta Lleshanaku

Poezi

Shtëpia Botuese: Ombra GVG

Numri i faqeve: 84

Çmimi: 600 lekë



Ndryshimi mes njërit poet e tjetrit?

Ka të ngjarë që, mes të tjerash, të jetë thellësia e zbulimit të vetvetes. Luljeta Lleshanaku, në librin e saj më të fundit “Fëmijët e natyrës”, i sapodalë në libraritë e Tiranës, zbardh çdo çast të jetës së saj, duke nisur nga fëmijëria, e madje nga koha kur ishte një fetus e deri në të sotmen e saj, në prag të ditëlindjes së mesogruas… Lleshanaku ndriçon çdo rrudhëz mbi lëkurë, vë në dukje çdo shenjë që jeta a vitet ia kanë bërë, çdo gërvishtje që trupi i saj (prej gruaje) e ka
ndier… Lleshanaku e bën këtë natyrshëm, duke përvijuar një vazhdë në karakterizimin e poezisë së saj. Pasi nuk është hera e parë që ajo “depërton në botën private dhe tradhton çdo intimitet”, siç do ta cilësonte, vite më parë, kritika amerikane.

- Pa një rend kronologjik, kjo nuk është e nevojshme (pavarësisht zbulimit të vetvetes, poezia nuk është mirëfilli autobiografi), Lleshanaku i heq “cipat e qepës” për të depërtuar në thelbin e saj. Madje, thënë më saktësisht, në thelbin filozofik të saj. Kur flet për veten, për prindërit, motrën, bijat, të shoqin… nuk harxhon kohë për të rrëfyer detaje të marrëdhënies mes tyre, por ëmbëngul pikërisht në filozofinë e kësaj marrëdhënieje (detajet personale shfaqen kur është e domosdoshme një parantezë).

Me këtë qëllim poetja zbulon mamanë (jo rastësisht pikërisht atë, jo rastësisht aq shpesh): një jastëk i vogël gjilpërash / që e njeh mrekullisht artin e nënshtrimit / përpiqet të ma mësojë edhe mua / edhe sime motre / tri kukulla Matrioshka, të renditura sipas madhësisë / ajo e fundit – unë / e pashpërbëshmja, duke e bërë të lexueshëm interesin për të deklaruar pacenueshmërinë e thelbit…, duke deklaruar gjithaq tendencën e mjedisit për të ndryshuar thelbin. Këtë e thotë përmes personazhesh aq të afërm, duke e vendosur në një ambient aq intim, pa ngurruar të kapërcejë autobiografizmin.

Nuk qe kjo liria. Liria nuk kishte qenë hapësirë. Liria ishte ngjitje vertikale / hedhja e trastave me rërë prej ballkoni / pezull i frikshëm… tani ndihem e çliruar prej iluzionit të lirisë / tashmë jam e lirë. Sigurisht që e ka provuar në lëkurën e saj, sigurisht që niset nga vetvetja, por as edhe një çast nuk ka mbetur brenda kufijve vetjakë. Lleshanaku përkufizon një koncept universal, i cili edhe pse nuk është shpikur prej saj, është thënë në një formë e mënyrë krejtësisht origjinale. Është liria e keqkuptuar, e keqtrajtuar, e keqinterpretuar… e poetes, por jo vetëm. Dhe kjo “jo vetëm” ka shumë rëndësi.

Krejt njësoj si në të tjera raste, kur kërkon të konkludojë raste, kur kërkon të konkludojë mbi konceptin kohë, mbi epokat që i mbivendosen njëra-tjetrës, Lleshanaku i referohet botës së saj vetjake. Ata po vdesin njëri pas tjetrit thjesht afirmon poetja, por ky afirmim është sa për të ngacmuar zhvillimin e mendimit filozofik. Është rrëfimi parantezë. Tekefundit poetes i intereson të konkludojë se: epokat s’janë matematikë, / por krehra, krehra që rrafshojnë çdo rebelim floku / pas një flirti të çmendur me veten. Ose më saktë i vjen të konkludojë. Natyrshëm mendimi kërkon të dalë e të shfaqet në publik, me formën e tij të paqenë më parë. Me formën e tij që e bën të ndryshëm dhe po aq interesant, pikërisht mendja që e ka formuluar, penda që e ka germëzuar…

- Por, sigurisht, ka raste kur Lleshanaku nis e mbetet deri në vargun e fundit, thellësisht autobiografike, duke rrëfyer thjesht dhe vetëm për veten e saj, duke mos marrë mundimin të heqë paralele… aty ku nuk ka pse të bëhet. Në pritje të një poezie / të ashpër, të palatuar, jashtë kontrollit / diçka që të çlirohej nga errësira ime / e patrazuar nga mallkimi / si një korb i bardhë. Gjithçka në këtë poezi është shenjë vetjake: gota e qumështit, fëmijët në dhomën ngjitur, poetja në pritje të poezisë… Është thjesht Lleshanaku, që e lë poezinë “Në pritje të një poezie”, të konsiderohet kryesisht për vlerat letrare që mbart. Universaliteti nuk është i përkufizuar me ndonjë postulat kësaj here. Ashtu si edhe kur thotë: ime më nuk besonte në mrekullira,/ dhe yllin e mbrëmjes e shtypte pa dashje sa herë / midis dy kanatave të dritares.

Por, më së shumti, poetes i intereson të analizojë qenien, pjesë e të cilës është, seksin të cilit i përket, gruan. Të analizojë, vetveten dhe paraardhësit, të gjejë pikat e kontaktit dhe shenjat që dëshmojnë ngjashmërinë, të rreket të shohë me sytë e mendjes atë që do të vijë më pas. Nuk është e rastit që nëna është më së shumti e pranishme në poezinë e Lleshanakut. Ajo më parë e poetja më pas: dy planet e një oborri / - njëri para dhe tjetri prapa shtëpisë /- të dyja duke kërkuar pak vëmendje në mënyra të ndryshme, po ecin në hulli të njëjta në mos, paralele. Në hullitë ku, brishtësia, delikatesa, ëmbëlsia, feminiliteti… e çon të ecë përjetësisht gruan. Në hullitë që kanë bërë gjithherë që vajza t’i ngjajë nënës e të jetë pasqyrë e së ardhmes së vajzës së saj. Sigurisht, duke mos përjashtuar individualitetin brenda gjithsecilit.

Dhe pa dyshim nuk përjashtohet dashuria që: futet në rrjedhën e gjërave me arrogancë, / si heshtja që pason trokitjet e çekiçit të gjyqtarit / gjatë seancës. Pasi dashuria nuk mund t’i mungojë librave të Lleshanakut, që kritika amerikane e konsideron si poete të dashurisë. Pasi dashuria nuk mund t’i mungojë një libri poezie, si koncept filozofik, si ndjenjë, si domosdoshmëri, si provokues i vlerës letrare, elementë këto që veç të tjerave janë të dukshëm në vargjet e Lleshanakut, të përmbledhur së fundi në një vëllim, nën titullin “Fëmijët e natyrës”.

ARTA MARKU

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...