Taisa Pisha, hebreja sovjetike, që vuajti dënimin në burgjet komuniste, vetëm pse u prishën marrëdhëniet Rusi - Shqipëri
BERAT- Në letërkëmbimin elektronik midis publicistit të njohur beratas, Simon Vrusho, autor i esesë “Hebrenjtë e Beratit” (libër që u hodh në qarkullim në mars të këtij viti dhe krejt tirazhi i botimit të parë u shit brenda tre muajsh), zë një vend të veçantë dhe peripecia e znj. Taisa Pisha, një nga gratë sovjetike që ëndrrën për jetën e lidhi me Shqipërinë, e lidhi me një student shqiptar, Gaqo Pisha, që në vitet 50 studionte për filozofi në Universitetin e Moskës. Por pas viteve të mjaltit të miqësisë shqiptaro-sovjetike, mbërriti dimri i prishjes që shkaktoi dhe një sërë dramash të grave ruse, sovjetike që kishin burra shqiptarë. Dimri që e përshkruan mirë gjeniu i letrave Kadare në romanin e tij “Dimri i Vetmisë së madhe”, por dimri i 20 grave sovjetike që hoqën të zitë e ullirit nëpër rrathët e burgjeve të ferrit komunist shqiptar është i pakrahasueshëm dhe i tmerrshëm kur e kujton. Por publicisti i njohur Vrusho veç letërkëmbimit elektronik sjell për Taisa Pisha edhe kujtimet e bashkëshortëve Irakli e Evgjeni Gjika, të cilët e kanë njohur nga afër, kanë punuar bashkë me znj. Taisa Pisha në kombinatin e tekstileve në Berat, rreth 45 vjet më parë teksa kjo e fundit ishte e internuar në qytetin e Beratit. Për bisedën elektronike që mora përsipër ta botoj është bërë shkas eseja e botuar e Vrushos si dhe dhurata, libri që ky i fundit i bërë Taisa Pishës teksa e përmend dhe në këtë botim me anë të një mikut të tij hebre, bëhet shkas për lidhjen elektronike për të cilën publicisti pas përgjigjes të pyetjeve të dërguara prej tij, bashkëpunoi për botimin e kësaj specialeje. Në letrën përshëndetëse ajo do ti shkruante publicistit të njohur beratas mesazhin përshëndetës dhe më pas do tu përgjigjej pyetjeve të bëra në këtë letërkëmbim elektronik, madje znj. Taisa Pisha, pas leximit të librit “Hebrenjtë e Beratit” dhe kishte lexuar autografi për Taisa Pishën:
Znj. Taisa Pisha, “Pavarësisht se nuk njihemi personalisht, unë jam njohur me
Golgotën tuaj. Me respekt: Simon Vrusho. Më pas ajo do ti shkruante: Naharia / Izrael, më 28.11.2010
I nderuar z. Simon !
Edhe një herë ju falënderoj për librin “Hebrenjtë e Beratit”. Librin me nënshkrimin tuaj ma solli dr. Zino, që erdhi bashkë me Valin për vizitë tek unë. Adresa ishte në rregull, ngatërresa ishte e postës. Me dr. Zinon jemi njohur, që në vitin 1959, kur unë lexoja leksionet e biokimisë në Fakultetin e Shkencave të USHT ( Universiteti Shtetëror i Tiranës ). Zino Matathia ka qenë nga studentët e mi të parë. Ai ishte një nga studentët më të mirë në Fakultetin e Mjekësisë. Që nga ajo kohë kemi mbetur miq. Edhe gjatë kohës që unë kam banuar në Berat ai më ka ndihmuar shumë si mjek. Më erdhi shumë mirë, kur lexova në librin tuaj vlerësimin më të lartë për dr. Zinon.
Eseja juaj më pëlqeu. Është mirë që ju e ngritët, e trajtuat këtë problem interesant dhe të pa studiuar më përpara. Në Tiranë kam njohur z. Petro Zheji, i cili më tregonte se ai studionte çështjen e banorëve të lagjes “Kala” në qytetin e Elbasanit. Z. Petro ka gjetur dokumente nga sinagoga e thoshte se në “Kalanë” e Elbasanit, 100-150 vjet përpara ka qenë një sinagogë, dhe se disa nga banorët të “Kalasë” kanë origjinë hebreje. Edhe unë kam menduar, që në atë kohë se
ndoshta edhe në Berat kishte njerëz me origjinë hebreje. Tani do tiu përgjigjem pyetjeve tuaja me radhë, paranteza e mësipërme tregon përkushtimin e asaj që i ka ndodhur kësaj hebreje ruse në burgjet komuniste të viteve 70 – 80:
Cila është origjina juaj ruso-hebreje dhe pse më dilni me dy emra: Edhe Taisa, edhe Tamara në kujtimet e kolegëve që keni punuar në kombinatin e tekstileve në Berat? Ç kujtime keni nga puna në kombinat?
Unë jam me origjinë hebre. Të dy prindërit e mi kanë qenë hebrenj, me origjinë nga Ukraina, që ka qenë shumë e populluar nga hebrenjtë. Unë linda dhe banova në qytetin Tula, 200 km në jug të Moskës. Ndërsa për emrin, u habita dhe vetë, kur lexova në librin tuaj emrin tim Tamara, se unë quhem Taisa, shkurt më thërrasin Tala ose Taja. Dikush do ketë harruar dhe më ka ngatërruar emrin. Në Berat na transferuan në vitin 1966, kur filloi fushata “e qarkullimit të kuadrove”. Përshtypjet nga puna në kombinatin e tekstileve në Berat i kam shumë të mira. Puna ishte interesante, njerëzit më respektonin. Kishte shumë specialistë nga Tirana dhe shumë nga kolegët e mi të punës, kimistë, kanë qenë ish-studentët e mi.
Si ndodhi që erdhët në Shqipëri, kur erdhët dhe si ka qenë jeta juaj në Shqipëri në kohën e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-sovjetike?
Unë kam kryer studimet në Universitetin e Moskës, ku dhe u njoha me studentin shqiptar Gaqo Pisha. Ai vazhdonte Fakultetin e Filozofisë. Ne u martuam dhe në vitin 1957 erdhëm në Shqipëri dhe po ato vit fillova punë në USHT, në katedrën e kimisë organike.
Në çrrethana filloi denigrimi, dëbimi nga Tirana në Berat ? A ishte qëndrimi në Berat një gjysmë internim?
Kur marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike ishin miqësore, na ndihmonin si për strehim, si për punë. Shumë nga gratë sovjetike ishin me arsim të lartë dhe punonin si mjeke, inxhiniere, pedagoge dhe punonim shumë mirë, dhe kudo gëzonim respektin e njerëzve. Për ne prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ishte tronditje e madhe. Shumë nga gratë u kthyen në BS. Deri në vitin 1966 ne jetuam dhe punuam pak a shumë normalisht; pastaj erdhi transferimi në Berat. Ndofta ky transferim ishte si gjysmë internimi. Për gati 2 vjet nuk kishim shtëpi dhe rrinim në hotel, ndërsa fëmijët qëndruan në Tiranë, tek kunati im.
Ju u rikthyet në Tiranë dhe si ndodhi që në Tiranë ju çuan në burg?
Çfarë meditonit në burg? A e sillnit ndonjëherë nëpër mend në burg librin e Dostojevskit "Të poshtëruar e të fyer", ku ai përshkruan jetën e të internuarve e të burgosurve në Siberi ? Si ishte “Siberia” shqiptare?
Në Tiranë ne u kthyem në vitin 1971 dhe arsyeja e transferimit ka qenë gjendja e rëndë shëndetësore e burrit tim, që kishte nevojë për mjekime neurologjike në Tiranë. Në Tiranë kam punuar në kombinatin “Misto Mame”, në fabrikën e letrës, si dhe në byronë teknologjike. Arrestimi i grave sovjetike filloi në vitin 1974, kur filluan represionet në të gjithë vendin. Mua më kanë arrestuar në vitin 1976 dhe më dënuan me 16 vjet burg. Në burg ne kemi qenë 13 gra sovjetike dhe disa gra nga vende të tjera. Unë kalova atje 10 vjet të tmerrshëm. Kur isha në burg, në vitin 1983 vdiq burri im. Sigurisht, ne atje i kujtonim romanet e Dostojevskit, edhe librin e tij “Të poshtëruar e të fyer”, por kushtet ishin të ndryshme. Kur dola nga burgu, lexova tregimin e Solzhenicinit “Një ditë e Ivan Denisoviçit” ( nuk e di a është përkthyer shqip ? ) dhe u habita, mu duk sikur ky tregim ishte shkruar edhe për ne. Na liruan në vitin 1986. Unë u ktheva në punë në kombinatin “Misto Mame” me emërimin si punëtore, por në fakt bëja punën e inxhinierit kimist. Ma kishin nevojën.
Si ju gjeti viti 1991 në Shqipëri dhe çfarë peripecish të reja ju shtuan atyre të vjetrave? Si i gjetët të afërmit tuaj në Rusi dhe, më vonë si iu nisët rrugës për në Izrael?
Në vitin 1990 u kthyem në B.S. dhe nuk i kam parë ngjarjet e vitit 1991 në Shqipëri.
Sfidat që ju prisnin në Izrael: gjuha, ambientimi, arsimimi e punësimi i djemve tuaj...
Në ato vite gjendja edhe në B.S. ka qenë shumë e rëndë dhe, në këto rrethana, në vitet 1991-1992 ikëm në Izrael, por në Izrael unë mbërrita në moshën e pensionit, prandaj dhe nuk kam punuar fare. Iu përkushtova rritjes dhe edukimit të nipave. Djemtë e mi u ambientuan, mësuan gjuhën hebraisht, u arsimuan dhe u sistemuan normalisht.
Cili është kuptimi i vuajtjeve tuaja? Pse duhet të ecnit në jetë dhe në rrugë ferri, ndërkohë që sistemi socialist pretendonte rrugë të ndriçuara nga drita e lumturisë?
Pyetjes tuaj të fundit është e vështirë ti përgjigjesh, sepse asnjë vuajtje në jetë nuk ka kuptim. Tërë premtimet e komunistëve kanë qenë gënjeshtra. Shumë veta që u besuan atyre pësuan zhgënjim dhe u deziluzionuan. Unë kam shkruar kujtime për jetën time në Shqipëri, rreth 150 faqe, sigurisht rusisht. Atje u jam përgjigjur edhe mjaft prej pyetjeve tuaja. Sa i përket shkrimit në letrën time, nga e djathta në të majtë, unë nuk e di arsyen. Unë shkruaj nga e majta në të djathtë. Konsultohuni me Xhenin, se ne kemi shumë vjet që kemi korrespondencë dhe ajo asnjëherë nuk është ankuar për një gjë të tillë. Do të mundohem tju dërgoj fotografitë. Me respekt , Taisa Pisha.
Flasin bashkëpunëtorët Irakli e Evgjenia Gjika,
Si e “arrestoi” Taisën roja i kombinatit
Irakli Gjika, inxhinier kimist në kombinatin e tekstileve në Berat tregon për Taisën:
“E kam pasur pedagoge në fakultet, na bënte punët laboratorike. Njohëse shumë e mirë e lëndës. Shkurt ishte mjaft e aftë. Atë fushë e njihte mirë. Detyrat e laboratorit i jepte në një mënyrë kaq tërheqëse, sikur të kishin dhe diçka prej gjëegjëze. Megjithëse kishte qenë pedagogia ime, kur kishte ndonjë paqartësi, nuk nguronte të më pyeste, të merrte dhe mendimin tim. Pra, ishte dhe e thjeshtë, kur si tip ishte e prerë në mendime a gjykime. Sidomos, kur kishte bindje të plotë për një gjë, e thoshte pa mëdyshje mendimin, qartë, shkurt dhe prerë. Unë nuk jam dakord, - thoshte në jo pak raste të tilla,- dhe pikë. Madje e thoshte dhe me intonacion revolte, kur nuk e kuptonin dhe kishte të drejtë. Më kujtohet një rast kur ajo ka shfaqur një habi të thellë, kur i shkuam për vizitë një kolegu në spital. Në dhomën ku ishte shtruar kolegu ynë kishte dhe të sëmurë të tjerë, kur vjen mjeku për vizitë të zakonshme. I thotë një i sëmurë: Doktor, do ta heqim këtë ilaç. Taisa më tha: “Irakli, të ndodhë kjo gjë në një spital në Moskë, pacienti del fishek nga spitali. Çne pacienti? Është mjeku ai që vendos, ai që mban përgjegjësi! Erdhi në Berat kur i larguan nga Tirana, siç ndodhi me të gjitha gratë sovjetike. Për më tepër Taisa kishte qenë dhe kryetare e grave sovjetike në Tiranë. Sigurisht e mbanin në mbikëqyrje. Madje në një rast,kur erdhi për eksperimentim bojërash një kimist, shkencëtar çek Laviçka e quanin, po dyshonin se ai nuk ishte kimisti shkencëtar, por një agjent çek! Më 1981, kur vajta për eksperiencë në Çeki, e takova Laviçkën dhe ishte po ai kimist që erdhi tek ne, por shtetit të asaj kohe çdo i huaj i bëhej si hije. Frikë e madhe nga kimia”. Ndërsa bashkëshortja e ing. Irakli Gjikës, Evgjenia, që ka punuar si laborante në kombinat, kujton: “Kam qenë e re atëherë dhe Taisën e kishim përgjegjëse të laboratorit në fabrikën e ngjyrosjes së bezes. Ne ishim vajza të reja, ajo na mësoi, na këshilloi. Ishte komunikuese. Ishte shumë e durueshme. Kur dilte ndonjë prodhim skarco edhe ne, por veçanërisht Taisa vihej në siklet, jo për faj të saj, kurse ne gjithashtu ishim të trembura, se mos kishte ndonjë në formimin e recepturave. Sigurisht Taisa i dinte mirë rrethanat shtrënguese që e rrethonin dhe nuk na vinte në siklet duke na bërë ftesa për vizita në shtëpi. Na ruante ne. Mbaj mend se i kemi vajtur për vizitë në shtëpi, në familje, kur kishte ditëlindjen e çunit të vogël. Më kujtohet dhe një episod tjetër, pothuaj absurd, banal, kur një roje i fabrikës, me të meta mendore, afrohet te Taisa dhe i thotë: Në emër të popullit je e arrestuar! Asaj i ngriu gjaku njëherë, pastaj iu kthye rojës gjysmak, duke i bërtitur me zë të lartë edhe shqip, edhe rusisht, derisa roja u largua. Për fat të keq, parandjenja, shakaja, ngacmimi i rojës gjysmake do të plotësohej vërtetë më vonë”.
Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!
Kërko brenda në imazh Shkruan :Flori Bruqi, PHD Disa vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...