2011-03-09

Disa poezi nga Vullnet Mato


Krijimtaria e Vullnet matos është si , një pus i thëllë me ujë të kulluar e të kristaltë , ne sot botjmë në FLORIPRESS  , disa  poezi të reja të tij , të cilat janë një pikë e kulluar uji në gjithë burimin e pashtershëm që quhet Vullnet Mato ..!!


NË PËRVJETORIN E LINDJES      

Dielli të më jepte në trup
pak energji nga rrezet,
qielli të më dërgonte në sy
ca vezullime yjore,
era të më dhuronte
pak freski nga mëngjeset,
mund të bëhesha prapë
si  në vitet rinore.


Shkëmbinjtë të më jepnin
në muskuj forcën,
ujëvarat shkathtësinë
e vrulleve kërcimtare,  
lëndinat dendësinë mbirëse
të barit te flokët, 
mund kthehesha sërish
te mosha djaloshare.


Lulishtet të më falnin
pak nga hijeshia e tyre,
çiftet të shtonin për mua
një puthje më tepër,
dashnorët të më jepnin
pak ngazëllim fytyre,
me siguri do bëhesha i ri
dhe i bukur patjetër...




LETRA E FSHEHUR NË HARRIM


Në mes librash tek shfletoja
gjeta një fletë dyshe të shkruar.
Ca pika loti përmbi shkronja
fjalë zemre kishin mjegulluar.


Vetëtima kujtimi më ndezi në sy
ajo vajz’ marrëzisht e dashuruar.
Njomëzakja me shtatin e saj perri
më erdhi në përfytyrim e lotuar.


Ah, moj leshverdhë, flori i prerë,
ardhur befas nga koha në harrim,
me ç’fjalë ta vrava zemrën atëherë
që derdhe aq lot për shkakun tim?


Kush më bëri xheloz aso kohe
për buzët e tua të trëndafilta?
Më vraftë zoti, që të bëra lotove
me dyshimet e mia të përcipta!


Të kisha këto mend qysh në rini,
o yll i këputur i asaj kohe të plakur,
dhe dhembshurinë që kam tani,
veten me grushte do kisha rrahur...


Që ti të qeshje dhe në pleqëri
kur të kujtoje këtë lloj rrahje.
Se pendimi dhe falja te çdo njeri,
nënkupton dashurinë e madhe...




FIZARMONIKAT DHE SAKSOFONAT




Më zbrazen në shpirt
jehonat e një fizarmonike,
më derdhen në gjoks
oshtimat e një saksofoni
dhe nis më vallëzon
nëpër pistat e syve
koha kur gjoksi vajzëror
ndizte pasionin.


Behari më sjell
psherëtima nën yje,
vjeshta çuçurima
puthjesh nën gjethe,  
me vegime nga ato
marrëzi djalërie,
që ikën një herë
dhe prapë nuk kthehen.


Lumenjtë vrapojnë
nga brigjet dhe honet,
të shuajnë tokat
që avullojnë nga vapa.
Çiftet e rinj turren
të ndezin pasionet
mbi hirin e puthjeve
që lamë ne prapa...


Koha dogji
zjarret e pasioneve tona,
por mendja dashuritë
kurrë s’i harroi.
Ndonëse tani fizarmonikat
dhe saksofonat,
përcjellin jetën tonë
që u nis të shkojë...


KAMERIERJA E KURBETIT

Kamerierja e bukur, emigrantja topçe,
merr bakshish çdo ditë disa cantime,
se me këmbët e saj si dy birra Korçe,
më shpie shpesh në vendlindjen time;

Te Panda, ku shishet e birrës me famë,
dalin direkt nga vaska e fermentimit,
ku kërcasin tapat nga shkuma e bardhë,
si buzët e çifteve në pistën e vallëzimit.

Më nxjerr sokakëve me diell ngrohur,
kur çupkat me mësalla fshijnë te avllia,
kur kambanat bien te “Ushtari i panjohur”,
kur nënat ndezin qirinj te Mitropolia.

Më shpie pres miken e parë të gjimnazit,
kur del me turmën plot zhurma e gaze,
puthemi qoshkave me zjarrin e marazit,
kur e përcjell e tund fustanin me naze.

Më shëtit nëpër bulevardet me vajza plot,
kur hëna të shkel syrin lart nga Morava,
te kinema “Majestik” moshatarët takoj,
drithërojmë ulicave zemrat me serenata.

Kamerierja dhe uiskin e kurbetit të rëndë,
s’di si ma bën në gotë raki prej mani,
sa herë në Korçë më shpie me ato këmbë,
eh, si më shkasin lotët, more shokë, amani!...

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...