Nga Novruz Xh.Shehu
I dëgjuar shumë pak në vendin e tij të lindjes, i botuar pakujdesin e duhur në komunitetin shqiptar, që ende s’po sh
këputet plotësisht nga ankthi i miteve të Komunizmit, me një kolanë të jashtëzakonshme veprash artistike në prozë (mbi 30 tituj shkruar e botuar në gjuhët shqip, përkatësisht rumanisht) Ardian Kyçyku meriton të nderohet sin nje kont i vërtetë i letrave .Një shkrimtar i famshëm nuk zbeh aspak një shkrimtar tjetër të famshëm, një psikologji e kundërt është Pasojë e paranojës së miteve dhe rrënojave të tyre jo pak të rrezikëshme.Tanimë Shqipëria ka një shkrimtar tjetër të përmasave botërore, jo për sasinë e veprave, por për stilin magjik, për arkitekturën krejt të re në shumë prej veprave të tij, për mesazhet kombëtare e universale me guxim intelektual jo të zakontë.
I përkthyer, botuar e vlerësuar në rumanisht, hungarisht, gjermanisht, spanjisht, anglisht, sllovakisht etj.ai ka tërhequr vëmendjen e personaliteteve më të shquara të kritikës bashkëkohore të konntinentit europian e me tej.Që në botimin e romanit të parë në Rumani “Viti kur u shpik mjellma” dhe “Mortet” në Prishtinë, shtypi letrar i këtyre vendeve shkroi gjatë e me entusiazëm, duke njoftuar auditorin serioz të letërsisë se po i vinte një mjeshtër i madh i metaforës.
Pa mohuar aktivitetin publicistik të Arian Lekës, Dhurata Hamzait, Zhani Cancos, Koci Petritit e ndonjë tjetër, për ndriçimin e kësaj figure, në komunitetin brënda kufijve të komunitetit shqiptar, mendoj deri në bindje se ndaj është mbajtur qëndrim jo professional e deri në cinik. Mjafton të përmëndet fakti që as nga Ministria e Kulturës e as nga konkursi “Balkanica” nuk është paraqitur e as nuk është vlerësuar ky personalitet, emrin e të cilit do ta kish për nder ta mbante çdo komb në altarin e vet.
Duke preferuar të citoj z.Ardian Kyçykun në një intervistë dhënë Zh.Cancos më 8 shtator 2007 “Globalizmi vendos tashmë në masa të ndjeshme ecurinë e kumtit artistik”, besoj se i jap përgjigje më se të kuptueshme kujtdo, që vrehet me mosbesim para ardhjes së këtij personaliteti në kontinentin e letrave.
Personazhe si Homeçkena, (“Home”}, të befasojnë, të rrëmbejnë në universin e tyre sa tragjik aq komik, duke të bërë të shikosh një pjesë të vetvetes, primtivizmin dhe trimërinë, intelegjencien e porsazgjuar dhe hutimin në metropolin e Shqipërisë e në metropolet ne planet. Tek “Home” {emër i mbetur si produkt i përshëndetjes së tij “Ho me ç’kena”} që e përndjek në Tiranë e kudo, shihet njeriu i zbritur nga malësia, i rënë në kontakt me qytetërimin. Ai-Ne, ka një kështjellë e një armë në shtatin e tij. Në një kuriozitet mësova se një pacienti i kish mbirë një pishë në mushkri! Ne të gjithëve na ka mbirë arma nën kafkë, krenaria, sinqeriteti e bujaria deri në relike primitive. Megjithatë Home s’mund të krahasohet me Don Kishotin, siç pashë në një shkrim diku. Jo. Ai është një shpat i shkëputur nga majat e alpeve, rrëshqet ndoshta si një copë akulli drejt ngrohjes globale, pranë qyteteve nëpër botë, i bindur kullën, dashurinë, veveten dhe emrin real të asimiluar diku.
Tek romani”Lumenjtë e Saharasë”, të mahnit realizmi magjik, ku shkrihet mrekullisht esseja me rrëfimtarinë, publiçistika me poezinë, tabloja me filozofinë.
Tek “Oreksi për bukën e qiellit”, të shokon “poeti shqiptar”, që ndoshta është një sozi e “Home Ckena”, një version i tij nëpër mjedise të çuditëshme. Portrete që të kujtojnë Gojan, sa të mrekullojnë po aq të trishtojnë.Sa mendon se ke të bësh me një roman policor, kupton se je në vorbullën e realitetit ku jeton.
Ardian Kyçyku e ka marrë globin në duar si një gogël, e rrotullon dhe vëzhgon, e studjon dhe e dallon nga bashkëkombasit, poetin shqiptar, poetin shqiptar të mpleksur në shtëpi vdekatarësh pa fytyrë, paralitikë, emra kafshësh që gjuajnë minj e minj që gjuajnë shkronja. Është aty, sa psikologjia e Femrës së Bukovskit, po aq realizmi magjik i Markezit, sa kapërximi pindarik I Buxatit, po aq realizmi therës i Honore De Balzak.
Një ngjizje e të gjithë stileve në një stilt të rallë i një autori i cili s’mund të mos ishte shqiptar i ngjizur midis primitivizmit dhe qytetërimit, legjendave e bëmave reale, virgjërisë së natyrës e çvirgjërimit të personalitetit butaforik.
Në kërkim të vrasjes së zonjës Tais, zbulohet mjedisi, personat që e banojnë, , jetesa pa synim, macka, poeti, Frida, doktori, Nemesisi e të tjerë.
Dialogu i shkathët, filozofia meditative, zhbirimi publiçistik, metafora brilante, imazhi tronditës e simbolika nuk të lënë të lëshosh librin nga dora.
“Unë nuk jam I tanishëm, kam lindur më vonë. Shqiptarët si imi lindin per disa epoka njëherësh.Të gjithë do të binden një ditë për këtë dhe do t’ju vijë keq që ajo kohë nuk më përfilli siç e meritoja”. (“Oreksi për bukën e gojës, f.59)… “Kisha dëgjuar se shqipëtarët ishin një komb i veçantë dhe qenë të aftë të bënin çdo gjë, sepse i vinin të njëjtin çmim jetës dhe vdekjes”, f59….këtë epokë nuk e sundon as muza e poezisë, as ajo e prozës, as ajo e vdekjes, e vrasjes, e shthurjes, e vetvrasjes, por Muza e lojës…”, f18.
Të kujtohet pak Niçja i përfolur, i frikshëm e prapë i domosdoshëm, që ndriçon anët e errrëta të jetës, por kurrsesi nuk preferon vetvrasjen e gjithçka bëhet në emer të dëshirës e domosdoshmërise për përkryerjen e të mirës, që merr përsipër ta realizojë arti prej etërve të tyre të mëdhenj.
Ardian Kyçyku është prestigjiator i fjalës, i motivit, imazhit, duke të bërë të ulesh në kolltuk, me dhimbje të padurueshme në brinjë.
“Muza e Lojës”. Në Muzën e Lojës një jetë të tërë, planeti rrotullohet ne boshtin e kësaj muze, pra të Lojës së pafund.
“Më tha se ne balkanasit, në vend të gjakut kishim lëng prej lufte e poezie. Nga shpërdhembja e etjes në luftë me poezinë, buronte sipas saj nevoja jonë për të shkatërruar, për të vetvrarë.
Dhe fundi i kësaj hipoteze, apo nënëshkrimi i kësaj teze të frikshme mba shënimin e mëposhtëm:
“Nga përkthimi i jetës së shqipëtarit, mora vesh se e verteta mbi vdekjen e zonjës Tais fshihej në një fjalë të vetme të të gjithë pjesëmarrësve në lojë…”
Dhe me elegancën e komedianit dhe me pashpirtërinë e tragjedianit, pohon në faqen 73:
“Sepse ai kish zhvendosur atdheun e vet tjetërkund. Kur të vinte koha, dhe kohën vetëm pleqtë e dinin, ai po të ishte ende gjallë, por edhe ndonjë shqiptar tjetër në vend të tij, do të hanin malin prej letre, domethënë librin sa një mal, dhe do të bënin prapë Shqipërinë – Shqipëri.”
…Por për disa, fragmenti është vështirë të japë qoftë imazhin e përafërt të këtij shkrimtari, pa lexuar romanin “Sy”, i cili kam bindjen se është ndër veprat më të arrira në Evropën lindore, që ende qëndron e përfshirë nën kthetrat e miteve të Komunizmit.
Ky libër, i vetmi i botuar saktë në Sh.B.Ideart, prej Arjan Lekës, në tetor të vitit 2007, çuditërisht s’ka tërhequr vëmëndjen e kritikës, të vetë letrarëve dhe të medias investiguese. Të mbetur në grackën e komercialitetit politik, ekonomik, ndoshta në kthetrat e Katovicës letrare, u qëndrua më muaj të tëra me librin “Ishull… “ të Blushit, duke mbajtur lupat nga të gjitha anët, të gjenin patjetër gjenialitetin artistic, duke u ngatërruar jo pak herë me historinë.Dhe s’u fol për veprën “Sy” të Ardian Kyçykut, ashtu siç u bë dhe me veprën “Funerali i pafundmë” të Visar Zhitit, me “E kuqja e demave” të Mira Meksit, me “Gruaja me urhdër të ujkut” të Petraq Ristos ej.
Është paradoks të lihet pa u vendosur në fokus të analistit, studjuesit, filozofit dhe lexuesit inteligjent, romani SY i Ardian Kyçykut. E habitëshme dhe jo shumë e habitëshme në një komunitet, ku vlerësohet më shumë një deputet, qoftë pa asnjë gjuhë të huaj dhe as që përshëndetet një kryevepër, që do ta kish zili ç’do letërsi serioze, që pretendon konkurencë me dinjitet në planetin e letrave.
Cili është romani “Sy”? Një roman me përmasën e epopesë, që kryen operacionin e Shqipërisë në 60 vite (1945-2005). Po. Virtuozi Kyçyku e ka vendosur Shqipërinë në tehun e bisturisë intelektuale, filozofike, artistike, metaforike, në tryezën e kirurgjisë së tij, me vëzhgim e investigim të pazakontë, me guxim e pa asnjë autoçensurë, më shkathtësi dhe bindje se, pa kryer atë autopsi, vështirë se do të kemi ndonjëherë një Shqipëri për të qënë.
Që në faqet e para do të përballemi me tre peshkatarë pa kokë dhe rreth tyre vorbullojnë Shoku e zoti Themi, Haki Ujera, Misto Fotografi, Afrim Katrahura, Agimi i Zukut të vdekjeve, Koço Puthja (Stërputhja), Jaho Myneveri e të tjerë dhe kudo Syri vëzhgues si ai i Mona Lizës, që të përndjek tmerrshëm e të lë pa gjumë.
Ironia therëse, e dhimbshme si tehu i bisturisë, që të prek në kockë, të përndjek kudo në këtë SY të pamëshirtë, të patolerantë, që jo pak vet do ta quanin mizor.
Ata peshkatarë pa kokë janë shqiptarët e gjysëm shekullit komunist, të cilët vendosën të preferonin me bujë që të rrinin pa kokë, duke mbajtur mbi qafat e tyre te prera idhujt politikë, qoftë një avangardë pa shkollë e injorantë. Të shndërruar në komunitetin e pleqve, që ulen lulishteve dhe tjerrin pambarimisht tregimet e luftës së dytë botërore, në Shqipëri s’i shkon kujt në mend të merret me figura
të tjera të përmasave botërore si Ardian-Christian Kyçyku. Në këtë matufëri të qëllimtë, vazhdojnë të lulërojnë mitet paranojake të Komunizmit.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...