2011-03-11

Cikël me poezi nga Sami Velçani/HAPAT E NDJENJËS PËR POEZINË

Promovimi i vëllimit poetik “Regëtima e gjethes” i Sami Velçanit ishte një festë e bukur ku nuk munguan vështrimet poetike rreth risisë së autorit, urimet, por edhe kënga, vallja, bisedat, humori që i bëjnë këto takime interesante. Përshtypjet dhe mbresat janë të shumta sa është e vështirë t’’i përmbledhësh në pak radhë. Do të përshkruajmë çastet më kulmore, duke shprehur edhe njëherësh kënaqësinë mes miqsh të penës e fjalës. Ndihesh tejet i ngazëllyer e i mbushur me emocione në kësi takimesh e mjedise të ngrohta, sa që s’ka se si të përshkruhet sidomos kur njihemi fizikisht me të tjerë krijues, botues, kur mësojmë për pasionet e tyre, shkëmbejmë libra, mendime për poezinë e artin në përgjithësi
Poetë, shkrimtarë e studiues shfaqën mendimet e tyre për stilin dhe rrafshet gjuhësore të vëllimit poetik “Regëtima e gjethes” të Sami Velçanit. Thuajse të gjithë, në fjalët e tyre, vlerësuan, përgëzuan autorin, por edhe recituan poezi nga krijimtaria e tij. Ata nuk ngurruan që të shprehin edhe ndjesitë që kishin marrë për secilën poezi të këtij vëllimi, duke vlerësuar shpirtin poetik të autorit dhe forcën shprehëse të metaforave. Por shfaqën edhe kritika të natyrshme, të cilat ishin të pakta në krahasim me vlerën e librit. Kryesorja çmuan pasionin e Samiut me fjalë zemre, se fjalët asnjëherë nuk duhet të mungojnë dhe se zakonisht ato janë interesante edhe duke e uruar për suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë e të bukur të artit.
Vëllimi poetik “Regëtima e gjethes” i poetit Sami Velçanit vjen pas vëllimit me poezi “Kënga e Arabasë së vjetër” dhe është një prurje tjetër e këndshme e tij me vargje prekëse e plot me ndjenja. Profili i poetit bëhet më i plotë në tematike, në stil dhe në rritjen artistike edhe me botime të tjera dhe vëllimi i ri i gërshetuar artistikisht me një larmi, shpreh emocione të tjera poetike të autorit. Vëllimi është shkruar me vargje të bukura, të strukturuara me ndjeshmëri të lartë, të rrjedhshme dhe me ëmbëlsi shpirtërore. Poezi me intensitet mendimi, ngjyrime, ndjenja, reflektime jetësore dhe unike. Me ngarkesën emocionale dhe pasionin për të vargëzuar mrekullisht, poezitë e Samiut, të japin me të vërtetë kënaqësi kur i lexon, por sigurisht edhe të nguliten në mendje për të mos i harruar. Është pasqyruar ajo ç’farë e ka trazuar botën e poetit.
E veçanta e këtij vëllimi është se poeti me vargje prekëse e qartëson dhe e bën më të ndjeshme dhimbjen në shpirt.
“Nëse vërtet ka një jetë pas kësaj, unë do të gjej aty në parajsë. S’besoj të lodhem shumë sepse do të gjej menjëherë nga sytë e tu të bukur që harkonin ylbere”.
Me këto fjalë nis autori vëllimin poetik “Regëtima e gjethes”. Dhe dhimbja e poetit është po aq e madhe sa ç’është dhe dashuria për njerëzit që kemi dashur e janë ndarë nga ne.
Një vështrim stilistike të vëllimit poetik “Regëtima gjethese” të Sami Velçanit e paraqiti Agim Bajrami, i cili shpalosi aftësinë artistike e poetike të autorit. Janë poezi të mrekullueshme me figura, simbole, krahasime e ngarkesa të veçanta lirike. Ai ndalet gjatë edhe në vlerat e librit dhe i uron që ai të njohë vlera të reja të krijimtarisë së tij letrare. Duke mbyllur fjalën ai recitoi një nga poezitë e këtij vëllimi që i kishte lënë më shumë mbresa.
Poetesha Beatriçe Balliçi me fjalë të zgjedhura, i bën një vlerësim të veçantë librit. Ajo theksoi se poezia e poetit Sami Velçani është një prurje me vlera të mëdha estetike dhe stilistike. Nuk mund t’i qasesh poezisë pa pasur aftësi për të vargëzuar dhe Samiu është një poet që imazhet e ngulitura në mendje i ka sjellë në format e dëshiruara.
Si përherë në takime të tilla poetike, shkrimtari Kujtim Agalliu shpërfaqi edhe këtu tërësi mendimesh për mesazhet që japin librat dhe organizimi i promovimeve të tilla mes krijuesve. Në endjet e tyre, duke lëmuar ndjenjat, poetët gërmojnë në labirinthet e shpirtit të tyre. Çdo poezi Samiu e ka veshur me ndjenja ku depërton mendimi i thellë, ngrohtësia e zjarrit të shpirtit.
Fatmir Musaj vlerëson prirjen e autorit drejt fabulës poetike, mesazhin, deduksionin, ritmin, që sipas tij diku le edhe për të dëshiruar. Vëllimi poetik ka detaj motivin e gjethes e që është konkretizuar me titullin “Regëtima e gjethes”. Po ashtu ai vlerëson ndijimin poetik, brendinë e metaforave të shumta të këtij vëllimi poetik si: “brenda vetes ngre stuhi”, “qeshja e tyre si pasqyrë e thyer”, “me mushkërinë e gjetheve do marr frymë”, ’ky fllad që vdes”, “edhe në ëndërr je mbret”etj.
- Janë bashkuar njerëz të mençur e po flasin për poezinë. - Kështu e nisi fjalën e tij poeti e studiuesi Namik Selmani. Më pas me një analizës së hollësishme përmblodhi vlera të tjera të këtij botimi. Samiu është një poet që di të qëmtoj të bukurën. Një detaj që bën ta vlerësosh është se poezitë kanë gjeografi. Aty është Kumanova, Ohri, Tetova, Berati, Durrësi, Lezha, Korça, Sharri… Ai veçoi krijimet që ja kushton Çamërisë si poezitë më të bukura të këtij vëllimi dhe si një lidhje shpirtërore e autorit me këtë dhimbje. Në fund të fjalës për kënaqësi i dhuroi autorit librin e tij “Pesha e qiellit të vendlindjes”
Shkrimtari pogradecar Istref Haxhillari, ndër të tjera, tha se krijimtaria e Samiut ka një lirshmëri befasuese. Poezitë e Samiut të emocionojnë. Janë të ngrohta, mbresëlënëse.
Studiusi dhe shkrimtari Daut Hoxha në fjalën e tij të thjeshtë e të bukur radhiti përkushtimin, vlerat e poetit edhe si qytetar. Pastaj siç e ka zakon me tonin e tij plot inteligjence e finesë shprehu një lum fjalësh përgëzuese për librin. Veçoi poezinë “Varrezë mjerane”. -Pavarësisht nga nota e dhimbjes,- theksoi ai - poezia është realizuar me gjetje.
Kanë evidentuar më tej vlerat e poezisë së Sami Velçanit dhe vëllimit të tij poetik studiusi Ilir Mborja, poetët Eduart Sulollari, Alfred Molloholli, miqtë e poetit Murat Protoduari, Naim Kërçuku. Në çdo fjalë të tyre me pasion dhe konsideratë u shprehën mendime, vlera, përgëzime, ndjenja dhe emocione nga leximi i librit. Recitimet e poezive nga Alfredi i japin freski ambientit dhe fitojnë duartrokitje të tjera.
Autori me fjalët e tij të thjeshta e emocionale flet shkurt. Falënderon miqtë krijues, mendimet e tyre për librin e tij, kënaqësinë e takimeve të tilla, që janë një shprehje e mirëkuptimit, dashurisë, respektit dhe tolerancës, mesazhe këto që japin njerëzit e penës dhe u premton se së shpejti do të jetë përsëri pranë tyre me krijime të tjera.
Këngëtari Naim Kërçuku nis e këndon. E shoqërojnë e Nikolla, Joani, Beatriçja e me respektin që të imponon interpretimi i këngëve ndjen emocione të tjera. Një moment tjetër i bukur i takimit është kur nën ritmin e muzikës u ngritën të vallëzojnë në ambientin e lokalit.
Koha kalon gëzueshëm dhe pasditja na largon me urimin për t’u mbledhur në takime të tjera të gëzueshme me sa më shumë promovime librash.
Mbyllet sipari i kësaj feste me foto në mjediset e lokalit, që i shtojnë të tjera vlera promovimit. Ato janë kujtime të vyera. Mbresa të paharruara....:



Vetmi ...bregdet.

Të egërsuar detin, si sot s'e kam parë
Ka marrë nje si tjetër fytyrë
I zuri me dallgë ca të rinj kureshtarë
Dhe qiellin e theu si pasqyrë

Peshkarexhat e vogla i shtrydhi me duar
Nga larg duket se një acar i ka ngrirë
I mori përpara me furi të tërrbuar
I zhyti në hone e rrëpira.

Veç mua ca dallge më vuri në duar
I heshtur furia i"u tret
E di , që si ai jam bohem i vetmuar
Dhe jemi vëllam njëmijë vjet.


Mulliri i vjetër

Një strehëz të vjetër që shpesh mbulon mjegulla
Ndanë një dhiare që rrezikohet në harrim
Hepohen petavrat e vjetra nën tjegulla,
Teksa një motiv mer udhë në shpirtin tim.

Merr udhë në zemër si ninullë ndajnate,
Mbi gur të mullirit thyhet me rropamë
Perëndimet ndizen mbi të, ngjyrë flake.
Ndërsa larg... dëgjohet një zë, si ofshamë

Në mustaqe të mullisit tymi si borë,
Një brez i tërë shpirt bohem,
Kënga millonait i praron si kurorë
Zbardh kaçurrelat e tij me ujem...

Djej urimesh i ulen të vjetrit burre
Dhe ninullë e rremës sythëzon dashuri
Bashkë me grurin që bluhet nën gur
Stërkala e ujit e shndërron në djalë të ri.

Mposht përgjumet syri i pafjetur
Avazi i vjetër nuk i sjell bezdi,
Tek kjo ngrehinë e vjetër veten kam gjetur
Në këtë ujem, njëmijë dashuri!!


Tropikal

(Plepa Durrës)

Dy të rinj po puthen në shezlon
Për praninë time s'duan t'ia dinë,
Ndërsa mua më çahet kraharori që gufon
Këtë vakt që dielli shuhet në perëndim

I mungon diçka Tropikalit këtë të dielë
Dhe dy strucët që sikur e kuptojnë
Lakojnë qafët si një lutje në qiell
Ndoshta vështrimet kureshtare i hutojnë.

Pishina, si det i vogël thyen vështrimet
Për dy të rinjtë më s'jam kureshtar,
Veshi im kap drithje e rënkimet
Të qejfit të rinjve e vrullit djaloshar.

Çadrat thurur si kapele vietnameze,
Rëra me rreze margaritari si orizore në Azi
Ti Tropikal mrekullisht fantazinë time ndeze,
Më shumë se seksi që bëjnë këta dy të rinj!


Vizitë në biblotekë

(Ontario, Canada 2003)


Në Ontario, atje larg në Paqësor,
Më sythëzuan në dorë mijëra tulipanë,
Qeshej pranver' e Arktikut e ma bën me dor',
Kur hyra në biblotekën rrethuar me jargavanë.


Mes librash të ndritshëm, me lëkurlëmuar
Mu beh një plak i thinjur përballë
Çuditërisht me një kobure nëntëshe në duar
Dhe një qese me eshkë, uror e strall'.

Seç kishte dava me një perandor,
Biblioteka erë të mirë të eshkës mori
Kur mëshoi masati mbi urorë
Krenaria formë mali, mu bë si Tomorri.

Të tërin më pushtoi një mall
Kur masati i Mekës ndezi ylberë,
E ndjeva veten si nje copëz strall,
Që po ndizem si kjo eshkë, që zjarr po mer.

Atje larg në Kanada në Paqësor,
Hyra në biblotekën rrethuar me jargavanë,
Pranverë e Arktikut, qeshet , e ma bën me dorë
Në shpirt më sythëzuan mijëra tulipanë...

FRENGJIA E SHANISHASË

Si hije në trotuar rrëshqet mesjeta
Nga një frengji e fshehtë më sheh Shanishaja
Kalldrëmet e gurt´ po zbresin të tatëpjeta
Vargmalet me bore u zbardhën në maja

Historitë kryqëzohen tek sokaku i të Marrëve
Gurëve ku cmilari ka rrahur pambarim
Heronjtë po zgjohen nga thellësia e varreve
Dhe ditëve të zymta u ndezin një agim

Bora ka mbyllur gurët e përrenjve
Që si nëpërka tinzare i bëjnë sfidë këtij qyteti
Ca gjurmë dëshiroj si alfabeti hebrenjve
Drejt reve që nguten vështrimi më mbeti

Mëngjesi ka humbur në një skutë këtu pranë
Ndaj hapat drejt tij rrëshqasin me droj´
Më lini o njerëz, të shoh Shanishanë,
Dhe puthjet me të t´i këmbej gojë më gojë

BORË NË DET

U puth deti me borën e parë
Teksa qëmton metafora në flokët e saj
(Se deti gjithmonë dashuron si i marr´)
Dhe në gjoksin e tij dashuritë di t´i mbaj !

U zbardhën pemët, kurorat ulën
Si ca gjimnaziste pas puthjes së parë
Ca shtiza acari në trungje u ngulën
Dhjetori ka ardhur me këmbë të mbarë

Trishtimet e mia të shkuara mbetën
Sa vite e prisja këtë orë !
Po nisem drejt qiellit me zotat t´endem
Të tretem tek keto luleborë !


GRAVURE STRALLI

Dallgët kaluan mbi këtë copë stralli
E gdhendën në të një gravurë të vjetër
Koha përlotet nën jargavan´malli
E shekujt vetvehten e masin në çdo metër


DET´I TURBULLT´

Vetëveten e turbullon deti
Në dallgë gjithë hakërrim
Ashtu siç i ndodh çdo poeti
Kur vargjet ndërmend i vijnë...!

I penduar duket për ca ditë më pare
Kur si i tërbuar u sul ngareve
Sot po më duket zemërvrarë
Se...vërshoi mbi djersën e fshatarve

Në një monolog të heshtur të dy
Shkëmbehemi n´udhë vështrim ftohtë
Unë diç dua t´i them me sy
Por edhe ai diç do t´më thot...

Ecën i heshtur, sikur hapat numëron
(Se edhe nota nuk e pengon t´ec)
Veç kur oborret e fshatit sulmon
Unë e shaj:"O plak mistrec"

Përgatiti Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Ismail Kadare[a] (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-'82), zv/kryetar i Fro...