(Sadri A. Kelmendi: "NUSJA E APOLONIT", novelë për fëmijë, NGB "GUTENBERG", Prishtinë, 2005)
Proza për të vegjlit "NUSJA E APOLONIT" pa dyshim është njëra nga rrëfimet moderne më të tërheqëse për fëmijë. Këtu autori, duke u veshur peshqve pasionet, veset e dashuritë e njeriut, krijon karaktere shumë të veçanta e shumë interesante, që do të mbesin përgjithmonë në kujtesën tuaj. Udha e peshqve nga Drini i Bardhë në Liqenin e Fierzës, në Koman e në detin Adriatik, s'është thjesht një aventurë fiktive për të përmbushur lojën e ëndrrës suaj, por vetë fati historik i etnisë shqiptare. Pra, me këtë zhvendosje të përhershme të heronjve peshq, S. A. Kelmendi krijon metaforën e kërkimit të fatit në atdheun gjithnjë të kërcënuar të shqiptarëve.
Një refleks tjetër metaforik, që pasqyrohet nga thelbi fabulativ i novelës, është fati i dashurive të ndaluara, që shplekset mjeshtërisht përmes dramës dashurore të peshkut Apolon me peshkushen Ëmbëlsore. Këtu kodi i dashurive të ndaluara formulohet si dimension filozofik i fatit të paracaktuar për të ruajtur harmoninë universale të dhembjes, të jetës e të vdekjes, pa të cilat gjallimi s'do të kishte asnjë kuptim.
Marrë në tërësi, novela "NUSJA E APOLONIT", me rrafshin e veçantë fabulativ, me shumësinë e mendimit, me tipizimin e natyrës njerëzore përmes peshqve etj.,shënon një shkallë avancuese të autorit në planin krijues në veçanti dhe e bën më të begatë prozën tonë për fëmijë - në përgjithësi.