2011-03-09

Dashuri në Kohën e… Seksit…

Lindi në qytetin e Elbasanit, më 1966. Është poeteshë, shkrimtare dhe botuese. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit.Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë. Flutura Açka është shumë e njohur me poezinë e saj. Në vitin 1997 ajo mori çmimin ndërkombëtar "Lira e Strugës" në Netët e Poezisë Strugane ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë. Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit. Romani i saj i parë "Vetmi gruaje", është përkthyer dhe botuar këtë vit në gjuhën bullgare. Flutura Açka e ndan jetën e saj mes Tiranës dhe Utrechtit, Holandë.

Flutura Açka was born in 1966 in Elbasan, Albania. She studied economy and statistics at the University of Tirana. After her studies she worked as a journalist at one of the first free daily's in Albania, after the fall of dictatorship. From 1992 until 2000 she worked as an editor in bookpublishing. In 2000 she established with her Dutch partner and publisher Richard van den Brink in Tirana an upmarket literary publishing house: Skanderbeg books. (See: www.albliterature.com)
Flutura Açka is also known as a writer of poetry and fiction. She published several collections of poetry, and many of her poems are also published in French, Italian, Greek, Rumanian, German and Macedonian translation. For her poetry she received the important Prize of the Struga Festival. She published so far three novels. The first one has been translated into Bulgarian; a Bulgarian critic called her the 'Albanian Marguerite Duras'. Greek and Dutch translations of her second and third novel are in preparation. In Albania she is looked upon as, if not the most important female writer, at least belonging to the top five of best Albanian writers ever (Top 100 Tirana Observer, August 2007). Flutura Açka lives both in Tirana (Albania) and Utrecht (the Netherlands) and has one son.

Përgatiti:Flori Bruqi





“Shtrati martesor ishte lugina e vdekjes së çdo dashurie.Sido që të ndodhte me to, edhe sikur të mbërrinin ta preknin lumturinë, edhe sikur ta shpërfillnin, jeta e tyre do të ishte shumë e shkurtër.Një tjetër luginë vdekjeje do të shfaqej, po aq e tmerrshme sa e para: Monotonia. Rutina” (f. 159).

Gati sa s’thashë “Dashuri në kohërat e kolerës”, titull i romanit të famshëm të Gabriel Garcia Markesit. Dy vetë ka edhe në atë roman dhe një dashuri e çuditshme, mbushur me mall e adhurim, që triumfon në pleqëri, kur lëngjet e njeriut thuajse janë tharë. Por dashuria mbin edhe në llom, edhe në zheg. Se është dashuri. Edhe romani i fundit i Flutura Açkës, “Hiri”, dy vetë ka gjithëgjithë dhe për dashurinë flitet gjithashtu. Për dashurinë në shekullin e keqkuptimit më të madh të saj, gjithë po aq të ndotjes më të madhe: pornos. Letërsia krejt dashuri është, në fund të fundit aty lundron. Puna është sesi lundron? Pikërisht veliera e Fluturës, shkurt stili i saj është i lehtë, fluturak, elegant, që rrëshqet në fjalë dhe jep shumë ëndje, që e lexon me një frymë e nga pas lë veçse kënaqësi.



 

Hiri

nga Flutura Açka

Roman

Shtëpia Botuese: Toena

Numri i faqeve: 164

Çmimi: 400 lekë


Poetizimi i dashurisë


“Burrat që më deshën, më hëngrën sysh, por kokën ma hëngrën burrat që desha”. Kështu shkruan në kryeherë të romanit shkrimtarja. Anatema e saj është kjo gjë vallë? Domethënë e heroinës, Enorës? Mbase. Një roman i ri, ca më tepër i shkruar nga një shkrimtare, është një festë, doemos. Për atë dhe për miqtë e saj. Këtë festë unë e ndava me Fluturën në kafe “Piazza”, në një bisedë ik e hajde udhëve e bëmave të romanit, zgjatur në metaforën e saj me “Luginën e vdekjes”, që s’ishte për mua veçse vdekja e dashurisë nga zinxhirët dhe tinëzitë e martesës, të mosbesimit, të paragjykimeve, e vetë qytetërimit. Ndoshta, edhe e fatalitetit. Sepse fundet e dashurisë, çuditërisht janë aq shumë fatale!... Një bisedë, që vazhdon edhe këtu, në këtë shkrim. Vit pas viti Flutura Açka, me përvojën si nënë dhe grua, nga Tirana në Utrecht të Hollandës, sikur rrëmon më fort në udhëkryqet dhe
misteret e dashurisë, te pjesa e pashpjegueshme, aty ku zë fill eteri, fryma, mugu, “pika kritike”, kur lëngu kthehet në avull e bëhet “shpirt”. Sepse dashuria është “shpirt”. Sinestezi ngjyrash që shndërrohen në tinguj dhe tinguj që shndërrohen në aroma. Një kod trashedental, jo i Artur Robjesë, por i Demiurgut, qysh në Zanafillë, para “gjethes së fikut”, atëbotë kur ontologjia e gjësendeve ra pingulthi dhe u shndërrua veçse në orgazëm, në djersën e epshit prej mishit të bardhë, pa u bërë kurrë poezi, ajër, parfum, eskatologji engjëjsh, një diademë ala Rembo. Pikërisht në kohën kur mbi fletët e bardha të pseudoletërsisë derdhet kaq shumë ndyrësi, duke e ndotur dashurinë me perversitete, romani “Hiri” bën të kundërtën: poetizon dashurinë. Gjithë ç’shkruhet aty është sikur të lexoje poezi. Të deklamoje. Qëndisje e fjalës. Ritëm. Ditiramb. Shfrime lirike të një shpirti të bukur.

Bukuri në thjeshtësi

Nuk do të gjeni ngjarje të zymta, klithma dhe grindje, as dhunime, grushte, britma, gjak, thika e vrasje, sharje e poshtërime. Asgjë të “fortë”, “dramatike”, ca më pak “tragjike” do të gjeni te romani “Hiri”. S’është as si “Vetmi gruaje”, romani i parë i saj, i përkthyer këtë vit edhe në gjuhën bullgare, as si “Kryqi i harresës”, romani i dytë i saj, ku tragjikja rëndon si një qiell i zymtë përsipër. Përkundrazi, ky roman i ngjan një serenade buzëmbrëmjeje për dashurinë, atëbotë kur konturet e gjësendeve mjegullohen dhe magjia e hënës breron mbi to si aureolë mistike, - këtë po, do ta gjeni aty. Sepse dashuria është si prushi nën hi. Shkundeni pakëz gacën dhe prushi do të kuqëlojë sërish si shpuzë duke ua lëbyrur sytë. Lëreni dhe hiri sërish mbi shpuzë do të zbardhë, cipë do të zërë, si bora e pranverës mbi barin e njomë. Kjo është historia vetanake, po aq universale, e piktorit të talentuar shqiptar Ed Zagoria, që jeton e krijon në Amerikë, me gazetaren shqiptare Enora. Veç dy personazhe janë, asgjë më shumë. Dhe një mjedis ku ata vendosen: Amerikë, Shqipëri, Prishtinë. Me fare pak ngjarje, si diçka që ndodh rastësisht, që mund t’u ndodhë të gjithëve, romani është një udhëtim brenda vetes. Një rrethrrotullim kah vetja për te tjetri. Aty ku femra dorëzon misterin e vetvetes dhe pret edhe dorëzimin e shpirtit të tjetrit bri saj. Por dorëzimi pa kushte, dorëzimi sublim, i perëndishëm, ai i dashurisë totale, absolute, s’vjen. Ose vjen vonë. Në heshtje. Në prag agu. Si psherëtimë. Ndaj dhe fjala magjike “Të dua” e Ed Zagorisë shqiptohet teksa dera tashmë ishte mbyllur dhe trupi i Enorës, pas dashurisë së fundit me të, po humbte diku tej, pas xhamit, në ajrin e ngrohtë të mbrëmjes. Pse e kemi frikë dashurinë vallë? Pse s’i dorëzohemi asaj? Ç’na mundon? Mos ndoshta dashuria është vetëm seks? Një grimë? Një ndërkohë? Ofshamë? Lëngje seminale? Instinkt riprodhues?... I bukur apo i mërzitshëm është seksi? E bekuar apo e mallkuar është dashuria? Po martesa ç’është? E dëshirueshme, e pranueshme, e dobishme apo e domosdoshme? Hajde gjeji tërë këto ekuacione të mbyllura, si rrathët e Sokratit. Në këto rrathë vërtitet edhe përsiatja e Flutura Açkës. As ajo s’e gjen dot se ç’është dashuria. Dhe s’ka për ta gjetur. Sepse dashuria ka mijëra shpërqendrime prej Proteu. Si mijëra valë në oqean. Gjithsesi ka një raport, ashtu si formula sakrale P/ 416. Ky raport është ai midis dashurisë dhe martesës.

E trembur, gati si në panik, shkrimtarja e mbyll romanin, pa shumë peripeci. Bashkë me tri fletët e fundit, ajo mbyll edhe fundin e një dashurie. Tri faqe. U ndodha i befasuar. Po të kish një “happy end”, prapë s’do të ngopesha. Por edhe kështu, s’ngopem. Açka mban një pozicion të përmbajtur, thuajse solemn, si në kohët klasike. Unë anoj më fort nga situatat dramatike dhe rrokopuja e rrëzimit, e thyerjes, e “skandalit”. Mirëpo romani thyerjen, “zhurmën” e kishte brenda, thellë, shumë thellë. Një zhurmë si gërricja e krimbit në dru: kërr-kërr. Pema do të binte. Pema e dashurisë. Nuk do të binte nga sëpata (ngjarja dhe konflikti i fortë), por nga brejtja e krimbit (mungesa e ngjarjes dhe e konfliktit të shpallur). Këtu është edhe shenja që përveçon llojin e romanit dhe bërjes së letërsisë. Është kodi për të hyrë në të. Për ta kuptuar si stil, si qasje, si poetikë. S’ka, pra, “skandal”. Ka një ndarje, një prishje, por si pa rënë në sy. Sikur Ed Zagoria mos të kish rënë kurrë në dashuri me Enorën. As Enora me të.

Po ç’është vallë dashuria?

Vërtet, ç’është? Pse prishen dy njerëz që duhen? Cili është varri i dashurisë? Vaniteti, bjerrakoha nën shushurima fjalësh pa kuptim para një filxhani kafeje a një gote me verë? A mbi një shtrat moteli? A nën një çadër plazhi, në një varkë, në një udhëtim, çfarë tjetër? Apo mos vallë gjeografia e mishit të përkëdhelur në çdo cep, ku kënaqësia e tallazitur, tym e flakë nga epshi, sa ndizet shuhet, nën tymin e një cigareje? Çfarë e vdes dashurinë? Ankthi i keqkuptimit dhe ftohjes që vjen pas, në mënyrë të befasishme, fatale, absurde, si një çast i vetëm, por budalla? Apo ëndrrat pa fund, në vargoin e përfytyrimeve syhapur, mbushur plot puthje, ledhatime e skena sentimentale, lot që rigojnë sysh e përbetime fëminore. Mendja e shkathët e Flutura Açkës hallavitet tej e përkëtej këtyre pyetjeve. E përgjigje: gjen dhe s’gjen. Sepse dashuria, sipas autores, është dhe mbetet një mister. Një “njësh” i pazëvendësueshëm, i papërsëritshëm. Vrapi i saj drejt të resë, të freskëtës, të panjohurës, asaj që të rrëmben e të bën të harrosh, është një fatalitet me çmim zhvlerësimin e vetë dashurisë si të tillë. Po martesa ç’është? Një kontratë e ftohtë, ku ndahen përgjegjësitë e mirërritjes së fëmijëve, pjesëtohen paratë, ngucen nervat, ngarendin shpërfilljet, sfidon indiferenca? Apo një bodrum i errët ku njeriu zbraz energjitë dhe lëngjet e riprodhimit, një mall i “prenotuar” që siguron “katarsën” seksuale. Mos thjesht është bashkëshorti me të cilin ndan vetminë? Dhe shkrimtarja s’mënon të paraqesë të tjera dyshime: A ka martesë dhe dashuri që rrinë në një shtrat, apo koha shpejt i divorcon, i armiqëson, i tjetërson? Martesa është lulja dhe fryti i një peme, apo vetëm fryti pa lule? Po dashuria, vetëm lulja është, era e këndshme, pa fryt? Açka gati na thotë se, ashtu siç bleta fluturon e largohet prej kësaj luleje, duke fekonduar ndërkaq pistilin për frytin e ardhshëm, pra vazhdueshmërinë si mohim, ashtu fluturon edhe dashuria e një burri ndaj një gruaje?

Vallë dashuria qenka metafora e bredhjes “lule më lule”? Apo qëndrimi vetëm mbi një lule? Më mirë dashuro një herë dhe fort, apo shumë herë dhe nga pak? E gjitha është përpos se një labirint. Diç e pashpjegueshme. Vetanake. Po ç’është kjo marri grash dhe burrash, që vrapojnë te njëritjetri për t’u larguar nga njëri-tjetri? Ç’është ky paradoks i qenies, kjo çudë, ky absurd i pastër, që ftillëzohet në kapriciot e zemrës, pllenohet nga mishi, tradhton arsyen duke thërrmuar edhe logjikën më të hekurt? Sepse është e tillë, dhe e tillë do të mbetet, andaj dhe letërsia nuk rresht së shkruari për dashurinë. Dhe Erosi do t’ia shkelë syrin ngaherë shkrimtarit, sikundër ia ka shkelur paq edhe Flutura Açkës. Dhe shigjetat e Kupidit të verbër kuturu do të qëllojnë, sikundër qëlluan fare rastësisht, në një ekspozitë pikturash, Ed Zagorinë dhe Enorën. Dhe asnjë shpjegim s’ka për t’i dhënë dum fundeve të papritura e të çuditshme të dashurive, veç vargjeve profetike të Poradecit: Se s’dashuroja as unë as ti/ por dashuronte dashuria… Mbase këto vargje, nga ana tjetër, i gjegjen edhe më bukur e më drejtpërdrejtë edhe romanit “Hiri” të Flutura Açkës, stilit të saj, frymëzimit të saj, që na këndell të gjithëve. Një roman që fle në zemrën e çdo njeriu, kohë e pa kohë, sepse s’ka “kohë”. E vetmja kohë e saj është dashuria. Dhe dashuria është përjetësi. Prandaj dhe romani s’besoj se ka për t’u “plakur”!...
Prof. dr. JOSIF PAPAGJONI

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...