2011-03-09

E vërteta dhe trillimi në librin Kodi Da Vinçi nga Bart D. Ehrman


Bart D. Ehrman është një nga ekspertët më të njohur të Krishterimit të Hershëm dhe Testamentit të Ri.

Ai ka botuar 17 libra (disa prej tyre hyjnë në listën e New York Times për librat më të shitur) dhe dhjetëra artikuj mbi Krishtin dhe Krishterimin e Hershëm.

Ehrman ka fituar popullaritet me hipotezën që “etërit” e Krishterimit të sotëm janë ata që kanë ndryshuar besimet origjinale të Krishterimit të Hershëm.

Përveç punës së tij si historian dhe lektor, Ehrman është Shef i Katedrës së Studimeve Fetare në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill.

Ai ka mbi 18 vjet që jep mësim në këtë Institut dhe është fitues i disa çmimeve pedagogjike, ndër to: çmimin James A. Gray, çmimin Ruth dhe Philip Hettleman për arritje Artistike dhe Pedagogjike, si dhe çmimin Bowman dhe Gordon Gray për Shkëlqim në Arsim.



Terry Gross: Krishterimi, kështu siç e njohim sot, bazohet në 27 librat e Testamentit të Ri, por ungjijtë e zbuluar kohët e fundit, të cilët janë përjashtuar nga Bibla, na paraqesin pikëpamje të kundërta rreth jetës dhe mësimeve të Krishtit. Shumë nga dorëshkrimet e përjashtuara nga Bibla, për të cilat keni shkruar, ndahen në tre rryma të ndryshme mendimi. Le të flasim mbi këto tre rryma duke filluar me Ebionitët. Cilët ishin ata?

Ehrman: Ebionitët ishin të krishterë hebrenj dhe ndiqnin rregullat e fesë hebraike. Ata mendonin se Krishti ishte vërtet shpëtimtari i dërguar në tokë nga Zoti i hebrenjve për të shpëtuar popullin hebre e për të përmbushur ligjin hebraik. Ata mendonin se besimtarët e Krishtit duhet të ishin hebrenj. Kjo do të thotë që ata që nuk ishin, duhet të ktheheshin në hebrenj. Meshkujt duhet të bëheshin synet, si dhe të gjithë të tjerët duhet të ndiqnin rregullat e besimit hebraik. Si rrjedhim, Ebionitët ishin bashkësi çifute që bënin pjesë në fillimet e Krishterimit.

Terry Gross: Pra ata nuk e shihnin Krishterimin si shkëputje nga feja hebraike, por thjesht si një zhvillim i ri brenda hebraizmit?

Ehrman: Po, ata mendonin se Krishterimi ishte vazhdim i fesë hebraike, meqë Krishti është hebre, i dërguar nga Zoti i hebrenjve. Prandaj ata vazhdonin të ndiqnin Testamentin e Vjetër, por njëkohësisht shtuan edhe ungjij të tjerë - që nuk u përfshinë në Biblën që njohim sot - të cilët konsideroheshin si fjala autentike e Zotit, për të shpjeguar hebraizmin e rrymës së re kristiane.

Terry Gross: Po për Marcionitët?

Ehrman: Marcionitët qëndrojnë në anën tjetër të spektrit nga Ebionitët. Marcionitët ndiqnin një mësues të shekullit II, Marcionin, që ishte një teolog e filozof i shquar, adhurues i apostullit Pal. Sipas Palit, njeriu mund të shfajësohet nga Zoti edhe nëse nuk ndjek ligjin çifut. Marcioni e çoi këtë ide në ekstremitet duke thënë se ligji i Zotit dhe ungjijtë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ligjet i janë dhënë njerëzimit nga Zoti i Testamentit të Vjetër. Këto janë ligje të rënda, të cilat askush nuk mund t’i ndjekë. Si rrjedhim, dënimi i njerëzimit për mosndjekjen e ligjit është vdekja. Ky Zot i egër dhe hakmarrës i Testamentit të Vjetër dallohet nga Zoti i Jezu Krishtit, i cili mendohet të jetë i dashur dhe i mëshirshëm, që ka ardhur të shpëtojë njerëzit nga mëkatet dhe jo t’i dënojë. Pra, Marcioni mendonte se ka dy Zotë të ndryshëm; Zoti i Testamentit të Vjetër dhe Zoti i Palit dhe Krishtit. Pra, ai nuk ishte monoteist, ai besonte në dy Zotë, dhe hodhi poshtë çdo gjë hebraike, sepse ishin të ardhura nga Zoti i pamëshirshëm i Testamentit të Vjetër

Terry Gross: A mendoni se kanoni i sotëm mund të këtë përfshirë grimca nga besimi i Marcionitëve?

Ehrman: Siç thashë, idhulli i Marcionit ishte apostulli Pal, që është një nga apostujt kryesorë të Testamentit të Ri... Mendoj se pikëpamja e Marcionit vazhdon pa u kuptuar edhe sot në disa kisha ku njerëzit vazhdojnë të flasin për ndryshimet midis Zotit të pamëshirshëm të Testamentit të Vjetër dhe atij të dashurisë në Testamentin e Ri.

Terry Gross: Një nga grupet e tjera që kanë dorëshkrime të shumta janë edhe Gnostikët. Kush janë Gnostikët?

Ehrman: Gnostikët janë sekte të ndryshme të krishtere, që studiuesit i kanë grumbulluar nën grupin Gnostik. Termi “gnostik” vjen nga fjala greke “gnosis” që do të thotë: dituri. Këta janë quajtur Gnostikë sepse pavarësisht nga ndryshimet midis secilit sekt, të gjithë theksojnë që rruga e shpëtimit është dituria. Baza e sistemit Gnostik është se kjo botë në të cilën jetojmë - bota materiale - nuk është krijim i Zotit, por është krijim i një katastrofe kozmike. Njerëzit janë shpirtra të burgosur në trupa njerëzish dhe duhet të shpëtojnë nga kjo botë e keqe materiale. Mënyra e shpëtimit është gjetja e kësaj diturie (gnosis) të nevojshme për shpëtim.

Terry Gross: Në këto besime, Krishti vjen nga parajsa për t’i dhënë shpirtrave këtë dituri (gnosis) që të shpëtojnë nga burgu i trupit. Ç’mund të na thoni për hyjnizimin e Krishtit? Është Krishti njeri apo hyjni?

Ehrman: Hyjnizimi i Krishtit ka qenë pikë e nxehtë debati që në fillimet e Kristianizmit. Ebionitët mendonin që Jezusi ishte njeri si të tjerët, vetëm se ishte më i drejtë nga të tjerët, prandaj edhe Zoti e zgjodhi si birin e tij. Marcionitët, në krahun tjetër, mendonin se Jezusi ishte krejtësisht hyjnor dhe jo i lindur. Madje ata mendonin se Krishti zbriti në tokë me trupin e një njeriu të rritur e krejtësisht hyjnor, por në paraqitje ishte njerëzor.

Terry Gross: Po Gnostikët ç’mendonin?

Ehrman: Gnostikët kanë një mënyrë interesante të shpjeguari të kësaj çështjeje. Ata e kuptojnë që Jezusi ka diçka edhe njerëzore edhe tokësore. Si rrjedhim, ata e shpjegojnë Jezu Krishtin kështu: Jezusi është një njeri, si çdokush tjetër, që ka lindur në këtë botë, dhe ka qenë njeri i drejtë. Krishti, është qenie hyjnore që zbret nga qielli dhe pushton trupin e Jezusit, kështu që Krishti është ndryshe nga Jezusi. Krishti pushton trupin e Jezusit pasi ky i fundit pagëzohet. Jezusi fillon bën mrekullira pas pagëzimit, sepse në atë moment hyn Krishti hyjnor në trupin e tij. Dhe në fund të jetës së tij, meqë elementi hyjnor nuk vuan dot ngaqë është hyjnor, Jezusi thërret: “O Zoti im, o Zoti im, përse më ke harruar!” - shprehimisht “O Zoti im o Zoti im, pse më le mbrapa!” Sepse, sipas Gnostikëve, në atë çast, elementi hyjnor, Krishti, e la trupin e Jezusit dhe u kthye në qiell. Pra, për Gnostikët, ka ndryshim midis Krishtit dhe Jezusit.

Terry Gross: Si e shpjegojnë lindjen e Krishtit të krishterët e hershëm? A ka tregime të lindjes nga një virgjëreshë në tekstet e këtyre sekteve?

Ehrman: Disa nga sektet mendojnë se Krishti ka lindur nga një virgjëreshë... Është një tekst i hershëm që quhet Proto-Ungjilli i Xhejmsit - që thuhet të jetë shkruar nga vëllai i Jezusit, Xhejmsi, në të cilin ka një tregim të Maries duke lindur Jezusin. Jozefi, i ati i Jezusit, tregon që kur lindi Jezusi, koha ngriu. Çdo gjë ngriu gjatë kohës që i biri i Zotit po lind. Sipas këtij tregimi, Jozefi shkon të kërkojë mami për të ndihmuar Marien gjatë lindjes, por kur arrin mamia, Jezusi sapo kishte lindur dhe Maria ishte mirë. Mamia nuk e beson që Maria ishte e virgjër dhe kërkon t’i bëj një kontroll fizik për të parë nëse vërtet ishte e tillë. Teksa e prek, dora e saj fillon të digjet si dënim për mosbesimin që virgjëresha ka lindur. Më në fund, Jezusi foshnjë, i shëron dorën. Ky tregim ka të bëj me besimin që Maria vazhdoi të ishte e virgjër edhe pas lindjes së Krishtit, gjë të cilën Kisha Katolike e beson edhe sot.

Terry Grass: Po për vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, ç’thuhet? A besonin sektet e hershme në ringjalljen e Krishtit?

Ehrman: Kristianët e hershëm kishin shpjegime të ndryshme mbi vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Grupi proto-ortodoks thoshte që vdekja e Krishtit sjell shpëtimin e njerëzimit (që është besimi që kemi edhe sot.) Grupe të tjera thoshin që Krishti vdiq, por vdekja e tij s’kishte të bënte fare me shpëtimin e botës. Kishte grupe të tjera Gnostike që mendonin se Jezusi (njeriu) vdiq në kryq, dhe Krishti (hyjnori) e kishte lënë trupin para se të kryqëzohej. Kishte sekte të tjera që mendonin që Krishti ishte krejtësisht hyjnor, pra s’kishte trup me mish e me gjak, prandaj s’ka vdekur. Kryqëzimi ishte vetëm një inskenim për të mashtruar armiqtë e Krishtit, djallin dhe shpirtrat e këqij.

Terry Grass: Kush bën pjesë në grupin të cilin ju e quani proto-ortodoks, besimet e të cilëve janë këto që kemi trashëguar në ditët tona.

Ehrman: Është një grup pak a shumë i gjerë. Ne njohim disa njerëz që bëjnë pjesë, por në përgjithësi është një grup i madh me opinione të ndryshme. Ne i quajmë protoortodoksë sepse përfaqësojnë pikëpamjet që me kalimin e kohës u bënë dominante në Krishterimin e hershëm. Këta njerëz kanë jetuar para se pikëpamjet e tyre të triumfonin, ndaj dhe i quajmë protoortodoksë... Ata këmbëngulnin që ka vetëm një Zot; që Krishti është biri i tij dhe që Krishti është njerëzor dhe hyjnor. Këta janë njerëzit që zhvilluan idenë e Trinitetit - që Zoti është në tri pjesë. Këta janë njerëzit që shkruan lutjet që përdoren edhe sot. Gjithashtu, këta janë ata që vendosën se cilët libra do të përfshiheshin në Kanonin me 27 libra që kemi sot. Së fundi, këto figura vendosën se si do të funksiononte sistemi i kishave. Për shembull, që duhet të kishte prift në kishë dhe duhet të kishte një kryeprift për rajonin si dhe një kryeprift i kryepriftërinjve në Romë, i cili është Papa që njohim sot. Këta janë njerëzit që i dhanë Krishterimit formën që ka sot.

Terry Grass: Nëse krijimi i Testamenti të Ri nga proto-ortodoksët ishte një mënyrë për të konsoliduar Kristianizmin dhe për të eliminuar disa nga sektet kontradiktore, nuk ju duket interesante që në ditët tona kanë lulëzuar shumë lloje të ndryshme Kristianizmi?

Ehrman: Është shumë interesante. Krishterimi ka qenë gjithmonë i karakterizuar nga dy lëvizje të ndryshme; njëra lëvizje drejt bashkimit dhe tjetra drejt shumëllojshmërisë. ...Duke i përmbledhur dorëshkrimet në një libër të vetëm, proto-ortodoksët shpresonin që kjo do të stabilizonte fenë. Sidoqoftë, kjo përmbledhje që u krijua, këto 27 libra janë shkruar nga autorë të ndryshëm, për audienca të ndryshme, në periudha të ndryshme. Dhe në fakt, autorët e këtyre dorëshkrimeve paraqesin këndvështrime të ndryshme të mësimeve të Krishtit; si për shembull, midis Palit dhe Mateut. Të krishterë të ndryshëm adoptuan këndvështrimet e ndryshme të paraqitura në Testamentin e Ri, dhe kjo çoi në një zhvillim të shumëllojshmërisë së kishave...

Terry Grass: Si ju është ngjallur interesi ndaj teksteve të hershme jo-kanonike?

Ehrman: Gjatë studimeve pasuniversitare, dy gjëra më ngjallën interes. Së pari, filloi të më tërhiqte diversiteti që gjendej brenda Testamentit të Ri. .. Tekstet i lexova në gjuhët origjinale greke dhe koptike dhe vura re që këta autorë të ndryshëm kishin pikëpamje të ndryshme, nganjëherë edhe pikëpamje kontradiktore... Fillova të studioj Ungjillin e Thomait, Ungjillin e Pjetrit, libra të tjerë si Bariu i Hermës dhe Episteli i Barnabait, dhe fillova të kuptoj që Krishterimi jashtë Kanonit ishte më i shumëllojshëm se ai brenda Kanonit.

Terry Grass: Pasi e kuptuat që kishte kaq shumë ndryshime në mënyrën si e konceptonin Krishtin të krishterët e hershëm, a u shkaktoi kjo një krizë besimi?

Ehrman: Po, më shkaktoi. Besimi im i kishte rrënjët në mësimet evangjeliste, dhe kur e kuptova që Bibla kishte gabime dhe madje edhe vetë autorët kundërshtonin njëritjetrin, m’u shkaktua një krizë e fortë emocionale ndaj besimit tim.

Terry Grass: Mund të na thoni se si e zgjidhët këtë krizë besimi, ose si ka ndryshuar mënyra se si e shihni Krishtin?

Ehrman: Mendoj që kam arritur të kuptoj që Krishterimi është një fe e bazuar në histori, e cila shtron hipoteza historike rreth një personi historik, rreth Jezusit të Nazaretit... Njohuria historike rreth Krishtit, jetës së apostujve dhe drejtimit që mori jeta e tyre pas vdekjes se Krishtit, librat që shkruan ose librat që u shkruan në emër të tyre, janë të rëndësishme për ata që kanë një fe historike. Njohuria historike mund ta kërcënojë fenë, ose të ndryshojnë mënyrën si një njeri e koncepton fenë...

Terry Grass: Mund të na shpjegoni përsëri se ç’kuptoni me “fe historike?”

Ehrman: ...Krishterimi jep fakte rreth Jezu Krishtit, që Jezusi ka lindur në një datë të caktuar, që ka dhënë mësime specifike, që ka bërë disa mrekulli specifike, dhe vdiq gjatë kohës së Pilatit. Këto janë hipoteza historike që një historian mund t’i studiojë dhe t’i vërtetojë. A i ka thënë Krishti vërtet mësimet që i atribuohen atij? A vdiq gjatë kohës kur Pilati ishte guvernatori i Judesë? Krishterimi i ka rrënjët në këto baza historike.

Terry Grass: Ka pasur ndonjë zbulim interesant që nga koha kur keni filluar të studioni këto tekste të hershme?

Ehrman: Zbulime ka pasur gjithë kohën. Një zbulim interesant i kohëve të fundit është bërë nga dy studiues amerikanë, që gjetën një tekst koptik në një bibliotekë në Berlin. Ata e quajtën Ungjilli i Shpëtimtarit, dhe e botuan para nja 2-3 vjetësh. Nuk njihet akoma nga publiku, por studiuesit e Krishterimit të hershëm e njohin. Është një tekst shumë interesant sepse përshkruan orët e fundit të Jezusit, ku ky i fundit ka një dialog me kryqin. Gjatë bashkëbisedimit Jezusi i thotë kryqit të mos ketë frikë, sepse së shpejti do të ngjitet mbi të dhe do t’i sjellë shpëtimin botës. Një fragment tjetër interesant është kur Krishti është në kopshtin e Gaseminit. Ai ngjitet pranë fronit të Zotit, edhe të dy diskutojnë se çfarë do të ndodhë. Pra, Krishti ndodhet në dhomën e fronit hyjnor duke diskutuar me Zotin. Kështu që herë pas here ka zbulime të tilla që duhen parë me vëmendje sepse tregojnë se sa e pasur është tradita e Krishterimit të hershëm.

Terry Grass: Meqë po afron koha e Krishtlindjeve. Si i festonin Krishtlindjet sektet e hershme?

Ehrman: Sektet e hershme nuk e festonin lindjen e Krishtit. Ata festonin vdekjen dhe ringjalljen e tij. Të krishterët filluan të mendonin edhe për lindjen e Krishtit, rreth shekullit IV, gjatë kohës së Perandorit Konstantin. Arsyeja pse lindja bëhet e rëndësishme në shekullin IV sepse teologët e asaj kohe filluan të theksojnë që pikërisht në kohën e lindjes se Krishtit, Zoti u bë njeri.

Terry Grass: Bart Ehrman, ju faleminderit që erdhët.

Ehrman: Ju faleminderit që më ftuat. (Kjo intervistë është dhënë në emisionin Fresh Air të radios publike të SHBA. Terry Gross është gazetarja që drejton këtë emision. Në këtë revistë intervista është botuar e shkurtuar.)

Përkthyer nga GJERGJ DOLLANI

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...