Tregimet e shkurtra për fëmijë “A ËSHTË GJYSHI KALUSH”të Sadri A. KELMENDI ( Një emër tashmë me univers të formësuarr artistik) u përkasin kryesisht tre rrafsheve motivore: ato të rrëfanës së raporteve gjysh- nip ( ku kryeheronjët Gjyshi dhe Lali, duke përfaqësuar dy botë e dy breza, lojën gjithmonë e çojnë përtej pasurisë së jetës), rrëfanës së tregimeve – kujtime (ku rrëfimtari herë është fëmijë bonjak, që dëshiron të flejë në gjirin e gjyshes, herë nxënës e herë mësuese në fshatrat e ndryshme të Kosovës) dhe rrëfanës së fabulave ( ku kafshët marrin mbi supe misionin e bartjes së pasioneve, veseve e bëmave gjithfarëshe të njerëzve).
Derisa rrafshi i parë motivor shquhet me humorin e lehtë e spontan, tregimet e rrafshit të dytë i rëndon një çikë nostalgjia duhe i bërë të duken pakëz më të zymta e më serioze, ndërkaq rrëfenjat fabulative aktualizojnë mjeshtërisht satirën ezopiane dhe i bëjnë ato të flasin me gjuhën e kohëve moderne.
Në universin e librit “A ËSHTË GJYSHI KALUSH”, lëvizin heronjtë të vegjël e të mëdhenj, nipër që kërkojnë fundin e magjisë së lojës me gjyshër, jetimë që në fytyrat e gjyshërve kërkojnë ringjallje e nënave të vdekura, nxënës që monumentalizojnë në imagjinatë fytyrat e mësuesve, që përjetojnë tragjiken shqiptare të antropologjisë serbe dhe ujqër, gomarë, arinj e derra, që çojnë një hap më tej paradokset pasiononte të njerëzve.
Autori, në këtë libër më të ri, si gjetkë në veprat e tij të deritashme, me spontanitet të habitshëm kërkon të jashtëzakonshmen pikërisht në gjerat e motivet më të rëndomta duke e bërë lexuesin, në radhë të parë, të njohë vetveten, kohën e tij dhe vulën e historisë në brezat njerëzor.