2011-03-11

Nga Halil Haxhosaj :FILLI I I NJË ËNDRRE NËPËR RRUGËTIM POETIK





Teisa Haxhiu: “Fillimi i ëndrrës”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Pjetër Bogdani, Prizren, 2011.






Për të shkruar poezi, tregime, e pse jo edhe drama dhe forma të tjera letrare, njeriu duhet ta ketë, përveç talentit, edhe një përgatitje, që është mbarsje me elemente të leximit dhe pajisjes me përvojë tjetër letrare. Por, kjo, mbase nuk mund të jetë e qëlluar për të gjithë krijuesit në të gjitha fazat e krijimtarisë së tyre, e sidomos, për ata që i bëjnë hapat e parë në këtë rrugëtim poetik. Kjo gjë, mbase, vlen edhe për autoren e kësaj tufëze me krijime poetike, Teisa Haxhiun, e cila si nxënëse e klasës së XII të Gjimnazit “Hajdar Dushi” këto ditë doli me veprën e vet të parë me titull simbolik të sintagmës poetike “Fillimi i ëndrrës”.
Vepra ka një konstruktim paksa interesant sepse përkon dhe depërton nëpër katër rrafshe, qerthuj, apo cikle poetike, ku njëri prej tyre, ai me titull “Dromca poetike” ka në brendësinë e vet disa shkrime në prozë, të cilat qëndrojnë në mes prozave poetike dhe eseve siç i ka mësuar Teisa dhe moshatarët e saj, për t’i dëgjuar sot në shkollë, jo vetëm në orët e letërsisë shqipe, por pothuajse në të gjitha lëndët mësimore. Kështu, qerthujt poetikë të veprës janë: 1. Këngë e bardhë, 2. Kënga e lirisë, 3. Dromca poetike dhe 4. Sa shumë dashuri, në të cilët përfshihen 28 poezi dhe gjashtë proza poetike. E gjitha kjo si sasi nuk duket aq voluminoze, por si cilësi, mbase i ka disa veçori, e pse jo edhe karakteristika që në njëfarë mënyrë veçohen për qasjen, mbarështimin dhe inspirimin poetik të autores Teisa Haxhiu, e cila në poezinë “Një zë brenda meje” thotë: / Fol më/ Se mjaft lejove të flasin për ty/ për të vazhduar më tutje: /Zgjidh veten nga zinxhirët/Që i ke venë vetes/. Rrëfimi i këtillë poetik nuk kthehet në retrospektivën tonë paksa të vrazhdët, por ai është, pse jo, bashkëkohor dhe ka një funksionalizim të sot për sotëm.
Në qerthullin e parë “Këngë e bardhë” ku janë të përfshira nëntë poezi, autorja Haxhiu trajton atë që shënon të gjitha virtyte e bardha të njeriut si qenie, por edhe si pjesë e shoqërisë, nëpër të gjitha kohët dhe hapësirat. Këngë dhe gurrë e bardhë, për të, është dashuria me të gjitha ngritjet, përjetimet, por edhe dromcat e saj. Këtu ka edhe poezi për gjyshi, nënën babain, por edhe për çlirimtarët. Bile poezia “Kënga e jetës” (kushtuar çlirimtarëve), është poezia e fundit e këtij qerthulli, por njëherë është edhe një uverturë për qerthullin e dytë poetik “Kënga e lirisë” i cili përbëhet prej gjashtë poezish që janë përkushtime për martirët, luftëtarët, dëshmorët dhe të gjithë ata që u flijuan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë dhe çlirimin e përgjithmonshëm të Kosovës nga falanga serbo barbare. Këtu autorja do të thurë vargje për pavarësinë e Kosovës, për gjakun e lirisë, mësuesin dëshmorë, Hysen Arifin, për Lëndinën e Pikëllimit, luftëtarët dukagjinas e të tjerë. Janë këto vargje përkushtuese për këtë kohë që për Kosovën ishte shtresuar në margjinat hamletiane “Të jesh apo të mos jesh”. E Teisa di t’i qaset kësaj faze, duke e ngritur në një figuracion funksional, por jo edhe aq retorik.
Qerthulli poetik “Sa shumë dashuri” shtrihet në fund të veprës. Në të janë përfshirë trembëdhjetë poezi dhe për nga vëllimi është qerthulli më voluminoz. Depërtimi frymëzues i autores në vargjet e këtyre poezive nuk është aspak tjetër prej vargjeve të tjera, por këtu disi më ndjeshëm edhe përjetohen, por edhe sublimohen gjerat e përzgjedhura për poetizim, nga autorja Haxhiu. Ky poetizim duket paksa më me përvojë, nëse mund të klasifikohet si i tillë. Kjo mbase rrjedh ngase autorja di së çka kërkon, di se çka shkruan, di se kujt ia kushton vargjet, di se përse ia kushton e të tjera, e të tjera. Në këtë qerthull ajo prapë do të thurë vargje për gjyshin e saj, i cili ishte veteran i arsimit dhe me të cilin ajo mburret. Poezitë si: “Kush ka faj”, “Ti je heroi im”, “Njeriut të mirë”, apo edhe “Thuaj më falë”, ”Jeta lojë” si dhe poezia “Mbaron pa filluar” janë disa nga të arritura që vërehen në këtë libër me tufëz poezish të autores Teisa Haxhiu, sepse ajo thotë ndër të tjera: /Jeta qenka lojë/ Me rregulla të kota/, apo /Edhe po të ma falnin gjithë botën/ Pranverat të bëheshin të mijat/ .../Prapë do të ndihesha e zbrazët/. Megjithatë, edhe pse ndonjëri nga këto vargje ka ndonjë aromë pesimizmi, ai është provizor dhe poetika qëndron megjithatë mbi optimizmin dhe dashurinë për njeriun, të mirën, të ardhmen dhe të bukurën, që janë virtyte të shoqërisë dhe njerëzimit në përgjithësi.
Qerthulli “Dromca poetike”, i cili në të vërtetë është një unazë e prozave që në fillim i quajta poetike apo pse jo edhe ese, zënë një vend të rëndësishëm në këtë vepër. Ky qerthull disi veçohet nga tre të tjerët sepse është një formë tjetër e të shkruarit, pra është krijimtari në prozë. Janë këto gjashtë proza në të cilat autorja shpreh edhe talentin e saj prej krijueseje, sepse këtu shtresohen pa kurrfarë zori as dhune e gjithë ajo që ka për qëllim të shkruaj. Këtu hasim tematika të ndryshme, duke filluar që nga ato për luftën, varfërinë, dëshmorët, pavarësinë, dhe të tjera. Edhe diçka duhet vërejtur në prozat poetike, sepse shumica prej tyre janë të shkruara në veten e parë, pra autores me rrënimtarin që është njëjtësuar, apo thënë me gjuhën e teorisë së letërsisë, unifikohen. Dhe duke vazhduar në këtë formë, shpesh për lexuesin dalin në shesh ndjenjat, përjetimet, e për disa pse jo edhe përkujtimet nga lufta e fundit, humbja dhe mosgjetja e shumë trupave të të rënëve, e të tjera.
Autorja Teisa Haxhiu me veprën e saj “Fillimi i ëndrrës” u nisë stazave të poezisë. Vetëm ajo kur ta shijojë edhe më tutje aromën e këtij rrugëtimi do të ndihet e aftë për të shkruar edhe vëllime të tjera, që emrin e saj do ta skalisin në odeonin letrar, në këtë rast poetik. Por, kjo rrugë është paksa e gjatë dhe e vështirë. Është e atillë sikur hapi i parë që bëri ajo me këtë vepër. Andaj besoj se në të ardhmen, duke përfituar sado pak përvojë, do të jetë poete me një bagazh tjetër krijues, qoftë poetik, qoftë në prozë, e të tjera.
Edhe lexuesi i këtij vëllimi të parë poetik të kësaj krijueseje, kur t’i lexojë këto vargje do të jetë i kënaqur, sepse do ta shijojë figuracionin, tematikën, shtresimin, e pse jo edhe elemente të tjerë.






*********************
"Fillimi i ëndërres" i krijueses Teisa Haxhiu


Vepra është botuar në shtëpinë botuese “Pjetër Bogdani” në Prizren me redaktor Engjëll I.Berisha, recensentë Halil Haxhosaj dhe Besim Muhadri dhe me realizimi kompjuterit të Shkelzen Rexhës




“Fillimi i ëndërrës” është libri i parë i krijuese së re Teisa Haxhiu e cila në kuadër të shënimit të trevjetorit të pavarësisë e ka bërë promovimin.E botuar në shtëpinë botuese “Pjetër Bogdani” në Prizren me redaktor Engjëll I.Berisha, recensentë Halil Haxhosaj dhe Besim Muhadri dhe me realizimi kompjuterit të Shkelzen Rexhës, krjuesja e re Teisa Haxhiu sjell vargje dhe tregime lirike përkushtimesh për vendin, ambientin dhe njerëzit e gjakut të saj, posaçërisht me përkushtim për gjyshin e saj Bajram (Lan) Lekaj, veteran i arsimit.Gjimnazistja Teisa Haxhiu në veprën e saj mbresëlënëse dhe me një prezentim prej një krijuese e me perspektiv në brendi përmbajtje sjell ndarjet titujt e ndarë në cikle prej “Këngë e bardhë”, “Kënga e lirisë”, “Dromca poetike” dhe “Sa shumë dashuri”.Sipas redaktorit dhe recensentëve në fjalën promovuese, Teisa Haxhiu me shkrime, sidomos në fushën e poezisë merret që nga bankat e shkollës ndërkohë që shumë poezi i ka të botuara në revista të ndryshme kulturore në vend.Teisa Haxhiu është edhe anëtare e grupit letrar “Yllka Domi” të gjimnazit “Hajdar Dushi”.


(FLORI BRUQI,FLORIPRESS,18.02.2011)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...