2011-03-07

Rrugëtimi i Shahbaze Vishajt nëpër oqeanin e poezisë

“Vëllimi “Shtrezë në vetulla” paraqet shkallën më të lartë në krijimin dhe realizimin e poezisë meditative, lirikës intime, synim ky që poetja Shahbaze Vishaj ia kishte vënë vetes për qëllim që nga vëllimi “Shenjë dhe vragë”.

Shkruan: Hasan Hasani

Rrugëtimi i Shahbaze Vishajt nëpër oqeanin e poezisë sa vie e bëhet më i thellë, më i qëndrueshëm. Nga dita më ditë ajo po zhytet thellë e më thellë në botën e madhe të lirikës meditative, çka edhe flasin rezultatet e arritura në këta dhjetë vjetët e fundit, nga botimi i vëllimit të parë poetik “Shenjë dhe vragë” (2000) dhe këtij të fundit, natyrisht me poezi për të rritur, librit të katërt, vëllimit “Shtrezë në vetulla” (2010) që paraqet hapin më serioz të autores në këtë dekadë, njëherit paraqet pjekurinë e saj poetike, pjekurinë e vargut, pjekurinë e mendimit, pjekurinë e frymëzimeve dhe realizimeve poetike, pjekurinë e lirikës meditave, e mbi të gjitha të lirikës së saj intime. E tërë kjo rrjedh nga një shpirt dhe nga një penë që gufon nga brendësia e saj e shpirtit mall, zjarr e dashuri për të dalë para lexuesve me frytet e saja të pjekura poetike. Vëllimi “Shtrezë në vetulla” paraqet shkallën më të lartë në krijimin dhe realizimin e poezisë meditative, lirikës intime, synim ky që poetja Shahbaze Vishaj ia kishte vënë vetes për qëllim që nga vëllimi “Shenjë dhe vragë”. Botimi i librit “Shtrezë në vetulla” i Shahbaze Vishajt vetëm sa e përforcon synimin jetësor të që mision jetësor ka vetëm poezinë. Si në tre vëllimet poetike të mëparshme me poezi për të rritur, Shahbaze Vishaj edhe në vëllimin e saj më të ri “Shtrezë në vetulla” nis rrugëtimin e saj hullive të poezisë me vjershën “Pentagram i thyer”, si hyrje poetike në libër për të vazhduar me ciklet: “Plagë kohe”,“Plagët e kallura”, “Portë e dhembjes” dhe “Ti, lumi im”.

Natyrisht, Shahbaze Vishaj si protagoniste e gjithë këtyre përjetimeve në dy dekadat e fundit, përiudhë kohore kjo që shtrihet në dy shekuj, (në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar dhe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit që sapo kemi hyrë në të), ndalet në muajin mars, muaj ky që na sjell ndërmend gjithë sakrificat e popullit tonë të lavdishëm, duke filluar nga Prekazi legjendarë, Glloxhani heroikë dhe shumë lokalitete tjera të Kosovës që u gjenden në flakë dhe në luftë me pushtuesin mizor që nuk kurseu pleqë as fëmijë, gra as burra, nxënës as arsimtarë (mësues), të bëma këto që paraqesin hartën e zemrës së poetës, hartën e ravijëzuar në thellësitë e shpirtit të Shahbaze Vishajt si njeri dhe si krijuese. Vjersha u kushtohet nënave-mësueseve, të cilat për çdo mars, në hartën e zemrës së poetës sjellin lot, mall, dashuri, zjarr, dhembje, përjetim, frymëzim në jetën e saj, e që me të drejtë këtë e quan pentagram të thyer të jetës ku kafshojnë melodi vetmie, ku pëlcet kujtimi për to (nënat-mësueset), për të arritur deri në mallkim: “sa e sa herë / mallkova ata / që natën e lanë pa hënë / e Yllkën pa nënën / Drenin e lan pa nuse / e Gresën pa mësuese / mallkova ata / që Pranverat / m’i veshën me ngjyrë pikëllimi / e copëza eshtrash!”. E gjithë kjo paraqitet duke shtegtuar Ëndrrës së Fshehur së fjalës së ëmbël mësuese, ku nxënësit e kërkojnë me ngulm fjalën e ëmbël të saj që ua shndëritë shtigjet jetësore, por që, siç përfundon Shahbazja: “tani / kudo malli ndez shpirtin / e riga loti pikojnë / në pentagramin e thyer të jetës sime”.

Shahbaze Vishaj ciklin e parë të këtij vëllimi poetikm e quan “Plagë kohe” ku në 18 lirika shpreh tërë dufin shpirtëror të mbledhur lëmsh në zemër për gjithë atë që populli ynë përjetoi në dy dekadat e fundit.

Janë këto motive për të cilat Shahbaze Vishaj këndoi edhe në librat e mëparshëm të saj, por kësaj radhe këto vargje i karakterizon dendësia e mendimit, figurshmëria e fuqishme e fjalës, gjë që flet për një përkushtim të thellë, për një avancim të vargut dhe të fjalës, që tregon se poetja kësaj radhe ka ikë shumë larg nga vargënimi në cilësi, meqë për të njëjtat motive këndon, jo me fjalë a shprehje fotografuese, por përmes fakteve e ngrit vargun e saj në lartësinë gajtaniane të lirikës dhe të meditimit. Lirikat: Ajo ërkon hijen tënde, Mure të ftohta, Mërzia flet, Kujtimi shtegton, Shtrezë motesh, Dimër i egër, Syri im, Lumë vuajtjesh, Shpirt i djegur, Plagë kohe, Sotmja është jona, Ama e lirisë, Tinguj pianoje, Peshë e kohëve, Në portën tënde, Krimbat e zi, Pema e ëndrrës, Te Qafë e Prushit etj. na bindin për këtë që pohuam më lart.

Këta tituj ngërthejnë në vete tërë kuptimin e brendësisë së vargjeve që shpërthejnë shpesh edhe në agoninë e poetës që jeton vetëm me vargun, madje pa vargun poetik Shahbazja as që e mendon jetën a rrojtjen në të.
Është kjo koha kur “këtu / syve të Nënëlokes / u ka tretur shikimi / mbrëmja në kullë / kërkon emrin tënd / llamba me vajguri / ka marrë ngjyrën / e syve tu / mërzia / është bërë një shekull” (vj. “Ajo kërkon hijen tënde”). E hapave të kësaj lirike ecin edhe vjershat simotra, sidomos poezia “Shtrzë motesh” sintagmat: kala, nënë, Rozafë krijojnë trëkëndëshin e quajtur liri. Shahbazja thotë: “Në Kala të Rozafës / dorë e nënës / çdo çast / pret dorën tjetër / guri pikon qumësht / për ninullat e djepit / zemra digjet për dashurinë / e shtrezë motesh në qepallë / pret pranverat e lirisë”. E shihni ca koncize është poetja. Ajo vetëm me nëntë vargje thotë shumë, thotë sa shumë kapituj romanesh, pse jo edhe sa një roman. E tërë kjo kohë, kjo përiudhë për ne është një “shtrezë motesh në qepallë”. Dhe, kjo arriti me lirinë të cilës në sy i notonte loti i krenarisë. Pra, nuk është çudi që poetja Shahbaze Vishaj tërë këtë kohë nëpër të cilën kaluam figurativisht e quan piano, ndërsa jetën e vet pentagram i thyer. Ajo me gojën plot nxjerr vargjet nga thellësia e zemrës së njomë, e zemrës që gufon jetë dhe kërkon dashuri.

Ajo, mes tjerash thotë: “Jam tingull i ethshëm / i pianos sate / ku hovshëm jam rrahur në vite / me shpirt nën dhëmbë / kam luftuar / ta këndoj këngën e moçme / në portën tënde / trokita burrërisht / se doja / lirshëm të frymojë/ melodi imja / e ndrydhur në shekuj”. Natyrisht,vargjet e këtij cikli janë të dendësuara me figura të ndyshme poetike, me antiteza të qëlluara, me krahasime dhe metafora, që përballë njëra-tjetrës thonë shumë, si: vjeshtë e trishtë, pemë e ëndrrës, shtrezë motesh, bajlozi i zi, dimër i egër, diell i pranverës, mali i thatë, ëndërr e fshehur, krimbat e pushtetit, Qafë e Prushit, Kobzeza, Qyqja, Sorrëzeza etj. që fuqizojnë vargjet e këtyre lirikave në atë masë, sa edhe bëhen pjesë e gjakut tonë që notojnë nëpër fjalët e tyre të fuqishme.
Shahbazja vargëzimin e merr si pjesë të pashkëputshme të shpirtit dhe të jetës, të gjakut dhe të zemrës, të mallit dhe të zjarrit, andaj vargjet e saj, pavarësisht për çka këndon, për lirinë a dhembjen, dashurinë a vetminë, ajo i veshë me petkun e bardhë prej mëndafshi që mos të gërrithen (lëndohen) ndjenjat gjatë leximit, por ta ndiejnë butësinë e vargut dhe të fjalës, ashtu siç rrjedh lirshëm nga pena e poetës. Një vazhdimësi të tillë e parqet edhe cikli i dytë i këtij vëllimi (“Plagët e kallura”), që mishëron në vete edhe dimra, edhe pranvera shpirti, edhe gulfe shpiri dhe zemre, edhe vetmie dhe vuajtje. E tërë kjo ka një qëllim, e ky është synimi që vargu të shkojë në destinacionin e vet lirshëm, pa hasur në pengesa të ndyshme, pra t’i hapen shtigje të reja. Për këtë Shahbazja ligjëron: “Hape atë derë të mbyllur kohësh / ku derdhet lot
vetmie / mos i prangos lirikat / ku ëndrrat përpëliten”, sepse “vitet në pritje / hapin plagë të reja / e lotët e vetmisë / në pentagramin e trishtueshëm / janë shndërruar / në trëndafila dimri”. E tërë kjo do të sjell atë më të urryerën, nëse një gjë e tillë mungon, kështu që“dhembja e shpirtrit / do të tretët / në pafundësi”. Për t’i ikur kësaj lukunie ujqërish të tërbuar që gjenden në çdo kohë, nuk është e rastit që poetja ngrit zërin: “edhe pse ëndrra të llahtarshme / më rrethuan në arenën e vargut”. Kështu, për të na ballafaquar me rropatjet e kohës, Shahbaze Vishaj në këtë cikël, gati në çdo vjershë, i drejtohet vargut: “nga thellësi e zemrës / të nxjerr vargu im”, ose “me sytë e tu / thur vargun lirik”. Kjo bëhet me një qëllim, sepse ende jetojmë në një kohë kur defilojnë fytyra djajsh, edhe pse “këtu jetojnë trimat / në krahët e të cilëve / feniksët fluturojnë”, ndërsa “ti vjen në qytetin tim / me ëndërr të trishtë / e shikim të vjedhur”.

Është kjo kohë kur “akrepat e zemrës / më thumbojnë si krimba” aludon poetja, ndërsa trupi zvogëlohet, bora mërdhin mendimet, telat gjemborë prangosin këngët dhe vargjet pikojnë gjak. Shahbazja vetëm sa e përforcon këtë mendim: “shpesh te varri i poetit / ia hijezon vargjet e vrara / të cilat ende pikojnë gjak”. Kjo, sepse trishtimi kafshon dhembjen pa fund,pikërisht në kohën kur shpirti i trazuar flet edhe nën grila dhe nuk heshtë kurrë.

“Porta e dhembjes” (cikli i tretë) strehon në gjiun e vetë miqtë e penës së poetes Shahbaze Vishaj, luftëtarët dhe njerëzit e paqes, duke filluar nga Ibrahim Rugova, Lasgush Poradeci, Gonxhe Bojaxhiu, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rifat Kukaj, Agim Deva e ndonjë tjetër, po edhe luftëtarët e njohur të lirisë së luftës së fundit, që kush me penë e kush me armë, kush me fjalën e urtë dhe të mençur, ia ngritën namin vendit tonë, Kosovës pra, duke e bërë atë të njohur në tërë rruzullin tokësor. Portretimin që ua bën këtyre figurave Shahbaze Vishaj nëpërmjet vargut, dhembjes dhe sakrificës, lartëson idealet e këtyre korifejve që nxori nga gjiri i vet Kosova legjendare. Ky cikël paraqet një tërësi poetike ku u himnizohet idealeve të këtyre personaliteteve, qofshin heronj pushke, qofshin heronj pene, misioni i të cilëve ishte i përjetshëm. Çlirimi nga hallka e huaj, e cila për më shumë se një shekull shtrëngoi në fyt kombin tonë me darat e shpirtit gjenetik të sëmurë kombin tonë në trojet tona etnike.

Njëzet e tri lirikat e ciklit “Ti, lumi im”, them me bindje të plotë se janë realizimet më të mira jo vetëm në këtë libër, por në mbarë krijimtarinë poetike (poezinë për të rritur) që Shahbaze Vishaj shkroi dhe botoi në këta dhjetë vjetët e fundit. Nga kjo buron edhe shpresa dhe mbështetja e vetëdijshme në fuqinë e vargut, dhe për këtë me të drejtë kur flet për këtë poezi, eseisti Prend Buzhala thotë: “E kur bëhet këngë e hapur, korpusi ndërtekstor i lirikës së Shahbazes lëviz në mes të raporteve të ndërliqshme kundruall historisë sonë tragjike, qenies e qenësisë ekzistenciale të njeriut të këtij mjedisi, kundruall fryteve të kulturës dhe mitit”. Prandaj, horizontet poetike te Shahbaze Vishaj që sa vijnë dhe marrin dimensione të fuqishme, duke kapërcyer kufijtë paraprakë që krijuan një sërë krijuesish të vargut të bardhë, pra të lirikës së lehtë, pa strofë dhe varg të matur, pa rimë dhe metrikë, por gjithnjë në funksion të artit, ku me ngrohtësinë e fjalës të bëjnë rob të vetin. Syri i hollë i poetës di të kap fragmente nga jeta që identifikohen me ëndrrat dhe dashurinë që përmbush shpirtin e poetës duke u përkundur në djepin e frymëzimeve të shpirtit të çiltër. Pikërisht kjo bën që poezia e Shahbaze Vishajt nëpërmjet tekstit të strukturës poetike të shfaq triumfin e lirizmit erotik, poezi kjo në të cilën frymon nota intime erotike duke e përshkuar një lirizëm i hollë poetik. Ja disa shembuj që do ta ilustronin këtë mendim të thënë, ku Shahbazja nëpërmjet të vargjeve shpreh dashurinë e sinqertë dhe të kristaltë që mbrun në shpirt, ku thotë: “zgjohu nga heshtja / nga brendia ime / fali jetës ngrohtësi / brenda shpirtit”. Agonia shpirtërore bëhet më e dukshme, pas pohimit: “E lodhur jam sonte / nga vetmia e vetmisë”. Sepse, poetja e mbiçmon çiltrinë e shpirtit, andaj thotë pa ngurrim: “Merrmë në zemër / dhe shpjermë ku të duash Ti / mjaft jam rrahur nga lot / të ftohtë zemërimi”. Femra e Shahbaze Vishajt është ideale: “Ajo / çdo natë / me gishtat e dorës / vizaton dashurinë / në shtratin e vetmisë”, ndërsa i preferuari i zemrës paraqet gjithçka, pra “edhe kur mungon / flet hija jote” gjykon zëri i poetës. Mirëpo, në raste të mosmarrëveshjeve që ndodhin dhe mund të ndodhin në rravgimët e jetës, zëri i poetës butë-butë lëshon ofshamën: “më le të qetë / t’më lag shi i dashurisë / jam vonuar udhëve të saj”. Madje, lajkat për poetën, premtimet e kota, nuk e ushqejnë veten: “Miku im – kumbon zëri i brendshëm i saj – kurrë mos thuaj je rrezja e vetme e zemrës sime / nga fjalët / jam rrahur mjaft...”.

Megjithatë, Shahbazja shpesh di t’i japë liri frymëzimit të vet, di t’i harrojë lajkat që shpesh vijnë nga paparacët dhe e lëshuar në krahët e dashurisë nuk ngurron të thojë: “faqen ta mbulova me faqe / trupin me çarqaf dashurie / sonte / vërtet / ishte baladë dashurie”. Kështu kalorësi i ëndrrave të poetës shpesh arrin ta shqetësojë frymëmarrjen poetike të poetës që për të thuri vargjet më të ngrohta që di t’i thurë një zemër e njomë, një poete që fjalën e ka urzë të zjarrtë: “Sytë të shkëlqenin / e zemra të përvëlohej zjarr / për puthjen dhe dashurinë e fshehur”, sepse “në qerpikun e syrit tënd / dashuria ime plaket / kur fle në shtratin e
harrimit”. Por e vërteta e shikuar në sy shpeshherë është e hidhur, andaj poetja zbraz tërë kupën e mbushur, e cila derdhet mureve të qelqta, andaj “nuk besoja / se në shtartin tënd të jetës / jetonte edhe një tjetër / tani më duhet të mendoj ndryshe / të bëhem mike me shpresën / me këngët e pakëndueme / me hapa të rinj kohe”. Kërkesa e poetës është shumë e qartë, kërkesë kjo që i drejtohet lumit të fjetur që ta zgjojë nga ëndrra e pritjes që vërtet qe shumë e gjatë, kështu që Shahbaye Vishaj zhvesh gjuhën nga ëmbëlsia që të shumtën e këtyre lirikave i mbulonte me metafora dhe epitete të buta, të ëmbëla, gjithnjë kërkuese për një çiltëri jete. Prandaj thotë: “më zhvish nga heshtja e natës / merrmë në gjirin tënd / ndihmomë të arrij te loja jote / le të digjem aty / jeta po rrëshqet si në përrallë”.

Duke mbyllur këtë cikël me vargjet që në një mënyrë ose tjetër paralajmërojnë përfundimin e kësaj loje-ëndrre që është pjesë e çdonjërit nga ne, nga Shahbazja rrjedhin vargjet kuptimplote dhe hijerënda, duke dhënë vulën e përditshmërisë, të dilemave dhe situatave që dinë të lindin edhe atëherë kur nuk duhet të lindin: “Të kam pritur atë natë / ta vizatosh ëndrrën time / në kornizën me fotografi / atë natë të kam pritur / sa orët m’u bënë vite / ato matnin durimin / dhe dashurinë për ty / të kam pritur atë natë” – një lirikë kjo që i ka të rralla shoqet në poezinë bashkëkohore shqipe me motiv të dashurisë. T’i kujtojmë titujt e këtyre lirikave, si: Loti bëhet lumë, Loti i dashurisë, Liqeni i jetës, Dhoma memece, Në shkallën 77, Botë gënjeshtare, Sytë e heshtjes, Shiu i dashurisë, Kutia e harresës, Në shtartin e kujtimeve, Mëbeso, Vargje pa zë, Gjëmim kënge, Baladë dashurie, Zog i ëndrrës, Drita e lumturisë, Mollët e kafshuara, Shtrati i harrimit, Pritja, Nuk besoja, Në petale të zemrës, Në mote të pritjes dhe Lumë i fjetur etj., të cilat flasin më se miri, pra japin, pasqyrën e frymëzimeve të këtyre vargjeve që gjakojnë në trekëndëshin: jetë, dashuri, dhembje. Secila nga këto lirika ka në vete porosinë e vet nëpërmjet të të cilave Shahbaze Vishaj shpreh mendimin e gjykimin e vet për jetën, dashurinë, vuajtjen, vetminë, dhembjen, shqetësimin, botën, lotin, fjalën, mallin, këngën, dritën, shiun, harrimin, ëndrrën, lumturinë, gëzimin, gënjeshtrën, pritjen, lumin, zemrën, kujtimin, deshprimin, pabesinë, tradhtinë etj. që përbëjnë trekëndshin: shpirtin, dhembjen dhe vetminë e çdo njeriu në përgjithësi, e edhe të poetës Shahbaze Vishaj në veçanti.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...