2011-03-07

Serbia ekspozon artefaktet që i vodhi në Kosovë


Serbia ka hapur ekspozitë me eksponatet etnografike të Kosovës, të cilat i kishte marrë dhunshëm në vitin 1999 dhe tash 12 vjet nuk pranon t’i kthejë. Muzeu Etnologjik i Beogradit është bërë nikoqir i veshjeve, gjësendeve dhe dekorimeve nga koleksioni prej 3 mijë artefaktesh të Kosovës në ekspozitën e hapur të martën në mbrëmje.
I ashtuquajturi Muzeu në Prishtinë - një institucion me seli në kryeqytetin serb i themeluar fill pas luftës në Kosovë e në të cilin u bart thesari arkeologjik që iu mor Kosovës - është bartësi i ekspozitës. "Trashëgimia etnografike nga fondusi i Muzeut në Prishtinë", është titulli i saj.
Pos kësaj, për autoren e ekspozitës, Mina Darmanoviq, nuk është i diskutueshëm fakti që eksponatet janë të Serbisë. Me ekspozitën që ka hapur ajo thotë se ka përmbledhur "vetëm një pjesë të koleksionit të çmueshëm të Muzeut në Prishtinë nga 30 mijë eksponate të tjera të shtetit serb që kanë mbetur në Prishtinë". Në Muzeun Etnografik në Beograd prehen dy mijë eksponate etnografike dhe një mijë nga koleksioni arkeologjik.
Në anën tjetër, pala kosovare hapjen e ekspozitës me artefakte të Kosovës e cilëson propagandë. Por të njëjtët kritikojnë institucionet kosovare se nuk kanë bërë sa duhet që artefaktet e vjedhura t'i kthehen pronarit legjitim-Muzeut të Kosovës.

Autorja e ekspozitës, Darmanoviq, nuk mohon që artefaktet që janë "strehuar" në Muzeun Etnografik të Beogradit janë "bartur" në vitin 1999 nga Muzeu i Kosovës. Atë çfarë ka ekspozuar e cilëson si "retrospektivë e vogël e një koleksioni të çmueshëm të Muzeut në Prishtinë". Kësisoj ishte quajtur Muzeu i Kosovës gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit. Më 1999, pikërisht me 3 mijë artefaktet e vjedhura nga Kosova ishte themeluar i ashtuquajturi Muzeu i Prishtinës në Beograd, i cili tash "pret" që t’i kthehen edhe 30 mijë artefakte të tjera që janë në Kosovë.
Mediet serbe kanë cituar autoren Dermanoviq, teksa ka falënderuar Ministrinë e Kulturës të Serbisë për mundësinë që u ka dhënë që këto artefakte të digjitalizohen dhe të shihen në botë.
"Duke iu falënderuar Ministrisë së Kulturës ne jemi njëri prej muzeve të parë në Serbi që e ka digjitalizuar tërësisht koleksionin e tij dhe duke iu falënderuar kësaj ne kemi marrë pjesë në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit", ka thënë ajo. Darmanoviq ka përzgjedhur gjësende nga koleksioni etnografik, siç ka thënë ajo, me qëllim që beogradasit të shohin bukurinë dhe pasurinë e traditës popullore të Kosovës.
"Fotografi digjitale me komplete te veshjeve fshatare e qytetare, gjësende te veçanta dhe lloje të ndryshme varësesh paraqesin vetëm një pjesë të vogël të koleksionit etnografik të materialit të Muzeut në Prishtinë", citohet të ketë thënë ajo.
Sipas saj, materiali i prezantuar është vetëm një pjesë e pasurisë tradicionale të krijuar gjatë një procesi të gjatë të zhvillimit kulturor të popullit serb dhe dëshmon për pasurinë e diversitetin në veshjet tradicionale.
"Veshjet dallohen për nga stili kompozicional, mënyra e zbukurimit të tyre, ornamenteve shumëngjyrëshe, breza të zbukuruar, jelekë me lidhje, këpucë të thurura që paraqesin një domen të gjerë të shpirtit krijues të popullit serb", ka thënë ajo. Për ekspertët kosovarë të trashëgimisë kulturore, një veprim kësisoj i të ashtuquajturit Muzeu në Prishtinë është i papranueshëm.
Për Edi Shukriun, kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, veprimi i fundit i hapjes së ekspozitës, madje edhe deklaratat se 30 mijë artefakte të tyre janë ende në Kosovë, janë politikë e njohur e Serbisë.
Megjithëkëtë ajo fajin pse Serbisë i lihet mundësia ta luajë rolin e viktimës e hedh edhe tek pala kosovare. Thotë se është e bindur se institucionet kosovare nuk kanë bërë sa duhet që thesarin e vet arkeologjik ta kthejë në Kosovë.
"Me Këshillin jam munduar që trashëgimia kulturore mos të kthehet në shërbim të politikës. Kjo është politikë e njohur e Serbisë. Duhet të punojmë edhe me të, por së pari duhet të punojmë me veten", ka thënë Shukriu.
Pikërisht eksponatet që janë ekspozuar i takojnë koleksionit prej 3 mijë artefaktesh, të cilat para 12 vjetësh Serbia ia vodhi Kosovës.
Ajo kujton se artefaktet e Kosovës janë marrë nga Muzeu i Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s, dhe janë bartur në Serbi me kamion ushtarak.
"Janë marrë me dhunë, që do të thotë se janë të vjedhura", ka thënë Shukriu.
Ajo thotë se Kosova duhet të ngrejë këtë çështje në kuadër të bisedimeve që planifikohen të bëhen shumë shpejt me Serbinë. Por e para e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thotë të mos jetë pyetur asnjëherë për këtë punë.
"Ekspertët e vjetër të kësaj fushe nuk janë pyetur fare, mjerisht kanë dalë disa 'ekspertë' të rinj, por që as ata nuk janë konsultuar, dhe si pasojë e kemi fatin kështu si e kemi", ka thënë ajo, teksa ka dhënë një këshillë.
"Pa marrë parasysh se çfarë bisedimesh janë këto, në bazë edhe të konventave ndërkombëtare ato duhet të kthehen në vendin e origjinës. Nëse nuk arrihet kjo atëherë pala kosovare duhet të ngrejë padi në instanca ndërkombëtare", ka thënë Shukriu.
Por Ministria e Kulturës del të mos përcjellë fare se çfarë bën shteti serb me artefaktet e Kosovës.
Nga tre mijë artefakte sa i janë marrë Kosovës më 1999, "Hyjnesha në fron" është i vetmi eksponat që iu kthye Kosovës. Një gjë e tillë u bë më 2002 nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, Michael Steiner.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...