“Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914” titullohet vepra e historianit Romeo Gurakuqi, promovuar këto ditë në Tiranë, një vepër që hedh dritë mbi marrëdhëniet e komplikuara Shqipëri-Greqi, sidomos në momentet vendimtare, në vitet ’13 dhe ’14 të shek. XX
Është një përpjekje serioze për të analizuar marrëdhëniet ndërmet Shqipërisë dhe Greqisë në vitet 1913-1914. Monografia synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik, të lindur nga shpërbërja e Turqisë evropiane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë. Prej më shumë se 15 vitesh puna ime kërkimore ka qenë e përqendruar në hapësirën kohore të viteve 1911-921 të historisë së Shqipërisë, por veçimin nga e gjithë problematika, e çështjes së Shqipërisë së jugut, vendosjes së vijës kufitare mes dy vendeve tona, në rrjedhën e viteve 1912-1914 dhe shqyrtimi i një numri çështjesh ende të debatueshme, ma imponoi dokumentacioni i pamatë, me të cilin u vendosa në kontakt dhe zotërim, sidomos nga viti 2005, thotë autori në një revistë dhënë gazetës “Panorama” të Tiranës.
“Mbi të gjitha, dy popujt tanë qëndrojnë njëkohësisht dhe barbarë në bazamentin e historisë antike të Evropës, e për rrjedhojë do të duhet të jenë plotësisht të përgjegjshëm për leximin e vërtetë të së shkuarës dhe po aq optimistë për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët europiane dhe jo më asnjëherë vetëm ballkanike. Për të gjitha këto arsye jam përpjekur me kujdes të veçantë për të bërë të njohur dhe vlerësuar me dokumentacionin parësor të një vendi anëtar të njërit prej blloqeve politiko-ushtarake të asaj kohe, Antantës, një numër çështjes të konsideruara “delikate” dhe të debatueshme në historiografi. Jam munduar gjithashtu të bëj të gjitha përpjekjet profesionale në mundësinë time, që punimi të jetë i çliruar nga paragjykimet politike dhe emocionet e përkatësisë, por gjithsesi i takon lexuesve dhe studiuesve të përcaktojnë nëse vërtet ia kam arritur kësaj paanësie”shton Gurakuqi.
Dokumentacioni arkivor britanik jep mundësi të ndriçohen një seri çështjesh të rëndësishme që lidhen me përkatësinë etnike të të gjitha segmenteve të Shqipërisë së jugut, këndej dhe andej kufirit, të jep mundësinë për të ndjekur në spektër të gjerë gjenocidin dhe zhvendosjet e sforcuara të popullsisë nga Çamëria, Labëria dhe Bregdeti në rrjedhën e vitit 1914; të jep mundësinë për trajtimin në hollësi të problemit të vllehëve që banojnë në Epirin Antik dhe të saktësohet se vendi i origjinës së këtij populli që u bë një dhe bashkudhëtar i fatit të përbashkët me popullin shqiptar, Rumania, ka këmbëngulur deri në fund që ky territor ku ata banojnë, që korrespondon kryesisht me pjesën përtej kufirit aktual juglindor të Shqipërisë, t’i mbetej Shqipërisë; ai dokumentacion ndihmon të saktësohet topografikisht në detaje kufiri i vendosur nga Protokolli i Firences, i 17 dhjetorit 1913 dhe një numër çështjesh mjaft të rëndësishme të kësaj periudhe mjaft të debatueshme, që ka lënë mbrapa probleme që diskutohen dhe politizohen, mendoj jo saktësisht edhe sot. Më duhet të theksoj se studiuesit, në mënyrë të veçantë etnologët kanë ndërtuar prej kohësh një hartë krejtësisht të qartë të situatës etnike në çdo segment të Epirit në tërësi dhe çdo përpjekje e kohëve të fundit për ta risjellë politikisht në një formë të ndryshme nga çfarë studiuesit kanë përcaktuar, raportet e paanshme të ekspertizës diplomatike kanë fiksuar shumë herët deri në agimet e shekullit të XX, më duket krejtësisht i papërshtatshëm, anakronik dhe i pavend në kohën tonë dhe jo luajal për kohën e vështirë që po kalon vendi ynë në këto ditë.