GJUHËSI
FJALËFORMIMI NË GJUHËSINË SHQIPTARE
Nga Prof.dr.Shefkije Islamaj,Prishtinë
* Çështjet që do të trajtohen, dalin mjaft të përbëra për shumë arsye, ndërsa ndër to mund të veçohen këto: gjuhësia shqiptare është relativisht e re, konsolidimi i saj është pak a shumë i vonshëm në raport me atë të gjuhëve të tjera evropiane, dhe problemet e pazgjidhura në shumë rrafshe të gjuhësisë nuk janë pak.
* Rreth pesëdhjetë vjet të gjuhësisë shqiptare, të sistemuar e të vendosur në rrugë të mbarë, nuk mjaftojnë për trajtimin e aq shumë problemeve gjuhësore që rrokin rrafshin studimor linguistik dhe për kërkesat e mëdha të shkollës shqipe.
I. Çështjet që më kanë provokuar në këtë rrafsh, janë: e para, si është trajtuar fjalëformimi, në të vërtetë, ç'vend zë fjalëformimi në gjuhësinë shqiptare dhe, e dyta, a mund të ndryshohet diçka në këtë rrafsh, në të vërtetë, a do të mund t'i ndjekë gjuhësia shqiptare në rrafshin e fjalëformimit prirjet që hetohen në gjuhësinë teorike e pragmatike moderne evropiane?
Çështjet që do të trajtohen, dalin mjaft të përbëra për shumë arsye, ndërsa ndër to mund të veçohen këto: gjuhësia shqiptare është relativisht e re, konsolidimi i saj është pak a shumë i vonshëm në raport me atë të gjuhëve të tjera evropiane, dhe problemet e pazgjidhura në shumë rrafshe të gjuhësisë nuk janë pak. Një tregues tjetër që dëshmon gjendjen e konstatuar, është se edhe gjuhësia moderne nuk ka datë shumë të hershme, dhe shumë probleme në kuadër të saj nuk janë përcaktuar ende përfundimisht, në këtë kontekst edhe trajtimi teorik i fjalëformimit aty ka mbetur prapa trajtimit të problemeve të tjera, si të mikrolinguistikës, ashtu edhe të makrolinguistikës.
Rreth pesëdhjetë vjet të gjuhësisë shqiptare, të sistemuar e të vendosur në rrugë të mbarë, nuk mjaftojnë për trajtimin e aq shumë problemeve gjuhësore që rrokin rrafshin studimor linguistik dhe për kërkesat e mëdha të shkollës shqipe. Detyra të mëdha në kushte të kufizuara, shkëputja nga tradicionalja dhe nxitimi nga bashkëkohorja - janë vetëm disa nga karakteristikat e zhvillimit të gjuhësisë shqiptare. Po rikujtojmë se kur në gjuhësinë shqiptare po vendoseshin fillimet e studimit institucional të problemeve të saj, në Evropë gjuhësia moderne, e filluar me strukturalistët dhe pak më pas me Shkollën e Pragës, po mbushte katër dekada dhe tashmë ishin formuar edhe shkolla të tjera, ndërsa shumësia e ideve të reja në shumë fusha gjuhësore kishte përmbysur shumëçka të ndritshme të shekujve pararendës të traditës së pasur të hulumtimit e të studimit të problemeve të gjuhës.
Megjithatë, do të ishte jo e drejtë të mos spikateshin rezultatet e arritura të gjuhësisë shqiptare për një kohë relativisht të shkurtër në shumë rrafshe. Puna e madhe dhe rezultatet e arritura shkencore në shumë drejtime të prijatarëve tanë - Xhuvani, Çabej, Cipa, Riza, e profesorëve tanë të brezit të dytë e të tretë, bënë që të vihen themelet e një gjuhësie bashkëkohore, që të formësohen qartë detyrat aktuale dhe të përvijohen rrugët për studime të pandalshme në të gjitha fushat e dijes gjuhësore, pra edhe në fushën e fjalëformimit.
Gjuhësia shqiptare që prej fillimeve të saj ka qenë, para së gjithash, shkencë mbi gjuhën shqipe, dhe kjo vazhdon edhe sot, edhe pse ndërkohë, në kuadër të saj, janë zhvilluar më shumë a më pak edhe degë të tjera të gjuhësisë, natyrisht zhvillime këto të kufizuara e të kushtëzuara nga shumë faktorë e nga shumë rrethana: historike, sociale, e edhe politike. Etimologjia, historia e gjuhës dhe gramatika kanë arritur rezultate të palëkundshme, ndërsa leksikologjia, fonologjia, semiologjia, stilistika, si dhe shumë degë të reja, degë të tjera të makrolinguistikës, si sociolinguistika, etnolinguistika, filozofia e gjuhës, gjuhësia kompjuterike janë në rrugë të mirë të nisin, të zgjerojnë e të thellojnë dijet e tyre. Ka mjaft probleme, sidomos teorike, në kuadër të këtyre dijeve, që vetëm sa janë prekur ose s'janë prekur fare.
II. Po si qëndron puna me fjalëformimin, me trajtimin e tij teorik në gjuhësinë shqiptare? Në mënyrë që kjo paraqitje të mos zgjerohet shumë, do ta ngushtojmë këndvështrimin tonë në vetëm disa pika të kësaj çështjeje.
Ajo që bie në sy me vështrimin e parë në këtë rrafsh, mund të përmblidhet me pak fjalë: e para, mund të thuhet se trajtimi i fjalëformimit në gjuhën shqipe është trajtim në pajtim me shkallën e arritur në studimin e problemeve të tjera gjuhësore, e po kështu edhe rezultatet e arritura në këtë fushë korrespondojnë me rezultatet e tyre. Trajtimi teorik i tij mbetet, pra, në suazat e një trajtimi tradicional që pak a shumë ka ndjekur gjedhet e trajtimit edhe në gjuhë të tjera, sigurisht duke nxjerrë në pah veçantitë e shqipes në këtë rrafsh. Rezultatet, sidomos për anën njohëse të fjalëformimit, kanë përmbushur suksesshëm kërkesat e shkollës shqipe në të gjitha nivelet. Studimet e vonshme në këtë fushë kanë shkuar në vijë të drejtë duke pasur për bazë studimet e thelluara të prof. Xhuvanit, të prof. Çabejt e të Kostallarit. Mund të thuhet se lista e autorëve që do të merren në tre dhjetëvjetëshat e fundit me aspekte të ndryshme të fjalëformimit, është e gjatë (A. Kostallari, Sh. Demiraj, E. Hysa, J. Thomai, M. Çeliku, Xh. Lloshi, A. Dhrimo, J. Kole, E. Angoni, M. Samara, M. Totoni, S. Mansaku, Th. Feka, K. Topalli, A. Vehbiu, M. Halimi, R. Mulaku etj.), ashtu siç është e gjatë edhe lista e problemeve që ngrenë ata në këtë fushë studimi (formimi i fjalëve në gjuhën shqipe dhe paradigmat fjalëformuese, tipat sipas formimit, koncepti për fjalën, vendi dhe kufijtë e saj në vargun e njësive themelore të gjuhës, lidhjet ndërmjet formës dhe përmbajtjes, grupimi sipas formës, grupimi sipas kuptimit, rrugët kryesore për pasurimin e leksikut, formimi i fjalëve të reja, e të tjera).
Por, ç'është ajo që tërheq vëmendjen këtu dhe që, njëkohësisht, ka provokuar interesimin tim në këtë rrafsh? Para se gjithash është kjo - në kuadër të cilës degë a disiplinë gjuhësore klasifikohet e trajtohet fjalëformimi, dhe ai trajtim, a ndjek rrugën e traditës apo ka prirje që të ndjekë gjuhësinë moderne evropiane?
Që në fillim po theksojmë se fjalëformimi, dhe në përgjithësi problemet e derivacionit në gjuhësinë perëndimore, nuk zënë vendin e merituar, dhe për këtë është sinjalizuar jo rrallë në literaturën e sotme gjuhësore. Po kështu është e njohur se problemi i fjalëformimit në gjuhësinë evropiane vështrohet në mënyra të ndryshme. Ai trajtohet e mësohet si pjesë e gramatikës, dhe në këtë kuptim paraqet lidhje të llojit të vet me morfologjinë, si pjesë e leksikologjisë ose si pjesë e morfologjisë dhe leksikologjisë njëkohësisht. Edhe opinioni shkencor për fjalëformimin, është i ndarë dhe ende nuk ka arritur të japë një zgjidhje përfundimtare teorike e praktike se në ç'fushë gjuhësore bie vendi i tij: një pjesë e këtij opinioni është e mendimit se problemi i fjalëformimit i takon morfologjisë me të dy segmentet e tij (fleksioni e derivacioni, e quajtur edhe si morfologji fleksive dhe morfologji leksikore); një pjesë tjetër mendon se problemi i fleksionit i takon morfologjisë, kurse derivacioni leksikologjisë, e një pjesë më e vogël konsideron se fjalëformim i mirëfilltë mund të konsiderohet vetëm derivacioni dhe ai është natyrshëm pjesë e leksikologjisë. Koncepti tjetër, më i përhapuri kohët e fundit, me shumë përkrahës, sidomos në gjuhësinë polake, gjermane, ruse, çeke, sllovake, sllovene,serbe, arabe, boshnjake (në gramatikat e fundit të shumicës së këtyre gjuhëve fjalëformimi tashmë trajtohet jashtë morfologjisë, si degë e gramatikës) e në ndonjë tjetër, është ai se fjalëformimi duhet të trajtohet si disiplinë e veçantë e pavarur, gjuhësore. Përcaktimi i këtillë për fjalëformimin, së voni, ashtu si edhe për një varg çështjesh të tjera problemore në linguistikën në përgjithësi, mund t'i referohet ndikimit të strukturalizmit dhe gramatikës transformacionale.
III. Po të shohim si na paraqitet fjalëformimi në disa burime të rëndësishme teorike gjuhësore: gramatikat greke e latine si dhe gramatikat e gjuhëve më të reja, të cilat mbështeten në parime klasike, sipas Llajonsit, përfshijnë eptimin ose si e quan ai “dija e formës", derivacionin ose fjalëformimin dhe sintaksën, por ato nuk kanë zënë vend të barabartë në to: fjalëformimi na del më i papërfillshëm, si duket për arsyen se ai nuk përfshihet në gramatikat klasike. Gjithnjë sipas Llajonsit "trajtimi i fjalëformimit është një gjest i ngathët dhe teorikisht jokonsekuent". Përfshirja e eptimit dhe e derivacionit në morfologji ka ndodhur në shekullin XIX, atëherë kur u fut ajo për herë të parë në gjuhësi (John Lyons, Hyrje në gjuhësinë teorike, përkthyer nga prof. E. Likaj, Dituria, Tiranë, 2001, f. 186); në Enciklopedinë e gjuhës të Kembrixhit (1987) si dhe në Leksikonin e gjuhësisë moderne, që të dyja të autorit Dejvid Kristël, fjalëformimi trajtohet në kuadër të morfologjisë (kjo ndarje është tradicionale dhe e pranuar deri vonë), ndonëse jepen edhe lëkundjet në këtë kontekst. Sipas enciklopedistit Kristël fjalët qëndrojnë në mënyrë jo komode midis morfologjisë e sintaksës, se fjalëformimi në kuptim të mirëfilltë përfshin vetëm derivacionin, i cili shpreh raportet leksikore, se morfologjia derivative heton parimet që udhëheqin ndërtimin e fjalëve të reja pa marrë parasysh rolin e veçantë gramatikor që mund ta ketë ajo fjalë në fjali. (D. K. Enciklopedijski recnik moderne lingvistike, Beograd, 1988, f. 263,90). Në Fjalorin enciklopedik të termave gjuhësorë të Rikard Simeonit derivacioni trajtohet si objekt i gramatikës - "gramatika është shkenca për tingujt, format, fjalëformimin dhe sintaksën" (R. S, ERLN, A-O, Zagreb, 1969, f. 447), pastaj "fjalëformimi - pjesë e veçantë e gramatikës (bashkë me morfologjinë e sintaksës), ndërsa jepet edhe opinionin se herë-herë fjalëformimi konsiderohet pjesë e morfologjisë (po aty, f. 447). Gjendjes së tashme në gjuhësi, sipas Simeonit i përgjigjet ky sistematizim i disiplinave a i degëve gjuhësore: linguistikën e përbëjnë fonologjia, fonomorfologjia, morfologjia, sintagmatika, sintaksa, fjalëformimi, leksikologjia, stilistika, psikologjia e fjalës, linguistika sociologjike, linguistika gjeografike dhe filozofia e gjuhës, pra në 12 degët e saj përfshihet edhe fjalëformimi si degë e veçantë ashtu si edhe fonetika e fonomorfologjia, ndërsa fjalëformimi, gjithnjë sipas këtij autori, ndahet në shkencën mbi strukturën morfologjike, derivacionin e fjalëve të reja dhe për për fjalëkrijimin me çerdhe dhe në shkencën mbi bashkimin e fjalëve (kompozimin), kufirin midis fjalëve të përbëra dhe mënyrën e bashkimit të fjalëve; në tekstin Hyrje në gjuhësi të Rahmi Memushaj, botuar tash së voni (Tiranë 2002), fjalëformimi shihet në kuadër të morfologjisë dhe ndahet në morfologji të eptimit dhe në morfologji të fjalëformimit (f. 211). Autori konstaton se del e vështirë puna e vendosjes së kufijve brendapërbrenda nënsistemeve të morfologjisë, midis fjalëndryshimit dhe fjalëformimit.
U dhanë këto pak burime teorike gjuhësore për të parë lëkundjet që hetohen për përcaktimin e fjalëformimit në tekstet gjuhësore dje e sot, lëkundje, të cilën e kanë ndihmuar, sigurisht, edhe kufijtë e papërcaktuar midis semantikës e gramatikës, problem klasik në teorinë gjuhësore. E njëjta pamje na paraqitet në gramatikat e tekstet shkollore në gjuhë të ndryshme, në të cilat, po kështu, vërehet joparimësi. Në tekstet mësimore në dhjetëvjetëshin e fundit është hetuar përpjekja për standardizim me pikëpamjet e shprehura në gjuhësinë bashkëkohore.
Nëse nisemi nga pohimi se studimet për fjalëformimin kanë shënuar, vërtet, rezultate të vërejtshme për shumë anë, sidomos për anën morfologjike e së fundi edhe për atë semantike, sidomos në sajë të studimeve të thelluara mbi prejardhjen e fjalës të prof. Jani Thomait dhe në përgjithësi për fjalëformimin (sidomos në veprën Prejardhja semantike në gjuhën shqipe, Tiranë, 1989, dhe në një varg studimesh të tjera të botuara në përmbledhje e në organe të ndryshme shkencore), për tipologjinë në këtë rrafsh, analizat fjalëformuese që e rrokin fjalën si sistem morfemash, në vështrimin e parë, dhe si strukturë në vështrimin e dytë, studimet për parashtesimin, prapashtesimin e kompozimin, dhe sidomos studimet që kanë si objekt zhvillimin kuptimor e ndërtimin kuptimor të llojeve të ndryshme të fjalës, mund të thuhet se trajtimi i tyre në gjuhësinë e re shqiptare ka bazë për të vazhduar e për të ndjekur edhe prirjet e reja që hetohen në teorinë moderne të fjalës, ndonëse sa i përket problemit tonë të ngritur më lart, ka ndjekur më shumë trajtimin tradicional. Pra, ai është trajtuar si në gramatikat shkollore e universitare, ashtu edhe në vështrimet studimore, njëkohësisht në dy degë gjuhësore: në morfologji dhe në leksikologji, pa përcaktim të qartë midis tyre. Si në gramatikën e Kostaq Cipos (me qëllim lë anash gramatikat e mëhershme), si në gramatikat që do të pasojnë pas kësaj, të botuara në vitet 50, 60, 70 e deri te botimi e ribotimet e plotësimet e fundit të gramatikës së ASHSH-së, është vepruar kështu, natyrisht me disa ndryshime që nuk prekin parimin bazë. Trajtimi i tyre në këto dy disiplina ndjek parimësi. Në mënyrë tradicionale studimi i tyre fillon me përkufizimin se fjala mund të jetë e thjeshtë, e prejardhur dhe e përbërë; jepen parashtesat e prapashtesat, si dhe kategoritë e fjalëve ku paraqiten ato më prodhimtare; trajtohet si problem i veçantë edhe në kuadër të kategorive gramatikore (emër, mbiemër, folje etj.); hollësisht përshkruhen veçoritë morfologjike të fjalëve motive dhe mënyra e arritjes së bazës fjalëformuese; nuk mungojnë as çështjet semantike, por ato vështrohen në plan të dytë; fjalët e prejardhura k1asifikohen në mënyrë të përgjithësuar sipas kuptimit, në varësi nga formantet fjalëformuese që marrin pjesë në to; në raste të rralla u kushtohet rëndësi rasteve të veçanta, të cilat për çfarëdo arsye shmangen nga rregullsia fjalëformuese e klasës së cilës i takojnë.
Në kohët e fundit hetohen pak ndryshime në trajtimin e fjalëformimit në gjuhësinë tonë, dhe kjo vërehet edhe në tekstet mësimore dhe në gramatika. Në ndonjërën prej tyre (gramatika e Mehmet Çelikut dhe gramatika e Bahri Becit), dalin risi në këtë rrafsh - fjalëformimi trajtohet në kapitull të veçantë. Në këtë rrugë sa i përket trajtimit të fjalëformimit në studimet e autorëve të ndryshëm për probleme më shumë specifike të fjalëformimit, përcaktimi i tij tradicional në morfologji bartet nga tekstet kodifikuese gramatikat. Se a është trajtuar në ndonjë vështrim teorik ky problem unë nuk jam e sigurt. Nuk pretendoj t'i kem lexuar me vëmendjen e thelluar të gjitha studimet që janë bërë për këtë problematikë, megjithëqë janë shqyrtuar pjesa dërrmuese e tyre dhe konstatimin e mbështes nga ajo që del nga këto.
Po kështu, në studimet e reja, mund të thuhet bashkëkohore, është vërejtur një depërtim i dukshëm i semantikës dhe lidhja e fjalëformimit më shumë me leksikologjinë. Në këtë kontekst gjendja na paraqitet kësisoj: që nga botimi i parë i Leksikologjisë së prof. Jani Thomait, me ribotimet e tij të njëpasnjëshme deri të kjo e fundit 2002 (për fat të keq vazhdojmë të kemi vetëm një autor të leksikologjisë, ndonëse kjo leksikologji na paraqitet shumë e avancuar në raport me paraqitjen e saj të parë, shumë të dobishme atëherë e tash, dhe në raport me të arriturat në këtë fushë në leksikologjinë bashkëkohore evropiane). Edhe në botimet e veçanta për problemet leksikologjike në rend të parë në tri vëllimet Studimit mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, (I, II, Tiranë, 1972, III, 1989) fjalëformimi zë vend meritor. Në sesione e në tubime shkencore, si është edhe ky që po mbahet këtu, ky problem nëse nuk përfshihet brenda leksikologjisë ai i afrohet më shumë asaj sesa morfologjisë. Nga kjo del se as vendi i fjalëformimit në gjuhësinë shqiptare nuk është përcaktuar qartë dhe del me problemet që e përcjellin atë në gjuhësi të tjera.
Sigurisht se këtu nuk është e mundur të paraqiten emrat e të gjithë atyre që në gjuhësinë tonë e shohin fjalëformimin nga aspekti morfologjik, nga ai semantik, ose më fund edhe nga ai sintaksor, edhe pse ky i fundit, fatkeqësisht nuk është përfillur as për së afërmi si duhet e sa duhet në gjuhësinë tonë teorike e praktike (po rikujtoj diçka të njohur se ana sintaksore e trajtimit të problemit të fjalëformimit shpesh mund të sqarojë e të shpjegojë rrugët e formimit të një njësie të re leksiko-morfologjike, sepse fjala si njësi leksikore dhe si njësi gramatikore, funksionalizohet në procesin e ligjërimit, duke krijuar raporte me njësitë e tjera, d.m.th. duke kryer funksion të caktuar sintaksor), dhe, natyrisht, nuk është e mundur të jepen sidomos jo në kësi rastesh as të gjitha problemet me të cilët janë marrë derivatologët shqiptarë. Numri i këtyre problemeve është i madh. Unë paraqita në këtë vështrim timin vetëm disa pikëpamje dhe ato qëndrime, të cilat i referohen sidomos trajtimit të tyre nga ana morfologjike dhe nga ajo semantike, të rëndësishme për anëvështimin tim me këtë rast.
IV. Po ngushtoj objektivin tim, për shkaqe praktike: qëllimi im me këtë rast është që të shpreh një qëndrim, ndoshta pak të guximshëm se fjalëformimi duhet të trajtohet si degë e veçantë e gramatikës e jo si degë e morfologjisë ose e leksikologjisë, d.m.th. të trajtohet më vete, me objekt të përcaktuar qartë dhe me të gjitha veçoritë që përbëjnë një dije më vete, ashtu si ka filluar të trajtohet kohëve të fundit në disa gjuhë të njohura, pra krahas degëve të tjera -morfologjisë, fonetikës, sintaksës, leksikologjisë, stilistikës (në gjuhësinë teorike edhe fonetika ka përcaktim ndonjëherë të paqartë, herë na del degë e veçantë e gjuhësisë, pra jashtë gramatikës e herë brenda gramatikës), sintaksa ka përcaktim të qartë, ndërsa në gjuhësinë evropiane problemet e leksikologjisë i mbulon semantika). Çështja e stilistikës është çështje më vete.
Ka edhe probleme të tjera me ndarjet e nënndarjet disiplinave të ndryshme në fushën e gjuhësisë teorike, po ne vazhdojmë t'i sillemi problemit tonë të ngritur.
Cilat janë arsyetimet që mbështesin propozimin tim?
Po paraqes disa nga ata:
l. Fjalëformimi ka anën morfologjike, anën semantike dhe anën sintaksore, pra ngërthen tri aspekte dhe ky trajtim ka copëzuar dhe ka shpërndarë problemin në tri fusha. Trajtimi i tij në një fushë të veçantë do të rrokte që të tri aspektet dhe do të trajtohej si sistem. Në këtë mënyrë, pos të tjerash do të ndihmohej edhe të kuptuarit më të lehtë të problemit të tij.
2. Dihet se derivacioni semantik është në lidhje të pandashme me derivacionin morfologjik, prandaj është e arsyeshme të trajtohen bashkë. Edhe kuptimi fjalëformues, konsideroj se nuk do të duhej të trajtohej ndaras kuptimit leksikor.
3. Ka mendime se fjalëformimi në mënyrë shumë të prerë i takon leksikologjisë dhe në kuadër të saj ka shkallë të lartë autonomie. Unë mendoj se kjo autonomi është relative dhe ka mjaft tregues që e lëkundin këtë mendim, tregues që janë përmendur edhe brenda këtij vështrimi.
4. Në gjuhësinë bashkëkohore, në gjendjen e saj të sotme, sa vjen e lëshohet mësimi i rreptë i niveleve dhe hiqet dorë nga përpjekjet që gjuha të përshkruhet në mbështetje të klasifikimit të njësive në klasa sipas raporteve sintagmatike e paradigmatike. Një përshkrim i tillë, edhe pse i saktë e i zbatueshëm, në nivele më të ulta është e pamundur të zbatohet si duhet përshkrimi i tërësisë së gjuhës. Përcaktimi dhe heqja e kufijve midis disiplinave të afërta është punë e provuar në shkenca e në disiplina të ndryshme dhe sot prirja për lindjen e shkencave të reja është shumë e qartë.
5. Gjuha shqipe si edhe gjuhë të tjera vazhdojnë të pasurohen me ritme shumë të shpejta. Pasurimi vjen nga shumë anë dhe rruga më e frytshme është ajo përmes fjalëformimit. Hetohet një ndryshim i vërejtshëm në inventarin e ndajshtesave dhe këtë ndryshim e ndihmojnë huazimet leksikore. Në kuadër të fjalëformimit do të përfshiheshin edhe këto e të tjera aspekte të kësaj natyre, që janë trajtuar deri tash në kuadër të leksikologjisë.
6. Fusha e fjalëformimit është pasuruar shumë edhe në rrafshin e terminologjisë, në të tri anët e problemit: morfologjik, semantik e sintaksor, dhe kjo paraqet një bazë të mirë për trajtimin e tij si sistem. (në studimet e fundit të kësaj fushe që rrokin raportet e polisemisë e të derivacionit, si procese brenda të cilave vlejnë të njëjtat rregullsi semantike, është pasuruar dukshëm edhe terminologjia).
7. Tashmë në fushën e fjalëformimit është zhvilluar e standardizuar edhe terminologjia e saj. Terminologjia e stabilizuar është bazë e mirë për një fushë që pretendon të jetë disiplinë më vete.
8. Në gjuhësinë shqiptare numri i studimeve për fjalëformimin e shqipes është relativisht i madh dhe ato përfshihen ndaras në libra të veçanta studimesh, varësisht se cilin aspekt rrokin. Trajtimi i tyre në kuadër të një fushe të veçantë do t'i përmblidhte ato dhe kjo mund ta ketë edhe anën e vet praktike.
V. Probleme që do të përfshiheshin në fushën e fjalëformimit si degë e veçantë janë ato të ditura, që trajtohen në morfologjinë e në leksikologjinë e sotme shqiptare (vëmendjen e kam përqendruar më shumë nga problemet leksikologjike dhe semantike), ndërsa theks i veçantë duhet të vendoset sidomos në këto çështje:
-fjalëformimi - proces morfologjik dhe proces semantik;
-zbërthimi i kuptimeve të derivatit deri në imtësi, të tilla zbërthime të vlefshme janë bërë në veprën Prejardhja në gjuhën shqipe të prof. Jani Thomait;
-përshkrimi i saktë i potencialit semantik të njësive morfo-leksikore;
-paraqitja e organizimit semantik te grupet e veçanta leksiko-semantike;
-hetimi i aspekti derivativ për pasurimin e gjuhës (gjuha jonë shpreh në këtë plan shtrirje të theksuar derivative) dhe i mënyrave më prodhimtare për këtë pasurim (cila mënyrë fjalëkrijimi sot është më prodhimtarja - mënyra morfologjike, mënyra leksiko-semantike, mënyra leksiko-sintaktike apo mënyra morfo-sintaktike); ç'grup me peshë paraqesin neologjizmat në këtë aspekt sot?
Dihet se shqipja e kohës sonë po pasurohet me shpejtësi në sasi e cilësi, me mënyra e mjete të ndryshme dhe ky pasurim i referohet jo vetëm fjalëformimit, po edhe huazimit. Fjalori i gjuhës është rritur me fjalë të huaja dhe me fjalë të reja. Nuk dihet saktësisht sa është kjo rritje dhe çfarë është ajo. Ky proces është karakteristik sidomos për gjuhët me prestigj kulturor e ekonomik po edhe për gjuhë më të vogla siç është shqipja. Bie fjala, sipas filologëve francezë, leksiku i gjuhës frënge në shek. 20 është përtërirë çdo dhjetë vjet për 25%. Procesi i shtimit tejkalon ndjeshëm procesin e zvogëlimit. Çdo dhjetë vjet fjalorit të gjuhës frënge të Pol Roberit (1957) i shtohet një ble prej 500 faqesh me plotësime të veçanta. Sipas Roberit ky vërshim leksikor vjen nga shtypi, radio e televizioni, filmi, fjala publike, literatura shkencore popullarizuese e të tjera. Mund të thuhet se në shumë gjuhë po ndodh "shpërthim neologjik" dhe ky shpërthim për rrjedhojë solli lindjen e një dege të veçantë të leksikologjisë, të quajtur neologji, shkenca mbi neologjizmat. Sigurisht, jo me përmasat që ndodh në gjuhët e mëdha, si në frëngjishten e në gjuhë të tjera, edhe në shqipen nëse jo "shpërthim", po ndodh një pasurim jashtëzakonisht i madh i fjalorit të saj. Në gjuhë të caktuara ky problem trajtohet seriozisht jo vetëm në kuadër të teksteve teorike-mësimore, po edhe në studime e vështrime të ndryshme.
Edhe sa i përket studimeve në fushën e neologjisë po ndodh një i ashtuquajtur "shpërthim neologjik". Sa për ilustrim po përmend se në gjuhët e mëdha brenda pesë vjetëve botohen deri 300 punime nga fusha e neologjisë. Në Francë ka do vite që botohet edhe revista me prestigj e La Banque des mots (Banka e fjalëve) që njihet për ekspedivitet dhe shkallë të lartë për paraqitjen e materialit leksikor. Konsideroj se edhe në gjuhësinë shqiptare duhet të përfshihet neologjia si degë e re, për arsyet që u përmendën më lart, të konceptohet brenda fushës së fjalëformimit dhe të drejtohet vëmendja e specialistëve të gjuhës në këtë drejtim. Nuk duhet shumë mend për t'u kuptuar se hetimi i fjalëve të reja, i shprehjeve dhe i kuptimeve të reja është me vlerë të shumanshme - shoqërore, kulturore, njohëse e gjuhësore. Studimi i tyre, i përbërjes së tyre, i strukturës, i kuptimit, i funksionit, etj. ndriçon probleme të ndërlikuara të teorisë së përgjithshme gjuhësore (si p.sh. raporti i fjalës me nocionin, i fjalës me realen, zhvillimi i gjuhës, roli i faktorëve socialë e brendagjuhësorë, raporti gjuhë - të folur etj.) dhe ndihmon trajtimin e shumë problemeve konkrete të leksikologjisë e të leksikografisë, të gramatikës e të stilistikës;
-vlerësimi i shkallës së përshtatjes së leksemave të krijuara me burim të huaj në sistemin tonë leksikor me rrënjosjen e tyre semantike dhe fjalëformuese njëkohësisht - siç na është e njohur kjo vlerësohet me pasurinë e strukturës polisemantike, si edhe me numrin e derivateve të tij, pra përshtatja e leksemës në sistemin e gjuhës shprehet përmes prodhimtarisë së saj në procesin e mëtejshëm fjalëformues;
-shpjegimi i shumë fjalëve të reja të huaja me ligjësitë fjalëformuese, te ato që mbizotërojnë mjetet dhe mënyrat e gjuhës së sotme shqipe, sepse është e pamundur të sqarohet diferencimi semantik i leksemës së huaj pa ligjësitë fjalëformuese. Asnjë përpjekje për çfarëdo hetimi të përbërjes së leksikut të gjuhës sonë nuk mund të përjashtojë ligjësitë fjalëformuese (jo vetëm për neologjizmat, po edhe për okazionalizmat, termat, zhargonet, leksikun me vlerësim subjektiv etj)
-sqarimi i interpretimeve të ndryshme për fjalët e motivuara, sepse dihet se fjalët e reja të krijuara me derivacion e përngjitje nuk kuptohen njëjtë prej folësve të gjuhës, se leksema që ka dalë nga prejardhja ose përshtatja shpesh ofron më shumë mundësi për interpretim dhe kjo nuk vlen vetëm për neologjizmat, por edhe për ato njësi që konsiderohen tashmë të përfshira në sistemin tonë leksikor), prandaj vëmendja duhet të përqendrohet edhe në raportin e folësit të gjuhës ndaj semantikës së fjalëve të prejardhura dhe atyre të përbëra. Me këto leksema duhet të veprohet sikur me strukturat, kuptimi i të cilave parakuptohet ose kuptohet lehtë;
-diferencimi i homonimisë dhe i polisemisë, edhe pse këto dukuri trajtohen në semantikë e leksikologji, duhet të trajtohet edhe këtu një aspekt i saj, sepse siç dihet, kriteri kryesor që i diferencon ato është ai fjalëformues. Nëse format, raporti i të cilave shihet me mëdyshje, kanë sisteme të ndryshme fjalëformuese, konsiderohen homonime, ndërsa nëse kanë sistem të njëjtë fjalëformimi, fjala, sigurisht është për realizime të veçanta të një lekseme polisemantike. Kjo do të thotë se kriteret fjalëformuese ndihmojnë edhe për diferencimin e raporteve semantike midis dy a më shumë leksemave, gjegjësisht identifikimi i leksemës si njësi e sistemit leksikor, dhe këto kritere do të duhej të trajtoheshin edhe në fushën e fjalëformimit, si fushë e veçantë gjuhësore; edhe hetimi i statusit të kuptimit të veçantë të një lekseme në kuadër të strukturës polisemantike, së cilës i takon ai kuptim, vlerësohet me prodhimtarinë fjalëformuese të këtij kuptimi;
-hetimi krahasues i aftësisë semantike të llojeve të fjalëve (p.sh. i fjalëve të thjeshta në raport me derivatet, pse fjalët e thjeshta janë bartëse të gjitha shndërrimeve semantike dhe më prodhimtaret në gjuhë, edhe semantikisht, edhe nga ana fjalëformuese, pastaj hetimi i fjalëformimit në klasat mbiemërore etj.);
-hetimi se ç'masë e përmbajtjes semantike të fjalës së motivuar hyn në derivat, sepse konsideroj se shndërrimet fjalëformuese ndiqen jo vetëm formalisht, po edhe semantikisht; me analizën komponenciale zbërthehen fjala motive dhe ajo e motivuar, pastaj ndiqet ndikimi i bazës fjalëformuese të fjalës motive në kuptimin e fjalës së motivuar. Kur në nivelin e një grupi tematik ndiqen këto procese, duke hetuar fushën semantike të leksemës, dëshmohen rrjedhat e ndryshme të rrugëve të mundshme fjalëformuese të një grupi tematik;
-një qasje e re në hetimin e formanteve fjalëformuese që do të sqaronte se sa dhe çfarë është ndikimi i formanteve fjalëformuese në fjalët e motivuara. Në veprën e cituar të prof. Jani Thomait është hetuar gjerësisht edhe ky problem. Këtu duhet të përfshihet edhe trajtimi i vlerës afektive të fjalëformimeve në dukje të parë neutrale dhe ndikimi i tyre në shënimin stilistik të leksemës. Mjaft çështje do të sqaroheshin edhe për fjalëformimet stilistike brenda kësaj fushe të dijes.
Këto do të ishin vetëm disa nga problemet që do të trajtoheshin brenda kornizave të fjalëformimit. Caktimi i kufirit të problemeve që do të trajtoheshin këtu dhe në fushat e tjera simotra morfologji, leksikologji a semantikë nuk është i lehtë sigurisht. Sa i përket morfologji së puna thjeshtësohet nëse vetëm trajtëformimi ose fleksioni nga fusha e formimit të fjalëve mbeten për t'u studiuar atje, ndërsa derivacioni komplet bartet në disiplinën e veçantë për këtë problematikë. Një përkufizim më i qartë i këtij kufiri do të duhej të vihej ndërmjet tij dhe leksikologjisë e sintaksës, një përkufizim i tillë tashmë ka filluar në gjuhësinë moderne evropiane. Ajo që konsiderohet e favorshme në këtë rrafsh janë dyert e hapura të fjalëformimit si disiplinë më vete për ndërthurje me disiplina të tjera të përafërta.
Në kushtet në të cilat ka hyrë gjuhësia shqiptare në shekullin 21, strategjia e zhvillimit shkencor do të duhej të drejtohej nga krijimi sa më i mirë i organizimit të punës shkencore për realizimin e numrit sa më të madh të qëllimeve të realizueshme - që janë njëkohësisht edhe synime të linguistikës moderne në botë. Kjo nënkupton, para së gjithash, rangimin e fushave linguistike (linguistika teorike, linguistika përshkruese, ajo zbatuese e të tjera), sipas rëndësisë së tyre për shkencën shqiptare dhe sipas mundësive (kuadrore, materiale e të tjera) të realizohen qëllimet e paravëna afatshkurta e afatgjate të strategjisë shkencore në fushën e gjuhësisë shqiptare.