Historianët dhe akademikët kosovarë si dhe ata nga Shqipëria, duke reaguar ndaj kërkesave të qeveritarëve turq për korrigjimin e teksteve të historisë, e mbajtën një tryezë shkencore, përmes së cilës apeluan te qeveritarët të mos përzihen në çështje që nuk u takojnë.
Disa javë pas vizitës në Kosovë të Ministrit të Arsimit si dhe atij të Punëve të Jashtme të Turqisë dhe kërkesës së tyre për rishikim apo korrigjim të teksteve të historisë, reagojnë, përmes një tryeze shkencore, historianët dhe akademikët kosovarë.
Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëorganizim me Institutin e Historisë së Kosovës, të enjten, u mbajt tryeza shkencore me titull: "Trajtimi i Perandorisë Osmane dhe i raporteve turko-shqiptare në tekstet e historisë".
Fjalën e hapjes e mbajti Akademik Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. në fjalën e tij, Bokshi e përmendi miqësinë dhe ndihmën që Turqia po ia jep popullit të Kosovës, por theksoi se kjo miqësi nuk mund të lëndohet nga trajtimet e bëra shkencore për periudhat e rënda të historisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, për efektet e rënda shtypëse që i solli popullit shqiptar e për qëndresën dhe kundërshtimin krenues ndaj asaj shtypjeje nëpër kryengritje të shumta e flijime me lavdin e dëshirës për liri. Ai shtoi se kjo tryezë do të nxjerrë në pah se historiografia shqiptare kurrë nuk ka rrëshqitur në pozicione shoviniste e fyese për popullin turk. Lidhur me çështjen e korrigjimit të teksteve të historisë, Bokshi theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet nga historianët e jo nga politikanët.
“Çështja nuk është politike, që ta trajtojnë politikanët, as qeveritare që të trajtohet nga qeveritarët. Po të ishte çështje, do të ishte çështje që do të zgjidhej vetëm nga trajtimi shkencor i historianëve”, tha Bokshi.
Ai tha po ashtu se asnjë zaptues nuk vjen pa deklaruar se vjen për të sjellë të mirën dhe për të krijuar rënd.
Mbajtjen e kësaj tryeze shkencore, Bokshi e arsyetoi me faktin se opinioni duhet të njihet me përgjigjen e historiografisë shqiptare për relacionet e Perandorisë Osmane me shqiptarët dhe përgjigjen ndaj kërkesës për ndryshime të teksteve të historisë me shmangie nga trajtimi shkencor.
Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, i konsideroi të pavërteta vërejtjet kinse tekstet tona shkollore të historisë kanë qasje dhe paragrafë fyes ndaj popullit turk dhe Turqisë.
Ai tha se në tekstet e historisë për shkollat e Kosovës në gjuhën shqipe të periudhës 1881-1912 nuk ka terminologji joshkencore, fyese ose diskriminuese për asnjë popull dhe as për turqit e Perandorinë Osmane.
“Përmbajtjet lëndore si dhe vlerësimet shkencore të ngjarjeve dhe të figurave janë në harmoni me metodologjinë e mësimdhënies dhe me të vërtetën historike, natyrisht duke lënë të hapur mundësinë e begatimit me burime të reja”, theksoi Bajraktari.
Ndërkaq, historiani nga Shqipëria Pëllumb Xhufi, duke u marrë me figurën e Skënderbeut në tekstet e historisë, e konsideroi brengosës faktin se në historiografinë evropiane po shtrembërohet figura dhe kontributi kombëtar i Skënderbeut. Duke folur për librin ‘Skënderbeu’ të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, Xhufi tha se për heroin kombëtar Schmitt shkroi se bëri një luftë hakmarrëse ndaj Sulltanit, gjë që, sipas Xhufit, kjo nuk është e vërtetë. Ai më pas u shpreh edhe kundër atyre shqiptarëve të cilët, nën ndikimin e fesë islame, deklarojnë se Skënderbeu ka qenë tradhtar, por u shpreh edhe kundër atyre që, nën ndikimin e fesë së krishterë, deklarojnë se Skënderbeu ka qenë atlet i krishterimit.
“Skënderbeu ka qenë luftëtar për liri dhe pavarësi të shqiptarëve”, u shpreh Xhufi.
Duke folur për islamizimin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, historiani Muhamet Mala u shpreh se problemi i islamizimit të shqiptarëve në shkencën e historisë ende nuk e ka marrë trajtimin adekuat dhe çështja lëvizë nga një ekstrem në tjetrin. Ai theksoi se në një anë qëndron ideja që e shikon islamin si fenomen shpëtues për çështjen tonë kombëtare apo ekstremi tjetër që e mohon tërësisht si proces me rëndësi për avancimin tonë kombëtar. “Duke qenë në mes të këtyre dy ideve diametralisht të kundërta, hartuesve të teksteve iu mbetet detyrë e vështirë për përcaktimin e drejtë lidhur me këtë çështje. Andaj në nivele të teksteve shkollore islamizimi duhet të përmendet si proces, i cili në një periudhë të caktuar kohore, në fillim individualisht e mandej në masë, si pasojë e sundimit osman, u bë pjesë e identitetit tonë kombëtar”, tha Mala.
Historiani Frashër Demaj tha se pavarësisht vullnetit tonë, historia nuk mund të ndryshohet e as të tjetërsohet. Sipas tij, historia mund të plotësohet e ndryshohet me fakte e jo me ‘vullnet politik’.
“Ministrat të shfaqin vullnetin e tyre politik, por janë shkencëtarët ata që, bazuar në kërkime dhe argumente shkencore, duhet ta thonë fjalën e tyre”, u shpreh Demaj. Sipas tij, historia nuk shkruhet me qejfe e për qejfe por me argumente të bazuara e të studiuara mirë e në mënyrë profesionale nga studiuesit e shkencave të historisë.
Lidhur me këtë çështje referuan edhe historianë dhe akademikë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Isa Bicaj, Fehmi Rexhepi, Ferid Duka, Beqir Meta, Emine Bakalli, Esat Stavileci, Izber Hoti etj
.
.