2011-10-04

VETËMASHTRIMI I SERBISË




Nga Bekim Çollaku



Çelësi i stabilitetit në rajon varet nga shpejtësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është arsyeja përse BE kërkon patjetër që Serbia të ndalojë vetëmashtrimin e saj lidhur me mbajtjen e Kosovës në kontroll dhe të përcaktohet për anëtarësim në BE.


Veprimet e fundit të Qeverisë së Repubikës së Kosovës për vendosjen e masave reciproke tregtare kundër Serbisë dhe shtrirjen e autoritetit të institiucioneve legjitime në veri të vendit, përfundimisht kanë krijuar një realitet të ri jo vetëm në aspektin nacional, por edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Së pari, në aspektin nacional është thyer akulli i pathyeshëm i dymbëdhjetë viteve të fundit. Si rrjedhojë, është prishur rehatia e kriminelëve që e kishte shëndrruar pjesën veriore të Kosovës në një oazë të krimit të organizuar. Status quo-ja e deritanishme, që ishte rezultat i veprimeve të papenguara të grupeve kriminale, vrasësve ordinerë dhe strukutrave ilegale të financuar nga Qeveria e Serbisë, është ndryshuar përgjithmonë. Tani e tutje, lëvizjet dhe veprimet e organeve legjitime të rendit dhe të zbatimit të ligjit në veri të vendit, nuk do të paraqesin ndonjë lajm senzacional. Së dyti, në aspektin rajonal, edhe një herë është rikonfirmuar rreziku potencial i shteteve të rajonit në rast të ndonjë apetiti të sëmurë për ndryshim të kufijve të ndonjë shteti. Frika se luftërat etnike të shekullit të kaluar mund të rikthehen, i bënë shtetet e rajonit të jenë shumë të kujdesshme në sjelljet e tyre dhe në kundërshtimin absolut të mundësisë për ndryshimin e kufijve ekzistues. Së treti, në planin ndërkombëtar është rikonfirmuar pozicioni i qartë i qendrave kyersore vendimmarrëse se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnet për eksperimente të pafundme në Ballkanin Perëndimor. Për shumë arsye, Ballkani Perëndimor nuk është fokus i vëmendjes së shteteve të fuqishme, të cilat presin me padurim normalizimin e plotë të rajonit, në mënyrë që tërheqin prezencën e tyre ushtarke dhe civile.
Si rrjedhojë e një konteksti të tillë gjeopolitik, SHBA dhe BE kanë filluar të rrisin presionin e tyre politik kundrejt Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të normalizimit të raporteve ndërshtetërore. Në fakt, mund të thuhet se çelësi i stabilitetit në rajon varet nga shpejtësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është arsyeja përse BE kërkon patjetër që Serbia të ndalojë vetëmashtrimin e saj lidhur me mbajtjen e Kosovës në kontroll dhe të përcaktohet për anëtarësim në BE. S’ka dyshim që shtetet kyçe të BE-së e kanë bërë të qartë gjithmonë se kufijtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të pandryshueshëm, mirëpo Serbia ka vazhduar të mos e prishë iluzionin e saj për ndarjen e Kosovës. Fatkeqësisht, strategjia që ka përdorur deri më tani Serbia ka qenë mjaft e suksesshme, në veçanti për presidentin Tadic dhe partinë e tij. Kjo për faktin se Tadic me lehtësi ka arritur të bëhet partner kyç i BE-së dhe, njëkohësisht, të mbetet lideri më i fuqishëm i Serbisë në luftë për ndarjen e Kosovës. Me ndihmën e BE-së, Tadic ka mbajtur pushtetin absolut dhe me lehtësi ka fituar mandatin e dytë për president të Serbisë.
Mirëpo, duket se strategjia e përdorur deri më tani po përfundon.Tani që ka filluar dialogu teknik Kosovë-Serbi, është momenti që president Tadic t’ia kthejë BE-së investimin e bërë që nga viti 2003 kur Tadic ishte ministër i Mbrojtjes i Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi. Natyrisht kthimi i borxhit gjithmonë është proces i veshtirë, por është i pashmangshëm. Prandaj, Serbia dhe Tadic nuk kanë shumë opcione në dispozicion për t’i prolonguar proceset në pafundësi. Sepse, tani e tutje jo gjithçka varet nga vullneti i Serbisë. BE ka filluar ta humb durimin me Serbinë dhe partnerin e saj Tadic. Këtë mesazh e solli së fundi në Beograd, në menyrë shumë të qartë, kancelarja gjermane Merkel e cila i kërkoi Tadicit që t’i jep fund iluzionit për ndarje të Kosovës dhe të shpërbëjë strukturat ilegale të Serbisë që veprojnë në veri të vendit. Këto mesazhe që janë shumë të rënda për Serbinë, e në mënyrë të veçant për Tadicin, vijnë në një moment kur Serbia pret të marrë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE dhe, njëkohësisht, Serbia futet në periudhën paraelektorale të zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në pranverën e hershme të vitit 2012.
President serb Tadic e ka të qartë se çfarë pret BE nga ai dhe nga Serbia, mirëpo pretendon të përfitojë në kohë duke luajtur lojën e njëjtë që ka bërë në vitin 2004 dhe 2008. Por, kjo nuk është e mundur jo vetëm për shkak se BE nuk mund ta presë pafundësisht Serbinë, mirëpo edhe për shkak se më në fund Kosova ka filluar të sillet si shtet sovran. Kësaj radhe, Tadic nuk do të mund të fitojë mbështetjen e BE-së dhe njëkohësisht të vazhdojë me kryeneçësi të nxisë dhunimin e sovranitetit të Kosovës nëpërmjet strukturave kriminale që financohen nga Serbia. Deklaratat e fundit të Tadicit se ’Serbisë nuk mund t’i kushtëzohet të zgjedh ndërmjet antarësimit në BE dhe Kosovës’ janë thjesht pjesë të retorikës së njëjtë populiste për konsum të brendshëm. Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk i ka bërë Serbisë një ofertë të tillë. Kjo për shkak se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Kështu, Serbia nuk mund të zgjedh për diçka që nuk e ka. Për më tëpër, Tadic flet për “realitetin në Kosovë dhe kërkon një zgjidhje kompromisi“. Për çfarë realiteti flet ai dhe çfarë kompromisi? Nëse me realitet ai nënkupton ndarjen e Kosovës, kjo është e pamundur. Nëse me kompromis nënkupton përsëri ndarjen e Kosovës, kjo është përsëri e pamundur.
Kështu, pritjet e tij dhe të Serbisë janë asgjë më shumë se pritje të pafundme, që për momentin shërbejnë vetëm për të shmangur ankthin e madh të Serbisë. Realiteti mund të jetë vetëm një, por ai mund të kuptohet dhe interpretohet në forma të ndryshme. Ne në Kosovë njohim vetëm realitetin ekzistues - atë të Kosovës së pavaruar dhe mbi këtë realitet projektojmë të ardhmën tonë. Ndërsa, Serbia është përballë dilemës së saj për të vazhduar me vetëmashtrimin apo për të pranuar realitetin ekzistues, e që për Serbinë vazhdon të mbetet realitet i hidhur. E gjërat e hidhura nuk përtypen lehtë, ndërsa Serbia ka pak apetit për ta gëllitur atë. Mirëpo, sa më shpejt ta bëjë një gjë të tillë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë, Kosovën dhe rajonin.
Autori është Këshilltar i lartë i Kryeministrit të Kosovës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...