-Profesor Dr Eshref Ymeri është një nga bashkëpunëtorët më të rregullt të “agjencionit Floripress”. Kjo intervistë ndonëse i është dhënë një gazete në Tiranë, i drejtohet edhe lexuesve të Floripress-it dhe Forumit Sterkala.
Prof Dr Eshref Ymeri
1. Profesor Ymeri, faleminderit që jeni bërë pjesë e personaliteteve që kanë ndarë mendimet e tyre në bashkudhëtimin tonë drejt ideve sfiduese dhe objektive. Çfarë do të thotë për ju të jesh personalitet i fushës?
Para së gjithash, ju falënderoj për ftesën që më bën gazeta juaj për të ndarë disa probleme që rrihen kohë pas kohe në faqet e saj. Të jesh personalitet i fushës, për mendimin tim, do të thotë të jesh i pajisur me një kulturë të begatë profesionale dhe me një horizont të gjerë kulturor. Vetëm kur plotëson këto dy kushte, intelektuali është në gjendje të trokasë në të gjitha portat e jetës shqiptare, të cilat me siguri që do të hapen para tij kat e kat. Sepse horizonti i gjerë profesional dhe kulturor të bën ta njohësh jetën shqiptare deri në poret e saj dhe të dish të komunikosh me njerëzit e të gjitha shtresave shoqërore në çdo “regjistër” të gjuhës shqipe. Vetëm kështu mund të fitosh respektin e njerëzve dhe të bëhesh i besueshëm për ta. Veçse këtu duhet nënvizuar edhe diçka tjetër. Horizonti i gjerë profesional dhekulturor duhet të vihet në shërbim të kombit, sidomos kur cënohen interesat e tij. Në këto raste, intelektualët me një përgatitje të tillë duhet të bëhen emancipues të politikës, e cila, gjatë këtyre njëzet vjetëve, ka dhënë boll prova për nënshtrimin dhe servilosjen para të huajve. Personalitet nuk të bëjnë domosdo titujt akademikë. Personalitet të bëjnë aftësitë profesionale, formimi i përgjithshëm kulturor dhe përkushtimi i pandërprerë ndaj çështjes kombëtare shqiptare, e cila vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur në hapësirat e Evropës Juglindore. Të gjithë ata intelektualë që heshtin para Evropës, e cila na i rrëmbeu me dhunë pronat tona një shekull më parë dhe ua dha sllavogrekëve, përgatitjen e tyre profesionale dhe horizontin e gjerë kulturor le të vazhdojnë ta tundin si stoli. Me heshtjen e tyre ata bëhen palë me klasën politike, e cila nuk e ka fare në rendin e ditës zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
2. A mendoni se sot shkojnë në sinkron dija intelektuale me statusin profesional që ka një personalitet?
Një pyetje mjaft interesante kjo. Për mendimin tim, dijet intelektuale, në shumicën më të madhe të rasteve, nuk shkojnë në sinkron me statusin profesional të një personaliteti. Se po të shkonin në sinkron, do të thotë që në vendin tonë të vlerësohej parësisht mendja. Për fatkeqësinë tonë, tek ne vlerësohet militantizmi. Dhe dihet që militantët shikojnë nga fryjnë erërat e politikës që të kthejnë gunën. Shikoni deputetët e parlamentit tonë. Gëzojnë një status të veçantë, paçka se jo pak syresh nuk bien në sy për dije të shëndosha intelektuale. Tërheqja në politikë e inteletualëve me horizont të gjerë profesional dhe kulturor, do ta fisnikëronte tej mase politikën. Intelektualë të tillë që kanë çarë në jetë vetëm me djersën e ballit, kanë si yll karvani të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Por shumë shpesh politikës nuk i pëlqen e vërteta, prandaj edhe një mori intelektualësh të shquar janë të shmangur prej saj. Aq më tepër kur ata nuk e kanë aftësinë për të trokitur vetë në dyert e politikës.
3. Sa e ndani thënien biblike “Fjala ishte e para”?
Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dëshiroj të hap një parantezë. Gjuha është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe mjet i të menduarit dhe instrument i njohjes, pasqyrim i tablosë së botës që na rrethon. Tabloja gjuhësore e botës është në njëfarë mënyre kundrim i botës përmes prizmit të gjuhës. Në këtë mes kemi të bëjmë me një sistem shoqërisht të kuptimshëm të shenjave gjuhësore që përmban informacion për botën reale, kemi të bëjmë me pasqyrimin e realitetit me mjetet e gjuhës. Tabloja në fjalë mund të shpjegohet në këtë mënyrë: realiteti pasqyrohet në vetëdijen tonë përmes nocioneve (ideve), kurse nocionet shprehen me fjalë. Kështu vjen e krijohet një vijimësi: realiteti – nocioni - fjala. Në këtë vijimësi, siç shihet, parësor është realiteti, kurse nocioni dhe fjala janë dytësorë. Pra, fjala paraqitet si një barasvlerës (ekuivalent) gjuhësor i nocionit përkatës dhe lind së bashku me nocionin. Si një tregues i kushtëzuar i nocionit (si simbol, si shenjë e nocionit), fjala na nxit përfytyrimin për sendin, për shenjën, për veprimin, për dukurinë. Pra, që të jem konkret në përgjigjen time ndaj pyetjes suaj, për mendimin tim, i pari është realiteti, bota që kundrojmë rreth e qark dhe pastaj vjen fjala.
4. Çfarë është gjuha shqipe për ju?
Për mua, si edhe për këdo që i thotë vetes shqiptar, gjuha shqipe është “nënë dhe babë”. Ajo është thesar i kulturës sonë kombëtare. Gjithë përvoja jetësore dhe të gjitha arritjet e kulturës së kombit shqiptar regjistrohen në gjuhë, gjejnë në të shpalosjen e vet pasqyrore. Komponenti kombëtar në vlerësimin e gjuhës shfaqet në njësitë e të gjitha niveleve të saj, por më shumë kjo vihet re në leksik, në frazeologji, në aforistikë, në fondin e fjalëve të urta dhe të proverbave, në rregullat e etiketës së të folurit etj. Gjuha shqipe është shpirti dhe zemra e kombit shqiptar. Ajo është shprehje e kristalizuar e identitetit tonë kombëtar, e frymës sonë kombëtare, e vetvetësisë (e personalitetit) të çdo shqiptari. Është gjaku jetëdhënës për të gjithë bashkëkombasit tanë, kudo në botë, që nga Ukraina deri në Argjentinë, që nga Kanadaja e Amerika e deri në Australi dhe në Zelandën e re.
5. Gjuha është tipar i rëndësishëm i një kombi. Sa po ndikon ajo, duke e krahasuar me të shkuarën, në formimin e identiteteve kombëtare?
Fillimi i shek. XXI të bën përshtypje në gjuhësi për ndryshime të konsiderueshme dhe për drejtime të reja në studimin e gjuhës në nivele nga më të larmishmet. Kalimi nga gjuhësia përshkruese dhe klasifikuese drejt gjuhësisë antropologjike, u bë i mundur edhe në saje të teorisë së gjenerativizmit të gjuhëtarit amerikan Çomski (Avram Noam Chomsky - 1928), në të cilin bien në sy dy parime (postulate) thelbësore: është e domosdoshme që gjuha të trajtohet si dukuri e mendësisë (e mentalitetit) dhe e psikikës së njeriut. Prandaj, gjatë studimit të një gjuhe, është e domosdoshme të kemi parasysh një gjë: secila gjuhë ka një shprehje kombëtare, domethënë shfaqet si një gjuhë konkrete kombëtare që përcjell një frymë kombëtare dhe që pasqyron kulturën e një populli, si mbartës të kësaj gjuhë. Dhe, si gjuhë kombëtare, ajo është e lidhur ngushtë me psikologjinë kombëtare, me formimin psikologjik të njerëzve që e flasin atë. Prandaj ndikimi i saj mbi formimin e identiteteve kombëtare është i jashtëzakonshëm. Sepse, si gjuhë kombëtare, ajo shërben për nxjerrjen në pah, për ngulitjen dhe për ruajtjen e traditave kombëtare. Ajo shërben si rojtinë (arkiv) i së shkuarës dhe i së tashmes që pritet të pasurohet me të ardhmen. Pikërisht në saje të gjuhës, çdo popull (etnos) vjen e kristalizon tablonë kombëtare të realitetit, e cila krijon mënyrën e qëndrimit të njeriut ndaj këtij realiteti, ndaj natyrës, ndaj njerëzve të tjerë, ndaj vetvetes, si anëtar i kësaj shoqërie, përcakton normat e sjelljes, përfshirë edhe mënyrën e komunikimit në shoqëri. Tabloja kombëtare e realitetit përcakton tablonë kombëtare gjuhësore të etnosit në fjalë. Të njohësh tablonë kombëtare të realitetit në një gjuhë të caktuar, do të thotë të futesh thellë dhe të kapësh botëkuptimin e një populli, të arrish deri në vetëdijen e tij gjuhësore. Roli i gjuhëve në krijimin e identiteteve kombëtare është i pazëvendësueshëm edhe për faktin fare të thjeshtë jo se të njëjtin send ato e emërtojnë në mënyra të ndryshme, porse pasqyrojnë kundrime të ndryshme të këtij sendi, çka është një kundrim kombëtar i realitetit.
6. Si është realiteti shoqëror me të cilin po përballet gjuha shqipe sot? Sa po ndikon ai në rrugëtimin që ka marrë gjuha sot?
Sot vendin tonë e ka pllakosur një “modë” e shëmtuar që vihet re në radhët e politikanëve, të gazetarëve, të paraqitësve të programeve të ndryshme në radiotelevizione apo nëpër salla koncertesh, të cilët jo rrallë i largohen fjalës shqipe në një mënyrë të pabesueshme! Druajtja nga fjala e pastër e gjuhës shqipe këtë “takëm mileti” e bën me të vërtetë qesharak, aq më tepër që “moda” e fjalëve të huaja herë-herë bën që ai të shndërrohet edhe në objekt humori. Kështu, një politikan i njohur i një partie politike me peshë, fjalën objeksion (nga frëngjishtja dhe anglishtja objection, nga italishtja obiezióne) e përdor në kuptimin cak, objektiv (partia jonë do të arrijë objeksionet (!!!) që i ka vënë vetes), paçka se kuptimi leksikor i kësaj fjale të huaj është kundërshtim, mospranim, mospëlqim, vërejtje. Pikërisht për këtë “takëm mileti” që kaq shumë është “i dashuruar” pas fjalëve të huaja dhe që me gjuhën shqipe sillet si t’ia dojë “mideja”, pa respektuar kurrfarë normash të sintaksës së saj, Konica thotë: “Po sot shoh një turmë t’errët prej analfabetësh me diplomë që po i sulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është si një copë dru pa shpirt; nuk dinë që është një gjë jo vetëm e gjallë po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë tronditet, vuan dhe humbet forcën bashkë me bukurinë”. Nuk e di se cila është arsyeja që këta njerëz të sojit kozmopolit, këta “levantinë” konicianë, kanë “drojë” nga fjala shqipe. Fatkeqësisht, politikanët tanë, ata që duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin e fjalës shqipe, se, domosdo, me mënyrën e të folurit të tyre, tërthorazi, ndikojnë edhe mbi të tjerët, e kanë mbytur “fjalorin” e vet me “evropianizma”, a thua se integrimi dhe globalizimi synuakan t’i shuajnë tiparet dalluese të çdo kombi evropian. Harrojnë këta “lum” politikanë se globalizëm dhe integrim do të thotë afrim edhe më i dukshëm mes shteteve të ndryshme, në kuadrin e një bashkësie të tillë shtetesh, siç është Bashkimi Evropian, por në këtë mes nuk kemi të bëjmë aspak me shkrirje kombesh. Politikanët, gazetarët, paraqitësit e programeve të ndryshme në radiotelevizione apo nëpër salla koncertesh, duhet të ndjekin shembullin e shkrimtarëve në raportet që ata kanë ndërtuar me fjalën shqipe. Nuk mund të mos u bëjë përshtypje (në qoftë se kanë zell për lexim) fjala e zgjedhur shqipe e zotit Ismail Kadare, pasuria leksikore e veprës së tij, e cila qëndron tërësisht në truallin e shqipes dhe “gatuhet” vetëm me “brumin” e saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkrimtaren dhe përkthyesen e talentuar, zonjën Mira Meksi. Aftësia e saj për ta qemtuar fjalën shqipe si bleta nektarin, është me të vërtetë befasuese. Po kështu, kritiku i përkthimeve, shkrimtari, leksikografi dhe publicisti i njohur, zoti Edmond Tupja, në krijimtarinë e vet, ka një respekt të jashtëzakonshëm për fjalën shqipe. Në botën e letrave shqipe, më ka rënë në sy krijimtaria e poetit, shkrimtarit, kritikut, eseistit dhe publicistit, zotit Namik Selmani. Një zotëri i heshtur, si e vërteta, një njeri i thjeshtë, si çiltëria e fëmijës, e ka shndërruar fjalën shqipe në kult të krijimtarisë së vet. Mes publicistëve polemistë bie në sy pastërtia e leksikut të shqipes që përdor zoti Abdi Baleta. Krijimi i fjalëve të reja brenda pasurisë leksikore të shqipes në publicistikën e tij, është me të vërtetë për t’u marrë si shembull. Një mjeshtër i vërtetë në ruajtjen e pastërtisë së shqipes nga dyndjet e evropianizmave, është përkthyesi poliglot dhe erudit, zoti Shpëtim Çuçka, gjithmonë i heshtur në madhështinë e shqipes së tij. Pikërisht nga mjeshtra të tillë të fjalës shqipe, duhet të mësojnë politikanët, gazetarët, drejtuesit e programeve televizive dhe të gjithë ata analistë, të cilëve u është bërë huq dalja në publik me kohë e pa kohë, për ta shitur veten si të gjithdijshëm. Pikërisht për shkak të shpërfilljes që këta zotërinj manifestojnë ndaj disa fjalëve të shqipes, sot janë zhdukur nga fjalori i tyre dy fjalë të bukura: “ngjarje” dhe “prirje”. Këta zotërinj i kanë zëvendësuar ato me dy evropianizma, respektivisht me fjalët “event” dhe “trent”. Përdorimi i fjalëve të huaja, në vend të fjalës shqipe, është shfaqje e kompleksit të inferioritetit para gjithçkaje të huaj.
7. E shihni si çështje shqetësuese futjen në fjalor të fjalëve dhe kuptimeve të cilat gjuha shqipe nuk i ka aspak?
Në kuadrin e marrëdhënieve mes popujve të ndryshëm, edhe gjuhët marrin e japin me njëra-tjetrën. Unë mendoj se huazimi i fjalëve të huaja, më se të nevojshme, nga sfera e shkencës dhe e teknologjisë bashkëkohore, të cilat nuk janë të përfshira në fondin e terminologjisë në gjuhën shqipe, është mëse i nevojshëm. Por të përfshish në fjalorin e gjuhës shqipe fjalë të tilla të huaja, krejtësisht të panevoshme, si “performancë”, “event”, “trent”, të cilave zotërinjtë e lartpërmendur kanë kohë që ua kanë bërë “pasaportizimin” në gjuhën shqipe, do të ishte diçka me të vërtetë revoltuese.
8. Është folur kohët e fundit edhe për zyrtarizmin e dialekteve shqiptare? Sa dakord jeni ju më këtë?
Ne sot kemi një gjuhë të njësuar që i ka themelet të shëndosha dhe dialektofonia mund të vlerësohet si burim i pashtershëm për pasurimin në vijimësi të leksikut të kësaj gjuhe të njësuar. Prandaj dialektet duhet të përbëjnë ata “përrenjtë” e vegjël të saj që, ca nga ca, vijnë e bëhen më “ujëplotë” dhe në “turrin” e tyre drejt “lumenjve” të gjuhës, përfundojnë në “oqeanin” e madh të saj, ku gjuha e njësuar “qëmton” kohë pas kohe për qëllime vetëpasurimi. Në këtë aspekt, pasurimi i fjalorit të gjuhës së sotme shqipe me leksikun e dialektit të gegërishtes duhet të mbetet njëra nga detyrat parësore të leksikografisë.
Intervistoi: Blerina Braho