2012-05-10

Në gjurmët e një interviste


Një leksion i mirë për Akademinë e Shkencave

 


Prof Dr Eshref Ymeri



Para disa ditësh dhe pikërisht më 30 prill, gazeta “Tribuna Shqiptare” ribotoi një intervistë shumë interesante që zoti Indrit Vokshi ia ka pas marrë historianit të njohur gjerman, Dr. Aleksandër Lambert, i cili ka shprehur vlerësime të shkëlqyera, të jashtëzakonshme, për kombin shqiptar. Në krye të intervistës është vënë një thënie fantastike e këtij historiani tejet dashamirës ndaj kombit tonë:
“Evropa sabotoi historinë tuaj në shek. XIX kur Ilirinë e quajti Ballkan”.
Kjo intervistë është marrë më 10 nëntor 2007, me rastin e 95-vjetorit të pavarësisë së vendit tonë. Është botuar fillimisht në Borana-info dhe tre vjet më vonë në gazetën “Panorama”. Nuk më kishte qëlluar rasti të më binte në dorë më parë kjo intervistë e shkëlqyer. Por prof.dr. Vedat Shehu pati mirësinë dhe ma dërgoi ca ditë më parë. Duke e vlerësuar si të jashtëzakonshme këtë intervistë, e quajta të arsyeshme t’ia rekomandoja zotit Ajet Nuro për ta ribotuar në “Tribunën Shqiptare”. Dhe ai, me korrektësinë e admirueshme që e karakterizon, e ribotoi menjëherë.
Kur e mbarova së lexuari, i shtrova vetes pyetjen: po si është e mundur vallë që kësaj interviste të mos i jetë bërë absolutisht kurrfarë jehone në mjetet e informimit masiv as në Tiranë e as në Prishtinë, e le më pastaj në Shkup? Krejt intervistën e përshkon si një fill i kuq ideja e nacionalistëve shqiptarë, sipas të cilëve kombi shqiptar shtrihet në trojet e veta etnike, të copëtuara me dhunë prej shovinizmit evropian, çka ka bërë që Gadishulli Ilirik, i riemërtuar në Gadishull Ballkanik, të mbetet një vatër e përheshme tensioni që prej një shekulli e ca.
Dr. Lambert deklaron haptas se Evropa duhet të jetë krenare me shqiptarët për të kaluarën e tyre të lavdishme, duke filluar që prej periudhës iliriane. Por Evropa, duke filluar që nga Perandoria Romake, etninë shqiptare vazhdimisht e ka pasur halë në sy. Roma dërgoi në Iliri konsullin Paul Emile, i cili iu vërsul trojeve të saj me tërë egërsinë e një barbari, për të çrrënjosur dhe zhdukur me themel kulturën iliriane.
Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), natyralist i famshëm romak, që botoi në vitin 77 e.r. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës) , në vëllimin VII, shkruan : “Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.
Ky fakt e zbulon lakuriq shkakun e xhelozisë së papërmbajtur dhe të urrejtjes egërsore të perandorisë romake ndaj Ilirisë, urrejtje kjo që erdhi duke u kultivuar shkall-shkallë në mbarë Evropën, derisa në Kongresin e Berlinit, sipas dr. Lamberit, ajo erdhi e u konkretizua fare qartazi, deri në përmasa të frikshme.
Si një historian që udhëhiqet kryekëput nga objektiviteti shkencor, dr. Lamberti deklaron fare shkoqur se po të mos kishte qenë ndërhyrja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Uillson në Konferencën e Paqes në Paris, tragjedia që Evropa i shkaktoi kombit shqiptar me Kongresin e Berlinit dhe me Konferencën e Londrës, do të qe mbyllur me fshirjen e Shqipërisë përfundimisht nga harta e Evropës.
[Personalisht pata shpresuar se me rastin e përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Tiranë do të merrej ndonjë vendim historik për ngritjen e një shtatoreje madhështore të atij Presidenti të lavdishëm, i cili, me vendosmërinë e tij, nuk i lejoi kasapët e Evropës që shqiptarët e asaj ngastre të vogël që mbeti pas Konferencës së Londrës, të shndërroheshin në kurdë të Ballkanit. Por rezulton se pata shpresuar më kot. Askush s’është kujtuar për të marrë një vendim të tillë.]
Nacionalistët shqiptarë e kanë theksuar vazhdimisht dhe kanë kërkuar me këmbëngulje që Evropa shoviniste duhet ta korrigjojë gjëmën që i shkaktoi kombit shqiptar me copëtimin e trojeve tona etnike për interesat e grekosllavizmit. Dhe dr. Lamberti, qetësimin e situatës në Ballkan e shikon vetëm në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare përmes bashkimit të trojeve tona etnike.
Profesori i Universitetit të Oksfordit Xhejms Petifer, në numrin e djeshëm të gazetës “Telegraf”, ka deklaruar:
“Shqipëria ka qënë e paaftë të ribashkojë pjesët e copëtuara të territorit të saj”.
Por duhet theksuar se kjo paaftësi e ka burimin në servilizmin dhe në mercenarizmin e klasës politike shqiptare, e cila, për turpin e saj, gjithmonë është bërë urë e vig para të huajve dhe sidomos këto njëzet vjetët e fundit, kur ajo ka zbritur deri në nivelet e tradhtisë kombëtare.
Dr. Lamberti nxjerr në pah kontributet e shquara që kanë dhënë shqiptarët në shumë fusha të dijes, duke filluar nga politika e deri tek arkitektura. Kjo ia gëzon shpirtin dhe ia shton krenarinë për kombin tonë të dashur çdo bashkatdhetari kudo në botë. Është për të ardhur keq që informacionin për krijuesin e një vepre të shquar të arkitekturës botërore, i cili, sipas dr. Lambertit, paska qenë arkitekt shqiptar, lexuesi shqiptar e merr nga një historian i huaj dhe jo nga shkencëtarët e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Është fjala për xhaminë-mauzole Taxh-Mahal, që ndodhet në Agra, në Hindi, në bregun e lumit Xhamna. Është ndërtuar me urdhër të perandorit të Mogolëve të Mëdhenj Shah-Xhahan, në kujtim të së shoqes Mumtaz Mahal, që vdiq gjatë lindjes së fëmijës. Më vonë aty u varros edhe vetë Shah-Xhahani. Filloi të ndërtohej në vitin 1632 dhe përfundoi në vitin 1653. Taxh-Mahal-i vlerësohet si shembulli më i përkryer i arkitekturës së stilit të mogolëve që ngërthen në vetvete elementet e stileve arkitekturore persiane, indiane dhe islame. Në vitin 1983 Taxh-Mahal-i u quajt objekt i trashëgimisë mbarëbotërore të UNESKO-s: “Margaritar i artit mysliman në Hindi, njëra nga kryeveprat e trashëgimisë kulturore, e pranuar nga të gjithë, vepër me të cilën njerëzit mahniten në mbarë botën”. Muret janë ndërtuar prej mermeri të lëmuar dhe gjysmë të tejdukshëm. Mermeri ka një veçori të tillë që, gjatë ditës me diell të ndritshëm, duket i bardhë, në mëngjes merr ngjyrën e trëndafilit, kurse në një natë me hënë merr ngjyrën e argjendit. Sot Taxh-Mahal-i figuron në listën e shtatë mrekullive të botës paskristiane, krahas shtatë mrekullive të botës parakristiane.
Në intervistën e vet dr. Lamberti prek edhe ngjarjet e përgjakshme që u zhvilluan në Evropën Juglindore në fundin e viteve ’90. Për krimet që shovinizmi serbomadh kreu kundër popullit boshnjak të besimit mysliman, ai bën fajtore pikërisht Evropën. Me qëndrimin e saj shpërfillës ndaj barbarisë serbe, Evropa i dha zemër Millosheviçit për shfarosjen e popujve të besimit mysliman. Por edhe në këtë rast qe ndërhyrja e vendosur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht e Presidentit Klinton që nuk lejoi një krim të tillë. Por, me shumë të drejtë, dr. Lamberti thekson se në qëndrimin e Evropës ndaj etnisë shqiptare zbulohet jo vetëm kompleksi i saj ndaj elementit mysliman në radhët e kombit shqiptar. Në atë qëndrim, në të vërtetë, zbulohet qëndrimi armiqësor i saj që asokohe kur shqiptarët, në shumicën e tyre dërrmuese, ishin të besimit të krishterë. Fakt është qëndrimi i pabesë i Evropës ndaj luftës çerekshekullore të Skënderbeut kundër perandorisë më të fuqishme të mesjetës.
Për të gjitha ato fakte tronditëse që dr. Lamberti radhit për qëndrimin armiqësor të Evropës kundër etnisë shqiptare dhe për shumë e shumë të vërteta shkencore që ai thotë për mjaft figura të shquara të kombit shqiptar, për të cilat gjithë kontinenti duhej të ishte krenar, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, për mendimin tim, atë duhej ta kishte shpallur Anëtar Nderi, kurse Presidenti i Republikës duhej të dekretonte një çmim të posaçëm për të.
Çdokush që lexon intervistën e dr. Lambertit për qëndrimin tradicional shpërfillës deri në racizëm të Evropës ndaj kombit shqiptar, ka të drejtë të hamendësojë se juria e Nobelit prandaj edhe nuk ia jep Çmimin Nobel zotit Kadare, vetëm e vetëm se ai i përket etnisë shqiptare.
Është për të vënë duart në kokë që një shkencëtar i huaj u tregon shqiptarëve se cilët kanë qenë dhe cilët duhet të jenë dhe se Evropa duhet të jetë krenare për kontributet e tyre të shquara, kurse Akademia e Shkencave hesht. Por, çuditërisht, për intervistën e dr. Lambertit kanë heshtur tërësisht mjetet e informimit masiv, të cilat duhej t’i kishin bërë një jehonë të fuqishme. Kjo heshtje paradoksale dëshmon për një të vërtetë të dhimbshme në realitetin shqiptar: Akademia e Shkencave hesht për zgjithjen e çështjes kombëtare shqiptare, ndërkohë që këtë zgjidhje e kërkon një shkencëtar i huaj për qetësimin e situatës në gadishullin tonë. Heshtja e Akademisë së Shkencave vërteton se ajo zvarritet pas klasës politike shqiptare, e cila nuk dëshiron që zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare ta ketë në qendër të vëmendjes së vet. Por, fatkeqësisht, edhe mjetet e informimit masiv, ashtu si edhe Akademia e Shkencave, si mercenare të bindura, i bëjnë temena klasës politike shqiptare, prandaj edhe nuk i kanë bërë kurrfarë jehone intervistës së shkencëtarit të nderuar, dr. Aleksandër Lambertit, meqenëse zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare edhe për këto mjete mbetet tabu.
Po në heshtje e kaluan Akademia e Shkencave dhe mjetet e informimit masiv librin mjaft interesant të ish-ambasadorit tonë të nderuar në Moskë, zotit Shaqir Vukaj, me titull “Rusia dhe Kosova”, që u botua në vjeshtën e vitit 2007. Në atë libër, ku ka gjetur një pasqyrim të shkëlqyer ditari që ai ka mbajtur në Moskë, gjatë zhvillimit të ngjarjeve dramatike në Kosovë, zbulohet lakuriq urrejtja e shovinizmit rusomadh kundër kombit shqiptar dhe përkrahja e përmasave çmendurake për krimet e Millosheviçit kundër popullit shqiptar të Kosovës. Nga faqet e atij libri befasues del fare qartë se mbarë Rusia, që nga fëmijët e djepit e deri te Presidenti i vendit, që nga Vladivostoku e deri në Shën-Peterburg, mbarë mjetet e informimit masiv rus, patën shpërthyer në një urrejtje të egër kundër kombit shqiptar. Puna kishte arritur deri atje, saqë në adresën elektronike të ambasadës sonë në Moskë, të cilën, normalisht, e dinë vetëm punonjës të caktuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë që mbulojnë Shqipërinë, vinin kërcënime agresive kundër shqiptarëve, në të cilat kërkohej që shqiptarët të shporreshin për në Amerikë.
Këto fakte tronditëse që zoti Shqair Vukaj ka radhitur në librin e vet, i cili e meriton plotësisht të titullohet “Enciklopedia e urrejtjes ruse”, nuk u kanë bërë asnjë përshtypje Akademisë së Shkencave dhe mjeteve të informimit masiv në Tiranë. Asokohe e meritonte të falënderohej gazeta “Telegraf”, e cila, e vetme, i pati marrë një intevistë ish-ambasadorit Vukaj.
Por sot, për këtë Evropë, e cila kombin shqiptar vazhdimisht e ka parë me syrin e njerkës, klasës politike shqiptare i digjet zemra flakë dhe po bën ç’është e mundur për të hyrë në Bashkimin Evropian. Besoj se të rrallë duhet të jenë ata shqiptarë që janë kundër hyrjes në Bashkimin Evropian. Por është halli që në këtë Bashkim Evropian duhet të hyjmë ballëlartë, apo duke u zvarritur? Unë mendoj se klasa politike shqiptare, me servilizmin e saj karakteristik që manifeston orë e çast ndaj Evropës, kërkon të na futë atje duke u zvarritur. Harron kjo klasë politike se kur nuk respekton veten, nuk mund të presësh respekt nga të tjerët. Evropa përsëri ka për të na trajtuar me syrin e njerkës. Madje ajo ka për ta shndërruar vendin tonë në një parcelë eksperimentale dhe klasa jonë politike, për të kundërshtuar, nuk do ta ketë kurrë guximin e Hungarisë, e cila ia përplasi në fytyrë për politikën koloniale që ka ndjekur ndaj saj.
Mbarë kombi shqiptar dhe sidomos klasa politike shqiptare duhet të ketë parasysh një gjë. Në katrahurën që shpërtheu në vendin tonë në funddimrin dhe fillimpranverën e vitit 1997, shovinizmi grekomadh kërkonte të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, gjoja me pretekstin për të mbrojtur minoritetin grek. Dhe këtë kërkesë Greqia ia parashtroi zonjës Ollbrajt. Ajo ndërhyrje ushtarake do të kishte qenë një pushtim i parapërgatitur dhe i studiuar mirë jo vetëm në Athinë, por edhe në kancelaritë evropianoperëndimore. Por zonja Ollbrajt i ktheu përgjigje kryeministrit shovinist grek se mos i dilte ndonjë problem me Turqinë. Dhe Greqia mblodhi bishtin ndër shalë.
Këtë fakt e ka sqaruar edhe një zonjë shumë e nderuar, me një formim të shkëlqyer nacionalist, e cila sot ka një post me rëndësi në sferat e larta të politikës shqiptare. Kjo është zonja Edit Harxhi. Në një analizë shkencore që i ka bërë asokohe situatës në Shqipëri, ajo nxirrte në pah planet e Greqisë kundër Shqipërisë, të cilat, në këndvështrimin tim, kanë pas qenë hartuar jo pa bekimin e Evropës. Ajo shkruante:
“…Kryepeshkopi Janullatos, pavarësisht bujës së madhe që bëri, dhe kërkesës për mospranim të mijëra shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, u pranua të drejtonte Kishën Ortodokse Shqiptare, duke shkelur në këtë mënyrë vendimin e marrë nga patriotët shqiptarë dhe veçanërisht Fan Noli dhe mbreti Zog, për ndarjen e kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare nga Patriarkana. Që në kohën e pranimit të tij në Shqipëri dhe deri sot, kleri i huaj ortodoks në Shqipëri, ka qenë armiku më i madh i vendit dhe agjentura më e fortë në territorin shqiptar, që ka punuar dhe luftuar për helenizimin e Jugut të Shqipërisë dhe rrënjësimin e politikës ekspansioniste greke në vendin tonë, duke kanalizuar gjithçka nën ombrellën e Kishës Ortodokse Greke… Në ditët më të nxehta të luftës në Shqipëri, gjatë mesit të marsit, ajo ç’ka solli edhe një rënie të sulmit grek, ishte hyrja në lojë e Turqisë. Sot analistë shqiptarë dhe të huaj deri në njëfarë mase, mposhtjen e sulmit të armatosur grek në Shqipëri gjatë marsit të vitit 1997, ia dedikojnë në veçanti ish-Kryeministres së Turqisë, Znj. Tansu Çiller, dhe ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm te Turqisë, Ismail Haki Karadagi” (Citohet sipas: Edit Harxhi. “Komploti greko-komunist ndaj demokracisë shqiptare”. Marrë nga faqja e internetit të së Djathtës Shqiptare).
Por, përkundër këtyre të vërtetave tragjike që shtjellon zonja Harxhi, ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave, Profesor Ylli Popa, Janullatosin e kishte mik e shkuar mikut. Prandaj edhe Akademia e Shkencave ka heshtur dhe vazhdimisht vazhdon të heshtë për misionin shovinist të Janullatosit në Shqipëri dhe për poshtërimin e veprës së Fan Nolit për shpëtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nga thonjtë e Patriarkanës dhe të kishës shoviniste greke.
Shqipëria mundet dhe duhet të hyjë në Bashkimin Evropian, por vetëm me mbarë trojet tona etnike, të bashkuara në një shtet kombëtar, me një stemë dhe një flamur, si edhe me një klasë politike që duhet të jetë dinjitoze, me autoritet dhe krenare për të kaluarën tonë, siç thotë dr. Aleksandër Lamberti, intervista e të cilit duhet të shërbejë si një leksion i mirë për Akademinë e Shkencave.


Ohajo, Sinsinati. 09 maj 2012

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...