2012-05-10

Rrefime Zadrimore






Daniel Gazulli

Si do të ketë rast lexuesi me vërejtë, gjithë sa janë këtu, ndodhì o rrëfime pak a shumë të herëshme zadrimore, i kam dëgjue prej të mijsh e nuk deshta me i lanë me u bjerrë, aty edhe ndoj kujtim personal.

Janë ku urtì e ku burrnì, ku hoke të holla e ku ironi e hidhun, por gjithmonë me një shtrat të paqtë, si asht vetë zadrimori.

Ndoshta, si pak të tjera, kjo krahinë ruejti të patjetërsueme fytyrën e vet: shih muzikën e saj, kurrkund e përsëritëshme në mbarë Ballkan, pa kurrfarë ndikimi oriental; shih veshjen, sidomos të grave, e një delikatese e finese të pashoqe, një art i vërtetë, me e pasë lakmi stilistat e sotëm; shih mbi të gjitha shpirtin e zadrimorit – mirësia e bashkjetesa në paqë me gjithkendin janë portreti i tij i vërtetë.

Këto rrëfime të thjeshta, peng dashnie për Vendlindjen, i mblodha ndër vite e sot po ua kthej atyne që e meritojnë: bijëve e bijave të Sapës së lashtë e të urtë.

Autori

1. Mësimi i nji nane

Ngjarja kishte tronditë të madh e të vogël: Marë Vokrri e Hajmelit kishte humbë katër djemtë në nji çast të vetëm. Ma i madhi ishte 27 vjeç, ma i vogli 16 vjeç. Ishte verë e po prashisnin misrin. Në qiell u shfaqën do re, po nuk dukej se do të binte shi. Edhe pak, u tha ma i madhi i vllazënve të tjerë.

Papritë një rrufe dhe të katër vllaznit vdiqen, si i thonë fjalës, vetimë. E kësaj here ishte vërtetë vetima që u mori jetën.

U mblodh i madh e i vogël, mija vetë.

Nji plak, mik i shtëpisë, i thotë Marë Vokrrit, nanës së shueme:

- Paj, njeriu nuk di çka me thanë. A ka si bahet ma keq!

- Lukë, je burrë i urtë – ia kthen nana e mjerë. – Si nuk paska ma keq? Me m’pasë mbetë në nji punë të ligë do t’ishte edhe shumë ma keq. Zoti m’i dha e Zoti m’i mori.



2. Shkon syzeza me korrë në arë …



Filja po shkonte me korrë grunë krejt vetëm. Kalonte rrugës si lis me degë, me atë buzëgaz që s’ i mungonte kurrë. Ishte, si i thonë asaj kange, “me t’ mbytë me bukuri”, gja pa i qendisë nuk i kishte lanë Zoti. Po që me t’ lanë pa mend ishin sytë e saj të zi.

Kur i afrohej Ograjës së Kishës, i dilte gjithmonë para Zeka e i këndonte:



Shkon syzeza me korrë n’ arë.

Po i thotë djali: – Puna e mbarë.



- O Zekë, – i thotë kjo nji ditë – “puna e mbarë” thuhet te ara, jo n’ rrugë të madhe.

“Mirë ma bani. N’ ta mbajtë, eja atje, jo me u prrallë rrugës së madhe, do me thanë” – mendoi Zeka me vete.

E nji ditë ky Zeka drejt e te ara ku po korrte vajza.

Ban me thanë nji fjalë, e hiç. U skuq, u ba spec, e prap fjala s’ i vjen.

- A di shka, mor Zekë, – po i thotë kjo – merr njëkte drapën, se mandej të vjen fjala vetë.

Zeka shikoi andej e këndej, mos kalonte kush e po e shihte tue korrë n’ arë të Files, mori drapnin që i dha vajza, e filloi me korrë bri saj.

- Unë nuk kam ardhë me korrë n’ arë tande, – i thotë ky papritë – po me të marrë me korrë ti n’ arë teme.

Filja vuni drapnin e vet në sup. E shikoi ngultas djalin e po i thotë:

- Zekë, kërko punëtore të tjera. Në u ktheftë Pema prej nizamit, ia kam dhanë fjalën atij. Në mos u ktheftë, në këto punë nuk zihet radhë.

E ndodhi ajo që vajza pat frikë: Pema nuk u kthye ma. Si shumë të tjerë që merrnin rrugën e Stambollit e përtej.

Si kaloi viti, Zeka i shkoi prap te ara, po kangën s’ ia këndonte ma. Files i ishte trembë buzëqeshja.

U shikuen sy në sy. Djali shtangu: Filja nuk i kishte sytë të zi.

Ajo e kuptoi.

– M’ i kanë shpla lotët, Zekë. Ti m’ i thajë, e sytë e mi prap do të bahen të zi.

Edhe kur kaluen shumë vjet e u banë me një tufë fëmijë, ai prap këndonte të njejtën kangë:



Shkon syzeza me korrë n’ arë.



Kjo, thonë, asht historia e kangës “Shkon zyzeza me korrë n’ arë”.



3. Shih një herë çka thotë Kurani



Nji xhandar turk, që rrinte në Saraje të Dajçit, hallatet përjashta për hokubet, i kishte zanë udhën nji mbramje nji nuseje Zentajsh e u sul mbi te i çartalluem. Nusja, sa e bukur, aq edhe trimaloshe, nuk e humbi e po i thotë xhandarit:

- Mos më grric, se të shtrohem vetë, për hatër të Zotit, se po më len ndoj shej.

Xhandari u ndal. Nusja bani me lirue xhamadanin, nxori prej gjiut nji thikë të shkurtë të mprehun në të dyja anët dhe iu drejtue turkut:

- Ec e merre, Hasan beg!

Xhandarit nuk i bani syni tërr e iu sul përsëri edhe ma i çartalluem, tash edhe për inat që i nxori thikën. Nusja u shmang me shkathësi vjedulle e në ndrrim gati hava, thika e kapi bash në vend të keq Hasanin e shkretë. Xhandarit gati i ra të fiktë e nusja iku me të shpejtë.

Të nesërmen e thirrën në Saraje te Kadiu me e gjykue për plagosje të xhandarit.

Foli vetëm Kadiu pa pushue tue e sjellë bisedën me njëmijë dredha, por pa përmendë asnjëherë Kuranin si e kishte zakon.

Nusja e Zentajve, pa prishë terezinë, i drejtohet atij:

- Shih njëherë çka thotë Kurani, Kadi efendi.

- Unë fjalët e Kuranit po them, kaurreshë e mallkueme! – i foli me inat Kadiu.

- Edhe unë e kam këndue mbramë Kuranin, Kadi efendi, po ai nuk i përmendë askurrkund hallatet e xhandarëve, se as Allahut vetë s’i ka shkue mendja se xhandarët munden me shkue rrugës me hallate përjashta. E në i rafsh hashe Kuranit për koqet e një xhandari, mëkat që je Kadi.

Kadiun e mbuluen djersët e ftohta, u ul në karrikë pa forca në trup, po ma i kthjelltë në mend.

- Hallall të qoftë, moj kaurreshë, – i tha – se e paske këndue vërtetë Kuranin. E ti qafir – iu drejtue xhandarit – m’u hiq prej këtu!



4. E drejta e trashigimit



Grindjet e mëdha, deri te vrasjet, në kohë të para gjykoheshin prej Parotës, se gjykimeve të turkut simbas Kuranit nuk u rrinte kurrkush.

Parota e Vogël përbahej prej dymbëdhjetë burrash, kurse Parota e Madhe prej njëzet e katër burrash, simbas randësisë së grindjes.

Të gjithë u rrinin vendimeve të Protës, përveç priftit, por nga ana a saj Parota nuk e përjashtonte aspak priftin prej gjykimit.

Një herë prifti i Grashit ishte në sherr për punë trashigimie me një fshatar. Puna shkoi te Parota. Prifti, tue mendue se Parota do t’i jepte të drejtë atij, e donte me mbyllë sherr me fshatarin, pranoi që grindja të gjykohej në Parotë.

Ishte fjala për nji arë që nji plakë, thonte prifti, ia kishte lanë Kishës, kurse i nipi thonte se ia kishte lanë atij.

- Dom Ndoc, – e pyet i pari i Parotës – a e ka leçitë në Kishë Drandja se ia len arën Kishës?

- Jo, – u gjegj prifti – po ma ka lanë mue me gojë kur e vojova.

- Fjala në çast të dekës nuk vlen, dom Ndoc. Duhej ta kishte leçitë ditën e meshës në Kishë kur ishte me mend e me kambë. Ara i takon të nipit.

- Po nipit, ku ia ka lanë, në Kishë apo në Xhami? – u nxe dom Ndoci.

- E drejta e trashigimit nuk leçitet, dom Ndoc. Ajo asht.

Dhe Parota ia la arën nipit të Drandes.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...