Libri „Tradiciska kultura Zadarskih Arbanasa“ (Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës) i ikonës së albanologjisë e historiografisë shqiptare e ballkanike, arbëreshit nga Zara, Akademik Aleksandar Stipçeviq, pa mëdyshje mund të thuhet se është një enciklopedi e arbëreshëve të Zarës.
Pasi e lexova, pa humbur kohë këtë libër vendosa të bëjë këtë recension, që po ashtu sërish përbën një privilegj tjetër dhe respekt për veprën kapitale që autori na e dhuroi.
Edhe njëherë, me mjeshtri autori ka ndërtuar një arkitekturë të veçantë, që të befason e të rrëmben duke zbuluar dal ngadalë duvakun e një bukurie jo fort të njohur nga lexuesi i gjerë. Është një galeri e pasur e shtrirë në 450 faqe, në tri pavijonet (pjesë) të lidhura organikisht, e cila të tërheq e nuk ndahesh dot prej saj, nga larmia që sjell! Aty brenda ka historinë e dhimbshme të Arbëreshëve të Zarës, si dhe krenarinë, traditën bashkëkohore, lirizmin, toponiminë besimin dhe rrëfimin interesant. Me përjetimet, mallin, nostalgjinë për vendlindjen, njohuritë e thella e përvojën jetësore autori përshkruan bukurinë, historinë dhe dukuritë tradicionale si dhe depërton deri në thelb të këtyre dukurive.
Syrit të tij të vëmendshëm, ashtu siç duhet ta bëjë çdo njeri i dashuruar me nostalgji për vendlindjen, si shpëtojnë as gjërat e vogla, të cilat profesori do ti vlerësojë. Autori në këtë libër manual, gërsheton në mënyrë të përkryer historinë me traditën, etnografinë me gjuhën, shkencën me artin, traditën me bashkëkohoren etj.
Libri është si një vitrinë e mbushur plotë stoli, ku mund të zgjedhësh ç’të duash. Ka histori, tradita, vlerësime objektive, materiale të pasura arkivore,mbresa të gjalla jetësore, gjuhësi, relikte, përralla, kompozime, këngë me te folurën arbëreshe, përvojën e punës të mbledhësit të tërë gojëdhënave, etj, si dhe sukseset e përshkuara me ndjenja realizmi që ndonjëherë të trondit.
Duke lexuar ketë libër, ndiej epizmin e maleve, historinë e dhimbshme qindra vjeçare te shqiptarëve edhe në diasporë, botën shpirtërore të arbëreshëve te Zarës, herë si dallgë deti, herë si puhizë që të harlisë. Natyra e Arbneshit të Zarës është përshkruar me realizëm të thellë frymëzimi. Janë tablo për t’i pasur zili dhe që të ftojnë për t’i shikuar, njohur e shijuar. Pasuritë shpirtërore të Arbëreshëve të Zarës janë përshkruar aq bukur, sa lexuesi e ndien veten mirë sikur lexon ciklin e Kreshnikëve, këngët historike, gojëdhënat, ritet për traditën, festat me miqtë, përrallat, humorin, fjalët e urta, lojërat etj.
Në parathënien e librit, recensent janë Akademik prof. Dr Radosllav Katiciq edhe prof. Dr Zef Mirdita, i pari në mes tjera thotë : „Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se ka në dorë dhe është duke shfletuar një libër të veçantë të autorit A.Stipçeviq“ „Tradicishka kultura Zadarski Arbanasa“, e cila ne bibliografinë tonë ka një vend të veçantë„.
Emri i Akademik Aleksandar Stipçeviq, në saje të aktiviteti të tij në lëmin e ilirologjisë është i njohur jo vetëm në përmasat albanologjike e ballkanike, por edhe në qarqet ndërkombëtare shkencore.
A. Stipçeviq lindi më 10 tetor 1930 në Arbanas pranë Zarës. Në qytetin e Zarës kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në vitin 1954 diplomoi në fushën e arkeologjisë në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Zagrebit. Për një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik në Zarë si dhe në Institutin e Shkencave historike po në Zarë. Nga viti 1957 punoi në Bibliotekën kombëtare Universitare në Zagreb në vendin, detyrën e përgjegjësit për botimin e librave. Në vitet 1974-1983 ishte drejtor i Bibliotekës së ASHAJ (më vonë A.SHA.K), ndërsa kah fundi i vitit 1983, kalon në Entin Leksikografik të Jugosllavisë, në detyrën e krye të Leksionit Biografik të Kroacisë. Në vitin 1987, kalon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit ku emërohet shef i katedrës për Bibliotekari dhe më pas në vitet 1992-1995 do të caktohet Drejtor i Degës së Shkencave të Informacionit. Në vitin 1997 pensionohet me titullin e profesorit të Universitetit. Ndër vite ka kryer detyra me rëndësi në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kroacisë (që më herët është quajtur Shoqata bibliotekistë Kroate, ku në vitet 1967-1973 ka qenë edhe kryetar i kësaj shoqate ndërkaq në vitet 1967-1969 ka qenë edhe kryetar i Lidhjes së Shoqatave të shkrimtarëve të Jugosllavisë, redaktor Ii revistës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kroacisë. Nga viti 1983 është bashkëpunëtor dhe anëtar u jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2001 është anëtar i Accademia Marchigiana di Scienze. Lettere ed Artin Anconi. Për punën (kontributin) e tij është dekoruar: në vitin 1983 me Diplomën e Kukuljeviqit; në vitin 1998 me Rendin Kroat të Damices me figurën e Markë Maruliqit. Është anëtar i Qendrës Kroate (PEN- Klubit) nga viti 1985 dhe anëtar nderi të shoqatës së Arkeologëve kroat që nga viti 2005 si dhe anëtar nderi i Shoqatës të Shkrimtarëve Kroatë. Në vitin 2004 iu nda çmimi i qytetit të Zagrebit si dhe çmimi I qytetit të Zarës për veprimtari e krijimtari jetësore.
Nga viti 2009 është anëtar nderi i bordit drejtues të Universitetit mbretëror “Iliria” në PRishtinë. Në vitin 2001, prof. Stipçeviqit, Presidenti i R. së Shqipërisë Rexhep Mejdani i’a ndau prof. Stipçeviqit iu nda Dekorata e Artë “Naim Frashëri” për kontributin e çmuar për ndriçimin e historisë së Ilirëve.
Është marr për shumë vite me kulturën shqiptare të ilirëve të lashtë, me bibliografinë, historinë e përgjithshme të librit, historinë e librit kroat, censurimin dhe me shkencat albanologjike. Deri tani ka shkruar një numër të madh punimesh (mbi 230) të botuara në revista prestigjioze në Kroaci dhe në botë, si dhe në Revista shkencore si dhe librat si vijojnë:
“Arte degli Illiri”, Milano 1963 *Botuar edhe në gjuhën angleze1963 Milano); Doracak për rregullimin e diskotekave” në vitin 1964 në Zagreb; në bashkëpunim me Lelon Canic dhe Janko Zhivkoviqin); “Gli Illin”, Milano, 1966, ( e botuar në gjuhën shqipe në vitin 1967); “Biblographia Illynica:, Sarajevë, 1967 ( e botuar sumplemetarisht në vitet 1974, 1978 dhe 1984); “Iliri-histori, kultura dhe jeta”, Zagreb 1974, 1989, dhe 1991 ( e përkthyer në gjuhën angleze në 1977 dhe në gjuhën shqipe, në 1980, 1990 dhe 2002); “Kulturno – povjesni spomenici u Arbanasimia, Zadar, 1977l “Bibliografija antiçke arkeologjije u Jugusllavije I-II, Sarjevo 1977; Kultni simboli kod Iliria, Sarajevo 1981 (e përkthyer në gjuhën shqipe e botuar më 1983, 1990 dhe 2002); Poviest Knjige, Zagreb 1985; Botimi tjetër në vitin 2006 ( Përkthimi në gjuhën shqipe u botua më 1988 dhe 200; në gjuhën arabe në 1993 dhe në gjuhën perse më 1994); “Venzura u Kniznicama, Zagreb 1992; “Odanrsenom cenzoru, Zagreb 1994 (e botuar në gjuhën shqipe në vitin 2002); “Interpretime albanologjike”, Shkup, 1994; “Kako izbjeci cenzora”, Zagreb, 1997; “Prica o Hrvatskom biografskom leksikom”, Zagreb, 1997; “Sudbina Knjige”, Lokve, 2000; “Socialna povjest Knjige u Hrvata”, Knj. I – III, Zagreb, 2004-2008, etj. Pra, autori i librit „Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës“ është arkeologë sipas studimeve dhe arsimimit i dëshmuar në mënyrë të shumëfishtë në bibliografinë për lakmi fondamentale ilire, si dhe me veprat sintetike mbi ilirët e lashtë dhe me disa tema të veçanta lidhur me ilirët si banorë më të lashtë paleoballkanik. Si bibliotekist i dëshmuar tani më ka botuar vepra fundimentale mbi historinë e librit, pa të cilat bibliografia kroate do të ishte me e varfër.
Viteve të fundit Akademik Stipçeviqi, me më shumë përkushtim i është kthyer rrënjëve të tija, pra komunitetit ne kolonië e arbneshëve të Zarës, që sivjet kremtoj e 290 vjetorin e shpërnguljes.
Kolonitë shqiptare në brigjet e Adriatikut janë mjaftë karakteristike. Në to ndër shekuj pasqyrohen shumë elemente të veçanta dhe mjaft të rralla, të cilat nuk i hasim në diasporën shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël, disa iu kanë përballur rrebeshave të kohës, e disa janë asimiluar fre dhe, për to dihet vetëm se kanë ekzistuar. Një nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe ka diçka të posaçme, është Arbneshi i Zarës – Borgo Erizzo. Përveç këtij emir, të themi zyrtar, sipas dokumenteve që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje, nga popullsia Kroate, në fillim u njoh me emrin Eriçin Varosh (Ericovo Selo) e më vonë edhe Abanasi, dhe Arbresh, nga vetë banorët shqiptarë.
Në vitin 1721, nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan e Larje, u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë, dhe u vendosën në para lagjen e Zarës, që u quajt Borgo Erizzo, sipas providurit general për Dalmaci e Shqipëri, Nikolla Erizo. Shkaqet e shpërnguljes duhet shikuar (kërkuar) në prizën e ngjarjeve të kohës dhe rrethanave politiko-shoqërore, si: luftërat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, ftesa e të rinjve shqiptarë për rekrut në ushtrinë turke, kushtet e rënda ekonomike, varfëria e madhe, trusnia e ushtruar nga ana e Perandorisë,m që të nderojnë fenë apo të konvertohen si dhe pazarllëqet e dëmshme në kurriz të shqiptarëve për interesa të caktuar në mes Venedikut, sllavëve dhe disa personaliteteve kishtare.
Iniciator kryesor për këtë shpërngulje ishte arqipeshkvi i Zarës, Visk Zmajeviq. Është mjaft indikativë një marrëveshje sekrete në mes Zmajeviqit, përfaqësuesve sllav dhe Venedikut e vitit 1713, në të cilën vendoset që të shpërngulen shqiptarët rreth Liqenit të Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore.
Tokat e të shpërngulurve do t’u ndaheshin serbëve, ndërsa shqiptarët do të vendoseshin në Zarë, në afërsi të Pulës dhe qyteteve të tjera bregdetare dallmatine.
Përveç shpërnguljes së vitit 1721, kemi edhe tre shpërngulje të tjera të rëndësishme të shqiptarëve në Arbresh, në vitet 1726, 1727 dhe 1733. Pas këtyre shpërnguljeve, kemi edhe disa të tjera, por janë më të vogla.
Numri i familjeve të shpërngulura ëhtë me qindra kurse, frymët janë me mijëra.
Që në vitet 70 të shek. XX profesor Stipçeviq, në heshtje ishte përkujtuar hulumtimeve, grumbullimeve, mbledhjeve të informacioneve nga të moshuarit, rrëfyesit besnik të traditës, me të cilat ai ka pasur qasje më të besuar dhe te verifikuara, për dallim nga të tjerët. Kanë qenë anasit (neudasit), fqinjët, miqtë e familjarët që i kanë ndihmuar.
Pa dyshimin më të vogël, libri i tij i fundit, Kultura tradicionale e Arbëreshëve të Zarës është vepër shkencore, shumë fortë e ndërtuar dhe monografi e shkruar me mjeshtëri, kushtuar vlerave te veçanta të trashëgimisë ndër shekuj të arbëreshëve të Zarës, grupi etnik që banojnë në paralarjen e Zarës ,të cilat kanë ruajtur gati tre shekuj veçoritë e theksuara të tyre. Për këtë deri tani shumë pak është shkruar, ndaj autorit në këtë libër, në pjesën më të madhe sjell rezultatet e hulumtimeve personale. Mbi këto hulumtime fondamentale të besueshme dhe thelbësore, prof. Shandri (siç i pëlqeu ta thërrasin) hap pas hapi, me një durim të pa përshkruar, ndërton godinën e kulturës tradicionale të arbëreshëve të Zarës, e cila është bindëse, mbresëlënëse, dhe gjithnjë e ngrohtë dhe e gjallë. Ashtu, në atë mënyrë, ai na përshkruan këto dukuri interesante e specifike, që deri më tani kanë mbetur në pakujdesi dhe shumë pak e njohur, ndërsa paraqet pjesë shumë të rëndësishme përbërëse të kulturës kroate dhe po aq e rëndësishme sa edhe kontuiteti i traditës etnike shqiptare.
Pa u ndalur në përmbajtjen thelbësore të librit „Kultura tradicionale të Arbëreshëve të Zarës“, shtrihet ne 450 faqe e ndare ne 3 kapituj dhe përmban një tërësi, e cila evidentohet që në parathënien e këtij botimi. Kjo është edhe arsyeja e parë pse nuk do të merremi me citime nga ky libër manuel e me interes, sepse nuk dëshirojmë të zvogëlojmë kureshtjen e lexuesve serioz, sepse ky nuk është qëllimi ynë parësor.
Në hyrje (faqe 1-40) autori jep një historik të thurët mbi shqiptarët e Zarës, ndërkaq në kapitullin e parë (faqe 41-270) trajton në mënyrë të shkëlqyer jetën dhe traditën e tyre si: vetitë karakteristike e trupave të Arbëreshëve; Jeta e tradita në familje; Pozita e gruas; Pjellshmëria dhe shterpësia; Sjellja ndaj të moshuarve; Ruajtja e ushqimit; Doket dhe zakonet; Dhënia e fjalës (Besës); Veshjet popullore; Armët personale; Këngët dhe vallet popullore; Respekti ndaj te vdekurve; Respekti ndaj bukës; Besimi fetar; Karnevalet; Sporti popullor; Mjekësia popullore; Gjuha apo e folmja e arbëreshëve të Zarës ; Antroponimet,tamponimet etj.
Në kapitullin e dytë (271-372) autori përshkruan kryesisht besimin e arbëreshëve të Zarë, duke e ilustruar gati çdo njërën prej tyre me tekst paralele në gjuhën arbëreshe dhe kroate.
Në kapitullin e tretë (373-446) autori në libër përfshin letërsinë popullore (orale) ku janë të evidentuar me mjeshtri të gjitha këngët, tregimet dhe fjalët e urta të arbëreshëve të Zarë. Në një prononcim prof. Stipçeviq thekson: „Është me interes të theksoj se në vitin 1909 në Arbnesh të Zarës ka qenë një linguist gjermanë albanologu Gustav Vangan, i cili ka konstatua se në Arbënesh ruhet një këngë e vetme popullore. Mirëpo, shton prof. Stipçeviq unë kam mbledhur tetëmbëdhjetë. Pra ai është mashtruar pak, e sipas të gjitha të pyeten, por ato këngë megjithatë janë ruajtur. Në veçanti janë ruajtur tregimet dhe ato tregime janë shumë interesante që flasin për disa zakone, për disa besime që janë të çuditshme, si p.sh. Besimi për gjarprin, për kalin, për botën e zjarrte dhe te ngjashme, që në fakt prekin kohën parahistorike.
Libri monumental i Profesor Stipçeviqit na përkujton historinë dhe vlerat tradicional, për të cilat me siguri mund të na kenë zili të tjerët. Për këtë arsye, monografia e Akademik Stipçeviqit e analizuar nga aspektet nga psikologjike, sociologjike, filozofike e në veçanti gjuhësore (albanologjike) e historike është një zë kushtrimi që vjen nga e kaluara, është një qortim që troket mbi ndërgjegjen e intelektualëve tonë, që ti kthehen vetvetes, burimit, mënjëve të mbijetesës sonë, sepse vetëm në këtë mënyrë siç bënë prof. Stipçeviq, angazhimi i tyre do të jetë në funksion të një progresi që të shpie drejtë një ardhmërie më të lumtur e më të begatë. Sepse nëse merremi vetëm me të kaluarën na plas vetëm njëri sy, po nëse do të harrojmë të kaluarën e hidhur të popullit tonë , na plasin të dy. Profesori Stipçeviq edhe me këtë studim monumental është për tu përgëzuar për pasionin e durimin me të cilin ka punuar tërë këto vite, duke mbledhur si bleta nektarin lule më lule, e autori lagje më lagje, shtëpi në shtëpi në para lagjen e Arbëneshit të Zarës, për ti evidentuar të gjitha gojëdhënat , fjalët e mitet, doket e zakonet, pra për të rrugëtuar ndër shekuj, të cilat paraqesin për ne një kandil të ndezur, që ndriçon dhe zbulon të kaluarën tonë, duke depërtuar deri në thellësi të saj. Autori ka kaluar kështu me sukses të plotë një provë tepër të vështirë, për të cilët edhe recensentët e nderuar (Akademik R. Katiçiq e Prof. Dr. Zef Mirdita) kanë dhënë vlerësime pozitive. Dhe kjo sigurisht përbënë një meritë, por në të njëjtën kohë edhe shpresë se nga Profesor Sandri në një të ardhme të afërt do të kemi punime të tjera me vlerë për historiografinë shqiptare e albanologjike e pse jo edhe ballkanike. Është kjo jo vetëm një dëshirë por edhe një obligim atdhetar që kemi ne studiuesit e historianët (jo të nivelit të profesor Shandrit, që as nuk kemi mundësinë të jemi as hija e tij), për të evidentuar, vëzhguar proceset dhe fenomenet, për ti studiuar ngjarjet e figurat historike, e për ti dhënë lexuesit një studim sa më të plotë e me vlera të vërteta që ajo pa dyshim i ka. Vetëm në këtë mënyrë, siç është libri i Prof. Stipçeviqit, do ti mbrojmë, zhvillojmë traditat kombëtare, do ti ushqejmë gjeneratat e reja me vlerat e tyre të cilat sigurojnë mbijetesë, dhe progresin e pandalshëm.
Pra ky është mësimi dhe mesazhi që na përcjellë libri i radhës i Akademik Aleksandar Stipçeviq, „Kultura tradicionale e Arbneshëve të Zarës“, të cilin unë edhe një herë e uroj dhe e përgëzoj për djersën e derdhur dhe punën titanike që ka bërë.
Në fund do të shtoja se e pata nderin dhe kënaqësinë që me autorin e Librit „Kultura tradicionale e Arbneshëve të Zarës“, të takohemi me shekuj e ndër shekuj, me ritet, doket, zakonet e besimit , pjesë e trungut arbëror , e duke iu bashkangjitur mendimit të tij esencial që e përshkon fund e krye veprën e fundit , e cila midis rreshtash nënkuptohet si loti se „i mjerë është ai popull që nuk ka ose është në gjurmë të identitetit dhe historisë së vetë“. Miqësisht i uroj suksese të tjera në të ardhmen e kurajë në rrugëtimin e tij shkencor, fisnik e kombëtar.